8 mars 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore
Ndërsa numërohen me qindra probleme që lidhen me figurën e gruas, nënës, bashkëshortes e bijës, për shumicën prej tyre 8 marsi nuk duket se është një festë, madje në shumë raste është një ditë reflektimi për rrugën që gratë kanë bërë deri në ditët e sotme, e për ato qindra kilometra që duhet të bëjnë akoma për të qenë aty ku e meritojnë, të jetuarit në një shoqëri ku respektohet barazia gjinore, ku s’ka diskriminim gjinor, ku s’ka më dhunë, dhe ku një grua mund të ecë në karrierë njësoj si një burrë. Porta Vendore ka hulumtuar nëpërmjet këtij shkrimi gjithëpërfshirës një sërë elementësh të rëndësishëm që kanë lidhje me gruan dhe se si është raporti i saj sot me familjen, politikën, punësimin dhe shërbimet sociale.

8 marsi për shumëkënd është një moment relaksi, kur të mbytura në punët e shumta, angazhimet familjare e bashkëshortore, gratë më në fund gjejnë pak kohë për veten, ndërsa dalin me mikeshat për të festuar. Ndërsa për të tjera, 8 marsi nuk është i tillë, është një ditë ndërkombëtare dedikuar fuqizimit të zërit të gruas dhe protestës së saj kundrejt padrejtësive që i bëhen çdo ditë, në mënyra e forma të ndryshme.
“Unë jam 54 vjeçe dhe gjithmonë e kam festuar 8 marsin, por jo duke dalë me shoqet e kërcyer ose darkuar, por duke biseduar mbi ato ‘pikat’ e dobëta që kemi e që do të duhej të forcojmë. Sepse nëse ne jemi të forta kemi 8 mars çdo ditë. I gjithë ky diskutim më kujton Shën Valentinin kur me të drejtë njerëzit pyesin a duhet një ditë e caktuar për dashurinë? Ndaj unë s’e shoh si një ditë të ndarë nga të tjerat, por si një ditë më shumë që ne të luftojmë për të fituar betejat e vogla që kemi me veten dhe të tjerët”, tha Lira.
Por nuk mund të lëmë pa përmendur edhe ato gra të cilat e shikojnë këtë ditë si një datë më shumë në kalendar, dhe që për to nuk përbën asnjë diferencë.
“Mos e kam festuar ndonjëherë unë. Nuk kam shkuar me shoqet ndonjëherë sepse më ka munguar gjendja financiare. 8 marsi është për të drejtat e gruas, por kur nuk ke gjendjen financiare të mirë, nuk mendon as të festosh e as të protestosh”, thotë Anila, një shitëse ambulante në njësinë numër 7.
E pyetur nga Porta Vendore, sociologia Marsi Simo, shpjegon sfidat e mëdha që e presin gruan, tani e në të ardhmen.
“8 marsi mbetet Dita Ndërkombëtare e Gruas, e cila duhet të përkujtohet si një ditë simbolike për të gjitha sfidat që ende gratë kanë për të kaluar si në sferën personale, deri në marrëdhëniet me shoqërinë dhe familjen. Sfida më e madhe është vetë mentaliteti që vajzat përjetojnë çdo ditë brenda familjes. Nuk mund të jetë ende festë kjo ditë deri në momentin kur fenomeni femicid po vret kaq shumë gra me arsye më banale që vjen nga vetë pjesëtari i familjes, burri apo babai. Ka dhe vajza që vriten çdo ditë me dhunë psikologjike, në heshtje, në cepa shtëpish, pranë vatrës duke gatuar, në oborr, duke punuar tokën. Sfidat mbeten ende të vështira për gruan, që nga ndalimi i abortit selektiv, e drejta për trashëgimi, e drejta për tu arsimuar edhe për ato që jetojnë në zona rurale, ndalimi i martesave në moshë të hershme, shanse të barabarta për arsim, kualifikim, punësim”, tregon Marsi Simo, sociologe.
