Vëzhgim/Analizë

Bashkitë, larg mbledhjes së taksës së ndryshuar të ndërtesës

11 shkurt 2019/ Ola Mitre/Porta Vendore/Tiranë

Të dhënat e përpunuara nga “Porta Vendore” tregojnë se mungesa e Kadastrës Fiskale, mungesa e informacionit dhe niveli i lartë i taksës po mbajnë ‘peng’ arkëtimin e taksës së ndërtesës sipas metodologjisë së re, që bazohet në vlerën e pronës. Kjo përkthehet në të ardhura të munguara në buxhetet e bashkive, ndërsa ekspertët kërkojnë më shumë bashkëpunim ndërinstitucional.

Agroni, një banor i Njësisë Administrative Dajt në kryeqytet, ka në pronësi një apartament 80 m²,  për të cilin paguan çdo muaj 100 lekë taksë ndërtese. Kjo vlerë i reflektohet në faturat mujore të ujit, çka do të thotë se në vit ai paguan 1200 lekë. Prej 1 prillit të vitit 2018, ai do duhej të paguante taksën mbi vlerën e pronës, sikurse përcakton metodologjia e re që hyri në fuqi në këtë datë. Më konkretisht, deri në 1 prill 2018, taksa e ndërtesës llogaritej bazuar në sipërfaqen e ndërtimit në m² dhe me një çmim bazë për m² sipas zonave. Ndërkohë që, pas kësaj date, në 61 bashkitë e vendit ndërtesa do duhej të taksohej me nje metodologji të re, që quhet taksim bazuar mbi vlerën e pronës. Por rreth 1 vit e gjysmë pas hyrjes në fuqi të saj, në Tiranë ajo nisi të implementohet vetëm gjatë muajit dhjetor 2019, ndërsa në bashki të tjera nuk ka filluar ende. Sipas legjislacionit në fuqi, për ndërtesat që shfrytëzohen për banim, taksa është në masën 0.05% të  vlerës së pronës, çka do të thotë se Agroni, me një apartament me vlerë 4.92 milionë lekë do të paguajë  një masë vjetore prej 2,450 lekësh apo 1,250 lekë më shumë se aktualisht.

Ende pa VKB!

Në fakt, për “vjeljen” e taksës së pasurisë,  janë Këshillat Bashkiakë që vendosin se cili do të jetë agjenti për mbledhjen e saj, por aktualisht janë disa Njësi të Qeverisjes Vendore, që nuk e kanë miratuar ende një vendim të tillë, ndonëse ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga hyrja në fuqi e ndryshimeve. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, thotë për “Porta Vendore” se nga 61 bashki, vendimi është miratuar nga 54 prej tyre, por nuk bën publike se cilat janë 7 bashkitë pa vendim. “Kryesisht, bashkitë kanë caktuar si agjent për mbledhjen e taksës Shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizimeve, për abonentët që kanë mbulim të shërbimit me ujë”, thotë për “Porta Vendore” kreu i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali. “Për pjesën tjetër taksa mblidhet nga zyra vendore e taksave në bashki”, shton ai. Por, sipas kreut të shoqatës, përveç problematikave të mësipërme, “një shqetësim tjetër që vjen nga bashkitë është fakti që qytetarët taksapagues ndeshen në kushte të pamundësisë për të paguar, pasi niveli ekonomik i tyre është shumë i ulët”. Në këtë këndvështrim, miratimi VKB-ve ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për caktimin e agjentit që mbledh taksën, por edhe për faktin se bashkitë kanë kompetencë të miratojnë nënndarje zonale të territorit, duke ulur masën e taksës deri në 30% ose të mund të aplikojnë nivel takse 30% më të lartë. Po ashtu, bashkitë mund të ulin taksën deri në masën 35% për zonat rurale, që iu bashkuan pas ndarjes së re administrativo-territoriale, me përjashtim të Tiranës, që mund ta reduktojë deri në masën 30%.

