Ndodhi

Koronavirusi prek turizmin në qytetin e gurtë të Gjirokastrës

16 mars 2020/ Brikena Metaj/ Porta Vendore/ Gjirokastër

Efektet e COVID–19 kanë nisur të ndihen edhe në sektorin e turizmit. Gjirokastra është një nga qytetet turistike më të vizituara në vend. Përpjekjet për një turizëm gjithëvjetor përgjatë viteve të fundit kanë shtuar numrin e turistëve që vizitojnë qytetin muze dhe rrethinat edhe në stinën e dimrit, megjithëse qyteti vazhdon ende të mbahet me turizmin sezonal, atë të verës që nis prej muajit Prill e përfundon në Tetor. Por, rreth 80% e prenotimeve të kryera përgjatë muajve të dimrit janë anuluar dhe pezulluar në hotelet dhe agjencitë turistike në Gjirokastër pas përhapjes së COVID-19.

Përfaqësues të turizmit pohojnë se anulimet përfshijnë periudhën nga muaji Mars deri në Maj, ndërsa ecuria e sezonit turistik vihet në dyshim. Vasil Garo që drejton agjencinë turistike “Albanian dreams” pohon përballjen me një numër të lartë anulimesh që vijnë jo vetëm nga turistë të vendeve të prekura nga virusi vdekjeprurës, por edhe nga vende të tjera ende jo në listën e kuqe.

Jemi përballur me një sërë anulimesh të mëdha, psh ata që vijnë nga vendet e prekura dhe nga persona të cilët i ka kapur paniku dhe po përpiqen me të gjitha mënyrat për të shmangur udhëtimet e tyre. Për periudhën Mars-Prill kemi hasur deri në 90% të anulimeve. Shumë prej klientëve që kanë prenotuar për muajt Maj e në vazhdim ndihen të pasigurt dhe në panik” , tha ai.

Një pjesë e mirë e turistëve që vijnë kryesisht nga vendet e prekura kanë kërkuar edhe kthim të shumave të parapaguara për paketat turistike duke i vendosur agjencitë përballë vështirësive të mëdha burokratike dhe financiare.

Krijimi i një pakete turistike kalon në një zinxhir të tërë procesesh që nis me prenotimin e biletave të avionit, rezervimin e hotelit, transportin etj, dhe këto janë paketa që tashmë janë paguar. Problemi qëndron në faktin se duke mos u dhënë një urdhër për pezullimin e fluturimeve dhe udhëtimeve nga shtete të caktuara, për ne është e vështirë të rimarrim paratë e paguara dhe t’ua kthejmë klientëve, pasi paniku nuk është një arsye e mjaftueshme për të anuluar fluturimin dhe për të bërë rimbursim”, tha Garo.

Garo tregon se agjencia ka bërë rimbursim të të gjithë klientëve që vijnë nga zonat e prekura në masën 100% , ndërsa po përpiqet të rimbursojë edhe klientët e panikosur që vijnë nga zona më pak ose aspak të prekura.

Makina të parkuara dhe asnjë njeri në rrugë në qytetin e Gjirokastrës. Foto: B. Metaj

Eni Kaçi është një djalosh i ri që së bashku me miqtë e tij kanë ngritur një tjetër agjenci të vogël turistike ku ndërtojnë paketa të cilat përfshijnë shërbime brenda të gjithë qarkut. Ai pohon se situata është shqetësuese dhe e quan anulimin e prenotimeve në mënyrë kaq të dendur, si një goditje të drejtpërdrejtë të turizmit. “Është një goditje direkt e turizmit. Do të thotë zero punë për dy deri tre muaj” shprehet ai.

Situata duket e njëjtë edhe në hotelet e qytetit. Ndonëse në qytet turistët janë ende në qarkullim, shifra e tyre është përgjysmuar ndjeshëm. Për bizneset hoteliere shqetësimi qëndron në prenotimet e ditëve në vijim. Hysen Kodra, pronar i një prej bizneseve më të njohura turistike në Gjirokastër tregon se prenotimet e muajit Prill janë anuluar të gjitha, ndërsa ato të muajit Maj janë pezulluar. “Turistët italianë e kanë anuluar të gjithë prenotimin, ndërsa presim turistët e shteteve të tjera si Franca apo Gjermania se çfarë vendimi do të  marrin. Kjo situatë e ka cenuar ndjeshëm nisjen e sezonit turistik”, thotë Hysen Kodra.

