25 shkurt 2020/ E.Gjerani/Porta Vendore/ Tiranë
Nga tërmeti i datës 26 nëntor nuk shpëtuan as disa fshatra të Tiranës kryesisht në njësitë administrative Vaqarr, Prezë dhe Pezë. Porta Vendore udhëtoi në disa prej zonave, për të prekur nga afër historitë njerëzore të atyre familjeve që tërmeti i rrëmbeu pa mëshirë djersën e një jete.
Fshati Gropaj në njësinë administrative Vaqarr është vetëm 9.4 km nga Tirana. Ky fshat ka rreth 100 familje, ku kryesisht banorët merren me bujqësi e pak blegtori.
Varfëria është prezente kudo, ajo është ulur këmbëkryq prej kohësh, e mbase edhe brez pas brezi në shumë familje. Ndërsa tërmeti duket se e ka thelluar edhe më shumë varfërinë, duke i shkulur edhe ato pak shpresa për një jetë më të mirë.
Në familjen e Ylberit janë 11 pjesëtarë. Ata që prej tërmetit të 21 shtatorit jetojnë në çadër. Ndërsa vetëm kohët e fundit disa aktivistë i kanë siguruar një kontejner, ku flenë prindërit e moshuar dhe vëllai i sëmurë.
“Grupet kanë ardh për ta parë, por nuk kemi një përgjigje se ça do bëhet. Na kanë thënë që është e pabanueshme, tani kemi këtë çadrën, jetojmë në çadër, ça do bëjmë. Jemi interesuar por s’kemi përgjigje, ça do bëhet kur do vijnë”, tha Ylber Peposhi, banor i fshatit Gropaj.
Shtëpia ka pësuar çarje të konsiderueshme ngado, ndërsa Ylberi thekson se në njësinë administrative Vaqarr ka shkuar disa herë radhazi për tu interesuar për ndonjë zgjidhje të mundshme.
“Atje nuk na japin informacion se ça do bëhet e kur do bëhet kjo gjë. S’kemi asgjë të sigurt, s’na kanë caktuar kohë. Që të kemi një shpresë se kur do bëhen, vetëm thonë do rregullohet, do rregullohet, se dimë sa vite do shkojë kjo punë. Fjalë kemi mjaft, por vepra jo” tha ai për Portën Vendore.

Ai pranon me gjysmë zëri se e tremb ideja se me fshatin do të merren të fundit, pasi siç edhe ka dëgjuar në televizor qyteti do të ketë vëmendjen kryesore, kjo edhe për shkak të dëmeve të cilat kanë qenë më të konsiderueshme.
“Të rrish aty vazhdimisht as bëhet fjalë, që në tërmetin e parë kemi dalë, kur të bëhet shtëpia do futemi brenda. Është e vështirë të jetosh në çadër verore me fëmijët. Në çadër mund të jetosh vetëm në gjendje lufte, kështu e konceptoj unë”, thotë Ylberi tejet i zhgënjyer nga kjo situatë.
Ndërsa gruaja e tij është ajo që e ndjen edhe më shumë të ftohtin e shkurtit. Atë e gjejmë me mëngë të përveshura duke larë enët në oborr, teksa tregon se kjo punë është e përditshme.
“Më e vështirë është për ne gratë e gjithë kjo situatë, pasi duhet të lajmë e shpëlajmë jashtë, të gatuajmë e të merremi me gjithçka. Jemi mërzitur të gjithë nga kjo gjë, por hajt më rrimë me shpresën që do të kalojë”, tha Fatmira, gruaja e Ylberit.
Në fshat janë rreth 10 familje të prekura nga tërmeti, i cili i ka dëmtuar shtëpitë e tyre plotësisht. “Siç ka rënë tërmeti, ashtu jemi, asnjë lloj ndryshimi, s’kemi ça presim më, vetëm të bjerë tërmeti tjetër. Po s’lëvizi njeri ça shprese të kemi. Këtu s’ka ardhur asnjë njeri”, tha Benik Nozlli, një tjetër banor. Ai na tregon se i ftohti dhe temperaturat e ulëta e kanë detyruar të rikthehet në banesën e dëmtuar, pas një kohe të gjatë qëndrimi në çadër.
