Vëzhgim/Analizë

Ujësjellësi “elektoral” kushton 100 mijë euro, por lë pa ujë banorët e Bërzheshtës

29 shkurt 2019/ Ediola Tërziu/ Porta Vendore/ Librazhd

Bërzeshta është një nga fshatrat më të vjetër në Librazhd, por që sot bën pjesë në njësinë Administrative Qukës të Bashkisë Prrenjas. Ky fshat me rreth 200 banorë, prej më shumë se një viti ndjen mungesën e ujit të pijshëm. Banorët presin çdo ditë për një pikë uji, enden zyrave të shtetit, por pa asnjë përgjigje. Sipas Bashkisë, pikërisht për të plotësuar nevojat e komunitetit u hartua një projekt në vitin 2018, e ku në qershor 2019 u mor në dorëzim ujësjellësi i ri, por që banorët sërish janë pa ujë, ndërsa investimi miliarda lekë duke se është çuar dëm.

Bërzeshta dikur kishte 7 çezma, ku ngjitur është edhe rrapi madhështor. Në vitin 1986 u ndërtua një ujësjellës nga vetë banorët, i cili deri në vitin 2018 ka qenë i rregullt në furnizimin me ujë për gjithë Bërzeshtën. Madje, ujësjellësi i fshatit furnizonte jo vetëm banorët e atyshëm, por deri në Kakavec, fshatin tjetër përballë. Por një vit më vonë, ne 2019, me zbatimin e një projekti të ri, banorët ndeshen me problemet e mungesës së ujit të pijshëm. “Por, sapo u bë një investim i ri, fshati jonë u fik, mbeti pa ujë”, thotë Seit Dashballa, banor i fshatit. Ndërsa Xhevit Çerri tregon se u ndërhy për të përmirësuar situatën, por u lanë totalisht pa ujë. “Këtu te puseta e vjetër, që është ndërtuar mbi shtëpinë time nuk na munguar uji për të gjithë fshatin. Me këtë ndërhyrje, gjoja për të mirën tonë, na ndryshuan gjithçka. Sot vuajmë pafundësisht prej mungesë se ujit”, shpjegon ai.

Kurse banori tjetër Sokol Kuka shpjegon se janë bërë 30 depo për furnizimin e 200 familjeve dhe asnjë familje nuk ka ujë të pijshëm. “Edhe depoja kryesore nuk ka ujë, ajo vetëm në dimër furnizohet nga prurjet e reshjeve dhe ne verë nuk ka ujë”, thotë Kuka. “Na thanë që do të keni 24 orë ujë në ditë, do ndërrojmë tubacionet se do të ketë shumë presion, por siç e shikoni nuk ka asnjë pikë. Kishim ujësjellësin e vjetër që e kishin ndërtuar me shpenzimet tona, merrnim të gjithë ujë, por sot nuk ka ujë” shprehet e irrituar banorja tjetër Engjëllush Leka.

Banorët e fshatit Bërzeshtë. Foto: Ediola Terziu

Ndërkohë një nga punonjësit që punon në administratë (arsim) A. Gjymenga vë në dukje se përveç mungesës së ujit, problem është edhe siguria e popullatës. “Investimi i ri, i bërë në ujësjellësin e Bërzeshtës ka krijuar mjaft probleme. Të gjitha pusetat e ujit të shtrira në fshat janë të hapura e pa asnjë lloj sigurie, pa kyça dhe banorët larg qoftë ndjehen të kërcënuar për jetën e tyre, kushdo që mundet të kalojë sheh një pusetë pa asnjë element sigurie”, deklaron Gjymenga.

Por çfarë ka ndodhur me ujësjellësin e fshatit. Porta Vendore u interesua pranë Bashkisë Prrenjas për të mësuar më shumë rreth këtij projekti, që do të përmirësonte situatën e ujit në fshat, por që ua hoqi fare dhe askush nuk u jep shpjegim. Sipas dokumenteve, projekti ujësjellësit Bërzeshtë është fituar dhe realizuar nga kompania “Zdravo” për një fond prej afro 12 milionë lekë të reja gjatë kohës që Bashkia Prrenjas drejtohej nga kryetarja Miranda Rira. Madje, realizimi i ujësjellësit nga kjo kompani është njohur nga Bashkia e Prrenjasit, pavarësisht se nuk ka asnjë informacion nëse është verifikuar situata në terren.

Sipas të dhënave nga Bashkia, rezulton se akti i marrjes në dorëzim mban datën 28 qershor 2019, 2 ditë para zgjedhjeve vendore dhe certifikata e sigurisë është lëshuar më 29 qershor 2019, e cila zyrtarisht rezulton një ditë pushimi për nëpunësit e administratës.

