Vëzhgim/Analizë

Qytetarët vënë me “shpatulla pas murit” Bashkinë Elbasan, rikonstruktohen 4 shkolla

3 mars 2020/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Elbasan

Bashkia Elbasan duket se ka kthyer “sytë” nga shkollat, ku në dy vitet e fundit i janë nënshtruar rikonstruksionit të plotë katër shkolla 9-vjeçare në qytetin e Elbasanit, si edhe disa rikonstruksione të pjesshme në shkollat e njësive administrative të kësaj bashkie.

Gjatë dy viteve të fundit, Elbasani njohu investime serioze në fushën e arsimit. Gjendja e degraduar e institucioneve arsimore brenda dhe jashtë vijës së verdhë të qytetit gjatë 20 viteve të fundit linte shumë për të dëshiruar, ku ndërhyrjet e vogla në fasada ose në tarracë ishin bërë që prej viteve 1997-2000.

Megjithatë për të arritur deri tek rikonstruksioni i plotë i 4 shkollave: “Ali Agjahu”, “Bardhul Popa”, “Qamil Guranjaku”, e “Jorgji Dilo”, e cila është në proces, janë dashur shumë përpjekje nga ana e prindërve, nxënësve e mësuesve, që të bëhej realitet dhe që këto shkolla 9-vjeçare, ndër më të rëndësishmet në qytet, të ndryshonin njëherë e përgjithmonë fytyrën e tyre.

“E kemi nisur me 5 prindër gjithë këtë betejë, ku me anë të shkresave i vinim në dijeni të situatës së shkollës ‘Qamil Guranjaku’, por kjo s’pati asnjë impakt për Bashkinë e Elbasan. Me pas u detyruam të bëjmë një peticion me 700 prindërit e shkollës”, tha Gentjan Serjani, kryetar i këshillit të prindërve.

Shkolla 9-vjeçare “Qamil Guranjaku” ka qenë e para shkollë që fitoi financim nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve. Në vitin 2016, kërkesat e shumta të prindërve, mësuesve e nxënësve, drejtuar bashkisë u finalizuan me miratimin e projektit për rikonstruksionin e kësaj shkolle.

Përpjekjet e këshillit të prindërve nisën që në vitin 2014 dhe u përshkallëzuan pas çdo përpjekjeje për të vënë në dijeni Bashkinë Elbasan për gjendjen në të cilën ndodhej kjo shkollë.

“Përkoi që përshkallëzimi i reagimit tonë ndaj bashkisë u përputh me datën që Bashkia Elbasan do të miratonte buxhetin . Ndaj ne printuam kërkesat tona, si dhe foto të gjendjes së shkollës për të gjithë anëtarët e këshillit bashkiak dhe i shpërndamë gjatë mbledhjes. Ky ishte një prej reagimeve të përshkallëzuar që pati një lloj impakti, pasi pas 3 ditësh, Kryetari kërkoi takim me përfaqësinë e prindërve”, tregon Serjani.

Pas tre vitesh përpjekje dukej se një dritë jeshile po ndizej për të shpërblyer gjithë mundin e prindërve të kësaj shkolle, që nuk kërkonin asgjë tjetër veçse disa kushte më të mira për fëmijët e tyre.

Ajo që i bëri realisht përshtypje bashkisë ishte kërkesa që vinte nga fëmijët, ku thoshin se ‘në të vërtetë e dimë që s’keni lekë, por kjo është kërkesa jonë, ndaj mundohuni të gjeni mundësi që të investoni tek shkolla jonë’”, rrëfen Serjani.

Pas këtij takimi, përfaqësisë së prindërve iu premtua që brenda një jave bashkia do të bënte projektin. “Për të arritur deri këtu ku ‘Qamil Guranjaku’ është sot, sigurisht që ka qenë një rruge e gjatë, plot sfida dhe që nuk ka marrë pjesë një aktor i vetëm. Ndaj kërkesë pas kërkese, hap pas hapi ne filluam që të bindnim aktorët që kishin në dorë vendimmarrjen për të ndryshuar realitetin në të cilin ndodheshim”, tha për Portën Vendore, Anila Çota, drejtore e shkollës 9-vjeçare “Qamil Guranjaku”.

