23 shkurt 2020/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Durrës
Pesë hotele u shembën krejtësisht në zonën e plazhit, në qytetin e Durrësit, si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar. 969 objekte banimi rezultojnë të dëmtuara rëndë në Rajonin me numër 5, ku përfshihet dhe zona e plazhit. 130 biznese të mëdha dhe 1000 biznese të vegjël në rajonin e Durrësit janë të shkatërruara, mes të cilave dhe aktivitete të turizmit bregdetar. Është ky bilanci i dëmeve në zonën që është e lidhur drejtpërsëdrejti me turizmin, atë të plazhit, ku tërmeti i 26 nëntorit nuk kurseu as jetë njerëzish. Operatorë turistikë, të dëmtuar ose jo, por dhe banorë të zonës që jetën e tyre e kanë të lidhur me aktivitetin e turizmit familjar, shpresojnë në ri-lulëzim, në kushtet kur zona e plazhit përcjell ende pamje tragjike të mbetjeve të pallateve të shembur.
Nga vendi i quajtur “Ura e Dajlanit” deri në stacionin e “Plepave”, ndodhet lagja me numër 13 dhe që për të gjithë njihet si zona e plazhit. Një sërë hotelesh, restorantesh, vila, pallate dhe shtëpi pritëse për pushuesit, janë ndërtuar këtu që pas viteve 1990 e në vazhdim. Ndërsa përpara viteve ‘90 kjo vijë bregdetare ka qenë mjaft e preferuar dhe ndodheshin një sërë shtëpi pushimi. Afërsia me detin e bën këtë zonë të përqendruar drejt turizmit bregdetar, ndërkohë që bizneset e vegjël sezonal shtohen çdo stinë vere.
Kryesisht pushuesit e ardhur nga Kosova dhe Maqedonia, por dhe qytete të ndryshme të vendit, i japin jetë kësaj pjese të qytetit që gjatë stinës së verës njeh lulëzimin e saj, ndërsa në stinën e dimrit njihet për qetësinë që ofron për durrsakët, por jo vetëm.
Flamur Kupa, është larguar nga lagja e plazhit dhe së bashku me familjen e tij jeton në një banese me qira në një tjetër lagje të qytetit, pasi apartamenti i tij u shkatërrua nga tërmeti. Por, çdo ditë ai vjen në lagje për të parë shtëpinë e për të takuar banorët e tjerë të pallatit, me shpresën se nga dita në ditë do të nis puna për riparimin e dëmeve. “Si mos të vij çdo ditë këtu ku kam shtëpinë time dhe të vajzës, kemi jetët tona këtu, kemi punën e fëmijëve në emigrim, të ardhura të cilat i shpenzuam për të blerë këto shtëpi, që tërmeti i ka bërë copa”, tha Flamuri për Porta Vendore. Kupa dhe të tjerë banorë të kësaj zone shpresojnë që riparimi i dëmeve të nisë sa më shpejt, pasi sa më shpejt të rimëkëmbet jeta këtu aq më shumë, aq më mirë do të ishte pasi sezoni turistik nuk është larg. “Ende nuk po arrijmë që të kontaktojmë me pronarët e pallatit, pasi ortakëria e tyre nuk ekziston më dhe nuk dimë se kush do t’i marrë përsipër riparimet. Puna duhet të nisë sa më shpejt, pasi muajit po ikin dhe këtu në plazh nëse nuk ka turizëm vere, nuk ka më jetë për ne dhe familjet tona”, thotë Kupa.

Pallati i kryefamiljarit është një ndër shumë objekte të dëmtuara në qytetin bregdetar, për të cilën Bashkia e Durrësit, pranon faktin që ishte një nga më të prekurat nga tërmetit.
Nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri, tha për Porta Vendore se verifikimet e deritanishme janë bërë sipas rajoneve dhe në rajonin me numër 5, ku përfshihet dhe lagja 13, dëmet janë të mëdha. “Janë 969 objekte të dëmtuara rëndë në këtë rajon, nga të cilat 724 pallate 4,5 deri në 9 kate, 235 pallate mbi 9 kate dhe 35 banesa të ulëta” tha Tahiri për Porta Vendore. Fakti që në zonën e plazhit dëmet e shkaktuara janë kryesisht në objekte të ndërtuara pas viteve 1990 bën që përgjegjësinë mbi riparimin e dëmeve ta marrin ndërtuesit, edhe nënkryetari i Bashkisë Durrës Florian Tahiri e konfirmon këtë. “Janë dhënë deri më tani 20 leje, në këtë zonë për nisjen e punës, për riparimin e dëmeve dhe ka filluar puna, ndërkohë që kërkesa të tjera po shqyrtohen”, tha ai.

