7 shkurt 2020/ Elisa Gjerani/Porta Vendore/ Durrës
Pas tërmetit të datës 26 nëntor, banorët e kanë braktisur fshatin Hamallaj, disa kanë shkuar tek të afërmit në Sukth ose Durrës, të tjerë kanë udhëtuar jashtë vendit te fëmijët ose familjarët, ndërsa banorët e mbetur janë shndërruar në ‘heronj’, duke i bërë ballë çdo ditë situatës së vështirë të të ndenjurit në çadër. Ndërsa një pjesë prej tyre janë rikthyer, mes frikës e ankthit, në shtëpitë e shpallura të pabanueshme e tërësisht të shkatërruara.
Rreth dy muaj pas tërmetit të 26 nëntorit , Hamallaj, fshati fundor në njësisë administrative Sukth, të Bashkisë Durrës, është i gjunjëzuar. Si në shumë zona të tjera të prekura, edhe këtu ka rënë një gjendje kllapie, panorama është e dhimbshme, shtëpi të gjymtuara, njerëz të pikëlluar, çadrat e ftohta e të populluara me familjarë. Banorëve, shpresat po i zbehen çdo ditë që kalon, kjo pasi pavarësisht se fshatin e kanë vizituar dy grupe inspektimi, ai grek dhe shqiptar, shtëpitë e dëmtuara nuk disponojnë asnjë lloj dokumenti, përveç fjalës së ekspertëve që i kanë shpallur të pabanueshme.
Aktualisht numërohen rreth 50 banesa të dëmtuara nga tërmeti i datës 26 nëntor. Shumica e shtëpive private të dëmtuara datojnë para ose në prag të viteve 90’, kjo sepse siç pohojnë edhe vetë banorët, kolonat janë bërë pa hekur të mjaftueshëm, standard, i cili njihej pak në ato vite në sektorin e ndërtimit.
Dave Arapi është 64 vjeçe dhe tregon tmerrin e madh të post-tërmetit të 26 nëntorit. Frika është ende prezente në Hamallaj, e këtë e pohon me dhimbje edhe nëna Davja.
“Me frikë po jetojmë, se përditë ka lëkundje. Kemi fjetur jashtë me net të tëra, kam ndezur zjarrin jashtë. Ardhtë kush me na sjell ndihma?! S’na ka sjellë kush gjë, përveçse ca leckave, as na ka pyetur kush a jemi gjallë a jemi vdekur. Kanë ardhur ekspertët, ka ardhur edhe Lulzim Basha e na tha është e pabanueshme. Batanije e çadra s’kanë ardhur të na sjellin fare. Shtëpinë e patë vetë që është dëmtuar, tani se dimë se ça do bëhet”, thotë për Portën Vendore, Dave Arapi, banore prej 30 vitesh në Hamallaj.

Çadra e sajuar, e ngritur nga vetë bashkëshorti i Davës, qëndron e heshtur në oborr, madje aty pranë janë edhe gjurmët e zjarrit që ndezin në mbrëmjet e ftohta për ngrohje.
Megjithatë të gjendur të vetëm dhe pa asnjë përkrahje, i ftohti i ditëve me radhë i ka detyruar që prej një jave të kthehen në shtëpinë gjysmë të rrënuar, ku gjumin e bëjnë me turne.
“Ka shkuar plaku, ka pyetur në bashki, por i kanë thënë që në fillim do merren me qytetin dhe bizneset pastaj me fshatin. U bënë 2 muaj s’po dimë gjë ça do bëhet. Kam frikë, tundet divani unë direkt i them plakut tërmet. Fundja dy pleq jemi ne edhe po vdiqëm punë e madhe” rrëfen ajo.
Hamallaj është thuajse i boshatisur e pa jetë. Janë të paktë banorët me të cilët shkëmbehemi në rrugën për në brendësi të fshatit turistik. I ndodhur shumë pranë bregdetit të Gjirit të Lalzit, banorët e këtij fshati me 400 banorë, e shikojnë tanimë si një mallkim të madh këtë fakt, megjithëse para tërmetit, afërsia me detin i ka sjellë turistë e rrjedhimisht edhe të ardhura.

