Ndodhi

Bashkia Lezhë tkurr administratën e fryrë, hiqen nga puna 179 punonjës

9 shkurt 2020/ Elvis Hila/ Porta Vendore/ Lezhë

Bashkia Lezhë një nga bashkitë me administratën më të fryrë, ka filluar tkurrjen e saj, që nga muaj dhjetor i vitit 2019, duke hequr punonjësit e parë. Në total kjo bashki do të heqë nga puna 179 punonjës. Reforma ka prekur shumë agjenci të bashkisë, të cilat kanë pushuar së ekzistuari. Por ndërsa procesi për heqjet nga puna vijon, Bashkia Lezhë në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak ka kërkuar rritje page për zanatet e marangozit, elektricistit e hidraulikut, ndërkohë që ka pasur lëvizje funksionarësh brenda strukturave të saj.

Me reformën që ka ndërmarrë Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, 179 punonjës nuk do jenë më pjesë e administratës së Bashkisë Lezhë. Struktura e re e miratuar në muajin shtator të vitit 2019 dhe që ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti parashikon reduktim në masën 30% të punonjësve të kësaj njësie vendore. Reforma ka prekur të gjithë sektorët, ndërsa disa agjenci si; kullimi, arsimi dhe pyjet janë shkrirë dhe nuk do të ekzistojnë më. Kryebashkiaku Ndreu e ka justifikuar reformën me argumentin se administrata e deritanishme ka qenë jo eficiente dhe tejet e fryrë në organikë, ku sipas tij kjo është një kosto e lartë për taksapaguesit.

“Ne nuk mund ta lejojmë, pasi kjo është mbi të gjitha një kosto për të gjithë taksapaguesit lezhjanë. Fondet po shkojnë drejt rrogave dhe shpenzimeve, në dëm të investimeve. Vetëm 4% e buxhetit të bashkisë është përdorur për investime dhe shumica kanë shkuar për rroga”, tha në një deklaratë për mediat kryebashkiaku socialist Ndreu.

Pavarësisht se nga kryebashkiaku kjo reformë është konsideruar si jo politike, shumica e personave që po largohen nga puna rezultojnë të jenë punësuar në vitin 2016, kohë kur Bashkia Lezhës nisi të drejtohej nga Fran Frrokaj i Partisë Demokratike. Punonjësit që janë larguar bashkia i ka paralajmëruar më parë përmes një letre ku thuhet se nga verifikimet e Komisionerit të Shërbimit Civil rezulton se janë emëruar në kundërshtim me ligjin, ndërsa për ato pozicione punë që janë shkrirë punonjësve iu është bërë e ditur se do të largohen për shkak të shkurtimit të funksionit.

Me strukturën e re Bashkia Lezhë do të ketë 430 punonjës nga 609 që ka pasur deri tani, ndërsa emërimin e punonjësve kjo njësi vendore synon ta bëjë përmes konkurrimit, për ato pozicione që do të mbeten vakante. Por me shkurtimin e administratës, Bashkia Lezhë synon të rrisë pagat e disa kategorive punonjësish, pasi ky institucion po has vështirësi për të siguruar punëtorë të kualifikuar në profile pune si; elektricist, zdrukthëtar, marangoz apo hidraulik. Këtë situatë e ka prezantuar në Këshillit Bashkiak të Lezhës, mbledhur me datë15 dhjetor 2019, kreu i bashkisë Pjerin Ndreu, i cili ka kërkuar që për këta punonjës të ketë rritje page në masën 20%.

“Sot punonjësit e Shërbimeve Publike në Bashkinë Lezhë, të cilët bëjnë punën më të madhe në çdo orar të ditës apo dhe natës e kanë pagën 26 mijë lekë dhe për mua kjo është qesharake, duke iu referuar dhe punës që bëjnë. Ne kemi marrë vendimin që punonjësit e thjeshtë të shkojnë deri në 30 mijë lekë, dhe ata që janë zanatlinj e që janë të kualifikuar të shkojnë deri në 35 mijë lekë. Ne na duhen brigada pune, muratorë psh, por ata nuk vijnë për shkak të pagës së ulët. Kjo është një përpjekje modeste për të rritur rrogat e kësaj kategorie dhe për të thithur një grup specialistësh aty”, tha Ndreu gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak më 15 dhjetor 2019.