Shiritat e kuq të vendosura nga Policia Bashkiake dhe ajo e rendit, pas tërmetit, si shenjë e rrezikut, rrethuan qindra objekte në zonën e plazhit, nga të cilat sot kanë ngelur vetëm copa të tyre. Por, mjafton të kalosh një ditë në këtë lagje për të parë se ajo çfarë ka lënë pas tërmeti është vetëm shkatërrimi. Apartamente totalisht në qiell, mure e suva të rëna në tokë, llaç e tulla kudo, në çdo cep dhe zonë të asaj që njihet si plazhi i qytetit, që në verë gumëzhin nga vizitorët dhe në dimër të ofron qetësi. Kjo lagje numëron rreth 23.000 banorë, por dëmtimi në masë i objekteve të banimit ka bërë që shpërnguljet të jenë të shumta. Banorët e mbetur këtu përpiqen që të rindërtojnë çdo gjë që mundin, me frikën se nga ndonjë mur i dëmtuar, apo nga ndonjë kat pallati mund të bien pjesë të tij.
Artur Ferizi ka ditë që pret ndërmarrjen e punëve publike të bashkisë, pasi i është premtuar që një prej mureve i rënë pjesërisht nga pallati përballë apartamentit të tij do të hiqet, për të shmangur rrezikun e rënies. “Pallati im ka dalë i banueshëm, por ka nevojë për riparime, të cilat pronari që e kemi blerë do t’i bëjë, por tek ballkoni i apartamentit tim mund të bjerë muri i dëmtuar nga pallati tjetër dhe unë nuk kam asnjë siguri për vete dhe fëmijët”, thotë ai për Porta Vendore. Kërkesa të tilla si e Arturit nga zona e plazhit janë me qindra, ndaj dhe bashkia e ka të pamundur të përgjigjet në kohë, gjë e cila i bën banorët pesimist për fillimin e sezonit turistik këtë vit, por dhe për të ardhmen për shkak të imazhit që ka lënë pas tërmeti. “Plazhi këtë vit zor se do të rimëkëmbet, pasi banorët janë larguar, këtu nuk ka punëtorë tek furra e bukës, nuk ka punëtorë për lokale dhe restorante, pasi lagjja është goditur keq dhe pjesa më e madhe e banorëve është larguar”, thotë Ferizi.

Kolapsin që ka sjellë tërmeti në sektorin e turizmit e pranon dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, Alban Isteri, i cili që pas tërmetit nuk është ndalur asnjë moment së përkrahuri biznesin për të përballuar këtë situatë. “Tërmeti i 26 nëntorit solli dëme kolosale në të gjithë sektorët, një prej të cilëve është dhe ai i turizmit, pasi një numër i madhe hotelesh kryesisht në zonën e plazhit janë dëmtuar dhe kjo padyshim do të ndikojë për sezonin turistik”, tha ai për Porta vendore.
Pas verifikimit të dëmeve rezulton se 130 biznese të mëdha dhe 1000 biznese të vegjël kanë pësuar dëme të konsiderueshme, një pjesë e të cilave ndodhen dhe në zonën e plazhit. Hotel “Vila Verde”, “Mira Mare”, “Palma”, “Tropikal”, “Lubjana”, tashmë do të mbeten në kujtesën e atyre që dikur kishin pushuar në to, pasi ato u shembën nga tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës righter. Qindra të tjerë rezultojnë të dëmtuara dhe janë në pritje të nisjes nga puna për riparimin e dëmeve.

Për vetë rëndësinë që kishte ngjarja e 26 nëntorit dhe ditët që e pasuan, zona e Durrësit ishte në vëmendjen e gjithë opinionit publik, që informohej nëpërmjet medias mbi çfarë po ndodhte në qytetin bregdetar. Por, veç informimit vendosja e Durrësit në qendër të vëmendjes së medias për drejtuesit e biznesit ka sjellë dhe një anë tjetër të medaljes, atë të krijimit të imazhit të një qyteti fantazmë, veçanërisht për zonën e plazhit, që dikur ishte e njohur për rërën e Adriatikut, jetën e natës dhe shërbimin 24/24 përgjatë gjithë sezonit turistik. Sot, dhe ato biznese që nuk kanë pësuar dëme e shohin me pak optimizëm sezonin turistik, dhe të ardhmen e tij.
Misir Tarko drejton prej vitesh një biznes familjar pritës turistik në zonën e plazhit, i cili nuk ka pësuar dëme nga tërmeti, por për Misirin është e vështirë të bësh turizëm këtë vit edhe pse, ai është gjeneratori i vetëm i të ardhurave për mijëra familje në këtë zonë.
“Zona ka ende dëmtime që shihen qartë, ndaj na duket e vështirë që vizitorët ti kthejnë sytë nga Durrësi”, thotë Tarko për Porta Vendore.