Bizneset turistike po përballen tashmë me mungesën e turistëve duke rrezikuar ta vendosë qytetin përballë vështirësive të mëdha financiare.

Në ditë të zakonshme kjo rrugë gëlon nga njerëzit e shumtë. Sot ka të hapur vetëm furrat e bukës, nga të gjitha bizneset që operojnë aty. Foto: B. Metaj

Qazim Tuqi vendosi që këtë vit ta rikonstruktojë hotelin e tij që mban emrin e vetë qytetit. Kjo situatë e gjeti tërësisht të papërgatitur për t’u përballur me vështirësitë financiare që mbart me vete.

Agjencitë turistike vendase pothuajse të gjitha i kanë anuluar prenotimet e tyre dhe situata duket shumë e vështirë. Por shpresojmë që të paktën muajt Korrik – Gusht të ketë një turizëm normal. Jemi në fazë investimesh dhe kjo situatë po na tremb,  na frenon. Një vit mbrapa për ne në turizëm përkthehet në humbje jo të vogël dhe ky vit duket i frikshëm”, shton Tuqi.

Shtimi i numrit të operatorëve të rinj turistikë dhe bizneseve të reja që operojnë në zonën e Qafës së Pazarit ka shënuar edhe përmirësim të kushteve turistike për turistët. Objektivat e operatorëve turistikë dhe Bashkisë Gjirokastër për këtë vit synojnë një rritje të numrit të turistëve krahasuar me dy vitet e fundit ku ka pasur rritje të vizitorëve. Por situata e përhapjes së virusit përmbysi pritshmëritë duke vënë në pikëpyetje ecurinë turistike të këtij viti. Situata është shqetësuese edhe për përfaqësuesit e Zyrës së Turizmit në Bashki që kanë nisur monitorimin e prurjeve turistike.

Një ndër lokalet dhe rrugët më të frekuentuara të qytetit në lagjen “18 shtatori “ku zhvillohet edhe e gjithë jeta sociale e qytetit. Foto: B. Metaj

Ëngjëllush Serjani, përfaqësues i Zyrës së Turizmit në Bashkinë Gjirokastër tregon se monitorimi i kryer nga kjo zyrë dëshmon për 80% të anulimeve të rezervimeve të kryera nëpër hoteleritë e qytetit. “Ky tregues na bind se edhe në sektorët e tjerë do të ketë ulje të të ardhurave, sidomos në bizneset familjare të ardhurat do të ulen ndjeshëm për periudhën e ardhshme. Dëshirojmë të jemi të gabuar në parashikime, por ecuria e deritanishme nuk na lë hapësira të mendojmë se turizmi nuk do të marrë goditje në këtë situatë” shton më tej Serjani.

Turizmi është frymëmarrja e qytetit muze, por ndonëse flitet për një turizëm gjithëvjetor, fluksi i turistëve shënohet vetëm në muajt e verës, edhe pse sezoni turistik nis prej pranverës deri në vjeshtë. Sipas të dhënave nga zyra e turizmit në Bashkinë Gjirokastër llogaritet se numri i vizitorëve në qytetin e gurtë gjatë muajve të dimrit është vetëm 10% e turistëve që vizitojnë Gjirokastrën në sezon veror.

Rreth 124 mijë turistë e vizituan qytetin e gurtë gjatë vitit 2019 duke shënuar një rritje të ndjeshme të turistëve krahasuar me mbi 100 mijë vizitorë të regjistruar përgjatë 2018 – ës. Përhapja e COVID-19 duket se do lërë gjurmë të thella në bizneset turistike të zonës. Në qytet operojnë sipas të dhënave zyrtare 10 hotele dhe 70 bujtina, por shifra është shumë herë më e lartë pasi pjesa më e madhe e bujtinave nuk janë të regjistruara.

Turistët italianë janë një prej grupeve kryesore të turistëve në Shqipëri dhe në Jug të vendit. Rreth 40% e turistëve që vizituan Gjirokastrën përgjatë 2019-ës kanë qenë italianë. Ata vijnë përgjithësisht në mënyrë private dhe të paktë janë ata me grupe të organizuara. Shqipëria shihet si rrezik potencial i përhapjes së COVID-19, pikërisht edhe për shkak të të qenit një vend turistik dhe specialistët e turizmit mendojnë se turistët do të duan të evitojnë vendet me shumë njerëz dhe grumbullime masive.

Rreth autorit:
Brikena Metaj është korrespondente për News 24 në Gjirokastër.