Por sa më shumë t’i largohesh qendrës së Tiranës aq më të theksuara e të koklavitura janë problemet. Në fshatrat e Tiranës gratë lodhen nga mëngjesi në mbrëmje.
“Ne këtu në fshat s’para dalim. Maksimumi mund të shkojmë me ndonjë fejesë a dasmë, por për 8 mars s’jemi bërë asnjëherë. Ne nuk na del koha të merremi me punët e shtëpisë, lopët, pulat, tokën, jo më të dalim. Ja kështu i ngrysim ditët ne, ndaj jemi ndryshe nga gratë e qytetit, më të nënshtruara sepse edhe tv nuk shohim shumë, nuk dimë se ça ndodh e se çfarë nuk ndodh. Nuk kemi fare kohë”, tregon Resmie Brahja, banore e fshatit Baldushk.
Duket se mentaliteti me të cilin është rritur Resmia por edhe shumë gra të tjera në fshat, mbetet i njëjti brez pas brezi. “Ku ka 8 mars tek ne mi nonë. Nuk të lë bagëtia të dalësh e të shëtisësh. Kështu jetohet në fshat, këto kushte kemi. Ne brezi jonë nuk e kemi festuar, por as brezi i nuseve dhe gocave tona nuk e kanë këtë luks, për të festuar 8 marsin”, tha 63-vjeçarja Xhevrije Brahja, vjehrra e Resmies.
Përfaqësim politik në numra, por pa peshë reale
Gratë aktiviste të shoqërisë civile bien pothuajse të gjitha dakord me faktin se përgjatë viteve ka ndryshuar raporti i përfaqësimit të grave në politikë dhe veçanërisht në strukturat e pushtetit vendor, qoftë kjo në këshill bashkiak apo edhe në poste të tjera të larta drejtuese. Por ajo që ato vënë re me shqetësim është se vërtetë janë shtuar numrat e grave në poste drejtuese, por mungon protagonizmi cilësor i tyre. Pra zëri i gruas vijon të mbetet në minorancë, pa sjellë një ndryshim cilësor. “Duke ardhur nga një vend i cili nuk e pati këtë ndërgjegjësim modern përpara viteve ‘90, mund të them se përfaqësimi i gruas ka ardhur duke u rritur dhe ka një përpjekje për ta përfaqësuar gruan në qeverisje, qoftë kjo në nivel lokal, ose dhe në nivel qendror. Mua nuk më kanë pëlqyer aksionet formale që flasim me përqindje dhe fushata. Ideja është që unë besoj në ndryshimet natyrale, ato që vijnë nga vetë gratë. Për të qenë jo vetëm gra për të shërbyer në familje, por për të dalë përtej këtij roli. Pra mund të ketë gra të përfshira në politikë, por nuk kanë bërë ndonjë efekt, pasi s’kanë pasur protagonizëm. Do thosha se do ishte më mirë të kishim më pak gra, më shumë protagonizëm se sa vetëm numra dhe pa efekt”, shprehet Elsa Ballauri drejtuese e Grupit Shqiptar për të drejtat e Njeriut. Në të njëjtën linjë mendimi është edhe Sevim Arbana, aktivistja për të drejtat e grave, e cila thotë se politika ka shtuar numrat e përfaqësimit të grave, pasi ka qenë nën presionin e organizmave ndërkombëtarë si OSBE, por përtej numrave, në të vërtetë nuk i është dhënë fuqi vendimmarrje gruas. “Duhet të ketë një politikë konkrete përtej numrave që t’i japim një fuqi më të madhe grave. Kemi një përfaqësim shumë artificial sepse grave nuk u jepet shumë pavarësi. Vazhdon të ketë fuqi vendimmarrje lideri që e ka vënë në atë pozicion. Ky është një shqetësim shumë i madh për deputetet në parlament, për ministret dhe për gratë e pushtetit vendor. Ato janë shumë të tërhequra, pasi ‘njëshi’ vulos, ai komandon dhe kjo ka bërë që ne kemi një grupim grash që nuk kanë zë”, shprehet zonja Arbana për Portën Vendore.
