4 mars 2020/ Elvis Hila/ Porta Vendore/ Lezhë
Figurës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, do t’i shtohej edhe një tjetër shtatore monumentale, për 550-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. 1 vit e gjysëm më parë kjo iniciativë e Bashkisë së Lezhës u konkretizua edhe me një konkurs (dhjetor, 2018), të cilin e fitoi skulptori Ardian Pepa. Por vendosja e saj u bllokua nga Drejtoria e Kulturës Shkodër.
Ardian Pepa, skulptori i veprës punoi intensivisht për këtë projekt, sepse në datë 2 mars të vitit 2019, në kuadër të 575-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës dhe samitit të Diasporës, statuja monumentale duhej të vendosej në sheshin kryesor të qytetit të Lezhës, që mban emrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.
Por vetëm një ditë para inaugurimit të veprës, që realizohej me mbështetjen e donatorëve dhe të bashkisë së këtij qyteti, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit shembi dy shkallët e para, mbi të cilat do të vendosej bazamenti, pas urdhrit të lëshuar nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare në Shkodër, e cila kishte konstatuar se ndërtimi ishte pa leje.
Por kur ka kaluar një vit nga kjo çështje, shtatorja vijon të mbetet e pavendosur në magazinën e Skulptorit Ardjan Pepa.
“Normalisht ndjehesh shumë i dekurajuar nga gjithë ajo punë e madhe dhe nuk më vjen mirë që ngeli një vit i mbyllur në magazinë. E përse?! Vetëm se nuk ishte marrë leje për vendin. Do ishte shumë mirë që në vendin ku ishte përcaktuar që në fillim, duhej të vendosej kjo shtatore”, thotë skulptori i veprës Ardjan Pepa, për Portën Vendore.
Pas pengesës për vendosjen e shtatores, Bashkia Lezhë dërgoi dokumentacionin pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, ku u zhvilluan disa takime, por që nuk u vendos asgjë në lidhje me këtë shtatore.

Zgjedhjet e 30 qershorit 2019, që u pasuan me ndërrim pushtetesh në Bashkinë e Lezhës e lanë në harresë këtë çështje.
Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Lezhë, Paulin Zefi thotë se një grup pune i ngritur nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu ka diskutuar për këtë çështje me qëllim që shtatorja të vendosej në prag të 2 marsit 2020.
“Kemi zhvilluar disa takime për këtë çështje, pasi bashkia ka ngritur një grup pune dhe kemi si qëllim që ta vendosnim shtatoren deri më 2 mars 2020, meqë është dhe 576-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës. Janë propozuar disa variante, por më i përshtatshmi është vendi ku e kishin përcaktuar edhe më parë, pranë sheshin “Gjergj Kastrioti” afër vendvarrimit të Skënderbeut. Shpresojmë të na miratojë këtë ide Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, pasi aty do ishte vendi ideal “, thotë Zefi për Portën Vendore.
Ai shton se nëse nuk do miratohet ky variant për faktin se zona në fjalë është arkeologjike, atëherë do të shihet mundësia që të vendoset në ndonjë vend tjetër afër qendrës së qytetit të Lezhës, pasi sipas tij synimi është që kjo shtatore të ketë vizibilitet.
” Ky qytet e meriton diçka të tillë, pasi gjithçka është e lidhur pazgjidhshmërisht më historinë e Skënderbeun”, shton Zefi .
Shtatorja e “Gjergj Kastriotit” ka kushtuar 7 milionë lekë të reja. Një pjesë e të cilave, konkretisht 4 milionë lekë janë dhënë nga donatorë dhe pjesa e tjetër nga buxheti i Bashkisë Lezhë. Sa u përket përmasave të statujës, lartësia është 5 metra dhe 62 centimetra, ndërsa pesha e shtatores në bronz është 1 ton, bazamenti 12 tonë. Në total rreth 13 tonë. Por pavarësisht se data 2 mars 2020 do të shërbente si afat për institucionet e kulturës për të marrë një vendim në favor të shtatores që po zë pluhur nëpër magazina, sërish një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Rreth autorit:
Elvis Hila është korrespondent i Tv Ora News në qytetin e Lezhës.