5 shkurt 2019/Brikena Metaj/Porta Vendore/ Gjirokastër
Punimet në Qafën e Pazarit në Gjirokastrës tashmë mund të thuhet se kanë përfunduar. Rruga me mozaik, e njohur si “kartolina e qytetit”, në pamje të parë i është rikthyer origjinalitetit të vet. I njëjti mozaik, të njëjtët gurë gri e të bardhë. Situata e një viti më parë, kur Qafa u zhvesh nga identiteti i vet, duke nxitur skepticizmin e të shumtëve, duket një moment i largët që duhet harruar. Pamja e kësaj zone, e para e vizituar nga turistët e shumtë, e zhytur e tëra mes baltës, ishte rrëqethëse deri në dhimbje, ndaj pothuajse të gjithë janë të lumtur që nuk e shohin më atë pamje. Turistët që ende nuk e kanë braktisur Gjirokastrën edhe këtë fillim dimri, nuk e vërejnë ndryshimin duke fotografuar pafund rrugët e kalldrëmta, ndonëse të mbuluara nga rëra, sipas specialistëve e domosdoshme pas shtrimit të kalldrëmeve për të mbushur hapësirat boshe mes gurëve. Për të tjerë kjo praktikë është thjesht një mënyrë për të mbuluar defektet që nuk mungojnë.
Investimi me vlerë mbi 137 milionë lekë të mundësuara nga Banka Botërore në projektin e restaurimit të kalldrëmeve karakteristikë të Gjirokastrës, u zbatua në kuadër të programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, brenda një afati njëvjeçar, prej shtatorit 2017 deri në Tetor 2018.
Reagime të ashpra dhe dyshime pas prishjes së kalldrëmeve
Punimet në rrugët e kalldrëmta të Gjirokastrës, që nisën në fund të nëntorit 2018, nxitën prej fillimit të tyre debatet e shumta pro dhe kundër. Prishja e kalldrëmeve të ndërtuara në vitin 1968, kohë prej së cilës nuk ka pasur më asnjë ndërhyrje për restaurimin e pjesëve të dëmtuara, u shoqërua me reagime të ashpra dhe dyshimin e fortë, jo vetëm të cilësisë së punimeve, por edhe të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore për qytetin që mbrohet nga UNESCO. Ajo që u kundërshtua më së shumti ishte përdorimi shpesh i padrejtë i termit “restaurim”.
Pjesa e kalldrëmit me mozaik që nis nga sheshi “Çerçiz Topulli“ e përfundon në Qafën e Pazarit, është e stilizuar me gurë të bardhë në qendër e të zinj në pjesët anësore. Piktori dhe etnografi i njohur gjirokastrit Stavri Çati, tregon se ky mozaik daton prej vitit 1973, kur u kryen edhe ndërhyrjet e fundit restauruese në kalldrëmet e Pazarit. Në skicimin e këtij mozaiku, Çati ka përdorur motivet më të lashta shqiptare që janë rombet. Realizimi i skicës së tij u bë nga inxhinieri i njohur gjirokastrit Niko Panajoti.
83-vjeçari tregon se gjatë realizimit të mozaikut të kalldrëmtë, rreth gjysmë shekulli më parë, kanë hasur në vështirësi teknike, ndërsa vendosja e gurëve dhe kombinimi i tyre kërkonte teknikë të veçantë. Punimet për rrugën me mozaik kanë zgjatur 30 ditë. Inxhinieri zbatues i punimeve Pilo Dhame tha se skicat e ndërtuara mbi projektin e hartuar 50 vjet më parë janë ruajtur rigorozisht. Zbatuesit e mozaikut të ri të pazarit të Gjirokastrës morën përsipër, jo vetëm zbatimin korrekt të parametrave, por edhe korrigjimin e gabimeve të bëra gjatë ndërtimit të parë të tij. Në përfundim mozaiku ka 37 kuadrate të parametrave 2.20 x 2.20 në vend të 39 kuadrateve të dikurshëm.
