Ndodhi

Miratohet leja që i hap rrugë rehabilitimit të mbeturinave në Durrës

3 shkurt 2020/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi në mbledhjen e datës 13 janar lejen e ndërtimit të infrastrukturës për ngritjen e “EKO-Park Durrës”, që pritet të transformojë fushën e mbetjeve të Porto-Romano në një park modern rekreacioni.

Vendimi i qeverisë shqiptare vjen pas urdhrit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në dhjetor të vitit që lamë pas, për anulimin e çdo procedure të institucioneve qeverisëse pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, vendim që lidhej me tërmetin e datës 26 nëntor.

“Marrja e lejes së ndërtimit është hapi i fundit nga një seri procedurash dhe kjo i hap rrugë përfundimisht zbatimit të projektit, duke hequr çdo frikë për anulimin e tij”, komentoi për Portën Vendore, Dorina Ndreka – Asllanaj, avokate pranë Klinikës së Ligjit Durrës.

Klinika e OSFA-s, mbështetur nga Lëviz Albania e ka çuar këtë çështje më herët në Gjykatën Administrative Durrës, duke kërkuar marrjen e masave për ndalimin e djegies së mbetjeve dhe rehabilitimin e fushës që shërben si vendgrumbullim i mbetjeve të ngurta urbane për Bashkinë Durrës që pas viteve’90.

Institucioni që jep fondin është Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), e cila përmes Agjencisë së Prokurimit Publik më datë 21 tetor 2019 njoftoi hapjen e tenderit me objekt “Mbyllja e vend depozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta EKO-Park, Durrës”. Por pas tërmetit të datës 26 nëntor dhe direktivave të qeverisë, tenderi u anulua.

Fusha e mbetjeve në Porto-Romano Durrës. Foto: Geri Emiri

AKUM njoftoi zyrtarisht për Portën Vendore se tenderi ka kaluar me “Procedurë të përshpejtuar” dhe rrjedhimisht nuk kalon më tek Agjencia e Prokurimit Publik, por zhvillohet nga vetë AKUM, e që aktualisht ka lidhur kontratën me kompaninë e kontraktuar dhe me atë që do të realizojë supervizimin, por pa specifikuar vlerën e tenderit dhe emrin e kompanisë fituese.

Në njoftimin e mëhershëm të shpallur në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, koha e realizimit ishte 18 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës. Me një fond limit në vlerën 14 milion euro (1.684.288.721 lekë).

“Kjo leje i hap rrugë kontraktorit të nisë punimet menjëherë sapo të zbardhet ky vendim zyrtarisht. Kontraktori fillon punën, që parashikohet  të mbyllet si procedurë brenda muajit janar 2020”, shpjegoi AKUM në përgjigje të një Kërkese për të Drejtë Informimi. “Pra parashikohet që projekti të konkludohet në Qershor 2021”, shtohet në përgjigje.

Projekti i qeverisë, pjesë e një kalvari aktivizmi

Në nëntor të vitit 2018 banorët e zonës së Porto-Romanos dhe studentë e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD) paraqitën një kërkesë pranë Bashkisë Durrës për mbylljen e vendgrumbullimit dhe ndalimin e djegies së mbetjeve. Ajo u pasua me një protestë të studentëve dhe banorëve që solli ndalimin e menjëhershëm të djegies së mbetjeve. Ndërsa siç ka raportuar edhe më herët Porta Vendore, përpjekjet e shoqërisë civile kanë qenë të vazhdueshme në këtë drejtim.

Burime zyrtare nga Bashkia Durrës konfirmuan për Portën Vendore se mbetjet urbane vijojnë të mos digjen dhe mbeten në pritje të një vendimi nga AKUM-ja, nëse mbetjet urbane do të nisin të transportohen në Landfillin e Tiranës. “Nga përllogaritjet në vitet 2018-2019, rezulton se mesatarisht në vendgrumbullim janë depozituar 200 ton mbetje në ditë”, shtoi burimi zyrtar.

Projekti i qeverisë shqiptare parashikon që në fushën prej 155 mijë metrash katrorë të ndërtohen ambiente sportive, me 3 fusha basketbolli, 1 fushë mini-futbolli dhe 2 fusha tenisi, parkim, kopsht botanik, mure kacavjerrës prej 28 metrash (“climbing”), kënde lojërash dhe hapësira dedikuar aktiviteteve sportive.

Klinika Ligjore e Durrësit, duke vijuar ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore porositi edhe një akt-ekspertimi për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, ku rezultoi se ndotja e tokës dhe e sipërfaqes rrezikon florën dhe faunën, duke dëmtuar mjedisin. Por mbi të gjitha duke shkaktuar një sërë sëmundjesh për banorët e zonës si pasojë e gazrave që çlirohen në ambient.

“Trajtimi i mbetjeve urbane në qytetet kryesore dhe ato dytësore në Shqipëri kanë marrë një përshkallëzim me ritme të shpejta dhe shumë negativ”, shkruan në përgjigjen zyrtare AKUM, duke analizuar se e njëjta situatë paraqitet edhe në Porto-Romano të Durrësit.

Përveç vendimit që adreson problemin mjedisor 4 kilometra në veri të qytetit të Durrësit, në mbledhjen e datës 13 janar 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi edhe Planin Kombëtar Sektorial në fushën e Menaxhimit të Mbetjeve të Ngurta, me propozim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Rreth autorit:
Ka mbaruar studimet për “Gazetari dhe Komunikim” në Universitetin e Tiranës dhe ka studiuar për “Marrëdhëniet me Publikun”, në nivelin “Master Shkencor” (MSc), Universiteti i Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.