“Brenda jetojmë ça do bëjmë. Si është më mirë të flesh jashtë në shi e dëborë apo brenda me frikë?. Vetëm roja i komunës ka ardhur, vetëm kanë bërë matje, e s’na kanë thënë asgjë. Kanë ik prapë në punë të vet”, tregon Beznik Nozlli, banor i fshatit Gropaj.
Madje, ai ngre edhe një tjetër shqetësim, pasi sipas tij në ndarjen e ndihmave janë bërë dallime partiake. “Skam besim në shtet fare, po ja fuqitë tona duket sa janë, se ne po të kishim para do ta kishim bërë, por një farë ndihme duhet. Edhe sakrifica ka një kufi, ne nuk jemi supermenë”, përfundon Besniku.
Vetëm pak metra më tutje takojmë Lutfijen. Shtëpia e saj ka marrë dëmtime serioze por megjithatë ajo vijon të jetojë aty. E vuajtur nga jeta ajo tregon se ka punuar natë e ditë për këtë shtëpi. Teksa e ka ende të vështirë të pranojë humbjen e të vetmes pasuri që zotëronte. “I lajmëruam, erdhën ata, bënë matjet, as na thanë të banueshme as të pabanueshme. Shkuam e bëmë kërkesën për shtëpinë, bëmë edhe disa foto e i çuam në njësinë administrative, u interesuam, por ata na thanë që tani i ka bashkia”, tregon Luftije Nozlli për Portën Vendore.
Ditët që po kalojnë, banorëve të Gropajt i duken në disfavor të tyre. Pritja që dikush t’i thotë diçka, ose të ndërmerren hapa konkretë i ka sfilitur. “Nuk ka ardhur njeri fare këtu, ku të shkoj që të mos rri aty. Nuk kam shpresë, shpresa ka vdekur. Jemi shumë të zhgënjyer nga të gjithë”, tha ajo.
I shoqi i Luftijes punon në ndërtim megjithëse është me statusin invalid. Ndaj ajo kërkon me ngulm një dorë, që të mund ta mbështesë në të gjithë këtë situatë të krijuar. “Nuk e lë vendin tim unë. Kam truallin tim këtu, le që nuk ka ardhur njeri e as do vijë njeri këtu. Se kështu ndodhi edhe për 21 shtatorin këtu, fjetëm rehat derisa na ra llaçi në kokë, s’kemi fare asnjë lloj shprese”, rrëfen Luftija.
Në shumicë e familjeve në fshat kanë mbetur vetëm pleqtë, pasi të rinjtë kanë migruar në drejtim të kryeqytetit ose në qytete të tjera, kudo ku kanë gjetur një mundësi punësimi. Familja Gjokmeli jeton gjithashtu në fshatin Gropaj. Të dy bashkëshortët janë të sëmurë e të pafuqishëm për të ndjekur nëpër institucione fatin e banesës së tyre. “E kanë nxjerrë të pabanueshme, por gjë nuk po na bëjnë. Shpresat tek ata po i mbajmë, se kanë thënë që shtëpitë do t’i riparojë shteti, se ne s’kemi lekë për të ngrënë bukë. Frikë kemi por rrimë brenda me shpresat në zot, ishalla s’po bie më tërmet”, tregon për Portën Vendore, 70-vjeçari Maksut Gjokmeli.
Vetëm 12 km më tutje ndodhet Peza. Në qendër të saj takojmë disa banorë, shtëpitë e të cilëve janë prishur keqas nga tërmeti. Tahsim Çelmeta është një nga banorët e fshatit Greç në Pezë.
Rruga për të arritur në fshat është tejet e amortizuar, megjithëse vetëm 5 km larg qendrës së Pezës duhen minimalisht 40 minuta që të arrijmë deri në brendësi të fshatit Greç. Fshat, i cili nuk figuron fare as në Google Maps.
Shtëpia e Tahsimit mban një shirit të kuq dhe tabelën e vendosur nga ekspertët e Institutit të ndërtimit, pasi është shpallur e pabanueshme. “I kanë mbledh te njësia administrative dhe i kanë pyetur se ku e doni shtëpinë aty ku jeni apo do zhvendoseni në një lagje që do rindërtohet? Por unë s’e le dot pronën, ku me shku unë atje. Në çadër flemë se ka pas edhe tronditje dhe ajo nuk mban më”, tregon Tahsim Çelmeta për Portën Vendore.