Sipas projektit, “llogaritjet hidraulike të rrjetit të jashtëm të fshatit Bërzeshtë janë kryer duke u bazuar në kërkesën për ujë të të gjithë fshatit”. Ndërsa sipas raportit teknik “Për një periudhë prej 25 vjetësh është përllogaritur dhe sasia e ujit që duhet të përdoret për banorët, për blegtorinë dhe bujqësinë”. Pra sipas projektit, “Normat e përdorimit të ujit për përdoruesit është pranuar të jetë 150 litra për banor në ditë, kurse për bagëtitë e imta dhe të trasha janë përkatësisht 20 litra dhe 60 litra për krerë në ditë”.

Kjo rezulton një shifër fiktive, pasi banorët e Bërzeshtës vazhdojnë të ankohen dhe protestojnë, ndërsa edhe vetë kryetari i ri i Bashkisë Prrenjas, Nuri Belba ka mbetur i shtangur përballë këtij mashtrimi prej 12 milionë lekësh të reja. “Në momentin e marrjes së detyrës dhe ankesave të komunitetit të Bërzeshtës për mungesën e ujit të pijshëm për fshatin, menjëherë ngrita grupin e punës për verifikim e situatës. Kam caktuar specialistët përkatës me grup inxhinierësh për të krahasuar preventivin, situacionin, cilësinë e punimeve dha zbatimin e projektit. Në mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak do paraqitet relacioni përkatës ku do të jenë të ftuar përfaqësuesit e firmës Zdravo, u kam dërguar edhe një shkrese, ku iu kam kërkuar që të jenë të pranishëm edhe në monitorimin dhe verifikimin e cilësisë së zbatimit të projektit”, deklaroi kryebashkiaku Belba. Ai vë në dukje se këtë shqetësim do ta ndjekë deri në fund. “Madje unë jam zotuar edhe para qytetarëve që do të bëj transparencë se ku kanë shkuar investimet e shkuara, sepse janë bërë qoka partie” thotë Belba, duke shtuar se ka edhe shumë projekte të tjera të përfunduara që janë marrë në dorëzim, por që kanë shumë probleme cilësie. Porta Vendore tentoi të kontaktojë edhe me subjektin që ka realizuar ujësjellësin e ri, por nuk u gjet asnjë adresë komunikimi.

Ndërsa ish kryetarja e djathtë Bashkisë Prrenjas, Miranda Rira e pyetur me anë të telefonit nga Porta Vendore tha se nuk dinte të kishte probleme me ujësjellësin e Bërzeshtës.

Situata duket edhe më kaotike, kur nuk dihet edhe sesi u vendos që të ndërtohet një ujësjellës i ri, që nuk solli kurrë ujë, në kohën që në atë fshat kishte ujë. Porta Vendore pyeti pranë Këshillit Bashkiak Prrenjas sesi është marrë ky vendim, nëse ka kaluar në procedurë, por nuk gjendet asnjë informacion. Nuk kemi pasur ndonjë kërkesë nga banorët për ujësjellës të ri dhe nuk e dimë arsyen pse u zgjodh të investohej pikërisht në fshatin, ku kishte ujë”, justifikohen Sekretari i Këshillit Bashkiak Prrenjas, Aurel Karriqi dhe Kryetarja e Këshillit Bashkiak Flutura Haka.

Teksa duhet theksuar se z. Karriqi dhe znj.Haka kanë qenë pjesë e Këshillit Bashkiak edhe në kohën e kryebashkiakes Rira. Gjatë këshillit bashkiak të kaluar nga 21 këshilltarë, ku mazhoranca e këshillit ishte nga Partia Socialiste, përkatësisht 18 këshilltarë dhe 3 nga Partia Demokratike e Lëvizja Socialiste për Integrim. Ndërsa raporti u ndryshua disi për këshilltarët në zgjedhjet vendore të 2019-ës, por duke e bërë 100 % të Këshillit Bashkiak të majtë, ku 13 këshilltarë tanimë janë me testerin e PS dhe 8 të partive të tjera të majta.

Megjithatë, Bashkia ka ngritur një grup specialistësh për verifikimin e situatës në terren e kryesuar nga vetë Drejtori i Urbanistikës, Nazmi Dashi. Drejtori i Urbanistikës thotë se për verifikim saktësisht të zbatimit të projektit pritet të gjendet një inxhinier hidroteknik, i cili do të rishikojë ekzaktësisht zbatueshmërinë e projektit që nga preventivi, zbatimi dhe deri te marrja në dorëzim. “Madje, në dosje nuk ka detyrë projektimi. Është punuar pa projekte. Predispozicioni jonë është në radhë të parë të dërgojmë ujë te banorët që gjithë verën kanë ndjerë mungesën e tij në familjet e tyre dhe të marrë fund njëherë e mirë gangrena e ujësjellësit të Bërzeshtës”, shprehet Dashi. Por, derisa bashkia të zgjidhë këtë çështje, banorët e Bërzeshtës vazhdojnë të vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, ndërkohë që bashkia po përgatit edhe dosjen për kallëzim penal pranë prokurorisë.

Rreth autorit:
Ediola Terziu është gazetare në rrethin e Librazhdit.