20 shkurt 2020/ Bledi Gilaj/ Porta Vendore
Viti 2019 shënoi mbylljen e mandatit të parë për 61 bashkitë e reja pas reformës administrative territoriale, ndërkohë që ishte dhe fillimi i mandatit të dytë i të zgjedhurve vendorë në 61 bashki. Në pesë vite nga momenti i reformës territoriale rezulton se viti 2018 shënon shpenzimet më të ulëta të 61 bashkive, pa llogaritur vitin 2015, ku në përllogaritje janë marrë vetëm pesë muaj të vitit, pasi bashkitë e reja u konstituan në muajin gusht të atij viti.
Vlera mesatare e një tenderi
Sipas të dhënave të administruara nga openprocurement.al, rezulton se në pesë vite, 61 bashkitë e vendit kanë realizuar në total 24,936 tenderë me fond limit total rreth 137.6 miliardë lekë të reja, ose rreth 135 milionë USD. Bazuar në këto shifra rezulton se fondi mesatar i një tenderi ka qenë rreth 5.5 milionë lekë të reja. Konkretisht, në vitin 2015 janë shpallur 295 tenderë me fond limit 4.5 miliardë lekë të reja; në vitin 2016, 2196 tenderë me fond limit 34.1 miliardë lekë të reja; në vitin 2017, 6468 tenderë me fond limit 35.1 miliardë lekë të reja; në vitin 2018, 8177 tenderë me fond limit 28.9 miliardë lekë të reja dhe në vitin 2019, 6800 tenderë më fond limit 24.9 miliardë lekë të reja.
Por si ka shkuar mesatarja e fondit limit për një tender nga viti në vit? Nga verifikimi vihet re që në dy vitet e para të bashkive të reja, fondet mesatare për një tender kanë qenë në vlerë shumë të lartë krahasuar me vitet e tjera. Konkretisht, në vitin 2015, fondi mesatar për një tender ishte rreth 15 milionë lekë të reja, ndërkohë që në vitin 2016, fondi mesatar për një tender ishte rreth 10 milionë lekë të reja. Por, ato kanë ardhur duke u ulur ndjeshëm nga viti në vit, ndërkohë që një rritje të lehtë ka pasur në vitin 2019. Në vitin 2017, fondi mesatar për një tender ishte 5.4 milionë lekë të reja; në vitin 2018, 3.5 milionë lekë të reja dhe në vitin 2019 5.1 milionë lekë të reja.
Po ashtu, në analizimin e shifrave rezulton se në 5 vite, 61 bashkitë e vendit kanë shpenzuar për tenderë 87.91% të fondit limit, duke shpëtuar nga paratë e taksapaguesve vetëm afro 12% të parave. Duke i analizuar vit pas viti rezulton se vitet 2016 dhe 2017 kanë qenë mbi mesataren 5-vjeçare, konkretisht me 88.86% dhe 88.15%, ndërkohë që 3 vitet e tjera nën këtë mesatare, konkretisht në vitin 2015 janë shpenzuar 87.66%, në vitin 2018 janë shpenzuar 87.26% dhe në vitin 2019 janë shpenzuar 87.14% e fondit limit.
Duke shkuar më tej rezulton se nga 137.6 miliardë lekë të shpenzuara në pesë vite, një e treta e fondeve janë harxhuar nga 5 bashki të mëdha, konkretisht Bashkia Tiranë, 29.7 miliardë lekë; Bashkia Durrës, 5.7 miliardë lekë; Bashkia Kamëz, 4.2 miliardë lekë; Bashkia Fier dhe Bashkia Korçë me nga 4.1 miliardë lekë.
