12 shkurt 2020/ Aurora Sulce/ Porta Vendore
Bashkitë janë bërë të varura nga taksat që paguhen për lejet e ndërtimeve të reja. Raporti i fundit mbi ecurinë e financave vendore, publikuar nga CO-Plan dhe Ministria e Financave evidenton se për 9 mujorin e 2019-ës, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja shënuan një nivel prej rreth 7.2 miliardë lekë, në rritje me rreth 91.7% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Më shumë fonde nga ky burim ka siguruar Bashkia e Tiranës.
“Përjashtuar të ardhurat nga kjo taksë për Bashkinë Tiranë, 60 bashkitë e tjera në vend mblodhën rreth 1.9 miliard lekë nga kjo taksë, në rritje me rreth 53.6% në terma vjetorë”, thekson raporti.
Të dhënat e detajuara tregojnë se Bashkia e Tiranës arkëtoi rreth 5.3 miliardë lekë (në rritje me rreth 110.8% në terma vjetorë) ose rreth 73.3% të të ardhurave totale nga kjo taksë. Në të kundërt, bashkitë Memaliaj dhe Kuçovë rezultojnë të mos ketë gjeneruar të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për periudhën në analizë. Në Bashkinë Lezhë, nga kjo taksë rezulton të jenë zgjeruar nga një nivel prej rreth 62.7 milionë lekë në rreth 368.6 milionë lekë gjatë periudhës në analizë dhe në Bashkinë Durrës nga rreth 176.9 milionë në rreth 249 milionë lekë.
Ekspertët që kanë hartuar dokumentin e shohin me shqetësim varësinë e pushtetit vendor nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Sipas tyre, bashkia e kryeqytetit përbën një entitet me karakteristika tërësisht të ndryshme nga bashkitë e tjera.
“Burimet financiare totale janë rritur, por rritja diktohet nga performanca e Bashkisë Tiranë dhe zhvillimet në dy taksa kryesore: taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja (TNI) dhe taksa e pronës. Qartësisht, Bashkia Tiranë përbën një entitet me karakteristika tërësisht të ndryshme nga 60 bashkitë e tjera në vend. Kjo ngre pyetje mbi modelin e decentralizimit të zbatuar në Shqipëri. Varësia nga të ardhurat nga TNI mbetet e lartë, për bashkitë ku kjo taksë ka peshë specifike të lartë – si një e ardhur kapitale dhe jo e vazhdueshme”, evidenton raporti i financave vendore.
Rritja e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nxit dhënien e lejeve të ndërtimit nga pushteti vendor, pasi sigurohen më shumë të ardhura. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, për 9 mujorin e 2019-ës, u dhanë gjithsej 848 leje ndërtimi ose 14 leje më shumë se e njëjta periudhë një viti më parë. (në 9 mujorin 2018 u akorduan 834 leje ndërtimi). Bashkia e Tiranës kryeson listën e qarqeve që ka miratuar më shumë leje të reja, pasuar nga Durrësi.
Teorikisht, taksa e ndikimit në infrastrukturë paguhet nga ndërtuesi për të rehabilituar zonën ku ai po kryhen ndërtimin, për të cilin ka siguruar lejen. Por praktikisht, kjo taksë shkon në buxhetin e bashkive dhe nuk përdoret për këtë destinacion, por sipas nevojave që ka pushteti vendor.
Rreth autorit:
Aurora Sulce është gazetare e çështjeve ekonomike në Tiranë.