Ndodhi

Pavarësisht premtimeve për zgjidhje, banorët e Lagjes “Dyli Haxhire” në Elbasan vijojnë të thahen për uji

27 shkurt  2020/ E. Gj/ Porta Vendore/ Elbasan

Lagja “Dyli Haxhire”, në periferi të qytetit të Elbasanit është pa ujë prej 3 vitesh. Banorët ndjehen të diskriminuar për shkak të ngjyrës nga institucionet vendore, pasi këto të fundit i kanë lënë tërësisht në mëshirë të fatit, ku furnizimi i rregullt me ujë si në pjesën tjetër të qytetit, nuk njihet.

Më 14 mars 2019 Porta Vendore publikoi një artikull në lidhje me situatën e vështirë në të cilën ndodheshin 100 familje të komunitetit rom dhe egjiptian, por jo vetëm në lagjen “Dyli Haxhire” në qytetin e Elbasanit për shkak të mungesës së ujit të pijshëm. Megjithëse kanë kaluar 11 muaj, situata nuk ka ndryshuar.

“Kemi vite që jemi ankuar për këtë dhe në fund fare na kanë mashtruar, jo po s’na kanë ardhur fondet, s’kemi të ardhura, etj. Tani na ka ardhur një drejtor i ri, i cili na ka premtuar shumë gjëra. S’na vjen uji fare, kemi vendosur pompa por s’arrin uji të vijë, sepse rrjeti ka probleme plus që ka edhe disa banorë që e vjedhin për të vaditur dhe ndaj ne të tjerët qëndrojmë pa ujë. Kjo është shumë e padrejtë. Shumë na kanë premtuar, por na kanë gënjyer”, tha Besnik Xhija, banor i lagjes “Dyli Haxhire”.

Megjithëse 3 vite pa pikën e ujit të pijshëm faturat nuk kanë ndalur në adresë të këtyre familjeve, ato kanë vazhduar të vijnë rregullisht me një vlerë prej 1200 lekësh të reja në muaj. Të gjendur përpara kësaj situate, shumë prej familjeve kanë zgjedhur të mos paguajnë për aq kohë sa ky shërbim nuk shkon deri në çezmat e tyre.

“Disa fqinj bënë aktmarrëveshjen, paguan 5 muaj dhe nuk u erdhi uji. Unë vetë nuk e kam bërë ende këtë, pasi në takimet me drejtuesit e ujësjellësit, ne si banorë kemi rënë dakord t’i paguajmë detyrimet e mbartura të kësaj periudhe, por vetëm nëse na vjen uji. Kam shkuar të interesohem tek ujësjellësi në muajin shtator dhe rezulton që kam një detyrim prej 1 milion lekësh të vjetra. Faturat vijnë vazhdimisht, 6 mijë lekë taksë pastrimi nga bashkia dhe 6 mijë lekë nga ujësjellësi, ndërkohë që ne s’ kemi ujë. Kjo është masakër”, rrëfen Besniku.

Lëvizja Rinore Egjiptiane & Rome ka mbështetur banorët duke i ndihmuar që të kërkonin të drejtat

tyre të shkelura nëpër institucione, për zgjidhjen e situatës. Nëpërmjet LRER, ata i kanë drejtuar një peticion Bashkisë Elbasan. Në këtë peticion banorët shprehin shqetësimin e tyre për furnizimin me ujë të pijshëm dhe kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme. Por deri më sot askush nuk u ka dhënë zgjidhje.

“Aktivistët së bashku me banorët kanë advokuar dhe nxitur në mënyrë të vazhdueshme UKE për të zgjidhur këtë çështje. Si pasojë, UKE miratoi një projekt investimi përmes së cilit synohet zgjidhja e problematikës. Projekti i është dërguar AKUM për financim, por deri tani ky projekt nuk është miratuar për financim”, tha Ervis Çota drejtues i LRER për Portën Vendore, duke shtuar se; “ i janë drejtuar gjithashtu me kërkesë Ujësjellës-Kanalizimeve Elbasan, Bashkisë Elbasan, kanë realizuar takime të drejtpërdrejta me ta, ankesë drejtuar Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, takim me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizime, AKUM, por përsëri situata është e njëjtë. Familjet edhe sot e kësaj dite nuk furnizohen me ujë të pijshëm”.