Tonin Kuqi ka punuar një jetë të tërë në emigracion, por në vitin 2007 u kthye dhe investoi në këtë zonë duke ndërtuar një hotel. I ndodhur vetëm pak metra larg bregut të detit, lëkundjet e fuqishme të tërmetit në mëngjesin e datës 26 nëntor nuk kursyen as biznesin e tij familjar, të ngritur me aq mund e sakrifica. “Pasi pashë që familjarët janë mirë, normal gjëja e parë që pamë ishte ndërtesa, se ne edhe një llambë të na thyhet na dëmton. Janë bërë verifikimet përkatëse, më ka kapur tërmeti më ka prishur biznesin, më ka prishur shtëpinë. Më ka thyer televizorët, kanë rënë gipset, shkatërruar shkallët”, rrëfen Tonini për Portën Vendore.
Megjithatë pas një jave ai e mori paksa veten dhe ndryshe nga shumë biznese të tjera të kësaj zone, iu fut menjëherë punës për restaurimin e dëmeve. Komplekset, baret e restorantet e kësaj zone mbahen fort tek ai 3-mujorshi verës, ku turistët nuk janë të pakët. “Falë zotit kam pasur shokë e miq që më kanë ndihmuar që të bëj restaurimin e kësaj ndërtese, pasi me këtë unë ha bukë. E kanë vlerësuar dhe e kam bërë vetë se varet kur vinte qeveria. Unë me këtë ushqehem, mbaj fëmijët, punoj bashkë me nusen, dhe ka shkuar tek 5 mijë euroshi shpenzimi i restaurimit”, tha biznesmeni, ndërsa shton se lajmin për restaurimin e dëgjoi një ditë në televizor nga Kryeministri Rama.
“Në televizor dëgjova që tha kryeministri se kush do t’i bëjë vetë rregullimet t’i bëjë se ne do t’i paguajmë mbrapa. Kam shpresa patjetër se përderisa është shpallur gjendja e jashtëzakonshme çdo gjë duhet të paguhet”, tha ai, pa ndonjë pishman të madh për gjithë restaurimin e kryer në godinën e biznesit të tij.
Edhe pse nga ngjarja kanë kaluar thuajse 2 muaj, banorëve të Hamallajt ende nuk i është larguar frika e tërmetit. Ata pak të mbetur ende në fshat luten në zot që e gjitha kjo situatë të mbarojë sa më shpejt e ata të mund të rifitojnë shtëpitë e tyre të shkatërruara, teksa sytë i kanë te shteti. “Shtëpia ka marrë plasaritjet e saj nga tërmeti. Kanë ardhur ekspertë nga Tirana për ta verifikuar. Është regjistruar si objekt me dëmtime, pavarësisht se nuk jetoj në të, aty jeton im atë i moshuar. Po presim nga shteti, pasi kanë qenë shumë grupe që e kanë parë. Unë jam shpresëplotë që do të na japin një fond dhe unë si pronar të mund të bëj rregullimet e mia, se ajo ka një kosto jo të vogël por shkon deri në 2 milion lekë”, tha Fatjon Ismalaj ish banor i Hamallajt.
Marte Velaj ka ardhur nga Tropoja pas vdekjes së bashkëshortit të saj dhe deri në ditën e tërmetit ka jetuar në shtëpitë e të vëllait, e ndodhur pranë hidrovorit në Hamallaj. Për fatin e saj të keq ekspertët i kanë thënë që shtëpia është e pabanueshme dhe të mos jetojë në të, pasi mund të rrezikojë seriozisht jetën, e sot Martja është në mes të 4 rrugëve, krejt e vetme. “Më ka marrë një komshi përkohësisht, atje jetoj tek ajo. Unë s’kam ku të jetoj më. Jam në mes të 4 rrugëve. Dua të më bëhet një shtëpi sa të fus kokën. Vëllait i janë prishur shtëpitë, kanë ardhur t’i shohin, por s’na kanë thënë as rrini dhe as ikni. Unë për vete jam në pikën e hallit. Kam shkuar për të aplikuar për bonus qiraje por s’më kanë dhënë se nuk kam pasaportizim këtu. Se ku do të rri nuk e di. E vetme jam, burri më ka vdekur, fëmijë nuk kam. Boll në hall jam”, rrëfen Marte Vela, 65-vjeçare.