Shkolla ishte në një gjendje të mjerueshme, ku lagështira mbretëronte kudo, tavanet ishin të krisura, xhamat e thyer, tualetet e papërdorshme dhe sistemi elektrik e hidraulik i vjetruar. Hera e fundit që kishin vënë dorë për një rikonstruksion të vogël fasade datonte në vitin 1997. Puna nisi në vitin 2016 dhe shkolla ishte e rikonstruktuar e me pamje të re në fillimin të janarit të 2017-s.

“Nëse më përpara vinim në një ambient ku bankat ishin të shkarravitura, ku s’kishim mjete për të bërë një eksperiment kimie, ku s’kishim një kompjuter etj, sot i kemi arritur të gjitha këto, e ndaj ndjehemi mirë që ja dolëm”, tregon Alkida Osmani, presidente e senatit të shkollës.

Qeveria e nxënësve, drejtoria e shkollës dhe këshilli i prindërve, u bënë një zë i vetëm që “luftoi” për më shumë se 3 vite me shkresa, kërkesa, peticione, e takime. Falë këmbënguljes së tyre, ata fituan, duke dhënë një shembull pozitiv edhe për shkollat e tjera në qytet dhe më gjerë.

“Në çdo hap, ne ishim si një vrojtues i të gjithë veprimtarisë që bënte Bashkia e Elbasanit në lidhje me rikonstruksionin e shkollës sonë . Ishim aty kur u aplikua te Fondi i Zhvillimit Rajonal, kur u fitua projekti, dinim firmën fituese, si dhe kontrollonim firmën në çdo detaj gjatë punimeve në shkollë”, tha Gentjani për Portën Vendore.

Por ndryshe nga ç’është parashikuar në projekt, në shkollën “Qamil Guranjaku’’ nuk është krijuar ende një hapësirë për palestër, ndaj prindërit premtojnë që do ta çojnë realizimin e projektit për këtë shkollë deri në fund, duke kërkuar gjithmonë më të mirën për fëmijët e tyre. “Është shumë e rëndësishme që në këto procese të mos jesh vetëm e të mos ndjehesh vetëm”, tha Çota, drejtorja e kësaj shkolle.

“Jorgji Dilo” është një tjetër shkollë në Elbasan. Në fillim të vitit 2019 ajo mori dritën jeshile të financimit. Fondi i parashikuar ishte për rikonstruksion dhe një godinë shtesë, çka do të bëjë që 700 nxënësit e saj të mos kenë më mësim me dy turne. Kjo shkollë është ndërtuar në vitin 1963 dhe që prej atëherë nuk ka pasur asnjë investim, përveç disa ndërhyrjeve në fasadë.

Prindërit e mësuesit e kësaj shkolle 9-vjeçare morën shembull nga rasti i shkollës Guranjaku, ndaj dhe ata bënë të njëjtën gjë, shkresa të shumta, peticione dhe në fund mundësuan një takim me përfaqësuesit e bashkisë.

Vanthi Nukaj është banore e lagjes “Leopard” në Elbasan, lagje në të cilën ndodhet edhe shkolla 9-vjeçare “Jorgji Dilo”, që mban emrin e një dëshmori.

Fëmijët e Vanthisë, por edhe mbesat e saj janë shkolluar në këtë shkollë. Ajo ka qenë një nga zërat më këmbëngulës midis komunitetit të prindërve dhe bashkisë.

“Që nga viti 2017 deri në vitin 2019 kemi kërkuar vazhdimisht financim për shkollën. Kemi pasur edhe disa pengesa në fakt për të marrë informacion nga bashkia, sepse herë na kthenin përgjigje e herë s’na kthenin. Por lobimi më i madh ka filluar në vitin 2018, që kemi pasur kontakte më të shpeshta e derisa arritëm ta përfundonim miratimin e këtij projekti”, tha Vanthia për Portën Vendore.

Por e gjitha kjo, ndoshta nuk do të kishte ndodhur, nëse në janar të 2019-s, në katet e para ku edhe studionin fëmijët e klasave të para, të mos kishte rënë suvaja e tavanit. Menjëherë pas kësaj, prindërit bënë një peticion, e kjo ishte pika e kthesës, ku bashkia i mori në konsideratë kërkesat e tyre. “Edhe prindërit dy vite e gjysmë u lodhën me përpjekje, iu sos durimi. Por kur ra suvaja, ne vendosëm që të mos i fusnim më fëmijët në shkollë, pasi rrezikohej seriozisht jeta e tyre, por nuk na lanë ta bënim të madhe, sepse erdhi direkt nënkryetari i bashkisë dhe na premtoi që do të fillonin me përgatitjen e projektit. Normal që u gëzuam të gjithë, prindërit mezi po e prisnin atë financim projekti”, tregon Vanthie Nukaj, gjyshja e Artisës.