Llogaritja e taksës

Sipas vendimit të qeverisë nr. 132, datë 7.3.2018, çdo taksapagues duhet të vetëdeklarojë të dhënat për pasurinë e tij të paluajtshme që ka në pronësi apo në përdorim pranë njësive të qeverisjes vendore. Megjithatë, për përcaktimin e bazës së taksës për ndërtesën, si referencë do të shërbejë vlera e përcaktuar nga rivlerësimi i pasurisë të regjistruar pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ndërkohë që, nëse shuma e vetëdeklaruar nuk përputhet me atë të rivlerësimit, atëherë për bazë do të merret shuma më e lartë. Në fakt, teksa paguante faturën e ujit në muajin shtator, Agronit iu komunikua se duhet të bënte vetëdeklarimin e vlerës së pronës ku jetonte, me qëllim përllogaritjen e taksës së pasurisë. “Bashkë me dokumentin e identifikimit, më duhej të dorëzoja edhe kopje të certifikatës së pronësisë”,-thotë ai. Megjithatë, për shkak të impenjimeve ai nuk arriti të bënte vetëdeklarimin, ndërkohë që afati i vendosur nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë për këtë kryer këtë proces përfundoi në 31 tetor. Sipas të dhënave të UKT, Agroni nuk është i vetmi që s’ka bërë vetëdeklarimin. “Në total ne numërojmë rreth 190 mijë abonentë familjarë, ndërkohë që rreth 70 mijë prej tyre vetëdeklaruan të dhënat deri në fillim të nëntorit”, thotë për “Porta Vendore”, zëdhënësja e UKT,  Bruna Baruti. Por, sipas saj “procesi i vetëdeklarimit vazhdon dhe çdo qytetar që ka interes mund ta bëjë në pikat e ujësjellësit ose online”. “Afati, ishte një proces rregullator i përcaktuar nga VKM-ja për të ndarë në faza të gjithë procesin e parashikuar deri në futjen e taksës në faturë”,-thotë Baruti. “Ujësjellësi e ka ezauruar si fazë të përcaktuar në VKM dhe ka vijuar me fazat e tjera. Do të thotë që ka vijuar me analizimin dhe përputhjen e të dhënave nga databaza e saj dhe nga databaza e kadastrës për të ecur më pas me procesin e verifikimit në terren”, shton ajo. Zëdhënësja e UKT-të, bën me dije dhe ecurinë e verifikimit të të dhënave, ndërsa shton se në disa raste ka vështirësi në përputhshmërinë e pronës me kontratën e ujit. “Sigurisht kadastra nuk e ka si opsion të detyrueshëm të regjistrimit dhe për ne numri i kontratës së ujit përkon me identifikimin e pronës. Megjithatë nuk mund të quhet ngërç përderisa është edhe faza tjetër e verifikimit në terren”, thotë ajo.

Por, ndonëse UKT pretendon se verifikimi i të dhënave në terren ka nisur, në të vërtetë ai është ende në fazë tenderimi. Kjo pasi, ky dikaster synon të zhvillojë një aplikacion android për regjistrimin e të dhënave të terrenit, që do të shërbejë për përllogaritjen e taksës së ndërtesës dhe në këtë kuadër ka hapur një procedurë tenderuese, ku kërkon që nëpërmjet pajisjeve mobile për 40 punonjës, në terren të merren në mënyrë automatike koordinatat e vendodhjes së ndërtesës. Ky aplikacion duhet të bëjë kontrollin e pikës ku plotësohet formulari dhe të gjejë në mënyrë të automatizuar zonën për llogaritjen e taksës. Megjithatë, deri në nisjen e këtij procesi do të duhet të kalojë edhe pak kohë, pasi ofertat nga kompanitë e interesuara u pranuan deri në datën 17 janar 2020, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk është njoftuar kompania fituese që gjithsesi nga momenti i nënshkrimit të kontratës, do të ketë një muaj kohë për zhvillimin e aplikacionit.

Çmime reference

Prej muajit dhjetor, UKT ka vendosur të shfrytëzojë hapësirat ligjore për aplikimin e taksës. Kjo pasi, sipas vendimit të qeverisë, kur vlerësimi sipas vetëdeklarimit  apo vlerës së pasurisë sipas ZRPP-së, është i pamundur, çmimi i vlerësuar do të korrespondojë me çmimin mesatar referues të ndërtesave që përdoren për qëllime banimi sipas qyteteve, të përcaktuara nga qeveria, si dhe sipërfaqes së prezumuar. Më konkretisht, nëse identifikohet ekzistenca, por nuk arrihet të përcaktohet sipërfaqja e njësisë pronësore, përdoren vlerat referuese për sipërfaqe: 100 m²  për ndërtesat për banim ose 70 m²  për njësi pronësore, për ndërtesat për banim, të privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, të ndryshuar. Ndërsa, referuar tabelës së çmimeve të referencës, kjo taksë iu kushton më tepër banorëve të kryeqytetit, ndërsa pas tij renditen Durrësi, Vlora, Orikumi, Himara dhe Shkodra. Ndërkohë që, qytetet më të lirë janë Fushë-Arrëzi dhe Memaliaj, ku çmimi i referencës është më i ulti për gjithë vendin. Për Tiranën është bërë edhe një nëndarje zonale, ku çmimi më i lartë i takon Njësisë Administrative nr. 5, që përfshin zonën e Tiranës së Re dhe Njësisë nr.2 që përfshin zonën e qytetit studenti dhe Saukun. “Porta Vendore” ka bërë përllogaritjet e masës së kësaj takse, që për kryeqytetin do të jetë vazhdojë të jetë pjesë e faturës së ujit. Kështu, për një apartament 80 m², që ndodhet në zonën e Tiranës së Re, kjo taksë do të jetë në masën e 7 600 lekëve në vit. Ndërkohë që, për një apartament me të njëjtën madhësi, që ndodhet në zonën e Qytetit Studenti niveli i taksës shkon në rreth 7 480 lekë. Por, kjo është masa maksimale që do të paguhet për këto zona, pasi vendimi i qeverisë i ndan ato në nënzona të tjera, që kanë çmime më të ulta reference, duke bërë që edhe vlera e pronës të jetë më e ulët. Për kryeqytetin, më lirë taksa e pronës paguhet nga banorët e Zall Bastarit, Shëngjergjit dhe Zall Herrit.