E gjithë kjo situatë i ka lodhur, stresuar dhe gllabëruar shumë energji banorëve të prekur prej tërmetit, shtëpitë e të cilëve dergjen pa një vendim të formës së prerë për fatin e tyre. “Këtu janë 50 familje të dëmtuara, sipas kategorisë nga plasaritjet deri te shembjet. Komisioni nuk ka hyrë të bëjë vlerësime, pasi nga fshatrat e Durrësit nuk kanë ardhur ende, presim dita-ditës. Edhe sot isha te njësia administrative Sukth. Këtu disa familje që janë të rrezikuara, janë në çadër. Por nuk kanë ardhur të na thonë, a të qëndrojmë, a të mos qëndrojmë. Po punohet që secili të aplikojë për bonus qiraje”, tha për Portën Vendore, kryeplaku i fshatit Hamallaj, Isuf Osmanaj.
Në Hamallaj ka dhe 3 pallate, 2 prej të cilëve të shfaqur të pabanueshëm. Ato janë ndërtuar në vitin 1980 me punë vullnetare, e si në shumë zona të tjera, cilësia e dobët e punimeve ka rriskuar jetën e 40 familjeve që jetojnë prej vitesh këtu.

Sapo marrin vesh që kanë ardhur gazetarë nga Tirana disa nga gratë që gjendeshin në oborrin e vogël të pallatit afrohen, secila do pakëz vëmendje, secila do që të na çojë në shtëpinë e vet për të parë dëmet, për t’i fotografuar e dokumentuar.
Landa vjen çdo ditë nga çadra në shtëpi në orarin e drekës për të gatuar, larë rrobat e hekurosur. Jeta mes çadrës dhe shtëpisë gjysmë të shkatërruar të shpallur të pabanueshme nuk është e lehtë.
“Sapo hyra në shtëpi për të gatuar. Jetojmë tek shkolla në çadra, edhe aty vetëm darkave ndezim sobën e druve se s’kemi dru. Por erdha të bëj pak bukë për babin, burrin e kalamajtë. Kështu bëj gjithmonë. Pallati ka dalë i pabanueshëm, na thonë mos jetoni, mos u fusni në shtëpi që të rrini. Po ku të shkojmë, ku të mbytemi. Shtëpi tjetër s’kemi gjetur. Shtëpi nuk ka, jo vetëm për shkak të qerasë së lartë, por janë mbushur të gjitha shtëpitë. S’po gjejmë dot. Ftohtë qamet, vetëm ndonjë ditë kur të na gjejnë në çadër të vdekur. Nuk na lejohet gazi për ngrohje brenda çadrës”, tregon Landa Meçe, e pezmatuar.
Familjet e këtij pallati janë shpërndarë nëpër familjarë, disa kanë shkuar tek të afërmit jashtë shtetit, e disa të tjerë pas ditësh e javësh të gjata në çadër janë rikthyer në banesa “Investimi i një jete iku për 10 sekonda. Gjithçka e shkatërruar tani. Frikë kam, se kërcasin edhe muret tani, sa vijnë e hapen. E marr guximin nga halli se s’kemi ku të shkojmë. Llafe të mira na kanë thënë, por për të besuar nuk besojmë tek asnjeri. Derisa të shikojmë pallatin duke u shembur s’besojmë dot”, rrëfen Landa me lot në sy.
Në fshat ende nuk janë ndarë bonuset e qirasë, kjo pasi banorët e kanë pasur të vështirë të gjejnë shtëpi me qira për një sërë arsyesh: shtëpitë me qira janë të limituara në fshat, por edhe më gjerë. Nuk kanë dokumentacion, parakusht nga bashkia dhe në rastin më të mirë kur gjejnë banesë, qiratë janë të papërballueshme.
