21 mars 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore/ Tiranë
Ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e shoqatave prodhuese e të industrisë bien të gjithë dakord në një pikë: situata e shkaktuar nga koronavirusi është një skenar shumë i zymtë për ekonominë dhe biznesin në vend. Rënia ekonomike ka filluar që tani ndërsa dëmi për sipërmarrjen përllogaritet në miliona euro. Mbyllja e shumë bizneseve të vogla por edhe ndërmarrjeve të mëdha do të shoqërohet me mungesë likuiditeti, me ulje të ndjeshme të konsumit dhe pas disa muajsh mund të shoqërohet edhe me tension social.
Biznesi i vogël: Jemi me sytë nga shteti
Prej thuajse dy javësh që kur në Shqipëri doli rasti i parë i prekur me koronavirus, shumë prej bizneseve mbyllen qepenat e tyre nga frika se tashmë koronavirus kishte mbërritur edhe në vendin tonë. Në ditët në vijim, për shkak edhe të masave shtrënguese të ndërmarra nga qeveria edhe ato pak biznese që qëndronin të hapur u mbyllën. Të enjten e datës 19 mars 2020, kryeministri Rama nëpërmjet ERTV deklaroi edhe paketën financiare me 7 pika, ku e quajti një plan A për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria. Ai deklaroi se për të përballuar këtë fazë janë miratuar 230 milionë dollarë, ku 10 miliardë lekë, ose 100 milionë dollarë janë garanci për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve dhe duan të marrin kredi; 6.5 miliardë lekë, ose 65 milionë dollarë për nevojat më imediate për shtresat më në nevojë, për biznesin e vogël dhe për papunësinë e mundshme për shkak të luftës. Por kjo paketë financiare prej 230 milionë dollarësh të propozuara ende nuk është ndarë sipas zërave, ndaj edhe shqetësimet e biznesit janë të mëdha.
“ Unë kam dy javë që kam mbyllur biznesin tim të rrobaqepësisë. Punonjëset e mia i kam dërguar në shtëpi në datën që në datë 11 mars. Madje kam qenë e fundit që e kam mbyllur biznesit këtu në lagje. Tani ato normalisht kërkojnë rrogat që të mbajnë frymën gjallë, por unë nuk mund ti siguroj shumë pasi nuk kemi pasur ende marrjen e porosive nga klientët, dhe e gjitha kjo na kapi gafil dhe në mes të muajit. Ne si biznes i vogël jemi shumë të shqetësuar, pasi njëherë na kapi tërmeti, okay i pagova 2 punëtoret por s’mund të vijojmë kështu. Ndërkohë që e ndoqa me vëmendje paketën financiare të Kryeministrit Rama, por megjithëse kanë kaluar 3 ditë nuk kemi ende një sqarim të detajuar të saj. Punëtorët kërkojnë të dinë sa do të marrin nga qeveria për këto muaj që të bëjnë parashikimet e tyre financiare”, tha Dona, një rrobaqepëse në lagjen Ali Demi.
Ndërsa frika e saj për të ardhmen është e madhe, pasi duke u nisur nga kjo situatë, familjet do të kenë të ardhura gjithnjë e më minimale, ose në rastin e daljes nga kjo situatë sipas skenarit 3 mujor, atëherë ato do të jenë të rrënuara financiarisht, pasi kanë shpenzuar gjithë kursimet, ndërsa rrogat e tyre janë minimizuar. Donën e shqetëson e nesërmja sepse ajo pyet me të drejtë; “Kush do të vijë të qepi më fustane e funde tek unë?”.
Një tjetër biznes që Porta Vendore kontaktoi është ai i parukerisë. Reti është një vajzë në të 30-tat e cila tregon se prej 4 vitesh e ka ngritur punën e saj me klientët me shumë mund, ndërsa tani si shumica e njerëzve qëndron në karantinë me mendjen tek puna sigurisht.
“ Unë bëj thonjtë, është një shërbim luksi ky në fakt për shumë vende të Europës dhe që paguhet shumë mirë jashtë. Ndërsa në Shqipëri kaq janë kushtet dhe ne si biznes i vogël mezi arrijmë të mbulojmë taksat, ndaj edhe dyqanin e kam hapur së bashku me një shoqen time që të mbulojmë shpenzimet, pasi ndryshe nuk na del. Por shqetësimi im janë taksat përgjatë këtyre 2-3 muajve që do të qëndrojmë nën karantinë. Dhe sigurisht do të sugjeroja një tolerancë për një periudhë disa mujore sidomos për biznesin e vogël që me këtë krizë që do të kaploje vendin tonë pas përfundimit të Koronavirusit, gjasat janë të pakta që të mbijetojë”, tha ajo për Portën Vendore.