Qëndrimet kundër
Stavri Çati mendon se prishja totale e kalldrëmeve ka qenë e gabuar, pasi kjo shkel kriteret e restaurimit. Ai thotë se kishte mundësi për të restauruar vetëm ato pjesë kalldrëmesh që ishin vërtetë të dëmtuara dhe të ruheshin të pacenuara kalldrëmet e dikurshme. Sipas tij, mënyra si u punua plotëson kriteret e një rindërtimi, por jo të një restaurimi.
Njëri prej kundërshtarëve të heqjes së kalldrëmit është edhe eksperti i trashëgimisë dhe restaurimeve, Kreshnik Merxhani. Që në krye të herës, ai deklaroi se ndonëse ndërhyrja është e nevojshme, rezultati përfundimtar i këtyre punimeve në Zonën e Qafës së Pazarit do të jetë “një turp”. “Këto kalldrëme, të ngjashme në materiale dhe teknikë, kishin fituar qytetari dhe ishin pjesë e arkitekturës së ansamblit”, u shpreh Merxhani.
“Pazari nuk kishte kanalizime të mirëfillta dhe shumë nga njësitë, për të mos thënë pjesa dërrmuese, nuk kishte kushte higjieno–sanitare. Përpjekjet për t’i vendosur rrjetet inxhinierike në pjesën e trotuarit nuk dhanë rezultat për dy arsye. E para, përmasa e trotuarit ishte tepër e ngushtë dhe e shkëputur në disa pjesë, pra nuk siguronte përmasën dhe vijueshmërinë për rrjetet dhe e dyta, kushti teknik kërkon ndarjen e furnizimeve me ujë nga shkarkimet. Në këtë sistem u vendosën dhe impiantet kundër zjarrit, një kërkesë e vazhdueshme nga UNESCO dhe një nevojë për këtë pasuri. Në këtë këndvështrim hapja e kalldrëmeve ishte e nevojshme”, vazhdon Merxhani.
Shqetësimi i specialistëve qëndronte në faktin, se ndërhyrjet e pretenduara për të sjellë kompleksin e kalldrëmeve në gjendje më të mirë, ishin tërësisht të papërshtatshme. Për Merxhanin, mënyra e heqjes së gurëve ishte jo vetëm joprofesionale, por e turpshme. “Gurët e kalldrëmit duhet të hiqeshin me segmente jo më të gjatë se 20 ml (çka përkon dhe me vendosjen e pesetave të kontrollit dhe rrjeteve inxhinierike nëntokësore). Pra, duhet të hiqeshin me sistem matrikulimi, që do të thotë se gurët duhet të emërtoheshin sipas radhës dhe numrit përkatës dhe të vendoseshin në po të njëjtin vend”, shpjegoi ai.

Në të njëjtën linjë mendimi duket se është edhe arkitekti restaurator Reshat Gega. Ai thotë se duke nisur që nga momenti i konceptimit të projektit dhe deri tek implementimi i tij, asnjëherë nuk u mor në konsideratë shqetësimi i opinionit publik, si një tregues i ndjeshmërisë së lartë ndaj vlerave të Qendrës muzeale. Për Gegën, ky aksion i domosdoshëm prej vitesh duhej të paraprihej me sqarime deri në detaje, qoftë për anën teknike, ashtu edhe atë të kritereve në trajtimin e vlerave monumentale e muzeale.
“Rishtrimi i kalldrëmit ishte i domosdoshëm. E para për domosdoshmërinë e ndërtimit të rrjetit inxhinierik në infrastrukturën e rrjetit rrugor të Qendrës historike. Pa kanalizime dhe rrjetin e shpërndarjes së elektrikut, ujit etj, nuk mund të funksiononte dhe të zhvillohej si duhet jeta e kësaj pjese të qytetit. I kishte ardhur koha shumë më parë të kryhej ky operacion. Kjo mbetet si ana më pozitive e tërë aksionit në fjalë”, shprehet Gega.