Shpenzimet e bashkive
Por si kanë ardhur investimet e bashkive nëpërmjet tenderëve nga viti në vit dhe cilat janë problemet kryesore të konstatuara? Porta Vendore ka krahasuar katër vitet e plotë pas reformës territoriale 2016-2019, ku rezulton se viti me më shumë investime ka qenë viti 2017, i cili duhet përmendur që ka qenë dhe vit elektoral për zgjedhjet parlamentare. Në vitin 2017, 61 bashkitë e vendit kanë vënë në dispozicion një fond limit prej më shumë se 35.1 miliardë lekë të reja, ose më shumë se 1 miliard lekë se në vitin 2016 dhe rreth 6 miliardë lekë më shumë se në vitin pasardhës. Pothuajse e njëjta shifër me vitin 2017 është dhënë për investime dhe në vitin 2019, sërish një vit elektoral, por këtë herë për zgjedhjet vendore, ku rezulton se është vënë në dispozicion një fond prej 34.97 miliardë lekë të reja, afërsisht rreth 100 milionë lekë më pak se në vitin 2017. Pra rezulton se në vite elektorale, bashkitë i kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e tyre për investime. Ndërsa sa i përket vitit 2016, në të cilin rezulton se bashkitë kanë vënë në dispozicion për tenderë një fond limit prej 34 miliardë lekësh të reja, rezultojnë shumë investime nga buxheti i qeverisë për “rikualifikimin e qendrave urbane”.
5 “Big”-ët e tenderëve në bashki
Në harkun kohor gusht 2015-Dhjetor 2019 rezulton se pesë kompanitë kryesore, të cilat kanë përfituar më shumë para nga bashkitë janë Fusha shpk, G.P.G. COMPANY shpk, Salillari shpk, Alko-Impex General Construction shpk dhe Vëllezërit Hysa. Renditja kryesohet nga Fusha shpk, një shoqëri, e cila, në tenderët ku ka konkurruar si e vetme dhe jo në bashkim operatorësh me një shoqëri tjetër, shënon 47 raste (kontrata fillestare dhe shtesa) ku është njoftuar fituese. Vlera totale e ofertave të saj, si oferta të shpallura fituese, është 4 miliardë e 922 milionë lekë. Kontratat e saj kjo shoqëri biznesi i ka fituar në tenderime në tri Bashki të ndryshme. Konkretisht, me bashkinë Vorë janë 7 kontrata; me Bashkinë Tiranë janë 38 kontrata dhe Bashkinë Roskovec 2 kontrata.
Vendi i dytë pasohet në renditje nga shoqëria G.P.G Company shpk. Kjo kompani ka 30 kontrata publike, ku është njoftuar fituese (pa bashkim operatorësh apo bashkëpunim me shoqëri të tjera) me një vlerë kontrate (oferte) pa TVSH prej 2 miliardë e 23 milionë lekë. Numri i bashkive ku G.P.G Company ka fituar kontrata është 14: Kukës; Mirditë; Tiranë; Kavajë; Peqin; Korçë; Tepelenë; Libohovë; Delvinë; Finiq dhe Konispol.
Salillari është numri tre në renditjen “Big” sipas vlerave të kontratave të fituara me bashkitë. Kjo kompani ka fituar si subjekt pa bashkëpunime me subjekte ekonomike të tjera një numër prej 19 kontratash, të cilat kanë vlerë pa TVSH prej 1 miliard e 570 milionë lekë. Subjekti ka kontrata të fituara me 8 bashki: Bashkia Vorë katër kontrata; Bashkia Tiranë gjashtë kontrata; Bashkia Rrogozhinë një kontratë; Bashkia Maliq një kontratë; Bashkia Fier një; Bashkia Kuçovë një kontratë dhe Bashkia Himarë dy kontrata.
Shoqëria që mban vendin e katërt është ALKO-IMPEX General Construction me një vlerë kontratash pa TVSH prej 1 miliard e 533 milionë lekë. Kjo shoqëri ka 32 kontrata me 9 bashki të ndryshme.
Në vendin e pestë renditet shoqëria Vëllezërit Hysa me një vlerë kontratash pa TVSH prej 1 miliard e 422 milionë lekë. Kjo kompani ka lidhur 28 kontrata publike me 8 njësi të ndryshme të qeverisjes vendore. Të pestë kompanitë që renditen të parat kanë lidhur dhe shumë kontrata me bashkëpunime me kompanitë e tjera me vlera të konsiderueshme parash nga prokurimet publike.