Probleme me kadastrën fiskale

Funksionimi i Kadastrës Fiskale konsiderohet nga ekspertët një nga problemet kryesore në drejtim të implementimit të metodologjisë së re. “Edhe pse po punohet, bashkive iu është dërguar një program digjital më të dhëna jo të mjaftueshme që duhet ‘populluar’ dhe përditësuar nga vetë bashkitë”, thotë Haxhimali. Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Kadastra Fiskale “si koncept është një projekt i vazhdueshëm, i cili duhet të përditësohet vazhdimish që të quhet funksional”.  “Të gjitha funksionet bazë të komponentit teknologjik të kadastrës fiskale janë plotësisht funksionalë. Jemi duke punuar në vazhdimësi me bashkitë për plotësimin dhe saktësimin e informacionit në kadastër”, thonë për “Porta Vendore” përfaqësues të  Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasusrisë, pranë ministrisë. “Regjistri aktualish ka të listuar mbi 1,300,000 pasuri në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Për pasurimin e tij janë përdorur të gjitha bazat e të dhënave me karkakter kombëtar të certifikuar nga institucionet perkatëse. Për shkak të detyrimeve ligjore si dhe formës së disa prej bazave të të dhënave, janë Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore që duhet të certifikojnë informacionin për secilën pasuri”, shtojnë të njëjtit përfaqësues. Por, sipas Haxhimalit bashkëpunimi ndërinstitucional është pengesa kryesore në popullimin e kadastrës me të dhëna të sakta. “Institucionet qendrore (OSHEE, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, ZVRPP, etj.) që kanë të dhëna mbi pronat nuk ju përgjigjen bashkive për t’ju transferuar të dhënat që posedojnë, me qëllim që këto të dhëna të popullohen në sistemin dhe regjistrat digjitalë dhe manualë te bashkive”, thotë Haxhimali. Megjithatë, në këndvështrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, nuk ka asnjë pengesë për Bashkitë, që të mbledhin taksën me formulën e ndryshuar. “Metodologjia e re synon taksimin e drejtë ndryshe nga sistemi i mëparshëm ku për një apartament luksoz në qendër të qytetit me sipërfaqe të konsiderueshme paguan të njëjtën vlerë takse sa paguhet edhe për një garsonierë në periferi”, shprehen përfaqësuesit e DPTP-së.

Të ardhurat nga taksa

Pyetur nga ‘Porta Vendore’ se cilat janë të dhënat për mbledhjen e taksës sipas metodologjisë së re, DPTP-ja tha se nuk e disponon ende një të dhënë të tillë. “Kjo është një analizë që mund të bëjmë vetëm mbas mbylljes së vitit fiskal dhe raportimit nga ana e bashkive”, thanë përfaqësues të kësaj drejtorie. Megjithatë, të dhënat fiskale  të 11-mujorit tregojnë se bashkitë kanë mbledhur rreth 1 miliard lekë më pak se parashikimi . Më konkretisht, për periudhën janar-nëntor u mblodhën rreth 4.8 miliardë lekë, nga 5.8 miliardë që ishte plani. Ndërkohë që, në raport me një vit më parë, taksa mbi ndërtesën është thuajse në të njëjtat shifra. Edhe pse po punohet për t’ju ardhur në ndihmë bashkive, me programe IT dhe trajnime, sërisht nuk pres që ato të jenë në ditet më të mira të mbledhjes së kësaj takse”, thotë Haxhimali. Taksa e ndërtesës mblidhet dhe menaxhohet nga bashkitë, ndërsa konsiderohet si një ndër burimet më me peshë për buxhetet e tyre. Sipas Haxhimalit “në rast se taksa mblidhet e gjitha, parashikimet janë që mund të arrihet në 50-70 milion euro”. “Kjo është një shumë e mirë, krahasuar me buxhetet e dobta që kanë bashkitë”, thotë ai. Në këtë këndvështrim, eksperti thekson se “njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të sqarojnë në mënyrë të vazhdueshme taksapaguesit në territorin e tyre lidhur me procedurat dhe kriteret për llogaritjen e taksës, të drejtat e taksapaguesve për korrigjim dhe apelim, mënyrën e pagesës, si dhe masat që zbatohen në rast mospagimi të taksës”. “Komunikimi dhe njoftimi është bërë nga bashkitë dhe shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve, por akoma mbetet problem i madh”, thotë  kreu i Shoqatës. “Ndaj bashkitë duhet të angazhohen më fuqishëm në këtë moment. Përveç shoqërive UK, duhet t’ju jepet më shumë rol njësive administrative, meqënëse janë më afër se çdo zyrtar tjetër me qytetarët”-shton ai.

Rreth autorit:
Ola Mitre është gazetare e çështjeve ekonomike në Tiranë.