“Unë jetoj me qira, kam marrë një shtëpi këtu në lagje, e kam gjetur me mik dhe jam në pritje të bonusit të qirasë. Nuk rrija dot në çadër, vetë jam sëmurë, gruan e kam edhe më të sëmurë se vetja dhe u detyrova të kërkoja direkt shtëpi. Këtu në shtëpinë e vjetër vij për të parë kopshtin dhe bagëtitë. Kam lopën dhe kujdesem çdo ditë për të. Nuk fle këtu, vijmë e shikojmë natën, ikim prapë. Nuk kemi besim të rrimë, se është hapur e gjithë ndërtesa. Nuk dimë asgjë se çfarë do ndodhë me pallatin tonë”, tha për Portën Vendore, Bafti Bengu.
Në oborrin e pallatit, gjejmë disa prej fëmijëve që luajnë, duke të ofruar së largu një pamje krejt normale. “Natën që ra tërmeti, unë ika me vrap, kurse motra që është më e vogël ka qarë shumë, ngaqë u tremb”, tregon Rafaelo, 7-vjeçar, i cili vijon ecejaket me biçikletën e tij të vogël.
E teksa fëmijët jetojnë me jo me pak trauma fëmijërinë e tyre, të rriturit që janë rikthyer në banesa flenë me frikë e turne. Frika për një tërmet tjetër të atyre përmasave, e sidomos në shtëpitë e tyre të “brishta” nuk i shkulet nga mendja.
“Vazhdojmë të banojmë këtu me frikë. Flemë me turne, njëri rri zgjuar, tjetri fle, që nëse bie tërmet të dalim me vrap. Shumë të vështira, jemi mbushur me stres. Nuk e dimë ça vendimi do të merret për këto shtëpitë tona, do prishen, do rregullohen, vetëm hyn e dil edhe askush s’të jep zgjidhje. Kemi rënë në 0, jeta jonë ka ndryshuar sa hap e mbyll sytë. Djersa e mundi, të gjitha na shkuan dëm. Më vjen shumë keq kur shikoj shtëpinë. Shpresojmë gjithmonë nga qeveria, se ne vetë nuk kemi ça të bëjmë”, tregon Luljeta Habibaj me zërin që i dridhet.
Ndërsa në 5 çadrat e vendosura në oborrin e shkollës së vjetër të fshatit gjatë ditës mblidhen gratë me njëra-tjetrën për të shpërndarë ndonjë informacion me vlerë që dëgjojnë diku në televizor.

Ndërsa gjatë natës banorët që i kanë rezistuarit të ftohtit në çadër numërohen me gishtat e dorës.
“Nuk ka mbaruar ende ekspertiza në terren nga ekspertët, besoj brenda këtij muaj do të përfundojë dhe më pas do të merret vendimi. Ata që kanë dëme më të vogla deri në 200 mijë do t’u jepet pagesa familjeve dhe do ta kryejnë vetë, ndërsa të tjerëve do tu dërgohen grupet e punës nga bashkia. Deri më tani kemi 110 kërkesa për bonus qiraje, nga të cilat 15 prej tyre janë miratuar në Këshill Bashkiak”, tha Rrapo Osmani, administrator i Njësisë Administrative Sukth.
Mes frikës dhe guximit, mes shpresës dhe pesimizmit, mes shkatërrimit ekonomik dhe luftës për jetën, banorët e Hamallajt janë në pritje, se mbase dikush do t’i kthejë sytë për ta, për t’i dhënë një përgjigje se çfarë do të ndodhë me shtëpitë e tyre, për t’i nxjerrë nga banesat e shkatërruara drejt një jetese të denjë, për të kthyer jetën e për të harruar sadopak këto ditë të vështira, jo vetëm për Hamallajn, por për gjithë Durrësin.
Rreth autorit:
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa media kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.