18 shkurt 2020/ Brejdon Xhavara/ Porta Vendore/ Tiranë
Në maj të vitit 2018, Kuvendi miratoi ligjin e ri për strehimin social, që do zhdukte procedurat burokratike me të cilat përballeshin të pastrehët për të përfituar një shtëpi apo bonus qeraje. Por edhe pse ka kaluar më se një vit dhe qeveria ka nxjerrë disa akte normative në zbatim të ligjit të ri, në Bashkinë e Tiranës, më e madhja në vend, vazhdon të punohet me ligjin e vjetër, duke sorollatur sa në një zyrë në tjetrën të gjithë ata që aplikojnë për të përfituar nga ligji për strehimin social.
Strehimi në Shqipëri është një plagë e vjetër e cila vështirë se mund shërohet. Ndërtimet e reja vitet e fundit nuk kanë mundur ta zgjidhin këtë problem , pasi ka njerëz të cilët nuk kanë mundësi të blejnë një banesë apo të paguajnë qira në një qytet si Tirana.
Tiranës çdo ditë i shtohen studentë, familje të reja apo të sapoardhur, ndërkohë që numri i personave që janë të pastrehë llogaritet të jetë 35.000 në të gjithë Shqipërinë sipas strategjisë së Qeverisë për “Strehimin Social 2016-2025” .
Qindra qytetarë enden sot në dyert e institucioneve për të kërkuar strehim, ndërkohë që në vitin 2018 Parlamenti miratoi ligjin i ri për “Strehimin Social” i cili do t’i jepte fund vuajtjeve të qytetarëve për të kërkuar strehë. Porta Vendore gjatë muajve Tetor-Nëntor 2019 ka vëzhguar dhe intervistuar banorë dhe zyrtarë të qytetit të Tiranës për të kërkuar një përgjigje mbi zbatimin e ligjit.
Lulzim Brazhdin, kryefamiljari i cili merr vetëm pagesën e paaftësisë në punë prej 8000 lekësh, e ka tepër të vështirë të aplikojë për strehim në Bashkinë e Tiranës, ku informacioni është masiv dhe dokumentet që duhet të plotësojë janë më shumë se 20 të tilla. Atij gjithashtu i duhet të vërtetojë që është familje pa një pronësi, i varfër dhe që nuk ka biznes.
Ai tregoi për Porta Vendore se procedura për të mbledhur dokumentacionin ishte shumë e gjatë, prej 2 javësh jam endur rrugëve për të mbledhur dokumentacionin, si dhe kam shkuar në Pogradec dhe Gramsh për të vërtetuar që unë dhe bashkëshortja ime nuk kemi pronë”, shprehet Lulzim Brazhdi për Porta Vendore.

Por si shpallesh fitues për programet e strehimit në Bashkinë e Tiranës?
Një nga kriteret që përcaktohet në dokumentacion për të plotësuar është “kontrata e qirasë” midis qiradhënësit dhe qiramarrësit, ky dokument duhet të jetë i ligjshëm dhe i noterizuar, duke vendosur kushte e të drejta, si dhe detyrimi që qiradhënësi duhet të paguajë 15% të shumës që përfton nga qiramarrësi. Sipas burimeve që Porta Vendore mblodhi nga aplikues të ndryshëm, në programet e subvencionit të qirasë, tregojnë se ata nuk arrijnë të marrin kontratën e qirasë nga poseduesi i pronës për arsye të ndryshme, dhe kjo sjell që aplikantët të përfitojnë vetëm 50% të pagesës së qirasë nga bashkia ose në shumicën e rasteve nuk rezultojnë fitues.
Për Lulzimin është hera e dytë që aplikon për strehim në Tiranë. Në vitin 2018 ai doli fitues në programin e Subvencionimit të Qirasë nga Këshilli Bashkiak, me masën e qirasë 6000 lekë, ndërkohë që qiraja e banesës së tij në zonën e Yzberishtit është 15000 lekë.
Ai tregon se edhe pse e dërgoi kontratën e qirasë të ligjshme dhe të noterizuar, këshilli bashkiak vendosi që të subvencionojë 50% të shumës së qirasë.
Neni 14, pika 2 e këtij ligji tregon qartë se çdo individë ose familja pa të ardhura, ose me të ardhura shumë të ulëta, mund të aplikojë duke paraqitur vetëm kërkesën për programin social të strehimit, sipas formatit të miratuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore. Njësia e vetëqeverisjes vendore plotëson dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, i cili sigurohet me shpenzimet e vetë njësisë së vetëqeverisjes vendore për këta aplikonte. Ndërkohë Bashkia Tiranë ende nuk ka nisur të implementojë ligjin e ri të strehimit, duke shkelur kështu procedurat administrative të detyruara tashmë me ligjin e ri.
