16 shkurt 2020/ E.Gjerani/Porta Vendore/Tiranë
Tërmeti i datës 26 nëntor dëmtoi rreth 14 000 familje dhe la mijëra të pastrehë. Porta Vendore në nja nga publikimet e saj mbi post-tërmetin publikoi rastin e ish konviktit të Komunales në njësinë administrative nr.4 , i cili ishte shpallur i pabanueshëm nga instituti i ndërtimit e si pasojë rreth 80 familje që jetonin aty ishin shpërndarë tek të afërm, qendra sociale ose me qira.
Por 12 prej këtyre familjeve nga komuniteti rom dhe jo vetëm, që banonin në ish konviktin e Komunales në Allias janë në kërkim të një strehe. Shumica e familjeve megjithëse e kishin blerë apartamentin nuk disponojnë dokumente të rregullta pronësie e për këtë shkak nuk kanë mundur të përfitojnë ende bonus qiraje nga Bashkia Tiranë.
Manjola Bicka, 45 vjeçe, është një prej familjeve, e cila pas tërmetit mbeti pa strehë dhe pa bonus qiraje. Sapo na takon, fjalët e para të saj janë apeli për ndihmë. Bashkëshorti i saj ndërroi jetë 9 vite më parë, e tanimë e gjendur krejt e vetme jeton me dy vajzat e saj mes mjerimit e varfërisë. Madje, tërmeti e vështirësoi edhe më shumë gjendjen e saj social-ekonomike, duke e lënë edhe pa banesë, pasi megjithëse i shoqi e kishte blerë, ajo nuk figuron me letra të rregullta në pronësi të tij.
Për një muaj, ajo mori një banesë me qira të ulët në zonën e Shkozës, por meqë nuk kishte me se ta paguante pronari i shtëpisë e dëboi.
“Pronari erdhi më tha si do bësh, do më japësh lekët apo do ikësh nga shtëpia. E kisha gjetur lirë atë shtëpinë, 50 mijë lekë, por nuk më doli ky bonusi. Kam shumë borxhe. Unë aktualisht s’punoj. Merrem ndonjëherë vetëm duke mbledh bidonë, por e kam pas mendjen te shtëpia këto kohë. Të më rregullohet shtëpia, të stabilizohem që të nis punën pastaj. Se jam shumë keq, ja mbrëmë s’kisha bukë, bëra makarona edhe ato i dogja”, tregon Manjola duke përtypur lotët.

Pasi doli në rrugë, aktivistët që merren me këtë komunitet në këtë zonë e ndihmuan të aplikonte për një rivlerësim social-ekonomik në njësinë administrative nr.4. Ky dokument do ta ndihmonte shumë që të mund të aplikonte për bonus me procedura të lehtësuara, sepse në fakt ajo është një nga familjet e dëmtuara të tërmetit.
“Pasi ra tërmeti dolën jashtë, për shkak se banesa u shkatërrua. Fjetën jashtë ca ditë, pastaj shkuan te qendra sociale “Gonxhe Bojaxhiu”. Ndërkohë zonjës kur i është bërë vlerësimi nuk i është bërë as vlerësimi social-ekonomik e as nuk ka fituar bonusin, edhe pse është nënë e vetme me dy fëmijë”, tregon për Portën Vendore Suela Suli, aktiviste.
Përplasja me njësinë administrative
Mirëpo, sipas saj, njësia administrative nuk pranon të kryejë një vlerësim social-ekonomik për këto familje të mbetura pa bonus qiraje dhe pa kurrfarë ndihmese. “Ne kemi shoqëruar disa banorë te njësia administrative nr.4 dhe kemi kërkuar që t’i bëhet rivlerësimi social-ekonomik për banorët që kanë jetuar aty dhe jetojnë aty se aktualisht nuk kanë ku të shkojnë. 5 familje janë rikthyer. Aty është mbushur pallati gjithë minj, sahatet i ka marrë OSHEE-ja, tubacionet kanë plasur, godina ka infeksion”, tregon aktivistja.
