17 mars 2020/ Arjola Hekurani/ Porta Vendore
Gjendja e trashëgimisë kulturore pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019 paraqitet shqetësuese. Në raportin e Ministrisë së Kulturës që Porta Vendore e disponon, evidentohet se kanë pësuar dëmtime të paktën 53 monumente kulturore në zonat e prekura nga tërmeti. E ndërsa dëmi në lekë llogaritet 700 milion lekë, vetëm 8,5% e kësaj shume (59 milion lekë) është parashikuar për riparimin e tyre nga Projekti i Emergjencës.
Në periudhën 26 nëntor 2019 – 12 janar 2020, janë realizuar inspektime në qarqet e prekura nga tërmeti përkatësisht në: Durrës, Krujë, Lezhë, Tiranë por edhe në qarqe të tjera për të inspektuar nga afër monumentet e kulturës sipas kategorive. “Komisioni për Planifikimin dhe Përballimin e Emergjencave Civile”, grupi i inspektimit i ngritur nga Ministria e Kulturës inspektoi në të gjithë territorin 260 objekte, nga të cilat 111 në zonat më të prekura nga tërmeti, dhe doli me një raport, të cilin Porta Vendore e disponon.

Pas tërmeti të datës 26 nëntor 2019, Ministria e Kulturës nisi menjëherë inspektimin për gjendjen e objekteve dhe zonat e trashëgimisë kulturore nëpër gjithë territorin e Shqipërisë. Trashëgimia kulturore është analizuar duke përcaktuar tre kategori kryesore, përkatësisht: Muzetë dhe sitet e trashëgimisë kulturore me biletë hyrje; Monumente dhe zona të trashëgimisë kulturore – Pronësi Publike dhe Private; Koleksione dhe Fonde (që përmbajnë koleksione historike, arkeologjike, etnografike, piktura, si dhe koleksione librash, filmash).
“Në zonën e prekur nga fatkeqësia (qarqet e Durrësit, Tiranës dhe Lezhës) ka gjithsej 54 298 objekte të luajtshme – objekte të trashëgimisë kulturore dhe koleksione të regjistruara në bazën e të dhënave kombëtare të pronave të luajtshme kulturore nga të cilat 32 368 objekte të ndodhen në muze dhe depo që administrohen nga Ministria e Kulturës”, thuhet në raport.
Për rikuperimin e objekteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti duhen rreth 700 milionë lekë ose 5.75 milionë euro.
Ministria e Kulturës në bashkëpunim me bashkitë e zonave të prekura nga tërmeti ka vendosur perimetrin e sigurisë si dhe ka ndalur kalimin e këmbësorëve dhe automjeteve pranë zonave dhe objekteve të rrezikuara si në: Kalanë e Krujës, Kalanë e Prezës dhe Kullës C në Kalanë e Durrësit etj.
“DRTK Tiranë ka marrë masat për riparimin e çatisë së kishës në kepin e Rodonit. Gjithashtu janë marrë masat për puntelim në kullën verilindore në Kalanë e Prezës si dhe çmontim pjesor të disa prej strukturave të rrezikuara për rënie në murin e Kalasë së Krujës”, thuhet në raportin e Ministrisë së Kulturës.
Porta Vendore pyeti gjithashtu për pasojat e tërmetit në numrin e turistëve që vizitojnë në mënyrë të vazhdueshme Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastriot Skëndërbeu” në Kalanë e Krujës.
“Muzeu për fat të mirë nuk ka qëndruar asnjë moment mbyllur dhe vizitorët vijojnë të jenë të shumtë. Kulla e Sahatit është rrethuar për shkak të rënies së gurëve dhe një pjesë të masivit, gjithashtu i mbyllur qëndron edhe Teqja e Dollmës, por shpresojmë që ato të rregullohen së shpejti nga institucionet e varësisë dhe të mos kemi pakënaqësi në numrin e turistëve që më së shumti e vizitojnë këtë pjesë të trashëgimisë kulturore në Krujë gjatë pikut të sezonit nga 1 maj deri më 15 tetor. Këto dy objekte janë në të vërtetë shumë të kërkuara nga turistët vendas e të huaj”, tha Medi Hafizi, Drejtor i Muzeut në Kalanë e Krujës.
Gjatë periudhës janar-shkurt 2020 këtë sit të trashëgimisë kulturore e kanë vizituar 4 mijë vizitorë, ndërsa për vitin 2019 numri shkon deri në 106 mijë vizitorë.
“Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka hartuar projektet e stabilizimit emergjent për Kullën e Sahatit Prezë, Kullën e Vrojtimit Krujë, Teqen e Dollmës Krujë, Muret perimetrale të kalasë së Prezës dhe Krujës, Muzeun Historik Kombëtar, Galerinë Kombëtare të Arteve të cilat janë miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM)”, thuhet në raport.