Ai shton më tej se ndryshimi i shtresave të kapakëve në trotuaret ka qenë i gabuar. “Ideja për t’i bërë më ‘të bukura’, duke hequr të gjithë kapakët e vjetër, nuk përkon aspak me kriterin e ruajtjes së vlerave historike të Pazarit. Ky është koncept dhe veprim që u vu re në shumë raste gjatë punimeve, si të kësaj faze edhe në atë të trajtimit të arkitekturës, çative, fasadat, dekorit me fashatura druri etj. Tendencat për t’i bërë të bukura nëpërmjet ribërjes dhe ndryshimit, jo vetëm në formë, por edhe në materiale, sjell vetëm dëm duke shkaktuar humbje të karakterit historik”, sqaron ai.
Kthimi në pedonale dhe debatet
Kthimi i Qafës së Pazarit në pedonale ka nxitur debatet mes këshilltarëve bashkiakë në Gjirokastër që janë ndarë në opinionin e tyre pro e kundër. Në mbledhjen e muajit tetor të këshillit bashkiak ata ngritën shqetësimin e një pjese të bizneseve që operojnë në Pazar, të cilat penalizohen duke vështirësuar mbarëvajtjen e punës së tyre në furnizimin e restoranteve apo hoteleve pas vendimit për ndalimin e qarkullimit të mjeteve në këtë pjesë të qytetit. Për këshilltarët, situata që ka prekur edhe banorët e lagjeve të sipërme të qytetit, ndjenë nevojën e një zgjidhjeje emergjente dhe një rrugë alternative që do të lehtësonte qarkullimin tashmë të vështirësuar.
Në raportimin e Bashkisë Gjirokastër para këshilltarëve theksohej se “që në momentet fillestare të punës, zona e Pazarit do të kthehej në pedonale”. Bashkia e Gjirokastrës i ka kërkuar prej fillimit studiove të projektimit një zgjidhje për trafikun që do të bllokohej në zonën e Pazarit, duke iu ofruar atyre dy zgjidhje alternative. E para konsistonte në një zgjidhje afatshkurtër dhe me kosto të ulët, duke ndërhyrë në rrugët ekzistuese të lagjes “Palorto”, nga Ura e Granicës në sheshin para kinemasë së re, duke ndërhyrë në zgjerimin e Urës dhe prishjen e disa objekteve, zgjerim të rrugës para kompleksit të Angonatëve përgjatë shtratit të përroit dhe pajisjen me infrastrukturën e nevojshme nëntokësore. Zgjidhja e dytë e ofruar nga Bashkia Gjirokastër parashikonte ndërhyrje në lagjet e sipërme të qytetit dhe konkretisht në lagjen “Manalat” ku sërish parashikoheshin prishje të objekteve dhe rregullim të shtresave rrugore.
Një zgjidhje afatgjatë dhe me kosto më të lartë do të kërkonte ndërtimi i një By-passi për Pazarin. Bashkia e Gjirokastrës propozoi ndërtimin e tij përgjatë shtratit të përroit që fillon nga Ura e Nanxës, Ura e Zerzebilit dhe përfundon në lagjen Dunavat. Realizimi i këtij projekti sipas bashkisë do të sillte si përfitim, jo vetëm ndërtimin e një rruge që nuk parashikon prishje objektesh dhe lidh lagjet e sipërme të qytetit, por përforcon edhe shpatet e përroit në lagjen “Cfakë” ku rrëshqitjet janë të pranishme dhe eliminon gërryerjet në shtratin e përroit.
Bashkia Gjirokastër ka parashikuar përjashtim për qarkullimin e disa mjeteve në zonën e Pazarit, ku përfshihen mjetet e emergjencës, ato të burgjeve, mjetet e furnizimit të dyqaneve me një kapacitet deri në 1.5 ton dhe vetëm përgjatë orare të përcaktuara nga ora 6.00 deri në 7.30 të mëngjesit.