Mimoza Hajdarmataj drejtuese e Forumit “Gratë në shërbim publik” është më konkrete në kritikat e saj. Ajo tha se pushteti vendor në tërësi nuk ofron lehtësira as për organizatat jo qeveritare që kanë në fokus gratë. “Nëse flasim për numrat theksoj se ne i kapim shifrat detyruese të përfaqësimit të grave 50 apo 30%, por nëse do flasim për mbështetjen e grave me politika që jep pushteti lokal këtu flasim ndryshe”, shprehet Hajdarmataj.
Edlira Çepani Koordinatore Kombëtare e Rrjetit të Grave për Barazi në vendimmarrje duke iu referuar edhe të dhënave të një studimi të realizuar nga UNDP thotë se një nga arsyet kryesore të nivelit të ulët të fuqisë vendimmarrëse të grave në pushtetin vendor është mungesa e informacionit dhe fakti që ato nuk organizohen në grupe. “Pjesëmarrja dhe përfaqësimi i grave në vendimmarrjen vendore është rritur në mënyrë të ndjeshme falë vendosjes së kuotës gjinore në Kodin Zgjedhor me 50% për listat e kandidatëve për Zgjedhjet Vendore dhe 30% për Zgjedhjet Parlamentare, duke sjellë një moment historik për pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje. Por, edhe pse pjesëmarrja e grave në qeverisjen vendore është rritur nga 12.33% (2011) në 43.61% (2019), sërish gratë vazhdojnë të mos jenë plotësisht të përfaqësuara në krahasim me burrat. Studimi mbi ‘Kuotën Gjinore dhe Përfaqësimin Thelbësor të Grave në Këshillat Bashkiakë në Shqipëri’, i realizuar nga ekspertë të UNDP në bashkëpunim me Rrjetin Barazi në Vendimmarrje, tregon se një nga arsyet kryesore të nivelit të ulët të fuqisë vendimmarrëse të këshilltarëve bashkiake është mungesa e duhur e informacionit për qeverisjen vendore, pamundësia për t’u organizuar si grup”, shprehet zonja Çepani.
Respektimi i pakët i barazisë gjinore në Shqipëri vihet re edhe gjatë zgjedhjeve vendore të 2019, ku në këshillat bashkiak në 12 qarqe kemi në total 706 gra dhe vajza ose 43.61 % dhe 913 burra dhe djem ose 56.39%.
Ajo sqaron se në Shqipëri vijon të ekzistojë kultura patriarkale e të bërit politikë që mbështet figurën mashkullore, ndërsa për gratë, mbështetja financiare dhe institucionale është e pamjaftueshme, sikurse mungojnë shërbimet e përkujdesit për fëmijët, kur gratë vendosin të ndjekin karrierën politike.
Gratë në politikëbërjen lokale
Nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, rezultati i kandidatëve fitues sërish ishte në disfavor të figurës femërore. Në këto zgjedhje u shpallën në total 53 burra dhe 8 gra. Qarqet si Elbasani, Tirana, Korça, Kukësi, dhe Dibra nuk kanë asnjë kryebashkiake grua në bashkitë e tyre. Ndërsa gratë janë të pozicionuara në funksionin e kryebashkiakes në Bashkinë Patos, Roskovec, Përmet, Libohovë, Durrës (megjithëse Valbona Sako dha dorëheqjen dy ditë pas tërmetit të datës 26 nëntor dhe kjo bashki aktualisht drejtohet nga një burrë, kryetar i komanduar në detyrë), Bashkia Kurbin, Ura Vajgurore dhe Delvinë.
Ndërsa Bashkia e Tiranës pavarësisht se drejtohet nga një kryebashkiak, ka zgjedhur pjesë të organikës së saj një përfaqësi të konsiderueshme grash. Kështu në Bashkinë e Tiranës dy nënkryetare janë gra, një grua mban postin e drejtorit të kabinetit, ndërsa janë 10 këshilltare. 5 gra mbajnë postin e drejtores së Përgjithshme, ndërsa 23 gra janë Drejtore Drejtorie. 7 gra janë administratore të Njësive Administrative në Tiranë. Në Institucionet në Varësi të Bashkisë së Tiranës janë 5 drejtore të përgjithshme dhe 8 gra drejtore institucioni.