Restaurimet dhe origjinaliteti
Gjetjet e këtij raporti të Ministrisë së Kulturës u bënë publike në komisionin e medias, në datën 11 shkurt 2020, pak ditë përpara konferencës së donatorëve. Nga ana e Ministrisë së Kulturës u kërkua mbështetje financiare nga Ministria e Financave dhe Ministria e Shtetit për Rindërtim.
Prioritete sipas Ministrisë së Kulturës janë përcaktuar: Kalaja e Krujës, Teqja e Dollmës, Kalaja e Durrësit, Kalaja e Prezës, Kalaja e Bashtovës dhe Muzeu Etnografik “Aleksandër Moisiu”, Durrës.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se të gjitha dëmet janë të rikuperueshme, por nuk dha siguri për origjinalitetin e tyre. “Në vërtetë do t’i kthejmë komunitetit atë konfigurim vizual që kishte objekti dhe përforcime që nuk ekzistonin në kohët e mëparshme, por në njëfarë mënyre nuk është origjinaliteti i plotë”, deklaroi Margariti.
Por, për studiuesin dhe arkeologun Fatos Tartari, ruajtja e autenticitetit të objekteve të dëmtuara të cilat presin fonde për restaurim është shqetësuese. “Nuk më ka kërkuar njeri mendim për mënyrën se si do të veprohet me këto monumente të trashëgimisë kulturore. Durrësi po fundoset fare. Tërmeti i ka shkaktuar një goditje të madhe këtij qyteti, dhe ca më shumë kalasë së këtij qyteti. Tek kulla C e kësaj kalaje, në fakt ka një varg problemesh, të cilat tërmeti thjesht i thelloi më shumë, duke nisur që nga restaurimi i mëparshëm që është bërë në themelet e kullës C, pasi këto themele për fat të keq nuk i përkasin shekullit të V. Ndaj duhet pasur kujdes të madh me trajtimin e këtyre pasurive”, tha për Portën Vendore arkeologu Fatos Tartari.
Dëmet e shkaktuara
Sipas vlerësimeve paraprake vendin e parë për dëmtimet e mëdha që shkaktoi tërmeti i datës 26 nëntor 2019 në objektet e trashëgimisë kulturore në qarkun e Durrësit e mban Kalaja e Durrësit, ku për restaurimin e plotë të Kullës C dhe mureve të fortifikimit duhet një fond prej 300 milionë lekësh të reja. Restaurimi i plotë i kullës dhe mureve të Kalasë së Krujës shkon 290 milionë lekë të reja, duke u pasuar nga Teqeja e Dollmës po në Kalanë e Krujës me një vlerë prej 215 milionë lekësh të reja, teksa Banesa e “A Moisiu”- Muzeu Etnografik, Durrës pritet t’i kushtojë qeverisë shqiptare 85 milionë lekë të reja. Ndërsa për qarkun e Tiranës, Kalaja e Bashtovës në Rrogozhinë pritet të kushtojë 300 milionë lekë të reja, pasuar nga Kalaja e Prezës me restaurimin në Kullën e Sahatit dhe Kullën verilindore me 200 milionë lekë të reja.
Nr. | Qyteti | Emërtimi i objektit | Total nevoja për rimëkëmbje | |
1 | Muze dhe site të trashëgimisë kulturore, në të cilat paguhet tarifë hyrje | Tiranë | Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, | 22,200,000 |
2 | Muzeu Kombëtar i Përgjimeve sekrete “Shtëpia me gjethe”, Tiranë | 10,000,000 | ||
3 | Durrës | Muzeu Arkeologjik, Durrës | 4,800,000 | |
4 | Amfiteatri, Durrës | 5,200,000 | ||
5 | Lezhë | Kalaja e Lezhës – Park arkeologjik | 15,000,000 | |
6 | Pronësi Publike – Monumente dhe site të trashëgimisë kulturore | Tiranë | Kalaja e Prezës (Kulla e Sahatit dhe Kulla verilindore) Prezë | 20,000,000 |
7 | Kalaja e Bashtovës, Rrogozhinë | 30,000,000 | ||
8 | Teatri i Kukullave, Tiranë | 30,000,000 | ||
9 | Akademia Kombëtare e Shkencave, Tiranë | 16,000,000 | ||
10 | Godina e Ish Kinostudios, Ministria e Kulturës, Tiranë | 5,000,000 | ||
11 | Godina e “Vettingut” (Ish Lidhja e Shkrimtarëve), Tiranë | 4,000,000 | ||
12 | Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë | 29,000,000 | ||
13 | Biblioteka Kombëtare – Tiranë | 46,000,000 | ||
14 | Biblioteka Kombëtare “Fondi”- Tiranë | 10,000,000 | ||