Ndërsa Porta Vendore pyeti gjithashtu pronarin e një servisi telefonash se si po e menaxhojnë situatën gjithashtu.
“ Ne kemi qëndruan në karantinë gjatë të gjithë kësaj kohe, pasi duke qenë babai i dy djemve të vegjël nuk kam dashur kurrsesi që nëpërmjet ekspozimit në dyqan të rrezikoj shëndetin e tyre. Por me thënë të drejtën jemi në pritjen e ndonjë lajmi të mirë nga qeveria pasi jam shpresëplotë që në këtë situatë që ne ndodhi si familje nuk ka për të na lënë vetëm, jo vetëm ne por shumë biznese të tjera familjare. Ndërkohë për mënyrën e përballimit të shpenzimeve po ja dalim duke harxhuar ato pak kursime që kemi bërë gjatë vitit dhe që i kishim hequr mënjanë për pushimet e verës”, tha Besi, pronari i një servisi telefonash në kryqëzimin e Porcelanit.
Miliona euro dëm ekonomik
Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë thotë se situata e biznesit të madh e të vogël është shumë e rënduar dhe se skenarët në vazhdim janë të zymtë. Ai thotë se biznesi ka pamundësi të paguajë taksat dhe pagat e punonjësve dhe të gjitha kompanitë janë prekur nga masat shtrënguese të marra nga qeveria për shkak të mbrojtjes nga koronavirusi. Sipas tij dëmi ekonomik përllogaritet në miliona euro.
“Situata edhe te biznesi i madh dhe te biznesi i vogël dhe te gjithë sipërmarrja private në Shqipëri është aq e rënduar saqë pret një plan të detajuar masash nga qeveria shqiptare sesi dhe cilët janë skenarët për vazhdimin. Ne thjesht kërkojmë të mbulohen pagat që aktualisht janë në pamundësi të mbulohen nga ndërmarrjet që janë mbyllur për shkak të masave shtrënguese. Nëse vazhdon situata kështu, nuk ka asnjë paketë qeveritare që përballon humbjen që pëson sipërmarrja shqiptare. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm që ekonomia shqiptare qarkullon në ditë rreth 35-40 milionë euro dhe nëse ky qarkullim pengohet, atëherë do të jetë e pamundur që jo vetëm që ti nuk i kompenson dot këto para, por ty të mungojnë dhe ato 10 milionë euro të ardhura ditore. Pra, skenarët janë shumë të rrezikshëm dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Nëse kjo situatë vazhdon edhe 2 javë të tjera ju siguroj që dëmet do të jenë më të mëdha nga varfëria sesa nga koronavirusi”, shprehet Nikolin Jaka, për Portën Vendore.
Edhe Alban Zusi, Drejtori i Shoqatës së Industrialistëve Ushqimorë thotë se masat shtrënguese të ndërmarra nga qeveria kanë krijuar një problem të madh te biznesi, i cili sa vjen e po rëndohet. “Kjo situatë po krijon probleme tek bizneset në sensin që një pjesë e mirë e tyre do të kenë kosto të shtuara, sepse ndonëse nuk merren me asnjë aktivitet, ata nuk mund të lënë pa paguar qira ambiente, nuk mund të lënë pa paguar një pjesë të administratës që është e domosdoshme. Elementi i dytë është mospagesa e pagave. Një pjesë e punonjësve do të krijojë zgjidhje të tjera alternative. Mungesa e pagave do shkaktojë rënien e konsumit. Dhe rënia e konsumit do të bëjë që ato pak ndërmarrje që do punojnë, ndërmarrjet e sektorit ushqimor, do të kenë më pak të ardhura, do kenë me pak shitje”, shprehet për Portën Vendore Alban Zusi.
Problematike ai e shikon edhe situatën për ndërmarrjet eksportuese për shkak të rregullave që janë vendosur për karantimin e shoferëve. Ai propozon që të negociohet me shtetet fqinje që të mos ketë pengesa në kufi për eksportin e mallrave.