Gjithashtu aktivistët bashkë me banorët e kanë ndjekur këtë çështje në vazhdimësi edhe me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili inspektoi nga afër lagjen ku konstatoi diskriminim të familjeve nga ana e bashkisë dhe Ujësjellës Kanalizime Elbasan. KMD i ka kërkuar Bashkisë Elbasan dhe UKE të ndërmarrin në mënyrë të menjëhershme masa për t’u siguruar ujë të pijshëm banorëve derisa problematika të zgjidhet përfundimisht, ndërsa gjobiti Bashkinë Elbasan dhe UKE me nga 1 milion lekë të vjetra secili.

Lagja “Dyli Haxhire” në qytetin e Elbasanit.

Shpresa e banorëve që kjo situatë do të ndryshojë, pak nga pak ka filluar të venitet, dhe në vend të saj është mëria ndaj institucioneve vendore që pavarësisht premtimeve të shumta, nuk kanë bërë asgjë realitet deri më tani, megjithëse kanë kaluar shumë vite.

“Ka ardhur ish kryetari i bashkisë Qazim Sejdini na ka takuar e premtuar për ujin e pijshëm, madje filluan të shtronin edhe ca tuba, por sërish puna mbeti në mes. Ndërsa përsa i përket Kryetarit të ri të Bashkisë Gentjan Llates, ai nuk ka ardhur të na premtojë asgjë gjatë fushatës elektorale. Nuk të kushtojnë fare vëmendje që të marrin masa, na kanë lënë kështu; ‘hajde se janë romë’, dhe nuk na japin përkrahje” rrëfen Besniku, për Portën Vendore.

Nëpërmjet mbështetjes së një organizate Myslimane në lagjen “Dyli Haxhire” u hap një pus, për t’u ardhur në ndihmë sadopak familjeve, por edhe kjo sipas banorëve nuk ishte një zgjidhje për shkak të numrit të madh të banorëve. Ata sërish u detyruan të mbushin uji në lagjet e tjera, duke e transportuar në krahë ose me biçikletë.

“Aktivistët na kanë ndihmuar shumë duke na bërë ndërmjetësimin me bashkinë. LRER na ka hap një pus që të mund të furnizohemi me ujë, por edhe ai nuk na mban dot se jemi shumë familje këtu. Deri para ca muajsh e mbanim me krahë, pasi shkonim në një lagje tjetër për të mbushur ujë. Morëm ekspertë nga Tirana që bënë analizat dhe uji doli i papijshëm, me infeksione kjo për shkak të amortizimit së tubave. Tani dalim e mbushim ujë me biçikleta në qendër për të pirë e për gjellë”, përfundoi Besniku.

Zvarritja e kësaj çështjeje nga ana e institucioneve përgjegjëse, në fakt, i ka bërë banorët pesimistë. Megjithatë, aktivistët shprehen të vendosur për ta ndjekur deri në fund këtë çështje duke shpresuar se do të marrë zgjidhje.

Ndërsa Julian Doçi drejtori teknik i Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan, tha për Portën Vendore se shumë shpejt ky problem do të marrë zgjidhje. “Ka kuotë të disfavorshme sepse është zonë kondrinore , nuk është fare çështje diskriminimi. Kemi një projekt por nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve ka pasur një vonesë në procedurat e tenderimit. Ne detyrën tonë e kemi kryer, e kemi dorëzuar projektin, tani presim nga ata”, tha Doçi.

E pyetur nga Porta Vendore nëpërmjet një kërkesë për informacion Bashkia Elbasan nuk ktheu një përgjigje në lidhje me situatën e krijuar në lagjen “Dyli Haxhire”, në Elbasan.