Këshilli Bashkiak i Lezhës ka miratuar në unanimitet kërkesën e bashkisë për rritjen e pagës për punëtorët e shërbimeve, aty ku janë të punësuar edhe zanatlinjtë, kjo si një mundësi për të tërhequr profesionistë në disa profesione specifike dhe më të nevojshme për ndërhyrjet që do të bëhen në qytet. Me krijimin e brigadave me specialistë, Bashkia Lezhë synon që investimet e vogla në këtë njësi t’i bëjë përmes punonjësve të saj dhe jo nëpërmjet kompanive me tenderime, kjo si një mënyre për të ulur kostot financiare.

“Te shpenzimet operative që shkojnë te Drejtoria e Shërbimeve kemi planifikuar rindërtimin e të gjitha trotuareve të Lezhës dhe për këtë investim do të përdorim punonjësit tonë të shërbimeve dhe hakun e punës nuk e paguajmë. Pra bëjmë një investim me kosto më të lirë, por me një taktikë tjetër, që mos të shpenzojmë lekë dhe të bëjmë punë. Kemi bërë një brigadë që do punojë çdo ditë, pasi ne do blejmë materialet e ato do të realizojnë punën në terren. Kështu do të operojmë edhe për investimet e tjera”, tha Pjerin Ndreu, kryebashkiaku i qytetit të Lezhës.

Buxheti i vitit 2020 i Bashkisë Lezhë i cili u miratua pak javë më parë ka vlerën e rreth 1.8 miliardë lekëve, prej të cilave vetëm 400 milionë janë zë konkret për investime, ndërsa për rindërtimin nga pasojat e tërmetit nuk është parashikuar ende asnjë qindarkë.

Personat e larguar nga puna për shkurtim funksioni nuk kanë pranuar të prononcohen për Portën Vendore, por pa u identifikuar, ata shpjegojnë se Bashkia e Lezhës i ka respektuar afatet e dhënies së lajmërimit për shkurtim funksioni, ndërsa të tjerë pretendojnë t’i drejtohen gjykatës.

Por, veç shkurtimeve të funksioneve në Bashkinë e Lezhës ka pasur dhe lëvizje paralele, ndërkohë që punonjësit e transferuar pretendojnë se nuk janë njoftuar në kohë. Klodian Marku, specialist i Artit Figurativ në Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Gjergj Lacaj” tregon për Portën Vendore se atë e kanë lëvizur nga funksioni dhe e kanë dërguar në një tjetër detyrë, për të cilën nuk është dakord dhe i është drejtuar gjykatës. “Kam punuar për 3 vite si specialist i artit figurativ. Me datë 13 tetor 2019 jam marrë në telefon nga zyra e protokollit për të tërhequr një dokument. Jam paraqitur dhe u njoha me një urdhër transferimi në Njësinë Administrative Ungrej si specialist i zyrës me një ndalesë. Urdhri ishte i firmosur nga personi i cili është në drejtim të institucionit të Bashkisë, i cili nuk pranoi të më priste në zyrë për të më dhënë shpjegime. Duke qenë se pozicioni që më transferuan nuk përputhej me arsimin e lartë që unë kam, kërkova me shkrim që ky urdhër të anulohej sepse nuk ishte respektuar Kodi i Punës, ku të paktën duhej të isha vënë në dijeni më përpara. Pas disa ditësh më erdhi përgjigjja e kërkesës time për anulim urdhri, që ishte refuzuar. Në kushte të tilla unë kam bërë padi në gjykatë”, deklaroi Marku për Portën Vendore.

Megjithatë, Marku nuk është i vetmi që i është drejtuar Gjykatës, pasi shkurtimi i funksioneve në Bashkinë e Lezhës ka sjellë pakënaqësi te shumë punonjës. Fryrja e Bashkisë Lezhë është ngritur si shqetësim dhe më herët nga media, pasi fondi për pagat dhe sigurimet shoqërore merrte pothuajse gjysmën e buxhetit të Bashkisë (46-49% të buxhetit për vitet 2016-2019), duke ulur ndjeshëm fondin për investime nga Bashkia Lezhë me fondet e veta.

Rreth autorit:
Elvis Hila është korrespondent i Tv Ora Neës për qarkun e Lezhës.