Raporti për deputetet në parlament
Vetëm pak ditë më parë, Instituti i Studimeve Politike (ISP) solli një raport të ri në kuadër të monitorimit aktiv të Kuvendit të Shqipërisë dhe të veprimtarisë parlamentare të deputetëve. Gjatë 2019, ISP realizoi në një anketim me 90% të grave deputete në parlamentin aktual si dhe me 10% të grave deputete të opozitës që dorëzuan mandatet parlamentare në shkurt 2019.
Deputetet u pyetën në pesë alternativa mbi mekanizmin që mund t’i bëjë ajo më efektive në aktivitetin parlamentar. Nga përgjigjet e marra rezulton se të gjitha deputetet mendojnë se duhen promovuar më shumë gratë dhe të drejtat e tyre në shoqëri, duhet hyrë në debate publike për çështje që ato besojnë dhe mbrojnë, si dhe duhet të njohin e t’i referohen më mirë Kushtetutës dhe legjislacionis në Shqipëri.

Deputetet u pyetën gjithashtu nga ISP nëse janë ndjerë të diskriminuara për shkak të gjinisë në parlament, gjatë aktivitetit dhe ushtrimit të funksionit, në debatet parlamentare apo në praktikat e tjera të punës në Kuvend.

“Në total 63% e grave deputete deklarojnë se nuk kanë pasur raste diskriminimi për shkak të gjinisë në parlament dhe se ndjehen të barabarta me kolegët e tjerë të Kuvendit. E dhëna kritike e kësaj pyetje lidhet me pjesën e grave deputete që konfirmojnë se janë ndjerë rregullisht të diskriminuara për shkak të gjinisë. Në total janë 16% e grave të pyetura, ose një në gjashtë gra deputete. Përqindja duket statistikisht e vogël, por ekzistenca e diskriminimit për shkak të gjinisë në Kuvend dhe aktivitetin parlamentar është një tregues vërtetë kritik dhe shqetësues. Këtij shqetësimi i bashkohet edhe pjesa tjetër prej 21% e grave deputete, të cilat ndjehen pjesërisht të diskriminuara në aktivitetin parlamentar”, thuhet në raport.
Shoqëri patriarkale që diskriminon përparimin në karrierë të gruas
Pavarësisht se ndodhemi në vitin 2020 vijon ende që në shoqërinë shqiptare gruaja të jetë e diskriminuar. Elsa Ballauri thotë se në shoqërinë shqiptare gruaja vijon të jetë e nënshtruar.
“Ne funksionojmë akoma sipas një kodi të nënshtrimit të gruas. Janë atipike, janë kode të pashkruara. Duke qenë se jemi në këtë lloj faze tranzitore, ku akoma kemi prapambetje të tillë, mund të themi se ka përpjekje dhe ndryshime. Ajo që unë vë re është se këtu te ne ka patriarkalizëm, konservatorizëm. Por me këtë shoqërinë që kemi që është e ashpër, por edhe mund ta manovrosh nëse aksionet janë të fuqishme dhe sistematike, mendoj se mund të ishte bërë më tepër. Por ia vë më shumë fajin në thonjëza grave sesa burrave. Nëse gruaja nuk është e shqetësuar se cili është roli i saj dhe ta bëjë tjetrin të kuptojë me logjikë dhe me aksione se atje e ka vendin, se kështu është, se ndryshe nuk funksionon shoqëria, atëherë do ta kishim më mirë punën”, shprehet zonja Ballauri për Portën Vendore.