15 | Banesa e “Arkaxhijve” – Muzeu Etnografik Kavajë | 8,000,000 | ||
16 | Durrës | Kalaja e Durrësit (Kulla C dhe muret e fortifikimit) | 30,000,000 | |
17 | Porto Romano, Durrës | 2,000,000 | ||
18 | Kalaja e Ishmit dhe banesa pranë mureve të kalasë, Durrës | 3,600,000 | ||
19 | Kalaja e Rodonit dhe Kisha e Shna Ndout në Kepin e Rodonit, Durrës | 1,800,000 | ||
20 | Kalaja e Krujës (Kulla e Sahatit dhe muret e fortifikimit), Krujë | 290,000,000 | ||
21 | Teqeja e Dollmës (në Kalanë e Krujës) | 21,500,000 | ||
22 | Hamami në oborrin e Shkollës “16 Shtatori”, Durrës | 6,000,000 | ||
23 | Ura e Kurcajt në përroin e Zerzës, Krujë | 5,500,000 | ||
24 | Banesa e “A Moisiu”- Muzeu Etnografik, Durrës | 8,500,000 | ||
25 | Lezhë | Rrënojat e Kishës së Shën Mërisë, Mamurras, Kurbin | 900,000 | |
26 | Kisha e Manastirit të Rubikut, Mirditë | 400,000 | ||
27 | Banesa e Mlikajve, Muzeu Etnografik, Lezhë | 7,000,000 | ||
28 | Pronësi Private – Monumente dhe site të trashëgimisë kulturore | Tiranë | Banesa e Sulejman Kullës, Gjuricaj, Durrës | 15,500,000 |
29 | Banesa e Sali Shijakut, Tiranë | 3,100,000 | ||
30 | Banesa e Muharem Hoxhës, Ranxë, Tiranë | 15,000,000 | ||
31 | Banesa e Ahmet Çunit, Murrizë, Tiranë | 8,000,000 | ||
32 | Banesa e familjes “Kazani”, Tiranë | 3,600,000 | ||
33 | Godina e Ish të përndjekurve politikë, Tiranë | 13,000,000 | ||
34 | Lezhë | Banesa e Preng Lleshit, Mashtërkore, Mirditë | 8,500,000 | |
35 | Ish Arqipeshkëvia e Durrësit në Delbnisht, Kurbin, Lezhë | 500,000 | ||
Shuma totale | 699,600,000 |
*Në tabelë janë objektet e trashëgimisë kulturore që kërkojnë financim për restaurim
Ministria e Kulturës fut në projekt dhe monumentet e “harruara”
Në raportin e përpiluar dhe dorëzuar pranë qeverisë shqiptare, Ministria e Kulturës e ka liruar dorën që të fusë në listët e monumenteve për restaurimin edhe monumente të tjera kulturore të kategorisë së I, II dhe të III, të cilat kishin pësuar dëmtime ndër vite e askush nuk ishte kujtuar për to, por që janë theksuar pas tërmetit, për shkak të gjendjes së tyre të amortizuar dhe mosvënien dorë prej vitesh në to.
Konkretisht një prej tyre ndodhet në zonën e Lezhës. Ministria e Kulturës ka përfshirë në listën e objekteve që vlejnë për restaurim Banesën e Mlikajve, Muzeun Etnografik, me një vlerë prej 7 milionë lekësh të reja. Por sipas ekspertëve të turizmit, ky vendim është i vonuar pasi amortizimi i thellë i të vetmes banese tradicionale qytetase bëri që tërmeti të shkatërronte ato pak gjëra që i kishin mbetur në këmbë ende.
“Shtëpia e Mlikajve ka pësuar plasaritje, por ka qenë e amortizuar prej kohësh. Prandaj kam bërë apel disa herë në media, por edhe në institucione duke nisur që nga viti 2014. Më e dëmtuara, të cilës i ka dhënë një dorë të mirë edhe tërmeti është Kisha e Shën Babullës në Pllanë. Kjo kishë po pret restaurimin së shpejti. Ndërsa për fat gjendja e Memorialit të Skëndërbeut vijon të jetë e mirë”, tha Paulin Zefi, ekspert turizmi në qytetin e Lezhës.
Gjithsesi këto monumente, tashmë presin dritën jeshile për restaurim pas sigurimit të fondeve. Shqipëria mblodhi 1.15 miliardë euro në konferencën e donatorëve, ku pjesë të rindërtimit janë edhe trashëgimia kulturore. Ndërsa në datën 5 mars 2020, Ministria e Kulturës mori një tjetër lajm pozitiv përsa i përket financimit të objekteve të dëmtuara. Një shumë prej 800 mijë dollarësh do të jepen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për riparimin e 3 kalave, konkretisht për kalanë e Krujës, Durrësit e Prezës.
E ndërsa nevoja për riparim është gati 700 milion, projektet e mirauara janë vetëm 59 milionë lekë, ose vetëm 8.5 % e nevojave.