Gjatë raportimit para këshillit bashkiak përfaqësuesit e bashkisë ngritën disa problematika që shoqërojnë investimin në Qafën e Pazarit. Sipas tyre, investimi nisi para ndërhyrjeve të bashkisë për kalime alternative. Kjo e fundit pretendon se nuk pati kohën e mjaftueshme për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe bizneseve që funksionimi i Pazarit si zonë këmbësore është në të mirë të tyre dhe të qytetit, pavarësisht vështirësive.
Projekti i miratuar parashikonte edhe kthimin e sheshit “Çerçiz Topulli” në pedonale duke parashikuar një parkim nëntokësor që sipas projektit do të zgjidhte problemin e parkimit të mjeteve në zonë dhe që shihet si një e ardhur e konsiderueshme për bashkinë. Por kjo fazë e projektit ka mbetur e pazbatuar dhe sipas burimeve nga Bashkia Gjirokastër arsyeja ka të bëjë me mungesën e fondeve.
Projekti i rehabilitimit të Qafës së Pazarit, që në përfundim të punimeve u kthye në pedonale, nuk dha zgjidhje për qarkullimin e automjeteve në këtë zonë. Situata favorizuese për turistët dhe njësitë tregtare në Qafën e Pazarit, është kthyer në shqetësuese për banorët e lagjeve të sipërme të qytetit dhe hotelet e zonës.
Banorët e lagjeve të sipërme të qytetit e shoqërojnë udhëtimin e tyre drejt banesave jo vetëm me kosto të shtuar financare, por edhe fizike. Mihali është një i moshuar 68 vjeçar, banues në lagjen “Dunavat”. Për të është e vështirë të zbresë nga autobusi në sheshin e Çerçizit dhe të ndërmarrë me këmbë maloren e kalldrëmtë të Pazarit, për të hipur në autobusin që i pret te Bashteja. Shpesh banorët janë të ngarkuar me pazaret e ditës, një pjesë e mirë e tyre të moshuar apo me fëmijë të vegjël. Situata parashikohet e rëndë gjatë dimrit, në ditët me shi dhe ngrica.
Bashkia Gjirokastër gjeti si zgjidhje të qarkullimit të ndryshuar për mjetet e transportit që synojnë lagjet e sipërme të qytetit, kalimin në rrugët dytësore që anashkalojnë “Sheshin e Çerçizit”, por njëkohësisht zgjasin edhe kilometrat e përshkuara nga autobusët urbanë dhe makinat e vogla. Tashmë ato duhet të kalojnë nga lagjja “Granicë”, të përshkojnë rrugicat e ngushta e të kalldrëmta të Palortosë, rrugën me mozaik pranë Odeonit për të dalë më pas në kryqëzimin e kahershëm poshtë kalasë që lidh lagjet “Dunavat” dhe “Cfakë”.
“Një tmerr dhe një ferr i vërtetë kjo situatë”, shprehet Sokol Karaulli, një gjirokastrit i vjetër. “Jam nisur në orën 12:15 nga ‘Sheshi i Çerçizit’ për në shtëpi dhe mbërrij pas një ore e 15 minutave duke kaluar nëpër monopate, duke u këmbyer me 3 autobusë, me shumë autovetura, në një kohë të keqe me rrebesh shiu dhe duke kaluar nëpër rrugë plot tmerr, me kokë në torbë, më në fund pas gjithë kësaj sage, mbërrita në shtëpi. Dhe e gjithë kjo sepse kapriçoja e injorantëve na ndaloi ne manalatasve dhe dunavatësve të vemi në gërmadhat tona si njerëz. Ky është një shtetrrethim i paligjshëm, nuk dimë nga t’ia mbajmë”, shprehet ai i revoltuar.
