Ndodhi

“Fytyra e re” e qendrës së të moshuarve në Dibër

6 mars 2020/ Dritan Kurti/ Porta Vendore/ Dibër

Bashkia e Dibrës më në fund i ka kushtuar vëmendje moshës së tretë. Bashkia së fundmi ka ndërhyrë për rehabilitimin e ambienteve të qendrës së të moshuarve, që ndodhet në godinën e Pallatit të Kulturës “Haki Stërmilli”.

Rreth 11 muaj më parë Porta Vendore publikoi lajmin për kushtet e vështira në të cilat gjendej qendra e të moshuarve në qytetin e Dibrës. Por falë këmbënguljes së të moshuarve dhe të organizatave lokale që operojnë në zonë, sot situata duket se është drejt përmirësimit.

Sot qendra e të moshuarve duket si e re. Në qendër janë lyer të gjitha ambientet, duke hequr kështu arnat e lagështisë e të mykut. Një tjetër problem që tashmë është zgjidhur, ka të bëjë edhe me nyjën sanitare të kësaj qendre, e cila ishte pothuajse e papërdorshme.

Përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij investimi modest, por që pritet të vijojë janë vetë të moshuarit që frekuentojnë prej vitesh këtë qendër. Ata shprehen të kënaqur që pas kaq shumë vitesh zëri i tyre u dëgjua. Megjithatë kërkesat e 80 të moshuarve të qendrës duket se nuk kanë mbaruar. “Bashkia ka ndërhyrë këtë vit duke na rregulluar ambientet. Janë bërë lyerjet e tyre dhe disa investime të tjera. Ende mbetet problem ngrohja, pasi po afron stina e dimrit. Ne këtu do të vijmë sërish, pasi nuk kemi ambiente të tjera. Shpresojmë që bashkia ta mbajë premtimin dhe të na sigurojë ngrohje. Ne nuk po kërkojmë shumë si moshë e tretë. Një ambient ku të mblidhemi, të pimë një kafe, të lozim ndonjë lojë domino e të jemi ngrohtë, kaq duam prej bashkisë”, tha Isuf Osmani, frekuentues i rregullt i Qendrës së Moshës së Tretë në qytetin e Peshkopisë.

Por ky investim i Bashkisë Dibër erdhi edhe falë lobimit të shoqërisë civile, që për muaj me radhë bëri lobimin midis këtij institucioni dhe kërkesave të komunitetit. “Bashkia Dibër ka ndërhyrë në rregullimin e tualeteve dhe mureve të qendrës. Gjithashtu është ndërhyrë në rrjetin e ujësjellësit, i cili kishte probleme dhe tubat pikonin brenda ambienteve të qendrës, duke bërë që muret të kishin shumë lagështi, sidomos në pjesën e tualeteve”, tha Kimete Mazari, Koordinatore e Projektit “Advokaci Komunitare për Hapjen e Qendrës së Moshës së Tretë” .

I kontaktuar nga Porta Vendore, Kryetari aktual i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj tha se bashkia ka në plan të tjera investime për qendrën e moshës së tretë. “Po punojmë që në qendrën e të moshuarve të dërgojmë edhe bazë materiale si; tavolina dhe karrige të reja. Gjithashtu do të bëjmë të mundur edhe vendosjen e sistemit me ngrohje qendrore për ambientet e qendrës, në mënyrë që të moshuarit të kenë kushte sa më komode qëndrimi gjatë muajve të ftohtë të dimrit. Është fat që qendra ka marrë formë tjetër dhe është detyra jonë ta mbajmë hapur për moshën e tretë, e cila ka më shumë se kurrë sot nevojë për ne, pasi aty është një brez i cili ka dhënë kontributet e tij në shoqëri e në komunitetin ku jetojmë”, tha kryebashkiaku Imeraj.

Vitin e kaluar Qendra e të Moshurave të Moshës së Tretë në Peshkopi ishte kthyer në një problem të madh për frekuentuesit pasi kushtet e qëndrimit në të ishin të papërshtatshme.

Rreth autorit:
Dritan Kurti, ka studiuar Gazetari dhe Komunikim, prej dhjetë vitesh është i angazhuar dhe punon në median lokale e kombëtare për Qarkun Dibër.