21 mars 2020/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës
Kryeministri Edi Rama njoftoi mbrëmjen e së premtes se orari i lëvizjes së këmbësorëve do të ndryshonte sërish. Qytetarët mundën të lëviznin të shtunën në fashën orare nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 13:00.
Në Durrës banorët e shfrytëzuan orarin për të furnizuar shtëpinë me ushqime. Radhët më të mëdha ishin në supermarketet dhe furrat e bukës në qytet. Farmacitë ishin të qeta ndërsa oficerët e Forcës Detare Shqiptare të bazës së Durrësit dhe policia e shtetit i kërkuan qytetarëve të presin në radhë duke ruajtur distancën e sigurisë dhe të dezinfektojnë duart në hyrjen e supermarketeve.
Masat e shtrënguara të lëvizjes së këmbësorëve duket se synojnë të frenojnë fenomenin e shëtitjeve të panevojshme, siç vijojnë të ndodhin në Durrës gjatë orarit të lejuar të lëvizjes përgjatë paradites. Sot pas orës 13:00 deri në mëngjesin e së hënës qeveria ka ndaluar lëvizjen e këmbësorëve, automjeteve dhe mbylljen e të gjitha shërbimeve.