Edhe Sevim Arbana mendon se gruaja diskriminohet në Shqipëri, ndërsa jo pa sarkazëm shton se “nëse nuk do kishte diskriminim do ishim si një shoqëri daneze”. Ajo thotë se në momentin që gratë rrihen, dhunohen dhe vriten, absolutisht që kemi paragjykim dhe diskriminim. “Jo më larg se disa ditë më parë del një kryetare partie opozitare që është vetë grua dhe shan një ministre dhe i thotë halabake. E kupton se në ç’pikë jemi? Jemi në një pikë kulminante. Bëhen fushata nga gratë kundër grave me fyerje ordinere. Kemi paragjykim dhe vazhdojnë me atë sharje si burrat dhe gratë kundër grave”, thotë zonja Arbana.
Gratë në shumë raste megjithëse mund të jenë më të afta profesionalisht se meshkujt, mbajnë poste në nivele më të ulëta ndërsa postet drejtuese i kanë burrat. Mimoza Hajdarmataj thotë se grave i mungon bashkimi, si në rastet e miratimit të vendimeve në këshill bashkiak.
“Mund të themi se janë të punësuara, por ato kryesisht janë të punësuara në nivele si specialiste dhe është shumë më e vështirë për një grua se për një burrë që të bëjë karrierë dhe të ngjisë shkallët. Gratë bëjnë punët, postet drejtuese i marrin burrat. Kështu ndodh. Më vjen keq se edhe vetë gratë nuk janë luftarake. Për shembull janë shumë gra në këshillin bashkiak, por asnjëherë nuk i kam parë që të bëhen bashkë dhe të thonë, nuk votojmë këtë ligj derisa të votohet ky ligji që duam ne dhe që ndihmon gratë. Janë thjesht aty për të ngritur dorën”, shprehet zonja Hajdarmataj.
Pavarësisht se barazia gjinore trumbetohen në mënyrë të vazhdueshme, ajo në realitet ndodh shumë pak.
Sipas Edlira Çepanit kjo vjen pasi mungojnë rregullat e qarta të rekrutimit në punë të njerëzve dhe grave i duhet të bëjnë më shumë përpjekje se burrat për të qenë në role drejtuese. “Përfaqësimi i ulët i grave në pushtetin vendor dhe fuqia e kufizuar që ato kanë në strukturat politike ndikojnë ndjeshëm në ambicien dhe vetëbesimin e grave kur ato marrin pozicione drejtuese. Respektimi i duhur i kuadrit ligjor ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në dhënien e aksesit të barabartë që grave dhe burrave u jepet në çdo fushë në jetën e tyre. Është i nevojshëm krijimi i një sistemi mbështetjeje për gratë, jo vetëm nga strukturat institucionale, por edhe nga komuniteti, i cili duhet të mirëpresë gratë dhe vajzat në çdo nivel karriere”, thekson zonja Çepani.
Dhuna ndaj grave, një plagë që luftohet me pavarësi financiare të gruas
Dhuna ndaj grave vijon të mbetet një plagë e shoqërisë shqiptare, ku vetëm gjatë dy muajve të vitit 2020 kemi 7 gra të vrara dhe rreth 80 gra që kanë kërkuar ndihmë nga dhuna. Dhuna është kthyer në një problem të thellë për shoqërinë shqiptare ku viktimë është në 99% të rasteve një grua, një nënë, një bashkëshorte.
Lidhur me këtë çështje, ekspertët e të drejtave të njeriut dhe gratë që drejtojnë OJF me fokus gruan kanë mendime thuajse të njëjta.
“Prioritet është shkollimi. Nëse ka arsimin ka edhe fuqizimin ekonomik. Një grua e shkolluar ka zë, dhe i thotë jo dhunës. Nuk e toleron dhunën. Viktimat e dhunës janë gratë që s’kanë punë. Po flas për 80% të rasteve. Gratë e varfra që s’kanë shtëpi, s’kanë punë, që s’kanë asgjë, pranojnë dhe janë viktima të dhunës. Duhet t’i japim një mundësi këtyre grave që të zhvillohen. Gruaja është gjysma shumë e rëndësishme e popullsisë”, thekson zonja Sevim Arbana.