Për arkitektin Merxhani pas synimit për kthimin e Pazarit në pedonale fshihet një lëvizje hileqare. Ai thotë se “Hyrjet e rrugëve të Pazarit janë mbyllur njëherë e mirë dhe jo me orare, duke tentuar të krijojnë përçarje mes qytetarëve dhe pakënaqësi për trafikun, e nën rrogoz ka nisur të flitet sërish për famëkeqin “Bypass” prej autoriteteve vendore dhe qëndrore duke mos hequr dorë nga projekti shkatërritar i denoncuar si i tillë me fakte e argumenta. 4.2 milionë euro kushtojnë 457ml rrugë të ketij Bypass-i, 1 milion euro/100ml . Ndërsa për rehabilitimin e rreth 100 banesave në Gjirokastër dhe mbylljen e kësaj plage, duke emetuar të ardhura për mjeshtrat gjirokastritë e jo për asfaltxhinjtë e importuar nga qendra, duhen 1.9 milionë euro. Prandaj nuk u pëlqen të pregatisin plan-projektin për ndërhyrjet rikuperuese e rehabilituese!” shton më tej Merxhani
Kalldrëmet e reja dhe problemet e para
Reshjet e vetme të kësaj vjeshte të thatë shfaqën edhe problemet e para pas shtrimit të kalldrëmeve. Tre dyqane tregtimi në Qafën e Pazarit u përmbytën nga uji i shiut që depërtoi brenda njësive të tyre të tregtimit.
Kastriot Dhrami që prej një jete tregton në Pazar. Ai tregon se në dyqanin e tij, të trashëguar nga familja, kjo është hera e parë që uji depërton brenda duke dëmtuar mallrat e tregtimit.
“U kërkuam inxhinierëve të bënin hidroizolimin e zonës dhe të tregonin kujdes me pjerrësinë e rrugës gjatë shtrimit, por nuk na dëgjuan. Një shi i lehtë dhe pasojat janë jo të pakta, po gjatë një dimri të tërë kur në Gjirokastër shirat janë për ditë më rradhë?”. Ky është shqetësimi që ngre jo vetëm Kastrioti, por edhe tregtarët e tjerë të Pazarit që pas një viti pezullim të aktivitetit për shkak të punimeve, tashmë përballen edhe me dëmet dhe frikën për muajt e ashpër të dimrit.
Pohimi për probleme në përfundim të punimeve në Pazar vjen edhe nga drejtori i monumenteve të kulturës në Gjirokastër, Vaso Polo, që pohon se ende nuk është marrë në dorëzim puna pasi janë vërejtur disa parregullsi, që nga lëvizje gurësh e deri tek rihapje segmentesh si ai që shkakton depërtimin e ujit brenda dyqaneve.

Foto më sipër tregon mesin e rrugës së kalldrëmtë për në Këshillin e Qarkut. Këta breza betoni, që ndajnë rrugën e kalldrëmtë të destinuar për pedonale dhe atë ende të shfrytëzueshme nga makinat, janë ndërtuar pikërisht mbi kalldrëmin e sapopërfunduar si një kombinim i shëmtuar i traditës me modernen, ndërsa pak më poshtë sapo ka përfunduar shtrimi i kësaj pjese rruge para godinës së Këshillit të Qarkut, e cila që prej një viti kishte mbetur ende e pashtruar. Ajo ishte e para që u shtrua me kalldrëm duke u paraqitur te publiku si një dëshmi e punës së kujdeshme që do të kryhej në shtrimin e kalldrëmeve gjatë projektit të restaurimit në Qafën e Pazarit, por vetëm pak ditë pas shtrimit ajo paraqiti problemet e para duke bërë të pashmangshme hapjen e saj në një sipërfaqe edhe më të madhe, duke shtuar dyshimet e skeptikëve se teknikat e shtrimit të kalldrëmeve kanë humbur bashkë me mjeshtërit e tyre.

Projekti nuk parashikon një zgjidhje mekanike të bllokimit të rrugëve me vendosjen e pistonave, por bllokim me sinjalistikë rrugore që sipas Bashkisë Gjirokastër do të jetë e vështirë për t’u zbatuar pasi kërkon jo vetëm kapacitete njerëzore (polici rrugore dhe bashkiake), por edhe ndërgjegjësim qytetar.
Rreth autorit:
Brikena Metaj është korrespondente për News 24 në Gjirokastër.