“Përsa i përket ndërmarrjeve eksportuese probleme do ngelet vështirësia në eksport e cila vjen nga rregullat e garantimit të shoferëve, e cila vijon të jetë problem dhe s’po merr zgjidhje pavarësisht se kemi disa ditë e adresojmë si çështje. E dyta, duhet të negociohet me vendet fqinje të mos ketë pengesa për mallrat. E treta, jo të gjitha ndërmarrjet eksportuese do kenë mundësi të vazhdojnë të eksportojnë. Do vijojë eksporti i ushqimeve, por ndërmarrjet ekspertuese të tekstileve do jenë në vështirësi. Madje, që tani janë mbyllur disa prej tyre, pasi blerësit janë kryesisht italianë dhe nuk po marrin më mall”, shprehet Zusi.
Gjergji Gjika, Kryetari i Dhomës së Fasonëve thotë se me situatën aktuale dëmi ekonomik që i shkaktohet kësaj sipërmarrje është 3 deri në 5 milionë euro në javë. “Vetëm shpenzime, paga sigurime në sektorin fason janë 3 deri në 5 milionë euro në javë. Ju e kuptoni vetë se çfarë dëmi është sepse kjo shkon zinxhir”, shprehet zoti Gjika.
Jaka: Të izolohen vetëm grupet që rrezikojnë të preken nga koronavirusi
Pikërisht për të shmangur kolapsin ekonomik, Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka propozon që të mos ketë izolim total të njerëzve por të izolohen vetëm ata grupe njerëzish që kanë më shumë rrezik të preken nga koronavorusi, ndërsa pjesa tjetër të lihet e lirë të punojë e qarkullojë duke marrë masa mbrojtëse dhe duke ruajtur distancën.
“Unë them se duhet të merren masat për të izoluar të gjithë qytetarët që janë të rrezikuar për t’u prekur me koronavirus. Pra, të izolohen të gjithë moshat mbi 65 vjeç dhe të gjithë pacientët e tjerë që janë sëmundje të tjera. Dhe të lihen qytetarët e tjerë të shkojnë në punë. Kjo duhet të bëhet aktualisht, sepse duke i futur të gjithë në shtetrrethim i fut të gjithë në një situatë të rrezikshme. Pasi normalisht dikush duhet të punojë, dikush duket të gjenerojë të ardhura. Më mirë t’i lëmë njerëzit me kushte sigurie të forta dhe t’i lëmë të lirë, por të ruajnë radhën, të mbajë distancën etj., sesa t’i grupojmë në orare dhe aty bëhet nami. Unë po shihja sot disa kronika dhe aty ishte skandal. Njerëzit ngjitur duke mbajtur radhën në markete, unë dua të blej, unë kam frikë, s’kam ku marrë maskën. Janë disa gjëra që po bëjnë panikun më të madh se ç’ duhet dhe duhet të jemi të kujdesshëm se kthehet në një panik qytetarësh dhe e humbasin edhe orientimin”, shprehet Jaka.
Sektori fason në krizë, Gjika: S’mbulojmë dot rrogat
Gjergji Gjika, Kryetari i Dhomës së Fasonëve e krahason situatën aktuale me një ekuacion me disa të panjohura, por që ka sjellë një kaos tek biznesi fason dhe pamundësi për të paguar pagat e punonjësve ndërsa aktualisht po punohet me kapacitete të reduktuara.
“E para është jeta e njerëzve. Ne nuk dimë si do të kurohemi dhe nga kush do të kurohemi dhe si do të mbrohemi, por nga ana tjetër është edhe vijueshmëria e jetës, ku nënkuptoj edhe vijueshmërinë e biznesit. Njerëzit duhet të ushqehen njësoj edhe në korrik, edhe në gusht, edhe në shtator edhe në dhjetor, kështu që në këtë kuadër është shumë e vështirë sot, një ekuacione dy të panjohura dhe ne nuk kemi asnjë të dhënë. Sa i përket problemeve me të cilat haset biznesi fason, e para punonjësit kanë frikë të vijnë në punë për shkak të koronavirusit. E dyta, nga kjo kakofonia e mediave, ku del që nga i pari e deri tek i fundit dhe u thonë njerëzve qëndroni në shtëpi se do t’u japim rrogën dhe të gjithë e përkthejnë se shyqyr na erdhi dita, si të punojmë si të rrimë në shtëpi, rrogën do të na e japi hirësia e tij. Sektori fason vazhdon të punojë, por me kapacitete të caktuara. Dikush nuk ka ku të lërë fëmijën dhe ne e kemi lejuar të qëndrojë në shtëpi, gratë shtatzënë druhen dhe ne i kemi lejuar të qëndrojnë në shtëpi. Dikush tjetër gjithashtu thotë kam frikë dhe ne nuk mund t’i detyrojmë me zor që të vijnë në punë. Nëse shteti merr një vendim për këtë situatë duhet ta çojë deri në fund vendimin. Çfarë mund t’i bëjmë ne këtyre punonjësve, ku do t’i gjejmë paratë?”, shprehet Gjika. Një tjetër problem thotë ai është se po anulohen porositë dhe anulimi i porosive do të thotë mospagesë dhe mosarkëtim. Nëse nuk ka arkëtim atëherë nuk ka para për të mbuluar rrogat e punonjësve. Pikërisht ky është problemi më i madh i këtij sektori.