Në këtë shtëpi deri në datës 26 nëntor jetonin 2 kurora, ku në total bëheshin 7 anëtarë. Ndërsa tani këto dy familje janë zhvendosur në çadrat verore të ngritura në oborrin e shtëpisë. “Të paktën mos të na rrejnë shumë, të na thonë bëhen ose jo, pasi është shumë ftohtë në çadër. Hidh batanije sa të duash, prapë çadër verore është ajo. Unë nuk dua as makarona, as oriz, kemi hallin e shtëpisë”, rrëfen Tahsimi. Ai na tregon gjithashtu që ka aplikuar për bonus qiraje dhe po pret të gjejë shtëpi.
Fshati Greç ka rreth 87 familje, ku një pjesë e mirë prej tyre janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, diku duke shkaktuar dëme të mëdha e diku tjetër më të vogla. Haxhi Karaj është një tjetër banor i prekur në fshatin Greç. Ai jeton vetëm me gruan e tij, tashmë prej 5 muajsh në çadër. “Në çadër jam futur në datës 22 shtator dhe që prej asaj dite deri më sot jemi në çadër. Ky tërmeti i 26 nëntorit e shpartalloi fare shtëpinë, e hodhi në tokë. Që atëherë doli e pabanueshme prandaj na sollën çadër. E di që disa pagesa kanë dalë, por jemi interesuar tek administratori e nuk na ka dhënë një zgjidhje”, tregon Haxhiu i përvuajtur.

Shtëpia e tij, e cila është totalisht e rrënuar nga tërmeti është rreth 120 metra katrorë, por ai lutet që dikush të vendosë dorën në zemër, qoftë edhe shteti e t’i ndërtojë 2 dhoma. “Presim të na bëjnë një shtëpi. Po na e bënë, mirë! Po s’na e bënë, s’na i bënë. Ma vështirë nuk ke si t’ia bësh. Jemi pa ngrohje, s’kemi ku të gatuajmë, asgjë. Kemi një pulë e një lopë që mbahemi me to, ushqehemi me to, që mos i biem më në qafë fëmijëve. Shpresë kemi, s’e kemi hequr, por po vuajmë shumë dhe po vazhdojmë të vuajmë. Një herë fryn erë e madhe…, bobo na e mori çadrën themi”, tregon Haxhiu, banor i fshatit Greç.
Por tërmeti i datës 26 nëntor preku gjithashtu edhe disa familje në Prezë. Në rrugicat pranë kalasë së dëmtuar, dallohen menjëherë në dyer shenjat e vendosura nga Instituti i Ndërtimit “Shtëpia e pabanueshme”.
“Për zotin me vështirësi të mëdha. Kemi ndenjur në çadër, por edhe brenda jemi futur se ftohtë ku do të shkojmë. Kemi aplikuar për bonus qiraje, por nuk na ka dalë ende, por edhe shtëpia me qira nuk është se ka, se fshat”, tha për Portën Vendore Ike Mullaj, banore e Prezës.
Në 21 shtator shtëpisë së saj i ra çatia dhe pësoi një sërë plasaritjes në brendësi, ndaj morën një kredi që të mund t’i rregullonin vetë dëmtimet. “Mori kredi djali dhe të gjitha lekët u futën këtu. Të hënën mbaruan punimet, të martën ra tërmeti. Ne jemi pensionistë, djali do ta përballojë”, tregon ajo.

Shtëpia e saj është e trashëguar brez pas brezi dhe është ndërtuar që në vitet 70’, por megjithatë ajo si shumë të tjerë nuk do të preferonte të zhvendosej nga Preza. “Të vështira kanë qenë këto dy muaj e ca, por kjo na erdhi nga natyra. Hapim veshët tek ekrani i televizorit se ça do ndodhë, e ça do bëhet, tani si të bëhet për të gjithë, do bëhet edhe për ne”, tha Ike Mullaj për Portën Vendore.
Rreth autorit:
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa media kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.