Vëzhgim/Analizë

Bashkia Tiranë tërhiqet nga shembja e teatrit, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit skeptike për vendimin

29 shkurt 2020/E. Gjerani/Porta Vendore/Tiranë

Beteja dyvjeçare e artistëve, aktivistëve dhe qytetarëve për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar duket se po merr frytet e merituara. Vetëm 3 javë më parë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit mbushi dy vite nga krijimi i saj dhe mbrojtja me mish e me shpirt që i bënë qindra njerëz teatrit, duket se ka dhënë rezultatet e para, pasi në datën 26 shkurt Bashkia Tiranë dha lajmin se Teatri Kombëtar do të ndërtohet me paratë publike.

Në vitin 2018 fjala se Kompania Fusha Shpk do të ndërtonte në pronë publike një sërë kullash mori dhenë, duke bërë trupën e artistëve të reagonte për të ditur më shumë për fatin e teatrit. Në atë moment, Teatri Kombëtar u bë “mollë sherri” për shumë artistë që gjatë kësaj rezistence dyvjeçare të Aleancës për Teatrin u ndanë në dy grupe. Por ata që vërtetë rezistuan u përpoqën t’i kthenin teatrin alegrinë në ato ditë gri dhe vendimtare për fatin e tij.

Dy ditë më parë, Bashkia e Tiranës në deklaratën e shpërndarë tha se teatri do të ndërtohet me para publike, ku vetë ky institucion do të kërkonte financim nga qeveria shqiptare. Ndërsa thuhej gjithashtu se “vendimi për ta ndërtuar godinën e re me fonde publike vjen në mbështetje të të gjitha kërkesave të komunitetit të artistëve për një teatër modern, i cili plotëson kriteret e nevojshme për realizimin profesional e me cilësi të shfaqjeve teatrore”. Sipas kësaj komunikate, puna për ndërtimin e godinës së re të teatrit do të fillojë brenda këtij viti.

Burime zyrtare nga Bashkia Tiranë i thanë Portës Vendore, se bëhet fjalë për të njëjtën godinë, dhe ka ndryshuar shumë pak nga projekti fillestar.

Artistët vijojnë të qëndrojnë në godinën e Teatrit Kombëtar, pasi duken skeptikë në lidhje me këtë deklaratë të bashkisë.

“Në fakt nuk duket si vendim, po më shumë si cirk komunikativ me një deklaratë propagandistike për të krijuar kushtet që i gjithë zullumi të mbulohet, a thua se PPP-ja e famshme ishte thjesht një alternativë dhe asnjë nuk e kishte seriozisht, kur të gjithë e dimë – e pranuar dhe nga vetë autoritetet – që historia e teatrit ka filluar nga një ofertë e pakërkuar nga privatët, e cila i impresionoi kaq shumë pushtetarët, sa nuk mundën t`i rezistonin”, tha pedagogu i Gazetarisë dhe Komunikimit Ervin Goci, ndërsa theksoi se për më shumë se 5 muaj nga bashkia, nuk është shpërndarë asnjë informacion për publikun.

“Unë mund të them që deklarata vërteton që aty janë marrë vendime në mungesë totale të transparencës, dhe për këtë dikush do të mbajë përgjegjësi. Tërë këto shkelje do t`i bashkëngjiten kallëzimit tonë për Kryetarin e Bashkisë në SPAK”, tha Goci për Portën Vendore.

Ervin Goci, nja nga zërat e fuqishëm të kauzës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Në këtë qëndresë të artistëve e aktivistëve, u bashkuan edhe qytetarët, dashamirësit e teatrit, ku thuajse çdo mbrëmje merrnin pjesë në aktivitetet e ndryshme që bëheshin në mjediset e Teatrit Kombëtar.

“I jam bashkuar kësaj kauze sepse besoj tek artistët. E dua teatrin këtu ku është, nuk ka pse të vijë një kompani e të na bëjë një teatër modern në shkëmbim të pronës publike e të ndërtimit të kullave shumëkatëshe, ndaj do ta mbroj deri në fund teatrin dhe prandaj nuk mungoj asnjëherë në të gjithë këto organizime që këto artistë bëjnë këtu”, tha një qytetare për Portën Vendore.

Foto nga mbrëmja e 3 shkurtit, kur Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit mbushi 2 vite në ndjekjen e kauzës së saj.

 “Nëse nuk do të ishte për çdo individ të veçantë të angazhuar deri në sfilitje në këtë protestë, godina do ishte shndërruar në thërrime me kohë, dhe buldozerët do ishin duke bërë festë m`u në zemër të Tiranës. Lëvizja civile, kauza e ngritur me mund e sakrifica u mësoi shqiptarëve që me vetëmohim gjithçka arrihet. Kam siguri absolute, që të gjitha këto manovra të qeverisë dhe Bashkisë, kanë ardhur si pasojë e kësaj qëndrese, e cila në llojin e vet ka qenë e papërsëritshme, sepse ka mbushur 2 vite të plota rezistencë, 1 vit e 8 muaj protestë të përditshme, dhe 8 muaj 24 orë qëndresë pas okupimit të ndërtesës. Nga këtu fillohet, nga këtu do të fillojë çdo refleksion mbi raportet e transfomuara të pushtetit me qytetarin, pas kësaj proteste unike, raportet e pushtetit me qytetarin, nuk do të jenë më të njëjta; epërsia morale e pjesës civile e ka kapërcyer me kohë klasën politik ; hesapet do të bëhen ndryshe nga kjo rezistencë e më tej”, tha Ervin Goci.