Në të njëjtën mendje është edhe Mimoza Hajdarmataj. Ajo vë theksin te fuqizimi ekonomik i grave. “Çdo gjë për këdo nis nga ekonomia. Nëse ke ekonomi stabël, të fortë, në mënyrë që gratë të jenë të pavarura ekonomikisht, atëherë do kemi ndryshim. Shumica e grave që janë pre e dhunës janë të varur ekonomikisht nga burrat dhunues”, shprehet Hajdarmataj.
Për sa i përket trajtimit të çështjeve të dhunës në familje Bashkia Tiranë, ka ngritur një mekanizëm referimi që funksionon tërësisht falas në ndihmë të viktimave të dhunës. Nëpërmjet një kërkese për informacion bashkia tha për Portën Vendore se: “Menjëherë sapo referohet një rast dhune në familje, direkt personi në fjalë merr mbështetje multidisiplinare që përfshin strehim social (bonus qiraje, mbulim qiraje 2-3 muaj nga organizata bashkëpunëtore, deri në momentin e përfitimit të Bonusit të Qirasë); këshillim psikologjik dhe ligjor; mbështetje të rasteve të dhunës në familje pranë institucioneve përkatëse: Gjykatë, Polici; Përmbarim, Prokurori etj; ndërmjetësim për punësim; si dhe ndihmë përmes paketave të ndryshme ushqimore, veshmbathje, higjieno-sanitare etj. Sektori i Përfshirjes Sociale dhe Barazisë Gjinore koordinon Mekanizmin duke menaxhuar dhe ndihmuar rastet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore duke siguruar mbrojtje, informim, strehim, këshillim psikologjik dhe ligjor, koordinim me të gjithë aktorët e rrjetit, këto në interes të viktimës”, thekson në përgjigjen e saj Bashkia e Tiranës.
Ndërsa shifrat e dhunës rriten dita ditës, ende ajo në shumicën e rasteve mbetet e fshehur dhe e paraportuar.
“Unë dua të theksoj se duhet zgjedhur të luftojmë më shumë, dhe jo duke pranuar fatin e keq që kemi lindur gra, apo të pranojmë të keqen më të vogël. Nga ana tjetër edhe institucionet përkatëse duhet të ushtrojnë presion me anë të zbatimit të ligjit duke shumëfishuar masat ndëshkuese për abuzuesit dhe dhunuesit, paralelisht me edukimin e fëmijëve që në moshë të hershme, në kopshte e shkolla”, tha për Portën Vendore, Marsi Simo, Sociologe.
Nxitja e Punësimit dhe strehimi, dy faktorë kyçë
Aktivistet e shoqërisë civile e shohin si një ndihmesë të çmuar për gratë nxitjen e punësimit të tyre përmes projekteve që duhet të ofrojë pushteti vendor si dhe mundësinë e strehimit për gratë që i përkasin shtresave në nevojë, gratë që kanë shumë fëmijë, që janë kryefamiljare apo që janë viktima të dhunës.
“Programet e punësimit për nxitjen e punësimit për vajzat dhe gratë, në vendin tonë i referohen kryesisht grave qe kanë qenë të dënuara apo për vajzat që rikthehen pas trafikimit dhe iu duhet më shumë që të integrohen në shoqëri. Ndërsa për vajzat dhe gratë në tërësi shihet e nevojshme edukimi i karrierës pa diferencime që në hapat e shkollimit. Vajzat duhet të edukohen me vlerësim për veten ku të kuptojnë se ato mund të kenë cilindo profesion që dëshirojnë. Por po ashtu me rëndësi është të minimizohet braktisja e shkollës nga vajzat për arsye mentaliteti, martesa në moshë të hershme, etj. Në këtë mënyrë, duke e kapur problemin që në zanafillë, vajza mund të ketë arsimin bazë, dhe në të ardhmen do kenë më shumë shanse të gjejnë hapësirë punësimi në tregun e punës”, tha për Portën Vendore sociologia Simo.