Në artikullin të publikuar nga Bashkia Tiranë ata informojnë qytetarët duke listuar 23 dokumente që qytetarët duhet të plotësojnë për të aplikuar për programet e strehimit, ndërkohë që vetë ligji i ri deklaron se këto dokumente i plotëson vetë njësitë e qeverisjes vendore.
Lulzimi tha që nuk ka dijeni për këtë ndryshim të ligjit. “Bashkia në asnjë rast nuk më ka thënë që dokumentet do i bëjnë ata, ata vetëm më kanë thënë që je tek Njësia 6, i ke bërë ato dokumentet që të vijnë këtu, kaq më kanë thënë”, tregoi për Porta Vendore Lulzim Brazhdi.
Ligji nr. 9232, datë 13.05.2004, për “Programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane” u ndryshua në vitin 2018 me ligjin e ri për “Strehimi Social”, i cili përmban më shumë programe strehimi. Gjithashtu ai përcakton në një nga nenet se dëbimi me dhunë tashmë është i ndaluar dhe duhet të kalojë përmes një procedure të gjatë konsultimi deri në ofrimin e një zgjidhjeje të përshtatshme për të prekurit nga investimet publike. Gjithashtu përcakton kriteret dhe lehtësimin e dokumentacionit, duke detyruar nëpunësit të plotësojnë dokumentacionin për aplikantët që aplikojnë për strehim, si dhe duke parashikuar që shpenzimet e dokumentave mbulohen nga fondi i vetëqeverisjes vendore.
Ndryshimet midis ligjit pararendës dhe ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social” janë të shumta.
“Ligji parashikon parimin e sigurisë së qëndrimit (neni 5), duke ndaluar dëbimin në çdo rast dhe duke ofruar garanci për individët/familjet që preken nga procesi i zhvendosjes;
Parimin e respektimit të kulturës, traditave të komuniteteve, ku njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë përgjegjësi për planifikimin e zonave të banimit dhe programeve të strehimit; Ndërthurja/qasja programet sociale të strehimit me shërbimet sociale të tjera, të tilla si: punësimi, strehimi, shëndetësia dhe të tjera të ngjashme me to; Sjell risi sa i takon programeve të reja të strehimit që parashikon si dhe përmirëson programet që mbeten nga ligji që ka zëvendësuar; Rregullon për herë të parë procedurat e zhvendosjes duke parashikuar ndalimin e dëbimit dhe lehtësimin e procedurave të zhvendosjes së qytetarëve si dhe duke parashikuar njëkohësisht detyrimin për t’iu siguruar strehim alternativ të përshtatshëm personave që preken nga ky proces; Parashikon krijimin e Fondit Publik të banesave sociale (Fondi i banesave sociale përfshin tërësinë e banesave, të krijuar nga organet e vetëqeverisjes vendore dhe/ose qendrore, subjektet private fitimprurëse ose jofitimprurëse, financimet nga taksat e ndikimit në infrastrukturë si dhe donacione e burime të tjera të ligjshme.) etj”, tha për Portën Vendore, juristi Adriatik Lapaj.
Porta Vendore vëzhgoi dy Njësi Administrative ( 6 dhe 4) të cilët vazhdojnë ende t’i shërbejnë qytetarëve të tyre me ligjin e vjetër 9232, të datës 13.5.2004. Nga bisedat që u zhvilluan me specialistët e Urbanistikës se përse ata nuk i shërbejnë qytetarëve me ligjin e ri, ata pohuan që “ne nuk kemi urdhër nga Bashkia për ligjin e ri dhe po punojnë me atë që kemi pasur”.

Vendimi nr 384 nga Këshilli i Ministrave datë 12.6.2019 “Për përcaktimin e dokumentacionit për të përfituar strehim sipas çdo programi social të strehimit dhe të afateve e të procedurave të miratimit nga organet e vetëqeverisjes vendore “ përcakton në pikën 12, germa ‘ç’ se : Njësitë Administrative mbledhin cilindo prej dokumenteve të përmendura në pikën 16, të këtij vendimi brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e dorëzimit
Porta Vendore iu drejtua Bashkisë Tiranë me një kërkesë për informacion ku kërkoi bazën ligjore dhe praktikën institucionale që ndiqet për aplikimin për strehimin social. Bashkia Tiranë u përgjigj se “ programet që janë në proces zbatimi parashikohen në ligjin nr. 9232 (ligji i vjetër) si dhe do të zbatohet me fondet e parashikuara sipas dispozitave. Po ashtu e pyetëm se pse nuk po zbatohet ligji i ri i strehimit, por bashkia u përgjigj që është duke u punuar për të përditësuar praktikën për programet e strehimit me ndryshimet e reja ligjore, përkatësisht ligji 22/2018 “Për Strehimin Social” dhe aktet nënligjore për zbatimet e tij.