Sipas aktorit Neritan Licaj, kjo është një çështje që i përket qeverisë dhe jo bashkisë.

“Projekti nuk ka ndryshuar fare, në thelb është e njëjta gjë. Na thanë atëherë që nuk kemi para për restaurimin ndërsa tani që kanë marrë borxh për dëmet e tërmetit do të investojnë për teatrin. Unë si besoj fare. Unë nuk i di pazaret që kanë bërë ata aty brenda. Teatri është në gjendje shumë të mirë sepse e tregoi edhe tërmeti, aq më tepër ata 3 ekspertët që kanë bërë raportin teknik të cilët nuk kanë qenë të licencuar. Unë mendoj se ata po përpiqen ta shtyjmë, jo do ta bëjmë në fillim të vitit, jo do ta lëmë për në fund të vitit tjetër. Shkurt nuk duan ta pranojnë që kanë humbur. Thjesht nuk duan ta pranojnë që kanë gabuar”, tha Neritan Licaj në një reagim mediatik.

Por pavarësisht tërheqjes së Bashkisë Tiranë për prishjen e teatrit, sërish kauza vazhdon, për mijëra artistë, aktivistë e qytetarë.

“Ne nuk jemi ndalur ndonjëherë dhe as nuk e kemi pasur ndonjëherë ndër mend që të tërhiqemi, kauza do të vazhdojë derisa Teatri të futet në rrugën e restaurimit, në respekt të ligjeve, transparencës, ekspertizës më të mirë, opinionit qytetar, që të dalë projekti më i mirë fitues, por me një kusht: që ata që do të jenë nga pala e autoriteteve, duhet të jenë njerëz të papërfshirë në aferën korruptive për prishjen e Teatrit dhe ndërtimin e kullave, dhe ne pretendojmë të kemi përballë njerëz seriozë me integritet, që të bëjnë më të mirën për fatin e Teatrit”, tha Ervin Goci.

Një tjetër pikë kthesë ishin edhe 2 letrat që Europa Nostra i ka dërguar në këto dy vite Kryeministrit Rama, Presidentit Meta dhe Kryebashkiakut Veliaj në lidhje me çështjen e teatrit.

“Teatri Kombëtar i Shqipërisë është nominuar nga Fondacioni Gjirokastra, si pjesë e një fushate të madhe të shoqërisë civile për të shpëtuar ndërtesën, për programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara për 2020”, shkruhet në letrën e dërguar krerëve të institucioneve nga Presidenti i Federatës Pan-Evropiane për Trashëgiminë Kulturore Europa Nostra Hermann Parzinger, rreth një muaj më parë.

Europa Nostra është organizata më e madhe me shtrirje në hapësirën mbarë evropiane që merret me ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ajo funksionon si një federatë me pjesëmarrës nga e gjithë Evropa dhe ka status këshillimor për UNESCO-n dhe Bashkimin Evropian. Në muaj mars Teatri Kombëtar do të përzgjidhet në listën e 7 siteve më të rrezikuara.

“Roli i Europa Nostra është tepër i rëndësishëm, sepse e nxori godinën nga statusi “kapanonit”, dhe i njohu vlerën reale që ka – të një monumenti me vlera të pakrahasueshme që meriton jehonë europiane. Pra për ta përmbledhur: prishja e Teatrit Kombëtar dhe atij Kombëtar Eksperimental, Kompleksit “Scanderbeg”, do të quhej sulm ndaj pasurive të trashëgimisë europiane nëse do të kryhej – siç edhe letra e fundit e Europa Nostra e shpreh qartë”, tha profesori Goci.

Disa ditë më parë pranë pedonales, qëndronte një tryezë e vogël ku qytetarët ndalonin për tu bërë pjesë e peticionit, të iniciuar prej kohësh nga aktivistët të cilët mbrojnë këtë kauzë dhe janë kundra prishjes së teatrit.

 “Peticioni ka pasur një jehonë të jashtëzakonshme; megjithesë nuk kishin si ta merrnim nëpër mend, duket se njerëzit e paskan pritur me kërshëri të madhe, sepse duket se dëshira e tyre për të shprehur vullnetin në një kontekst tanimë të përmbysur nga pranvera e vitit 2018-të. Njerëzit duken të uritur për të shprehur vullnetin e tyre për shpëtimin dhe restaurimin e Teatrit Kombëtar, sepse e ndjejnë instiktivisht që ajo godinë u përket gjithmonë e më shumë. Mund të thuhet që dhe situata e përgjithshme politike dhe në qëndrimet e opinionit publik, shkon në sintoni me kauzat dhe mesazhet e tyre, që në fund të fundit kanë treguar integritet dhe që kanë luftuar për forcimin e rolit të qytetarit”, përfundoi Goci.

Gjithsesi “lufta” duket se nuk ka mbaruar ende, dhe kjo për ata që e mbështesin kauzën duket vetëm një gjysmë betejë e fituar, për shkak se sipas artistëve asgjë nuk është e sigurt.

Sipas ekspertit të ekonomisë Pano Soko, restaurimi i Teatrit Kombëtar dhe ndërtimi i një teatri të ri, në zonat e tjera të urbanizuara të Tiranës, kap vlerën e 1.8 miliardë lekëve në total për t’i dhënë zë kulturës në kryeqytet .