Në këtë aspekt, Bashkia e Tiranës thotë se është duke zbatuar projektin ”Fuqizimi i Grave dhe Nxitja e Sipërmarrjes” për të nxitur gratë dhe të rejat për t’u përfshirë në sipërmarrje dhe për të zgjeruar bizneset ekzistuese. Sipas bashkisë ky projekt ndihmon gratë e papuna që të zhvillojnë idetë e tyre përmes një biznesi social që ndihmon në vetëpunësim, që ofrojnë shërbime për shtresat në nevojë, promovon artizanatin, ushqimin e shëndetshëm, mjedisin etj. “Ky projekt financohet nga burime publike të Bashkisë së Tiranës, zbatohet dhe monitorohet nëpërmjet Drejtorisë së Nxitjes së Punësimit duke ndihmuar kryesisht gratë nga zonat rurale të Bashkisë së Tiranës, gratë kryefamiljare, gratë me aftësi të kufizuara si dhe gratë nga grupet e minoriteteve etnike. Çdo grua sipërmarrëse që kërkon të zgjerojë biznesin e saj, mund të përfitojë nga fondi i miratuar që Bashkia Tiranës vendos në dispozicion”, bën të ditur Bashkia e Tiranës e cila thotë se nga ky projekt kanë përfituar grante 52 gra dhe rrjedhimisht janë hapur 40 vende të reja pune që kanë gjeneruar nga biznesi në këto 4 vite.
Ndërsa përsa i përket strehimit bashkia thotë se: “aktualisht janë në zbatim Programi i Bonusit të Qirasë dhe Programi i Kredive të Buta të cilat trajtojnë me prioritet target-grupet e grave kryefamiljare, në nevojë e të dhunuara”.
Pavarësisht kësaj, aktivistja Sevim Arbana mendon se bashkia më shumë bën propagandë sesa u vjen në ndihmë grave. “Bashkia ka shumë programe që po të realizohen realisht dhe të implementohen ashtu siç duhet në unison me zërin e komuniteteve do ishin të mjaftueshme. Ne të shikojmë se çfarë problematikash hasin komunitetet në nevojë, kemi romët, kemi njerëzit që u shkatërrohen shtëpitë, kemi gratë e dhunuara që janë target i banesave sociale. Pjesa e implementimit është e tmerrshme. Kemi dy realitete të ndryshme. Një realitet që është i bukur në letra dhe një realitet që është skandaloz në terren”, shprehet Sevim Arbana.
Edhe Mimoza Hajdarmataj në të njëjtën linjë thotë se bashkia disa gjëra i bën vetëm për të “larë duart” por nuk e zgjidh në themel problemin.
“Bashkia lan duart se thotë të dhashë një apartament. Por qiraja është e madhe. Një grua e papunë si mund ta përballojë. Si mund ta përballojë një grua që rrit fëmijët e vetme. Kur nga ana tjetër nuk ka nxitur asnjë mundësi punësimi. S’ka politika punësimi. Nuk ndihmohen bizneset që të lehtësohen nga taksat që të punësojnë gratë e dhunuara, gratë rome, ose ato me shumë fëmijë, ata që s’kanë asnjë profesion. Problemet në Tiranë janë ashtu siç është gjithë Shqipëria me një damkë të zezë sociale. Edhe bashkia këtë lloj fryme ka. Janë të prirë të bëjnë gjëra që duken si të mëdha, japin leje ndërtimi, gjithandej betonizime, por asnjë politikë për gratë. Kjo i mungon gjithë propagandës dhe fasadës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, por jo vetëm, të gjithë kryetarëve të bashkisë”, thekson Hajdarmataj.
Në tërësi aktivistet e shoqërisë civile në mbrojtje të të drejtave të grave pohojnë se ka shumë problematike që lidhen me gratë dhe se duhet të ofrohet shumë mbështetje nga institucionet në tërësi, nga pushteti lokal në veçanti, por edhe vetë gratë duhet të organizohen dhe të ngrenë zërin për të zënë vendin që i takon në shoqëri.