22 mars 2020/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Tiranë
Familjet që jetonin në zonën ku është ndërtuar bulevardi i ri dhe që iu prishën me forcë banesat për t’i hapur rrugë investimit, janë lënë në mëshirë të fatit nga Bashkia e Tiranës, ndonëse atyre u ishte premtuar se do të ishin pjesë e programit të strehimit. Plot një vit pas kësaj ngjarje, përveç faktit që këto familje nuk kanë përfituar nga asnjë program strehimi, ata po përballen dhe me gjobat e majme për mospastrimin e inerteve të lëna pas nga IKMT që u shembi shtëpitë.
Rreth një vit më parë, familja Mija mbeti pa shtëpi. Shtëpinë dykatëshe, investim i një jete u prish nga IKMT për t’i hapur rrugë zgjatimit të bulevardit të ri të Tiranës. Sot ajo sorollatet nga një shtëpi me qira në tjetrën, pa mundur dot të gjejë të drejtën për një bonus qiraje ose së paku për t’u futur në programin e strehimit e për të përfituar një nga format e tij. Dikur banorë të njësisë 8 pranë stacionit të Trenit, ndërsa tani jetojnë në katin e parë të një shtëpie dykatëshe me qira në njësinë administrative të Paskuqanit. Pesha e atyre ditëve të gjatë rezistence me policinë ka bërë që gjithçka e ndodhur të memorizohet fort në kujtesën e tyre.
“Erdhi policia një ditë para, rezistuam ne. Në darkë erdhën furgonat e policisë dhe kush qe mashkull në shtëpi i kanë marrë në rajon. Më pas u kthyen në 5 të mëngjesit të nesërmen, ishin rreth 1500 forca policie të ndryshme, u përleshëm, por 40 gra ishim ne. Na kanë torturuar, na hodhën gaz lotsjellës”, rrëfen Tushja, 63-vjeçare.

Familja e saj është një nga 40 familjet, shtëpitë e të cilëve u prekën nga zgjatimi i bulevardit të ri, dhe që nuk munden të përfitonin dëmshpërblim financiar pasi shtëpitë e tyre ishin në proces legalizimi.
“Ne nuk na erdhi lajmërimi vetëm na sollëm me një listë vlerësimet. E imja u vlerësua 53 milionë lekë. Deri ku është punuar bulevardi u dhanë lekët me dhe pa legalizim. 40 shtëpi poshtë tek pjesa fundore që nuk është ndërtuar, nuk na dhanë asgjë. Ne nuk kemi marrë as divanet që kemi fjet. Vetëm me rrobat e trupit kemi dalë nga shtëpia. Kush e nxori një divan qe me fat. Fadroma filloi direkt prishjen me plaçkat ende brenda”, tregon ajo për Portën Vendore.
Shtëpia e Tushes si shumë shtëpi të tjera në atë lagje ishte dykatëshe dhe i është dashur më shumë se 20 vite për ta sjellë në vend e për të ndërtuar një vatër të ngrohtë, një shtëpi për së mbari siç thotë edhe ajo.
Ndërsa bashkëshorti i saj Mustafa pësoi shok psikologjik në momentin që mori vesh se shtëpia u shemb. Ai ndjehet i braktisur nga shteti dhe institucionet e pushtetit vendor, teksa shtyn ditët që i lënë radhën njëra-tjetrës.
“S’kemi shpresë që do të marrim dëmshpërblim. Ai përderisa e shembi nuk do na paguajë gjë, se në të kundërt do të na i kishte kaluar lekët në bankë dhe pastaj do ta shembte. Ai përderisa s’i dha do të thotë që s’të jap më. Ajo punë ka ikur. Shteti duhet të na gjejë shtëpi, jemi të dy të sëmurë, po bredhim shtëpi më shtëpi”, tregon ai i trishtuar.

Zërat se do të bëhej bulevardi i ri kishin disa vite që i dëgjonin, por ata jetonin me shpresën se legalizimi do të dilte në kohë dhe nuk donin të mendonin më të keqen, të mbesnin në mes të katër rrugëve.
“Asnjë gjë fare s’na kanë thënë për bonus qiraje, fazën e parë e fituam. Merr letra këtu e atje, por akoma asgjë. Për ndihmë ekonomike nuk plotësojmë pikët, se ça pikësh kanë ngel më për ne të dy, të sëmurë dhe pa shtëpi? Unë nuk di ta gjej më”, tregon Tushja e lodhur nga e gjithë kjo situatë.
Së bashku me Klinikën Ligjore të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe aktivistët, ata kanë mundur të çojnë çështjen në gjykatë ku kanë kërkuar dëmshpërblim moral dhe ekzistencial.
“Kemi hap gjyq vetëm për dëmin moral. Dhe në shkallën e parë nuk kemi fituar, por do ta apelojmë. Fituam vetëm heqjen e gjobës prej 5 milionë lekësh që na kishte venë bashkia për mos-heqjen e inerteve”, tha Tushja.
Së bashku me bashkëshortin ajo përpiqet t’ia dalë me fare pak të ardhura, ku me to duhet të paguajë qiranë, ujin, dritat, ilaçet dhe të ushqehet.
“Nga stresi u sëmura, shkova vura unazë në zemër. Se të dalësh jashtë në këtë moshë… Punuam gjithë jetën dhe asgjë s’fituam. 150 qiraja, plus uji e drita shkon 200. Nuk na del pensioni fare. Na ndihmon djali me nusen. Ne me lekët e pensionit marrim vetëm ilaçe, 100 mijë lekë në muaj, se një pension kemi. Unë dua strehim, nuk kam mundësi me dy kate, por ama diçka me fut kokën e dua. Ose do bëj vetëflijim. Nga shteti dua të jetoj, më nxori jashtë, të na ndihmojë tani”, thotë ajo e vendosur që t’i shkojë kësaj beteje deri në fund.