Ndër të tjera, rezulton se në Bashkinë e Tiranës në muajin Tetor 2019 ka pasur 160 aplikime për subvencionin qiraje në Njësitë Administrative. Pas një muaji, janë kualifikuar 155 aplikime dhe janë njoftuar për fazën e dytë të aplikimit, që shkurtimisht përkthehet në mbledhjen e dokumentacionit të plotë, dhe më pas dërgimin e dosjeve pranë Drejtorisë së Strehimit në Bashkinë e Tiranës për të pritur vendimin e tyre nëse dokumentet janë ligjore dhe kanë vlefshmëri 3 mujore nga data e aplikimit.
Faza e fundit është në këshillin bashkiak, i cili vendos për miratimin mbi bazën e dokumentacionit, dhe sipas të dhënave që Porta Vendore mblodhi, kjo kërkon rreth 2 deri në 3 muaj kohë për tu miratuar, që do të thotë se familjet që aplikojnë do të duhet që të paguajnë qiranë e banesës për 3 muaj nga xhepi i tyre deri sa të merret vendimi nga Këshilli Bashkiak
Shkelja e Procedurës Administrative
Në muajin Qershor 2019 është miratuar Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 384 i cili deklaron se Njësitë Administrative janë të detyruara sipas ligjit nr. 22/2018 për Strehimin Social të punojnë me ligjin e ri, si dhe me aktet e reja që janë miratuar, ndërkohë Bashkia Tiranë në një përgjigje zyrtare për Porta Vendore deklaroi se: për bazën ligjore për dokumentacionin që duhet të paraqesë familja për t’u strehuar sipas njërit prej programeve sociale të strehimit, ju informojmë se është VKM-ja Nr.574, datë 29.8.2012 “Për përcaktimin e dokumentacionit që duhet të paraqesë familja për t’u strehuar sipas njërit prej programeve sociale të strehimit dhe të afateve e të procedurave të miratimit nga organet e qeverisjes vendore, që përcakton qartë dokumentacionin dhe afatet që duhet të paraqesë individi/familja për t’u trajtuar me një nga programet e strehimit”.
Për këtë shqetësim, Porta Vendore kontaktoi me Romina Sefën, Drejtore Ekzekutive e Qendrës Për Advokim Social, e cila ka ndjekur përgjatë 4 viteve të fundit problematikat e strehimit.
“Duhet theksuar që është ligj pozitiv, i cili ka një qasje më proaktive krahasuar me të vjetrin, por tashmë të varfrit do duhet të kishin nisur të përfitonin nga ligji, i cili ka një kohë relativisht të gjatë që është miratuar. Mungesa e implementimit të ligjit ka një ndikim afatgjatë regresiv në jetën e të pastrehëve në Shqipëri, duke vijuar cenimin për strehim të përshtatshëm dhe të qëndrueshëm”, shprehet Romina Sefa për Porta Vendore.
Bashkitë e mëdha, dhe infrastruktura për zbatimin e tij
Adriatik Lapaj, ekspert në fushën e strehimit si dhe jurist shpjegon për Portën Vendore se: “Nga verifikimi në terren rast pas rasti gjykoj se njësitë vendore në Republikën e Shqipërisë kanë kapacitete të ndryshme për zbatimin e këtij ligji. Gjithsesi vihet re që zbatimi i tij mbetet shumë i pakët dhe efektet nuk janë ato që priteshin. Ky ligj është një mundësi e artë për njësitë e vetëqeverisjes vendore për të garantuar për qytetarët në nevojë, mundësi reale strehimi.
Aktualisht ligji nuk po zbatohet në mënyrën e duhur dhe procedurat e zhvendosjes së qytetarëve vazhdojnë të jenë abuzive”, përfundon juristi Lapaj.
Institucionet e pushteti vendor janë në shkelje të procedurave administrative pasi VKM është miratuar megjithëse nuk gjen zbatim duke lënë pa mbështetje në strehim familjet e varfra, të cilat për arsye ekonomike dhe sociale nuk kanë akses në programet sociale te strehimit. Dhe pse kjo e drejtë njihet ligjërisht, ajo mohohet pasi dhe pse ka kaluar 1 vit ende bashkitë janë të pa përgatitura për ta implementuar.
Rreth autorit:
Brejdon Xhavara është gazetar në Tiranë.