Çështjen e sëmundjeve e konfirmon edhe Manjola, pasi sipas saj ajo vuan nga një infeksion i rrezikshëm, marrë në atë banesë.
“Infeksionin e para e kam marrë unë aty, në atë shtëpi. Madje doktorët më kanë thënë për shtrim, por nuk mund të shtrohem se kam dy jetimë aty vetëm. Ku t’i lë, rrugëve? T’i kisha çuna hajde de, por i kam edhe goca e kam frikë, s’kam ku t’i çoj. Te shtëpia ime, vë dorën në kokë sa futesh. E mjera unë si do jetoj aty brenda. Por nuk kam ku shkoj. Më mirë të futem aty se sa të fle rrugëve, 100 herë më mirë”, tregon ajo.
Përpjekjet e aktivistëve për rastin e Manjolës e jo vetëm vijojnë, në mënyrë që asaj t’i plotësohet një nga të drejtat më thelbësore, të ndenjurit në një strehë të denjë, por gjithçka ka ngecur tek njësia administrative, e cila nuk pranon të çojë grupin e ekspertëve për vlerësim.
“Në fillim kam bërë takim me Lirie Roshin, administratoren e njësisë nr. 4 dhe ajo për inate personale se banorët në revoltim e sipër ditët post-tërmetit e kanë sharë, tani nuk pranon të çojë grupet e ekspertëve. Shkuam edhe te drejtoria e strehimit dhe duan gjithashtu që të bëhet ky vlerësim social-ekonomik nga njësia, por kjo e fundit nuk e bën dhe institucionet ia pasojnë topin njëri-tjetrit”, tha Suela, për Portën Vendore, duke shtuar se: “Kjo si qytetare ka të drejtë të aplikojë për bonus qiraje, si gjithë të tjerët. Ato 13 familjet e tjera të njëjtin problem si Manjola kanë, e kanë blerë shtëpinë para VKM-së dhe nuk i bëjnë raportin social-ekonomik që më pas të aplikojnë për bonus qiraje”, përfundon Suela.
VKM-ja është miratuar në vitin 2009, dhe Manjola nuk është pjesë e listës së saj. Në VKM ngarkohet Enti Kombëtar i Banesave të lidhë kontratën e privatizimit me banorët e pastrehë të cilët jetojnë në këtë ndërtesë si dhe ministritë e linjës për të zbatuar këtë vendim.
“Ditë natë duke qarë, kam hallin e kalamajve, s’kam ku t’i çoj. Vajzat më thonë mos qaj mami, por kështu nuk rrihet derë më derë për të gjet një strehë e fut kokën”, tregon Manjola e mërzitur.
Disa nga ato familjet të cilat s’kanë përfituar bonus qiraje jetojnë jashtë, disa tek pallati i komunales dhe disa nëpër familjarë. Për të gjetur një shtëpi me qira këto kohë është bërë shumë e vështirë, pasi kërkohet garanci financiare për 3 deri në 6 muaj.
E pyetur nga Porta Vendore administratorja e njësisë administrative nr.4 tha se Bashkia Tiranë po merret specifikisht me rastin e familjeve tek ish konvikti i komunales.
“Nuk është e vërtetë sepse është bërë një vlerësim nga instituti i ndërtimit. Ajo që mund të them është se ne kemi shkuar derë më derë për vlerësimin social-ekonomik. Jemi marrë me atë godinë më shumë se me çdo godinë tjetër në njësi. E kemi vlerësuar situatën dhe kemi nxjerrë banorët ku po trajtohen me bonus qiraje. Në më shumë se 50% të rasteve banorët janë trajtuar me bonus qiraje”, tha Lirie Kasa Roshi , administratorja e njësisë 4 për Portën Vendore.
Megjithatë, pas tentativave të shumta të aktivistëve, Manjola u shpërngul nga banesa e ish konviktit tek qendra sociale “Nisma”, deri në një zgjidhje të problemi.