Ngjarje/Personazhe

Procesi i rindërtimit i ngadaltë, fillojnë rekrutimet e fuqisë punëtore nga jashtë vendit

10 mars 2020/ Porta Vendore/ Durrës

Mungesa e fuqisë punëtore po cenon procesin e rindërtimit pas tërmetit në Durrës. Problematike mbetet situata veçanërisht për pallatet dhe shtëpitë e ndërtuara para viteve ’93 të cilat do të ndërtohen dhe riparohen nga shteti, në varësi të dëmit të pësuar.

Pothuajse tre muaj nga tërmeti që shkundi fort jetët e shqiptarëve, sidomos në Durrës, të mëdhenj e të vegjël nuk e kanë kaluar ende traumën. Ditët gdhihen e ngrysen me sytë nga ekranet dhe media për të mësuar çdo të ndodhë më tej. Në Durrës, për çdo pallat të dëmtuar ka një protestë banorësh, ka reagim e paqartësi. Ndjehen në padije për atë që i pret ata dhe ish-banesat e tyre. Disa janë detyruar të kthehen në shtëpitë e pabanueshme, të përballur me pamundësinë për t’ia dalë mbanë diku tjetër.

”Kërkojmë trajtim dinjitoz. Nuk duam të nëpërkëmbemi. E humba apartamentin ku jetoja. Nuk ekziston më pallati. U zhyt në dhe, nën peshën e depozitave dhe ndërhyrjes pa kriter në kolona e themele për të hapur lokalin. Ende drithërohem nga ajo natë e frikshme, që në 1 minutë na mori gjithçka. Mund të na kishte marrë dhe jetën, siç ia mori dy komshinjve tonë. Sa shumë dhembje. Deri kur?! Nuk e di nëse do mundem të jetoj aq sa të gëzoj shtëpinë e re. Më duket e pamundur. Nuk po shoh askënd që të vijë e të na thotë çdo të bëhet. Kam jetuar gjithmonë në Durrës, po nuk e di se ku do të ndërtohet pallati që na u shkatërrua. A ka shpresë që të rindërtohet po këtu?” pyet Kostandini që doli nga pallati te zona e ashtuquajtur ”2 gjelat” mbi një vinç dhe u vendos në një hotel në bregdet bashkë me gruan. U larguan vetëm me rrobat e trupit.

Të njëjtën gjendje dëshpërimi dhe pasigurie për atë që do të ndodhë përjetojnë pothuajse të gjithë të dëmtuarit nga tërmeti. Veçanërisht ata që jetojnë në pallatet e ndërtuara para vitit 1993, vit kufi për të ndarë godinat e ndërtuara nga shteti e të privatizuara më pas nga qytetarët, nga ato të ndërtuara më tej nga kompanitë private të ndërtimit. Shpresa për të nisur shpejt punën për riparimin e godinave të vjetra disakatëshe u shua shpejt.

Procesi i rindërtimit pas tërmetit në Durrës po mbahet peng

Situata e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit ka nxjerrë në pah nevojën e Shqipërisë për fuqi të huaj punëtore, veçanërisht në fushën e ndërtimit. Pas sigurimit të fondeve nga konferenca e donatorëve në Bruksel më 17 shkurt, po dhe nga donacionet e mëparshme, ecuria e procesit të rindërtimit duket se do të ndikohet nga fuqia e munguar punëtore, ndaj forca e huaj është kthyer në domosdoshmëri, po që kërkon vëmendjen e autoriteteve për krijimin e kushteve të përshtatshme, lehtësimin e procedurave për marrjen e vizave dhe lejes së punës në vendin tonë.

Migrimi i vazhdueshëm i fuqisë punëtore vendase drejt Evropës ka sjellë “uri” në tregun vendas për specialistë, kryesisht për ndërtues, hidraulikë, elektricistë dhe specialistë në sektorë të tjerë të rëndësishëm që ofrojnë shërbime për industrinë dhe qytetarët.

Të rinj që dergjen me orë të tëra në kafene dhe që diskutojnë për nivelin e lartë të papunësisë në vend dhe si mund të gjejnë një punë të mirëpaguar krijojnë një situatë paradoksi me kërkesat e mëdha të tregut për punonjës, veçanërisht në Durrës ku mijëra banesa janë të dëmtuara dhe presin riparimin, po dhe ndërtimin nga e para.

Së fundmi, gjatë një inspektimi të radhës për situatën në Durrës, kryeministri Edi Rama i kërkoi bashkisë që nevojat të mbulohen me punëtorët e ndërmarrjeve të bashkisë, të cilët do të paguhen për punën shtesë, gjë që do të rrisë të ardhurat e tyre. Por a është kjo zgjidhja? Sigurisht që jo. Volumet e punës janë të mëdha, ndërsa ekspertët vendas të ndërtimit e kanë komentuar gjerësisht si një nismë të dështuar këtë propozim të artikuluar në kushte kritike, kur nevojat për punëtorë të kualifikuar janë më të mëdha se kurrë ndonjëherë. Të mbingarkuar në punë, pavarësisht joshjes nga pagesa, punëtorët nuk do të përballonin kryerjen e punës me orare të zgjatura dhe kjo do të cenonte cilësinë e punës.

Planet dhe realiteti

Pas identifikimit të dëmeve dhe planifikimit të procesit të rindërtimit që nga punimet e vogla e deri te ndërtimet e reja pritet që së shpejti të nisë puna për zbatimin e master planit të rindërtimit, sipas planeve vendore në shërbim të komunitetit dhe ekonomisë së zonave, po kjo fazë do të përballet me mungesën e theksuar të punonjësve përballë volumit të madh të punës që pritet të mbulojë pasojat masive nga tërmeti i nëntorit.

Dëmet e tërmetit të datës 26 nëntor 2019.

