Ndodhi

Tërmeti, qeveria cakton zbatuesit e ndërtimeve të reja, del raporti për ndërtesa rezistente

27 shkurt 2020/ Porta Vendore/ Tiranë

Qeveria ka caktuar se njësia zbatuese për rindërtimin e shtëpive individuale në bashkitë e prekura nga tërmeti, jashtë zonave të përcaktuara për lagje të reja, do të jetë Fondi Shqiptar i Zhvillimit. FSHZH-ja nuk do të zbatojë vetëm projektet model të Bashkisë Tiranë, pasi ato do të zbatohen nga vetë kjo bashki, ndërkohë që tashmë ka përfunduar dhe raporti i përgatitur nga njësia e sizmologjisë dhe gjeoshkencës për ndërtime rezistence, ku janë vendosur kriteret mbi të cilat do të ngrihen ndërtimet e reja.

Njësitë e zbatimit

Qeveria kishte deklaruar më herët se pasi të përfundojnë aplikimet online do të nisë edhe procesi i rindërtimit në 18 zonat e reja të zhvillimit (lagje të reja), ku për zbatimin e projekteve janë përcaktuar Fondi Shqiptar i Zhvillimit (për projektet jashtë Bashkisë së Tiranës dhe Bashkia e Tiranës (për projektet brenda kësaj bashkie). Në kryeqytet do të jenë 9 lagje të reja, ndërtimi i të cilave do të bëhen sipas standardeve bashkëkohore antisizmike dhe 9 lagje të tjera do të jenë në 10 bashkitë e tjera të prekura nga tërmeti. Po ashtu, qeveria ka miratuar dhe njësitë zbatuese për rindërtimin e shtëpive individuale të dëmtuara nga tërmeti, që janë jashtë këtyre zonave.

Konkretisht, Këshilli i Ministrave vendosi caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese për rindërtimin, sipas projekteve model, të shtëpive individuale të dëmtuara nga tërmeti, jashtë zonave të reja të shpallura në bashkitë: Durrës, Kamzë, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak dhe Vorë. Po ashtu, qeveria caktoi Bashkinë Tiranë si njësi zbatuese për rindërtimin, sipas projekteve model, të shtëpive individuale të dëmtuara nga tërmeti, jashtë zonave të reja të shpallura në Bashkinë Tiranë.

18 zonat ku do të ndërtohen lagjet e reja dhe njësitë zbatuese të këtyre projekteve

  1. Njësia administrative Shijak, Bashkia Shijak, njësia zbatuese Fondi Shqiptar i Zhvillimit
  2. Njësia administrative Laç, Bashkia Kurbin, njësia zbatuese Fondi Shqiptar i Zhvillimit
  3. Njësia administrative Thumanë, Bashkia Krujë, njësia zbatuese Fondi Shqiptar i Zhvillimit
  4. Njësia administrative Laç, Bashkia Kurbin, njësia zbatuese Fondi Shqiptar i Zhvillimit
  5. Njësia administrative Bubq, Bashkia Krujë, njësia zbatuese Fondi Shqiptar i Zhvillimit
  6. Njësia administrative Fushë –Krujë, Bashkia Krujë, njësia zbatuese Fondi Shqiptar i Zhvillimit
  7. Njësia administrative Durrës, Bashkia Durrës, njësia zbatuese Fondi Shqiptar i Zhvillimit
  8. Njësia administrative Vorë, Bashkia Vorë, njësia zbatuese Fondi Shqiptar i Zhvillimit
  9. Njësia administrative Kavajë, Bashkia Kavajë, njësia zbatuese Fondi Shqiptar i Zhvillimit
  10. Njësia administrative 4 dhe 8, Zona 5 Maji, Bashkia Tiranë, njësia zbatuese Bashkia Tiranë
  11. Njësia administrative 1, Zona Autotraktori, Bashkia Tiranë, njësia zbatuese Bashkia Tiranë
  12. Njësia administrative 6, Zona Kombinat, Bashkia Tiranë, njësia zbatuese Bashkia Tiranë
  13. Njësia administrative 11, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Bashkia Tiranë, njësia zbatuese Bashkia Tiranë
  14. Njësia administrative Baldushk, Bashkia Tiranë, njësia zbatuese Bashkia Tiranë
  15. Njësia administrative Ndroq, Bashkia Tiranë, njësia zbatuese Bashkia Tiranë
  16. Njësia administrative Pezë, Bashkia Tiranë, njësia zbatuese Bashkia Tiranë
  17. Njësia administrative Vaqarr, Bashkia Tiranë, njësia zbatuese Bashkia Tiranë
  18. Njësia administrative Zall-Herr, Bashkia Tiranë, njësia zbatuese Bashkia Tiranë.

Raporti për ndërtesa rezistente

Krahas caktimit të njësive zbatuese nga qeveria, Njësia kërkimore-shkencore e Sizmologjisë dhe Gjeoshkencës ka prezantuar në Akademinë e Shkencave raportin që do t’i dorëzojë Komitetit Shtetëror të Rindërtimit, që është ngritur në vendin tonë, pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019, për ndërtimet e reja.

Foto nga mbledhja e Njësisë kërkimore-shkencore për studimet sizmologjike në Akademinë e Shkencave

Sizmologu Shyqyri Aliaj edhe inxhinieri i sizmologjisë Markel Baballëku prezantuan projektin që duhet që të aplikohet në shkallë kombëtare për të garantuar ndërtime të qëndrueshme dhe rezistente në të ardhmen. Ndër, të tjera Baballëku teksa prezantoi hartën sizmike në vendin tonë u ndal tek aplikimi i disa pjesëve të veçanta të Eurokodit 8, aplikimi i materialeve plotësuese nga anekset e vendeve europiane edhe përcaktimi i parametrave që kërkon trajtime specifike kombëtare.  “Tërmeti i datës 26 nëntor tregon se si e përjetoi vendi ynë. Ky qe tërmeti më i madh edhe më i fuqishëm, që ka ndierë brezi ynë që jetojmë. Edhe vet ngulmimi i qeverisë që kërkon një financim të jashtëzakonshëm për të përballuar këtë tregon se çfarë tërmeti ka kaluar në vendin tonë”, u shpreh sizmiologu Shyqyri Aliaj. Kjo është hera e parë që inxhinierët, shkencëtarët edhe specialistët e sizmikes përgatisin ekspertizën për garantimin e ndërtimeve të qëndrueshme e rezistonte gjatë këtyre viteve të tranzicionit.

Njësia kërkimore shkencore e Sizmologjisë që vepron pranë Akademisë së Shkencave, së bashku me atë të Nanoteknologjisë dhe njësive të tjera që do të ngrihen në vijim, janë fryt i reformës së thellë në të cilën është përfshirë Akademia e Shkencave për të rikthyer rolin aktiv të saj në fushat kryesore të kërkimit shkencor.