Situatën e rëndë e konfirmon edhe Alban Esteri nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, sipas të cilit vetëm një bashkëpunim shumë i mirë institucional ashtu siç dhe është vendosur, me pushtetit vendor, vetë drejtuesit e bizneseve dhe institucionin që ai drejton do të mundësonte rikthimin e shpresës.
“Kuptohet që situata post tërmetit është e rëndë, por patjetër që Durrësi në tërësi, por dhe zona e plazhit në mënyrë specifike do të arrijë të ri-ngrihet. Ne si institucion kemi si objekt kryesor përkrahjen e biznesit dhe së bashku me organet e tjera shtetërore do të punojmë për rimëkëmbjen, rikthimin e shpresës për të gjithë drejtuesit e bizneseve, të cilët sot kanë kaq shumë nevojë”, thotë Esteri.
Pikërisht për rikthimin e shpresës për të ardhmen luten dhe drejtuesit e bizneseve, sipas të cilëve ajo që duket se është dëmtuar është dhe shpresa për të ardhmen.
“Mjafton një klikim në internet me emrin e Durrësit dhe ajo që të ofrohet janë mijëra video dhe foto nga tërmeti, nga shkatërrimi, nga ajo që ka lënë pas tërmeti, dhe kjo sigurisht që dëmton të ardhmen në fushën e turizmit, pasi nuk po flasim për një sezon apo dy të dëmtuar, por kjo dëmton të ardhmen dhe nëse zonës së plazhit i dëmtohet e ardhmja i është prerë në mes jeta”, thotë Misir Tarko.
Ai dhe të tjerë drejtues biznesesh në këtë zonë të qytetit kërkojnë që shteti dhe media të bëjnë diçka për përmirësimin e imazhit të qytetit. “Durrësi, veçanërisht zona e plazhit, s’ka pasur kurrë nevojë për reklamë, pasi pushuesit këtu janë të lidhur me qytetin, s’janë rastësorë, agjencitë e udhëtimit kanë vite që punojnë me ne dhe pushuesit këtu ishin si në shtëpinë e tyre, por pas asaj që ndodhi të gjitha rezervimet për muajin qershor u anuluan, dhe asaj të cilës ne i trembemi është frika për të ardhmen, a do të ndryshojë imazhi për qytetin pas tërmetit, kjo ka shumë rëndësi për ne”, thotë biznesmeni Tarko.

Por, nga zona e plazhit nuk janë larguar vetëm banorë të prekur nga tërmeti, por është e vështirë të gjesh njerëz që pranojnë të vendosen me qira në plazh, ndonëse ka apartamente dhe shtëpi që ofrohen. “Në zonën e plazhit edhe në stinën e dimrit ka pasur shumë kërkesa për banesa me qira, sepse ka shumë studentë që parapëlqejnë të jetojnë këtu, për shkak të qetësisë jashtë sezonit së plazhit, por që pas tërmetit nuk kemi dhënë asnjë banesë me qira, ndërkohë që jepnim me dhjetëra çdo javë”, thotë Elona, një vajzë e re që punon si agjente shitjesh në një zyrë imobiliare në afërsi të Urës së Dajlanit.
Referuar të dhënave më të fundit rezulton se ka shkuar në 4200 numri i qytetarëve që kanë bërë kërkesë për bonus qiraje në Bashkinë Durrës, nga të cilat 1200 janë miratuar, ndërkohë që kërkesat vazhdojnë. “Brenda muajit janar bashkia synon që të përfundojë inspektimet në terren dhe do të kemi një panoramë të qartë se ku jemi me dëmet”, thotë nënkryetari i bashkisë, Florian Tahiri.
Ndërsa Tahiri theksoi se në fillim të muajit shkurt do të fillojë pjesa tjetër e vlerësimit financiar të dëmeve, nga e cila parashikohet që të dalë fatura financiare për Durrësin.
Njëkohësisht sipas nënkryetarit të bashkisë ka nisur puna për riparimin e dëmeve me ndërmarrjen e bashkisë për ato pallate të ndërtuara para vitit 1993 dhe nga vetë ndërtuesit për ato pallate të ndërtuara pas vitit 1993.
Deri më tani janë dhënë 17 leje për nisjen e punës, nga 67 aplikime për leje. Ndërsa në terren janë kryer 18 mijë inspektime. Nga inspektimet që ende vijojnë rezulton se 729 janë godina me dëmtime të rënda DS4 dhe DS5, një pjesë e të cilave ndodhen në zonën e plazhit.

E gjithë vija bregdetare është e mbushur me bare, restorante, hotele që frekuentoheshin edhe gjatë stinës së dimrit, kryesisht gjatë fundjavës. Një drekë, apo një kafe në breg të detit në zonën e plazhit, ka qenë tradita e durrsakëve, e banorëve të Tiranës, por dhe qytete të tjerë të vendit, në ditët e para të janarit, apo dhe festave të tjera. Kjo bënte që dhe në dimër zona e plazhit të ishte e lakmuar, veçanërisht në ditët me diell.
Por megjithëse fundjava ka qenë plot diell , plazhi i Durrësit është thuajse i boshatisur, dhe sot përpëlitet mes shkatërrimit dhe shpresës së pakët për të ardhmen.
Rreth autorit:
Erjola Azizolli është gazetare në qytetin e Beratit.