Vëzhgim/Analizë

Situata nga koronavirus, dyfishohen çmimet në tregjet shqiptare

16 mars 2020/ B. Gila/ Porta Vendore

Izolimi për shkak të koronavirus ka shkaktuar një rritje artificiale të çmimeve, kryesisht të agrumeve, frutave dhe perimeve në shumë qytete të vendit, por ka pasur dhe nga ato raste që çmimet vijojnë të jenë të palëvizura. Për këtë arsye, Ministria e Financave ka ngritur një Task-Forcë për mbajtjen nën kontroll të tregut, ndërkohë që kryeministri ka paralajmëruar gjoba të larta për ata që kapen në shkelje, jo vetëm me çmimet e tregjeve, por dhe me abuzimet që bëjnë farmacistët.

Rritja abuzive e çmimit të shitjes të të gjitha mallrave dhe produkteve ushqimore, por dhe barnave e pajisjeve mjekësore duket se ka ardhur gradualisht në ditët e fundit, që nga data e hyrjes në fuqi të aktit normativ për masat e marra kundër COVID 19 nga qeveria shqiptare. Lëvizje të çmimeve ka pasur nga veriu në jug, ku në disa raste, rritja ka qenë e lehtë, ndërsa në disa raste të tjera ato janë dyfishuar. Duke u nisur nga ankesat e shumta të qytetarëve për rritje të çmimeve, Porta Vendore ka bërë një vëzhgim në disa nga qytetet e Shqipërisë për çmimet në tregje, ku vihet re se më të prekura janë frutat, perimet dhe agrumet.

Tiranë-Durrës

Duke filluar nga Tirana, ku mendohet se banojnë rreth 1 milion banorë vihet re se ka pasur një rritje të ndjeshme të çmimeve, sidomos te frutat dhe agrumet, duke qenë se këto të fundit rekomandohen së shumti për të rritur imunitetin ndaj COVID 19, pasi kanë Vitaminë C. Limoni është ai që vihet re se ka arritur deri në 300 lekë për kg, ndërkohë që para se të hynte në fuqi shtetrrethimi, ai shitej nga 150-180 lekë. Ndërsa të dielën, në Tiranë shitej nga 260-300 lekë. Po ashtu, rritje kanë pasur molla dhe portokalli, që rreth një javë më herët shiteshin me 800-900 lekë, ndërsa nga vëzhgimi i Portës Vendore rezulton se ato shiten 120-180 lekë kg. Rritje të lehtë çmimesh vihet re se kanë pasur dhe perimet. Tregtarët tregojnë se shitjet e agrumeve ditët e fundit kanë qenë shumë në masë dhe kjo ka ndikuar në rritjen e çmimeve, ndërkohë që blerësit shprehen se duhet të merren masa për të parandaluar këtë situatë.

Ndërsa në Durrës, ndryshe nga kryeqyteti, situata duket më e qetë. Ndonëse në dy ditët e para të karantinimit, çmimet kishin pasur një rritje nga 10-30 lekë për produkt, të dielën çmimet kishin zbritur sërish. Sipas qytetarëve, kjo mbase ka ndodhur pasi Durrësi ka pasur shumë kontrolle gjatë së dielës. Nga të dhënat e marra pranë AKU Durrës mësohet se fokus i kontrolleve ishin lëshimi i faturave tatimore krahasuar me çmimet reale të produkteve dhe jo të ngritura artificialisht dhe gjurmimi i listës së çmimeve. Në një ndalesë që ka bërë grupi i task-forcës në një nga supermarketet e Durrësit, kreu i AKU Durrës, Manush Kullolli, u bëri apel punonjësve për të mos abuzuar me çmimet e produkteve, duke paralajmëruar se do të monitorohen 24 orë në 24 orë. “Për çdo abuzim me çmimet do të ketë penalitete dhe ndëshkime, që do të jenë të karakterit administrativ dhe penal dhe që do të parashikohen në një VKM përkatëse, ndërkohë që do të bëhet gjurmimi i listës së çmimeve dhe faturave të blerjeve”, tha Manushi.

Çmimet në dyqanet e fruta perimeve.

Ndërkohë, një situatë e ngjashme me Tiranën paraqitet edhe në qytetin e Elbasanit sa i përket agrumeve, ku nuk kanë munguar abuzimi me çmimet. Një kg limon kushton 250 lekë, ndërkohë që ka qenë 150-180 lekë kg, ndërsa portokalli shitet 130 lekë, ndërsa çmimi ka qenë 80 lekë. Duket se këtë abuzim me çmimet e ka sjellë edhe mbyllja e tregut të Elbasanit, vendim i cili deklarohet se është marrë për dezinfektimin e tij, ndërkohë që nuk ka një njoftim se kur mund të hapet.

Markata e qytetit të Elbasanit, e mbyllur që prej ditës së premte.

Çmimet në veri

Por rritje nuk ka pasur vetëm kryeqyteti, pasi çmimet e larta vihen re dhe në veri të vendit. Në Shkodër, qytetarët shprehen se ka pasur rritje të konsiderueshme çmimesh tek agrumet, ndërsa te frutat dhe perimet niveli i rritjes është më i vogël. Ndërsa në Lezhë, situata duket më e qetë dhe çmimet pothuajse nuk kanë lëvizur, por janë në të njëjtin nivel si ditët e tjera. Edhe në Kukës nuk ka ndryshime, madje në verilindje, shumë tregtarë thonë se kanë bërë ofertë për të nxitur shitjet, që sipas tyre kanë rënë.

Sa i përket Shkodrës, tatimorët dhe Krimi Ekonomik kanë dalë në terren, duke verifikuar abuzimet me çmimet.

Policia tatimore duke mbyllur një prej bizneseve që ka pasur çmime abuzuese.

