18 mars 2020/ Vali Qyrfyçi/ Porta Vendore/ Durrës
Pandemia i ka mbyllur në shtëpi banorët e fshatit Shënavlash në Durrës. Dhembja për humbjen e të moshuarës nuk mund të ndahet më askënd, ndërsa vizitat për të lehtësuar familjarët janë shmangur. Fshati është futur prej disa ditësh në karantinë.
Asgjë nuk pipëtin në fshatin Shënavlash të Durrësit. Qendra e fshatit është e zbrazët. Rrugët gjithashtu. Lokalet janë të mbyllura. Të kyçura janë edhe dyert e shtëpive. Vetëm kakarisjet e pulave dhe prania e shpezëve, maceve dhe qenve dëshmon se në fshat ka jetë. As njoftimet e vdekjes së 73-vjeçares nuk i has gjëkundi nëpër Shënavlash, fshatin që numëron 6800 banorë dhe ndodhet vetëm pak kilometra larg qytetit të Durrësit. Njoftimet e mortit mungojnë dhe në lagjen ”Shkozë”, aty ku jeton familja e viktimës së parë nga Covid-19. Në këtë lagje banojnë rreth 100 familje. Dyert e mortit nuk janë çelur në shtëpinë e të moshuarës që humbi jetën nga Covid 19. Është koha e koronavirusit, ndaj gjithçka është e izoluar në këtë pranverë të vetmisë së madhe.
Pasditen e vonë të datës 13 mars, viktima e parë nga Covid 19 në vend, u përcoll për në banesën e fundit.
Një bashkëfshatar të saj, të cilin e gjejmë teksa punon në bahçen para shtëpisë së tij, pa na u afruar, plot keqardhje na thotë se nuk mundën as ta përcillnin për në banesën e fundit dhe as të ngushëllonin familjen e të ndjerës përveçse në telefon.
”Nuk ka bo vaki kjo punë. Mos t’i bësh as nderimet e fundit komshiut me të cilin ke kaluar një jetë. U varros vetëm. Me shumë pak njerëz dhe një mjet policie shoqëronte makinën ku ndodhej trupi i saj”, tha një prej banorëve të lagjes “Shkozë”, në Shënavlash.
*Rrugët e boshatisura të fshatit Shënavlash, i cili është në karantinë
Në fshat, i madh e i vogël është vetizoluar dhe pse kjo nuk u pëlqen. Ndjehen të frikësuar derisa të kalojë periudha 14 ditore të paktën, po dhe për këtë kanë dyshime se nga cila ditë duhet të fillojë përllogaritja e karantinimit.
”Jemi mbyllur të gjithë në shtëpi qëkur mësuam se ajo ishte pozitiv. U bënë 4-5 ditë që s’dalim. Nuk na ka ndodhur asnjëherë kjo”, shton një tjetër banor prej së largu.
”Porta Vendore” kontaktoi gjithashtu me kryeplakun e fshatit Fabio Gashi, njëkohësisht i afërm i viktimës.
”Kanë kaluar 16 ditë që kur ajo erdhi nga Italia. Pra, ka kaluar periudha 14 ditore dhe asnjë nga ata që e kanë takuar nuk ka pasur shenja. As të tjerë në fshat. Kemi qenë në kontakt me të që nga dita e parë e kthimit. Dyshoj shumë të ketë pasur koronavirus. Shumë e kanë vizituar në spital deri ditën e fundit. Edhe pasi e futën në reanimacion”, tha ai.
Sipas banorëve, asnjë autoritet shëndetësor a policor nuk u kërkoi të vetizolohen, as ka shfaqur interes të ndjekë ecurinë e vetëkarantinimit. Madje as familjarëve të viktimës nuk u është bërë testi i tamponit dhe pse është kërkuar përmes numrit 127.
Xh. G. u shtrua në spitalin e Kremonas në zonën e Lombardisë ku qëndroi nga data 19 deri më 25 shkurt. Pas daljes nga spitali mori avionin dhe më 27 shkurt u kthye në shtëpi.
Disa ditë më vonë nuk u ndje mirë dhe u paraqit në spitalin e Durrësit bashkë me fletën shoqëruese të lëshuar në Itali. Mungesa e disa simptomave tipike të Covid 19, si kolla e thatë dhe temperatura e lartë hoqën dyshimet mbi të, pavarësisht kthimit nga rajoni i Lombardisë. Me rëndimin e gjendjes së saj shëndetësore, në ditën e pestë të qëndrimit në spital e kalojnë nga patologjia në reanimacion, ndërsa i ishte nënshtruar testit për Covid 19. Më 10 mars rezulton pozitive dhe një ditë më pas humb jetën pa pasur pranë asnjë familjar. Ndërsa burime brenda spitalit të Durrësit e konfirmojnë faktin që zonja kishte dorëzuar fletëdaljen nga spitali i Lombardisë.

Përtej dhimbjes për humbjen e familjares së tyre, të afërmit ndjehen të lënduar nga akuzat që rëndojnë gjoja për fshehje të faktit se ajo erdhi nga Italia.
”Fletëdalja nga spitali italian iu dorëzua që në çastin e parë mjekes pneumologe në Durrës, ndaj është e rëndë akuza që bëhet. Familjarët nuk duhet të rëndohen më tej dhe pa të drejtë”, vijon kryeplaku i fshatit.
Mjeku infeksionist që i shërbeu, dhe dy pacientet e tjera me të cilat e moshuara ndante dhomën në repartin e patologjisë në spitalin e Durrësit rezultuan pozitiv. Njëra prej tyre, një 83-vjeçare, të dielën më 15 mars, në gjendje të rënduar shëndetësore është dërguar më autoambulancë në spital.
Mjekët, infermierët, sanitaret dhe personat e tjerë që kanë qenë në kontakt me viktimën kanë rezultuar negativ, po shumë prej tyre nuk kanë dalë nga karantina në pritje të përmbushjes së afatit 14 ditor.
”Në Shënavlash nuk ishte vetëm Xh. që erdhi nga Italia. Ka dhe të tjerë që kanë lëvizur normalisht pas ardhjes. Nuk mendoi kush për tjetrin, se as nuk mendonim se do të vinte një ditë ai virus i poshtër dhe tek ne”, vijon Gashi për Portën Vendore.
Nga fundi i shkurtit e në vijim, deri para mbylljes së kufijve, në Shënavlash janë kthyer nga zonat e kuqe të Italisë të paktën 10 veta, ndërsa në të gjithë njësinë administrative Rrashbull, ku përfshihet ky fshat, janë evidentuar nga autoritetet vendore 36 persona të kthyer nga Italia e Veriut. Ky fakt e ka trazuar fshatin pasi të kthyerit nuk e kanë respektuar vetëkarantinimin e menjëhershëm.
Po shpresa nuk vdes. Në Shënavlash shumë burra mendojnë se virusi mundet me raki, ndaj konsumi i saj është rritur, por pa e tepruar. Gratë ndërkohë besojnë se Zoti nuk do t’i braktisë. Të shumtë janë ata që mendojnë se prania e Manastirit të Shën Vlashit, nga i cili fshati ka marrë emrin, do t’i mbrojë, pavarësisht besimit.
Kumbullat e pjeshkat kanë lulëzuar në fshat edhe pse kjo pranverë nuk erdhi vetëm, por bashkë më të solli virusin dhe frikën nga një armik i padukshëm dhe i panjohur, që të izolon, por nuk mund të të mposhtë.