Vlera e projektit për rikonstruksionin e kësaj shkolle kap shifrën e 1 miliard lekëve pa tvsh dhe është një investim i përbashkët me FZHR (Fondi i Zhvillimit të Rajoneve), në raportin 50% financim nga buxheti i Bashkisë së Elbasanit dhe 50% nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve. Ndërsa shkolla pritet të jetë gati për vitin e ri shkollor 2020-2021.

Por vetëm 5 km nga Elbasani, ndodhet fshati Mengël, i cili në shtator të vitit të kaluar u bë i famshëm nga jehona që mori protesta e prindërve, që shkolla 9-vjeçare e fshatit të mos mbyllej.

Në këtë shkollë studiojnë 213 nxënës nga 3 fshatra të zonës. Por për shkak të amortizimit të godinës ku zhvillohej mësim, fëmijët për një vit rresht ishin të detyruar të udhëtonin me furgon drejt një shkolle tjetër, për të kryer mësimin.

Kjo situatë e tyre, mori fund falë këmbënguljes së prindërve. Pas protestave që zgjatën rreth një javë rresht, shkolla përfitoi nga Bashkia Elbasan një rikonstruksion të pjesshëm, ku u rregulluan klasat me arkitrarë, me dritare të reja dhe u bë një lyerje e shkollës. Investim, i cili kushtoi në total 800 mijë lekë të reja.

“Bashkia pranoi që të bënte rikonstruksionin e pjesshëm meqenëse këmbëngulja e komunitetit ishte që të bëhej mësimi këtu dhe nuk pranuan që fëmijët të vazhdonin të shkonin në një shkollë tjetër. Kishte shumë mendime të ndryshme dhe ne asnjëherë nuk e kuptuam realisht se cili ishte thelbi, por normalisht ishin të acaruar me transportin e fëmijëve, por kishte edhe shtytje të tjera” tregon Nevila Duli, drejtore e shkollës 9-vjeçare Mengël.

Pas rikonstruksionit të pjesshëm, qeveria e nxënësve bashkë më komunitetin bënë të mundur krijimin e një laboratori biokimie. Prindërit kontribuan financiarisht dhe me punë vullnetare për ndërtimin e tij, ndërsa mjetet e laboratorit u bënë të mundura nga organizata World Vision.

Porta Vendore pyeti nëpërmjet një kërkese për informacion në Bashkinë Elbasan nëse ka në proces rikonstruksioni objekte të tjera shkollore dhe ku janë të shtrira ato. Në përgjigjen e saj, Bashkia Elbasan tha se: “Janë duke u kryer shërbimet e mirëmbajtjes, lyerjes dhe riparimit në 69 objekte arsimore (40 në qytet dhe 39 në njësi administrative), me vlerë 5.691.386 lekë pa t.v.sh.” Gjithashtu Bashkia Elbasan do të rikonstruktojë 50 objekteve mësimore, ndër to 12 objekte të arsimit parashkollor (11 kopshte dhe 1 çerdhe), 1 godinë e institucionit arsimor për fëmijët me aftësi ndryshe, dhe 37 objekte të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm, ku 22 nga këto objekte janë nëpër njësi administrative dhe 28 në qytetin e Elbasanit. Sipas Bashkisë Elbasan, vlera e parashikuar për rikonstruksionin e 50 objekteve, është 12.274.336 lekë pa t.v.sh.

Megjithatë pas aq shumë vitesh pritje për investime në sektorin e arsimit në Elbasan, më në fund duket se bërja bashkë e komunitetit të prindërve, mësuesve dhe nxënësve ka bërë që pushteti vendor të mund të ndërmarri iniciativa të tilla. Zëri i ngritur dhe këmbëngulja qytetare do të duhet të vijojë, pasi Elbasani ka ende nevoja të mëdha në fushën e arsimit.

Rreth autorit:
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa media kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.