Pas kontrolleve të ushtruara është mbyllur një subjekt dhe është gjobitur një tjetër, të cilët tregtonin fruta-perime. Njëri prej tyre mësohet se nuk kishte licencë, ndërsa tjetri operonte pa fatura tatimore.

Jugu, “boom” rritjesh

Në jug të vendit duket se abuzimi ka qenë dhe më i lartë me rritjen e çmimeve. Në qytetin e Fierit, blerësit i konsiderojnë çmime stratosferike. “Një tmerr i vërtetë, të hysh në markatë dhe të shohësh se të gjitha çmimet janë rritur, janë dyfishuar dhe nuk preken produktet me dorë”, tha një qytetare e revoltuar për Portën Vendore. Nga vëzhgimi i bërë në këtë markatë rezulton se disa tregtarë nuk i vendosin çmimet në produkte, por veç i tregojnë, pasi t’i pyesësh.

Në fotot dallohen qartë që produktet nuk kanë të vendosura çmimet përkatëse duke lënë vend për abuzime.

Nga ajo që konstatoi Porta Vendore në tregun e Fierit kuptohet se çmimet e agrumeve dhe frutave janë dyfishuar, ku vihet re se një kg limon kushton 300 lekë. Tregtarët justifikohen me faktin se është rritur çmimi në pikat e shumicës.

Ndërsa në Berat, çmimi i limonëve ka shkuar deri në 320 lekë për kg. Rritja e çmimit të fruta-perimeve ka nisur që të premten në mëngjes, ku vihet re se mesatarisht janë rritur 40-50%, krahasuar me një javë më parë. Po kështu, edhe farmacitë në Berat kanë rritur çmimet e maskave mbrojtëse dhe produkteve me përmbajtje dezinfektuese, duke përfituar nga interesimi i lartë dhe paniku i qytetarëve. Kosto e këtyre produkteve që janë mjaft të kërkuara këto ditë nuk është ajo e mëparshmja. Çmimi i dezinfektuesve ka shkuar në 600-700 lekë, ndërsa kushtonte vetëm 150 lekë. Po ashtu, çmimi i maskave mbrojtëse është rritur në 500 lekë të reja, kur ato kushtonin vetëm 100 lekë.

Qytetarët duke blerë agrume.

Po ashtu në Vlorë, situata duket e njëjtë me rritjen e çmimeve, ku të shtunën, 1 kg limon theu rekord duke u shitur me 500 lekë të reja. Por, të dielën situata ka ndryshuar pothuajse plotësisht. Disa tregtarë i kanë mbajtur çmimet e ulëta dhe sipas tyre abuzimi është bërë nga tregtarët që punojnë pa faturë tatimore, duke mos deklaruar të ardhurat.

Situata në një nga dyqanet e lagjeve në Vlorë.

Porta Vendore bisedoi me një prej këtyre tregtarëve, i cili deklaroi se ai po i shet me çmim si në ditët e tjera. “Unë nuk kam bërë asnjë rritje çmimesh. Portokallin po e shes me 900 lekë, domaten me 1500 dhe limonin me 2 mijë. Nuk abuzojmë ne që jemi me fatura të rregullta, por ata që na bien në kurriz dhe neve dhe nuk paguajnë asnjë taksë në shtet. Ata të ndjekin tatimet”, u shpreh tregtari. Megjithatë, qytetarët shprehen se duhet të kontrollosh në zona të ndryshme për të blerë, sidomos fruta dhe agrume, pasi disa tregtarë i kanë ngritur çmimet, ndërsa disa të tjerë, i kanë mbajtur në nivelin e çmimeve të tregut.

Gjobë 5-10 milionë lekë të reja

Duke u nisur nga kjo situatë e rritjes artificiale të çmimeve, kryeministri Rama paralajmëroi se do të ketë gjoba të majme për abuzuesit. “Rritja abuzive e çmimit të shitjes të të gjitha mallrave dhe produkteve ushqimore, barnave, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve, në krahasim me çmimin e tyre në shitje të rregullt të tregtuar në muajt paraardhës nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ dhe për produktet sezonale, sipas çmimit të tregtuar në të njëjtën periudhë kohore të vitit paraardhës nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, kur nuk vjen si pasojë e çmimit nga importi i tyre, dënohet me gjobën 5 000 000 (5 milionë) lekë për shitjen me shumicë dhe 100 000 (njëqind mijë) për shitjen me pakicë. Në rast përsëritjeje subjektit i mbyllet veprimtaria për 6 muaj”, deklaroi kryeministri.

Në këto kushte, inspektorët e tatimeve, por edhe AKU, bashkë me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe Task Forcën kanë ndërmarrë një aksion të gjerë në terren për të kontrolluar njëkohësisht edhe abuzimin me çmimet në farmaci dhe furra buke, teksa tregtarët po shfrytëzojnë këtë periudhë të vështirë të koronavirusit. Kontrolle të shumta janë zhvilluar në Shkodër, Tiranë dhe Durrës, ndërkohë që gjatë ditëve në vijim do të ndërmerren aksione në të gjithë vendin.

Madje, në ditën e parë të aksionit të Task-Forcës të përbërë nga Tatimet, Policia Agjencia Kombëtare e Barnave dhe AKU-ja, janë evidentuar 13 raste abuzimesh. “Task Forca ka verifikuar 13 raste me shkelje të legjislacionit tatimor, nga të cilat 6 farmaci dhe 7 njësi tregtare fruta-perime. Gjatë verifikimeve janë evidentuar çmimet e shitjeve dhe të blerjeve, duke i kaluar për ndjekje të mëtejshme të organeve kompetente në rast rritjesh artificiale të tyre”, deklaroi Ministria e Financave.