Mandati i dytë i kryebashkiakëve
Në muajin gusht 2019, 61 kryetarët e bashkive mbaruan mandatin, duke filluar mandatin e dytë, ose duke i dorëzuar detyrën pasardhësit. Nga verifikimi i kryer nga Porta Vendore rezulton se nga muaji gusht deri më 31 dhjetor 2019, 61 bashkitë e vendit kanë realizuar 1812 tenderë me fond limit 8,355 miliardë lekë të reja. Me një përllogaritje të thjeshtë rezulton se mesatarisht për një tender janë shpenzuar rreth 4 milionë e 611 mijë lekë të reja. Ndërkohë, ajo që vihet re është fakti se vlera fituese e këtyre tenderëve ka qenë në masën 92.94% të fondit limit, një përqindje shumë më e lartë, krahasuar si me mesataren vjetore të vitit 2019 (87.14%), ashtu dhe me vitet e tjera pararendëse.
Po ashtu, duke marrë në krahasim 5 muajt e parë të mandatit të dytë në bashkitë e reja pas reformës territoriale, me të njëjtën periudhë të mandatit të parë rezulton se investimet janë dyfishuar në vlerë, ndërkohë që numri i tenderëve është gjashtëfish më i madh. Konkretisht në vitin 2015 për periudhën gusht-dhjetor janë realizuar 295 tenderë me fond limit rreth 4.5 miliardë lekë, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit 2019 janë realizuar 1812 tenderë me fond limit 8.3 milionë lekë. Po ashtu në vitin 2019 rezulton se është rritur ndjeshëm dhe përqindja e vlerës fituese të tenderëve krahasuar me fondin limit. Për muajt gusht-dhjetor 2015, kjo përqindje ishte në vlerën 87.66%, ndërkohë që siç përmendet dhe më lart në vitin 2019 është 92.94%.
Tenderë mbi 100 milionë
Nga të dhënat rezulton se një e treta e fondeve të përdorura nga bashkitë janë shpenzuar për tenderë mbi 100 milionë lekë të reja. Konkretisht, në 5 vite janë shpallur 223 tenderë me vlerë mbi 100 milionë lekë të reja, me një fond total rreth 44.7 miliardë lekë të reja, ndërkohë që viti ku janë shpallur më shumë tenderë mbi 100 milionë lekë është viti 2016 me 76 të tillë. Respektivisht në vitin 2015 janë shpallur 14 tenderë mbi 100 milionë lekë; në vitin 2016, 76 tenderë; në vitin 2017, 55 tenderë; në vitin 2018, 27 tenderë dhe në vitin 2019, 51 tenderë.
Nga analizimi i këtyre tenderëve rezulton se në total vlera fituese e tenderëve është në masën 91.6% e fondit limit. Në 58 prej tyre, ose 26% e tenderëve mbi 100 milionë, vërehet se procedura është bërë pa konkurrencë, me negocim të drejtpërdrejtë, ose janë përjashtuar gjithë konkurrentët e tjerë veç fituesit. Ajo që vihet re në këtë kategori tenderësh është fakti se nga viti në vit përqindja e tenderëve që janë zhvilluar pa konkurrim ka ardhur në rritje, sidomos në vitet e fundit. Konkretisht në vitin 2015 janë zhvilluar 14 tenderë mbi 100 milionë lekë, ku në dy prej tyre janë përjashtuar të gjithë konkurrentët përveç fituesit. Në vitin 2016 janë zhvilluar 76 tenderë mbi 100 milionë lekë dhe 6 (8%) prej tyre janë zhvilluar me një konkurrent të vetëm dhe në 1 tjetër janë skualifikuar të gjithë konkurrentët përveç fituesit. Situata e tenderëve të mëdhenj është përkeqësuar në vitin 2017, ku në 55 tenderë mbi 100 milionë lekë, 17 prej tyre (31%) rezultojnë me probleme të tilla. Në vitin 2018 janë zhvilluar 27 tenderë mbi 100 milionë lekë dhe 11 (41%) kanë rezultuar me mungesë konkurrence, negocim të drejtpërdrejtë ose janë përjashtuar të gjithë konkurrentët përveç fituesit. Dhe në vitin 2019, situata paraqitet e njëjtë për 21 tenderë (41%) nga 51 tenderë të zhvilluar me fond mbi 100 milionë lekë të reja. Me kalimin e viteve duket se po shkohet gjithnjë e më tepër drejt rritjes se numrit të tenderave mbi 100 milion, që zhvillohen pa konkurrencë.