13 mars 2020/ Ola Mitre/ Porta Vendore
Përmes një akti normativ, qeveria ka vendosur edhe ashpërsimin e gjobave për të gjithë ata qytetarë që nuk respektojnë masat e vendosura në kuadër të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri.
Referuar vendimit, qarkullimi i automjeteve private ndalohet prej orës 6:00 të së premtes, deri në 24:00 të datës 15 mars, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Lushnje, Fier dhe Vlorë. Megjithatë, në varësi të situatës nuk përjashtohet një shtyrje e këtij afati kohor si dhe një shtrirje në qytete të tjerë të vendit. Po kështu, këto gjoba janë në fuqi edhe për të gjithë ata që refuzojnë të zbatojnë masat e vendosura për mbylljen e shkollave, aktiviteteve publike, kufizimin apo ndalimin e mjeteve të transportit publik, anulimin e grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura. Masa administrative më të ashpra janë parashikuar edhe në rast të refuzimit për vendosje nën mbikëqyrje shëndetësore të personave që punojnë në prodhimin dhe tregtimin e artikujve ushqimorë apo që punojnë në furnizimin e popullatës me ujë të pijshëm, për punonjësit që shërbejnë në institucionet shëndetësore, si dhe për të gjithë ata që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe vijnë nga vende endemike, me sëmundje infektive, sikurse është Italia. Këtu përfshihen të gjithë ata persona që në 14 ditët e fundit kanë hyrë në territorin shqiptar nga shteti fqinj, të cilët kanë detyrimin të vetëkarantinohen në banesat e tyre. Megjithatë, edhe këtu nuk përjashtohet zgjerimi i hartës së shteteve, përsa kohë në gjithë vendet e Evropës po shtohen rastet me COVID -19. Për të gjithë ata që shkelin këto detyrime, masa e gjobës është 100 000 për punonjësin dhe 700 000 lekë për punëdhënësin e tij. Po ashtu, mosmarrja e masave të përgjithshme për mbrojtjen nga sëmundjet infektive sikurse është sigurimi i ujit të pijshëm higjenik, ruajtja e kushteve tekniko-sanitare dhe higjenike në ndërtesa publike dhe jopublike, në mjetet e komunikacionit publik dhe në mjediset publike apo sigurimi i gjendjes së rregullt sanitare të artikujve ushqimorë dhe të kushteve higjenosanitare për prodhimin, qarkullimin dhe ruajtjen e tyre dënohet me gjobë nga 500 mijë- 700 mijë lekë. Këto masa administrative vendosen edhe në rast të mosaplikimit të lëndëve biocide, me karakter parandalues, në qendrat e banuara, hapësirat publike, objektet për furnizim me ujë të pijshëm, në objektet dhe mjetet e transportit publik, objektet për prodhimin dhe qarkullimin e artikujve ushqimorë, restorantet apo lokalet ku konsumohet ushqim dhe pije dhe në objekte të tjera publike. Në rast përsëritjeje, ndryshmet ligjore parashikojnë mbyllje të aktivitetit. Deri më tani Ministria e Shëndetësisë ka raportuar raste me COVID- 19 në Tiranë, Durrës, Lushnje, Rrogozhinë, Elbasan dhe Fier.
Gjobë 100 000-700 000 kush shkel masat për:
-Kufizimin ose ndalimin e udhëtimeve në vendin ku është përhapur epidemia nga këto sëmundje;
-Kufizimin ose ndalimin e qarkullimit në rajonet e infektuara ose të rrezikuara;
-Kufizimin ose ndalimin e qarkullimit të llojeve të ndryshme të mallrave dhe produkteve;
-Marrjen pjesë, në mënyrë të detyrueshme, të institucioneve shëndetësore dhe institucioneve të tjera, si dhe të qytetarëve në luftimin e sëmundjes ngjitëse, shfrytëzimin e objekteve dhe mjeteve të transportit.
-Mbylljen e shkollave;
-Mbylljen e aktiviteteve jopublike apo publike;
-Anulimin e grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura;
-Kufizimin apo ndalimi i lëvizjeve me mjetet e transportit publik;
-Kufizimin e lëvizjeve brenda vendit.
Gjobë 500 000 – 700 000 kush nuk zbaton masat e përgjithshme për mbrojtjen e sëmundjeve infektive, si më poshtë:
-Sigurimi i ujit të pijshëm higjienik, si dhe mbrojtja sanitare e burimeve, objekteve dhe rrjetit shpërndarës, për furnizimin publik me ujë të pijshëm;
-Mënjanimi i ujërave të ndotura dhe hedhurinave, sipas mënyrës dhe në kushtet në të cilat sigurohet mbrojtja nga ndotja e ujit dhe e tokës, si dhe mbrojtja nga shtimi i insekteve dhe i brejtësve;
-Ruajtja e kushteve tekniko-sanitare dhe higjienike në ndërtesa publike dhe jopublike, në mjetet e komunikacionit publik dhe në mjediset publike;
-Sigurimi i gjendjes së rregullt sanitare të artikujve ushqimorë dhe të kushteve higjeno-sanitare për prodhimin, qarkullimin dhe ruajtjen e tyre;
-Aplikimi i lëndëve biocide, me karakter parandalues, në qendrat e banuara, hapësirat publike, objektet për furnizim me ujë të pijshëm, në objektet dhe mjetet e transportit publik, objektet për prodhimin dhe qarkullimin e artikujve ushqimorë, restorantet apo lokalet ku konsumohet ushqim dhe pije dhe në objekte të tjera publike;
-Sigurimi i mjeteve të mbrojtjes personale, që shërbejnë për mbrojtjen e punonjësve të shëndetësisë dhe personave të tjerë të ekspozuar ndaj agjentëve infektues nga kontaminimi, infektimi dhe prekja nga sëmundjet infektive;
-Sigurimi i infrastrukturës së përshtatshme për parandalimin e sëmundjeve infektive dhe për izolimin dhe karantinën, në veçanti;
-Informimi, komunikimi, promovimi i shëndetit dhe edukimi i vazhdueshëm shëndetësor i personelit të organizatave shëndetësore dhe jo-shëndetësore, si dhe i popullatës.
Gjobë 100 000 për personin dhe 700 000 për punëdhënësin e tij kur refuzon vendosjen nën bikëqyrje shëndetësore, për personat që:
-Punojnë në prodhimin dhe tregtimin e artikujve ushqimorë apo që punojnë në furnizimin e popullatës me ujë të pijshëm, të cilët, në punët dhe detyrat e tyre të punës, vijnë në kontakt të drejtpërdrejtë me artikujt ushqimorë, përfshirë ujin e pijshëm;
-Shërbejnë në institucionet shkollore dhe parashkollore, çerdhe dhe kopshte;
-Shërbejnë në institucionet shëndetësore, që merren me kontrollin, trajtimin, mjekimin dhe kujdesin ndaj të sëmurëve, në prodhimin dhe dhënien e medikamenteve;
-Shërbejnë në institucione të përkujdesjes sociale;
-Punojnë në shërbime të tilla si banjë publike, qendra estetike dhe shërbime të ngjashme;
-Hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe vijnë nga vende endemike, me sëmundje infektive, të cilat trajtohen sipas konventave ndërkombëtare shëndetësore dhe Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit.
Rreth autorit:
Ola Mitre është gazetare për çështjen ekonomike në Tiranë.