Plani financiar i qeverisë, sinjal pozitiv por duhet parë si do procedohet
Të pyetur në lidhje me planin financiar prej 7 pikash dhe me një vlerë totale në 230 milionë dollarë të propozuar nga kryeministri Rama, përfaqësuesit e biznesit e shikojnë një sinjal pozitiv të qeverisë por nga ana tjetër shprehen se kjo duhet parë në ditët në vijim sesi do të procedohet konkretisht me të.
“Ndihma që ka ofruar qeveria është përshëndetur nga sipërmarrja private dhe është parë si një sinjal pozitiv, por është ndihmë në kushtet e emergjencës dhe ne po presim që të bëhet transparente dhe të detajohet plani si do të operohet. Ne presim detajimin e shpërndarjes së 65 milionëshit dhe presim si do veprohet me fondin e garancisë. Sepse shumë ndërmarrje do drejtohen atje për të shlyer pagat e punonjësve”, shprehet Jaka.
Edhe Alban Zusi është në të njëjtën linjë mendimi, duke thënë se plani i qeverisë do shihet si do zbatohet në praktikë. “Ngelet për t’u parë në zbatim. Besoj se ai është përpjekur të bëjë më të mirën që mund të bëjë qeveria në këto momente, por ngelet për t’u parë pas 1 jave, dhjetë ditësh sesi do zbatohet”, thotë Zusi. Por ndryshe shprehet Gjergji Gjika. Ai thotë se plani i propozuar nga Rama ishte i paqartë dhe aspak konkret.
“Unë nuk kuptova gjë nga ai plan masash, edhe pse kam një formim të mjaftueshëm intelektual, shkollor, arsimor, por nuk e kuptova atë plan masash. Kuptova më mirë në greqisht Kryeministrin Micotaqis se sa në shqip Kryeministrin e Shqipërisë. Ishte diçka shumë e përgjithshme dhe e paqartë. Kryeministri grek del dhe thotë, që do t’ju jap të gjithë punonjësve që janë në listë pagesash, madje edhe emigrantëve, 800 euro për person të punësuar. Ndërsa masat ekonomike të propozuara nga qeveria jonë janë propagandë. Këta nuk e kuptojnë. Kjo është një krizë mjekësore, por paralel me këtë është edhe një krizë ekonomike. Nëse ne e kalojmë këtë krizë mjekësore, askush nuk jep garanci se ne do ta kalojmë krizën ekonomike”, shprehet Gjika.
Ai thotë se askush nga qeveria nuk i ka ftuar ata që të japin ide dhe propozime por nëse nuk diskutohet, sipas Gjikës, nuk do arrihet kurrë të gjendet një zgjidhje. “Askush nuk ka pyetur askënd deri më sot edhe për masat. Ne duam të jemi pjesë e diskutimit. Ne s’duam merita, por të jemi pjesë e diskutimit së bashku me vendimmarrësit. Ata duhet të kuptojnë si funksion industria fasone. Vetëm atëherë ata do të kuptojnë propozimet tona. Por duhet të ulemi të diskutojmë. Ndryshe i vihet dryni dhe janë mbi 70 mijë punonjës që dalin në asistencë, dhe situata rëndohet më tej. Pra, duhet të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje. Por nëse do vijohet me këtë politikë ekonomike në këtë situatë unë e shoh shumë të errët të ardhmen”, u shpreh Gjergji Gjika kryetar i Dhomës së fasonëve.
Sokol Kraja Kryetar i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar tha se bizneset e mëdha kanë një lloj paqartësie mbi rregullat e qarta të kushteve brenda fabrikave.
“Tek kompania jonë ne masim çdo ditë temperaturën e personelit, si në aeroport. Nëse ka njerëz me temperaturë mbi 37 dërgohen në shtëpi, normalisht duke i vazhduar paga. Dhe i kemi thënë punonjësve që sa herë që s’jeni mirë, ose nëse keni ndonjë familjarë pa qejf atëherë qëndroni në shtëpi sepse prishim pjesën e shëndoshë të kompanisë”, tha Kraja.