Franc Terihati, avokat pranë Klinikës Ligjore na shpjegon se çështja e kësaj familje është rrëzuar në gjykatën e shkallës së parë dhe tani pritet apelimi i saj.
“Ligji i ri i strehimit parashikon qartë dhe thotë se procedura duhet të nisë 75 ditë para, pra negociatat me familjen. Ndërsa 30 ditë para, bashkia duhet të bëjë me dije vendimin për ta integruar këtë familje në një nga programet e strehimit. Atë që kërkuam ne ishte dëmi moral dhe dëmi ekzistencial gjë që gjykata e rrëzoi me pretendimin se banorët ishin njoftuar 3 ditë përpara. Ne i kemi kërkuar gjykatës 300 milionë lekë në total për 4 familjet që përfaqëson Klinika Ligjore”, tha Terihati.
Ai e cilësoi vendimin e gjykatës absurd, pasi s’përmbante asnjë interpretim. Megjithatë Klinika Ligjore së bashku me 4 familjet do ta vijojë këtë proces, ku hapi i radhës do të jetë padyshim apelimi i çështjes.
Por familja Mija nuk është e vetmja që Porta Vendore kontaktoi. Në një njëjtën situatë prej një viti ndodhet edhe familja Muça, por kjo familja e ka ndjekur privatisht nga ana ligjore.
Fitore Muça i përkiste fazës së tretë të shpronësimeve, nëse për shtëpinë e saj do të kishte një dritë jeshile nga legalizimet, pasi shumë nga 40 familjet ishin në proces legalizimi.
Ajo na tregon se i shoqi ka punuar gjithë jetën në ndërtim, teksa shtëpinë dykatëshe në vitin 2000, e kanë ndërtuar të dy së bashku.
“30 vite djersa ime e ballit, e burrit dhe fëmijëve. Ajo shtëpi ka shkuar rreth 200 milionë lekë pa frikë. Na lajmëruan ditën e parë rreth orës 12 të drekës, që do t’u prishen shtëpitë. Na lajmëruan me gojë, dhe të nesërmen erdhën në orën 5 të mëngjesit me mijëra policë dhe na prishën shtëpitë pa na lejuar të shpëtonim asgjë. Erdhën dhe na hodhën gaz lotsjellës. Burrin tim e plagosën në dorë dhe e morën në polici për kundërshtim të forcave të policisë. Ndenji në burg 3 ditë. Dhe në fakt nga gjithë kjo situatë e krijuar ai kaloi në depresion”, tregon me lot në sy Fitore Muça.

Të ardhur nga rrethinat e Bulqizës në vitin 2000, ata menduan për një jetë më të mirë dhe më me shumë mundësi për dy fëmijët e tyre, ndaj edhe bënë këtë lëvizje, për të ardhur në kryeqytet.
“Kemi shkuar, kemi kërkuar për bonus qiraje, por rezultojmë me letra me tokë në fshat, atje në Bulqizë dhe na thanë që s’e fitoni. Ndërsa drejtësinë do ta kërkoj gjithmonë, pasi është djersa jonë. E kam ndjekur çështjen privatisht në gjykatë me avokat, jemi në apel tani. E vetmja gjë që na u mor parasysh është ai 5 milion lekëshi i gjobës së vendosur nga IKMT-ja meqë nuk pastruam inertet e shtëpisë tonë, që na është hequr nga gjykata. Jam lodh në fakt, nuk e di a të mbaj më shpresa se me duket ndonjëherë e vështirë që ta fitojmë këtë çështje”, tregon ajo.

Jetesa e re i ka diktuar sfida të reja pasi çdo muaj duhet të paguajë një qira jo të vogël.
“Shtëpinë aktuale me qira e kam marrë në rrugën ‘Jordan Misja’ dhe atje më shkon rreth 250 mijë lekë në muaj. Kemi një vit që mezi po e përballojmë”, përfundon Fitorja.
Aktivistët e shoqërisë civile kanë qenë një tjetër komponent i rëndësishëm për mbarëvajtjen e procesit, pasi në shumicën e rasteve banorët e traumatizuar dhe pa informacionin e duhur nuk kanë ditur ku të drejtohen dhe nga t’ia nisin për të ndjekur rrugën e drejtësisë.
“Ne kemi kontaktuar disa familje, por jo të gjitha ishin të interesuara ta ndiqnin institucionalisht procesin, ndaj disa e ndoqën në rrugë private e disa s’e ndoqën fare. Ne aktualisht kemi kontakt me 12 familje, që po i ndjekim. E rëndësishme është që një pjese prej tyre iu hoq ajo gjoba prej 5 milionë lekësh të vjetra që IKMT-ja i vendosi për mospastrim inertesh”, tregon Fatjon Kaca, aktivist.
Ai shton gjithashtu se: “Bashkia i tha vetë se kur të prishen banesat do t’ju sistemojmë, me një nga programet e strehimit, ku bonusi i qirasë është më i përshtatshëm për këto familje, kjo është edhe me ligj. Në jemi në gjyq me bashkinë që s’ka bërë negocim dhe si ka sistemuar familjet. Nuk ka rëndësi nëse këta janë në kushte të mira apo jo, sipas ligjit iu është prishur shtëpia dhe u takon të strehohen në një nga programet. Nëse do ishte e legalizuar do merrnin lekët dhe kaq”, tha për Portën Vendore aktivisti Fatjon Kaca.
Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë, për masat e marra kundrejt këtyre 40 familjeve të mbetura në qiell të hapur e konkretisht për dy rastet që Porta Vendore mori në shqyrtim, por pavarësisht kalimit të afatit 10 ditor, nuk u dha një përgjigje nga ky institucion.