Së fundmi, nevoja për fuqi punëtore është evidentuar dhe nga kryeministri Edi Rama,  si dhe kryetari në detyrë i Bashkisë Durrës Zhyljen Varfaj, i cili vetëm pak ditë më parë ka dhënë dorëheqjen. Fillimisht nevoja për fuqi punëtore nga jashtë u artikulua në mbledhjen e qeverisë datë 5 dhjetor 2019, si dhe gjatë inspektimi në qytetin e Durrësit mbi ecurinë e rindërtimit në datën 18 shkurt 2020 nga vetë kryeministri Rama. Para pranimit të kësaj nevoje nga ana e tyre, ishte pamundësia e ngritjes së 10 brigadave të punës me 100 punonjës, pagesat e të cilëve u përfshinë paraprakisht në buxhetin e Bashkisë Durrës, me qëllim që të niste puna për riparimin e dëmeve në godinat e ndërtuara para vitit 1993.

Bashkia Durrës në buxhetin e miratuar në dhjetor të 2019 miratoi dhe 2 zëra të rëndësishëm, përkatësisht 150,000,000 lekë për riparime të ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti dhe 100,000,000 lekë për rikualifikime të fasadave të dëmtuara nga tërmeti. Me përfundimin e konstatimit të dëmit do të përzgjidheshin dhe objektet e para ’93-shit, të cilat kanë dëme nga Ds1 deri në Ds3 për të ndërhyrë për riparimin e tyre, ndërsa për ato me dëme të mëdha Ds4, Ds5 do të pritet marrja e një vendimi pas kryerjes së ekspertizës së thelluar. Por bashkia dështoi në ngritjen e brigadave të punës për riparimin e dëmeve në godinat e ndërtuara nga shteti, apo me kontribut vullnetar deri në fillim të viteve ’90.

E pyetur për këtë situatë, në një përgjigje zyrtare për Porta Vendore, Bashkia Durrës pranon se ka hasur probleme në rekrutim, “pasi duke u nisur nga kërkesa, preferenca është puna në kompanitë private të ndërtimit. Për këtë arsye, në rishikimin e buxhetit ky fond do të kalojë për tu tenderuar nëpërmjet prokurimit publik për të ofruar një shërbim më të shpejtë”.

Sipas të dhënave të marra nga sistemi www.rka.datech.al, në Durrës, janë afërsisht 150 godina mbi 5 kate me dëme nga DS1 në DS5 dhe 1456 godina të ulëta (banesa, vila etj) me dëme nga DS1 deri në DS5, të ndërtuara para viteve ‘93.

Sipas akteve normative, udhëzimeve përkatëse banesat me kategori dëmi Ds4-Ds5 do t’i nënshtrohen ekspertizës së thelluar (deri në këtë moment vetëm një pjesë është kryer nga Instituti i Ndërtimit), ndërsa për kategorinë Ds1-Ds2-Ds3 do të ndërhyhet për riparim/rikonstruksion.

Dëmtimet e tërmetit në një pallat të ri në zonën e plazhit.

E ndërsa shihet mundësia e tenderimit nëpërmjet prokurimit publik, Bashkia Durrës ka ende në fokus konstatimet e dëmit dhe më tej hartimin e preventivave përkatës pas përfundimit të aplikimit online në “Shtëpia ime” për programet e rindërtimit.

Tregu i punës, mungesë specialistësh dhe punonjësish ndërtimi

Ndërkaq tregu vendas i punës pritet të marrë një tjetër goditje. Me futjen në fuqi të ligjit të ri më 1 mars të këtij viti në Gjermani për thithjen e fuqisë punëtore, kryesisht asaj nga Ballkani Perëndimor, përmes thjeshtimit të procedurave, nevoja në vend për punonjës të kualifikuar do të jetë akoma më e madhe, duke nxitur kërkesën për punonjës nga vendet e Afrikës, të cilët në kërkim të pagave më të mira do të ofrojnë krahun e tyre të punës edhe në sektorin e ndërtimit. Kreu i Agjencisë së Punësimit dhe Aftësive në Durrës Indrit Buka tha për “Porta Vendore” se vitet e fundit në Durrës është rritur numri i të huajve që punësohen në sektorë të ndryshëm, për të mbuluar nevojat e tij, kryesisht në peshkim, ndërtim dhe aktivitete të tjera që ofrojnë shërbime. “Vijnë nga vende ku pagat janë më të ulëta dhe tregu vendas është i interesuar për ta, pasi përveç nevojës së madhe për specialistë, të huajt e fokusojnë pjesën më të madhe të jetës së tyre te puna”, tha Buka. Sipas Bukës, në 2019-n kanë marrë leje pune në sektorin e ndërtimit 49 shtetas të huaj, të cilët vijnë kryesisht nga vende më të varfra, kryesisht nga kontinenti afrikan.

Tërheqja e krahut të huaj e të lirë të punës është kthyer në domosdoshmëri dhe kjo kërkon vëmendjen e autoriteteve për krijimin e kushteve të përshtatshme, lehtësimin e procedurave për marrjen e vizës dhe lejes së punës në vendin tonë.

Përtej kësaj problematike të mprehtë të fuqisë punëtore, Durrësi dhe banorët e tij presin me padurim fillimin e rindërtimit dhe të gëzuarit të një të drejte themelore, asaj për një strehim të përshtatshëm, të sigurt dhe të qetë për veten dhe fëmijët e tyre. Përveç fuqisë së fatkeqësisë natyrore, të prekurit nga tërmeti janë të bindur se ishte dhe papërgjegjshmëria në ushtrimin e detyrës përmes neglizhencës apo shpërdorimit të saj nga autoritetet vendore që përshkallëzoi frikshëm pasojat nga tërmeti.