Ndërsa përsa i përket situatës ekonomike, ai theksoi për Portën Vendore se e gjitha kjo situatë ka një risk të mungesës së likuiditetit në vijim.
Masat e reja të marra nga qeveria
Ndërkohë mbrëmjen e 20 Marsit qeveria Rama ndryshoi përsëri masat e marra. Ku duke nisur nga data 21 Mars e deri në një njoftim të dytë do të lejohet kryerja e aktiviteteve të qytetarëve në fashën e orarit 5:00-13:00. Ndërsa ushtria e policia ka zbarkuar në terren në ndihmëse të masave të ndërmarra nga qeveria ku në çdo farmaci e market do të duhet të respektohet distancimi social. Ndërsa gjatë mbrëmjes së 20 Marsit është publikuar gjithashtu edhe një listë e aktiviteteve ekonomike që lejohen ose të jo të jenë të hapura gjatë kësaj periudhe, ku nga 140 të tilla, të mbyllura do të qëndrojnë vetëm 30 prej tyre, si: gomisteritë, qendrat tregtare, dyqanet tekstile, parukeritë, dyqanet e dekorit, shërbimet catering, palestrat etj.
Biznesi i vogël më i godituri, Zusi: Në maj mund të kemi tensione sociale
Drejtori i Shoqatës së industrialistëve Alban Zusi thotë se nga kjo situatë më shumë goditet biznesi i vogël. Për këtë arsye ai propozon që qeveria të lejojë qarkullimin e skuadrave të tilla si punëtorët e ndërtimit, apo ata që merren me lyerje e dezinfektim, që duke ruajtur distancën nuk përbëjnë asnjë rrezikim për kontaminim.
“Biznesi i vogël është në vështirësi të madhe dhe duhet menduar se çfarë mund të bëhet për t’i krijuar toleranca. Duhet parë në detaje sektor për sektor të gjitha llojet e bizneseve të vogla. Për shembull kompanitë e ndërtimit, skuadrat që merren me lyerje, skuadrat që merren me meremetime të vogla, këto duhen lejuar të punojnë, sepse puna do kalojë në kolaps. Duhen lënë skuadrat që merren me dezinfektime. Ne s’po na vijnë të na bëjnë dezinfektime. Këta duhen lejuar të qarkullojnë që të kryejnë veprimtarinë e tyre, sepse shqetësimi kryesor është rënia e fuqisë blerëse në mënyrë drastike në ato limite që mund të shkohet në krizë, edhe ato pak ndërmarrje që po punojnë. Biznesi i vogël duhet parë dhe duhet lënë të punojnë aty ku nuk ka rrezik sanitar. 5 punëtorë që punojnë në një skelë ndërtimi nuk kanë mundësi të kontaminojnë asnjë”, shprehet Zusi.
Nisur nga situata aktuale ku shumë njerëz mbajnë radhe nëpër markete për t’u furnizuar me ushqime, Porta Vendore e pyeti Drejtorin e Shoqatës së Industrialistëve Ushqimore, Alban Zusin, nëse do të kemi mungesë ushqimore pas një periudhe kohe.
“Nuk është problem, do të kemi ushqime. Industria vendase prodhuese dhe përpunuese e ushqimit është e aftë ta mbajë tregun me ushqime. Nuk ka limit kohor. Industria përpunuese e mishit vazhdon të përpunojë. Qoftë industria përpunuese e mishit, ashtu e qumështit edhe frutat gjithashtu”, shprehet ai. Por ai thekson se nëse kjo situatë vazhdon për të paktën një muaj e gjysmë, atëherë vendi rrezikon të përfshihet nga tensionet sociale.
“Rënia ekonomike ka filluar. Sa kohë do të mbajë njerëzit pa dalë në rrugë për të kërkuar bukë? Kjo është çështja. Nuk e di, mendoj se 1 muaj gjysmë deri nga fundi i prillit, fillimi i majit. Nëse kjo situatë kap majin, atëherë rrezikojmë të ballafaqohemi me situata ekstreme varfërie, ndoshta edhe me tensione sociale. Ndoshta është cinike për ta thënë, por kur njerëzit ngelin pa bukë, s’ka ushtri e polici që ta mbajë dyqanin apo biznesin e mbyllur”, shprehet Zusi.