Vëzhgim/Analizë

Kaos pas tërmetit, 3 bashki nxjerrin nga hotelet e Shëngjinit banorët e Lezhës, Kurbinit e Thumanës

1 shkurt 2020/ Elisa Gjerani/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore/ Lezhë

Tre bashki kanë vendosur të mbyllin kontratat me hotelet e Shëngjinit, duke i nxjerrë nga aty banorët që ishin strehuar pas tërmetit të 26 nëntorit. Të painformuar dhe të pashpresë, rreth 600 banorë të Laçit, Thumanës e Lezhës, refuzojnë të zbatojnë urdhrin e bashkive përkatëse, për t’u larguar nga hotel “Rafaelo”, “Frojd” dhe “Emiri”. Të strehuar aty që prej ditëve të fundit të nëntorit, ata ndihen të prerë në besë, pasi u ishte premtuar se do të qëndronin deri në fund të marsit. Banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit thonë se një pjesë nuk e kanë marrë ende bonusin e qirasë, ndërsa të tjerë ndihen konfuzë, pasi bashkia i ka njoftuar se banesat e tyre janë të sigurta e mund të kthehen në shtëpi, edhe pse nuk është bërë asnjë ndërhyrje rikonstruktuese, ndonëse kanë qenë pikërisht ekspertët e bashkisë që pas tërmetit i nxorën të pabanueshme.

Është orar dreke dhe në hollin e Hotel “Rafaelos” në Shëngjin shikojmë shumë pak lëvizje. Ky hotel hapi dyert që në ditët e para të post-tërmetit dhe duke pasur një kapacitet të madh, akomodoi rreth 850 banorë të ardhur nga zonat e prekura nga tërmeti.

Një kamerierë na drejton drejt zonës ku janë duke drekuar banorët e rinj të “Rafaelos”.

Në portën kryesore të restorantit është ngjitur një njoftim nga Bashkia Lezhë sipas të cilës, të gjithë personat që i përkasin kësaj bashkia duhet të lënë ambientet e këtij hoteli deri me datë 31 janar 2020.

Njoftimi nga Bashkia Lezhë për largimin e banorëve. Foto: Esmeralda Keta.

Nga vëzhgimi i realizuar nga Porta Vendore pjesa më e madhe e familjeve janë njoftuar me telefon, pasi ata lëvizin vazhdimisht në kërkim të një banese.

Janë të shumtë ata që e kundërshtojnë këtë vendim, pasi sipas tyre koha e vënë në dispozicion është shumë e shkurtër dhe mbi të gjitha e papritur. Për dy ditë ata duhet të lënë ambientet, por janë ndjerë të prerë në besë pasi prefekti u kishte thënë që do të qëndronin aty deri në fund të muajit mars. “Ne kemi ardhur këtu që me datë 4 dhjetor, por ka që kanë ardhur edhe më herët. Ndërkohë, në një nga takimet ka qenë edhe prefekti që na ka thënë që do të qëndrojmë deri në fund të marsit, ndërsa tani na thonë që të dalim në mes të dimrit”, shprehen të pakënaqur banorët.

Ata pranojnë se shkak për këtë vendim mund të jenë të bërë edhe disa familje, që kanë përfituar në mënyrë abuzive nga strehimi në hotel, në një kohë që shtëpitë i kanë në rregull. “Me sa duket ne do të digjemi për faj të tyre”, thonë të zemëruar ata.

Banorët e Kurbinit të akomoduar në hotel “Rafaelo”. Foto: Esmeralda Keta

Shumica prej banorëve kanë lëvizur nga ky hotel dhe aktualisht në ambientet e tij kanë mbetur 250 banorë.  Angjelina vjen vërdallë e dëshpëruar në një nga dhomat e katit të dytë të hotel “Rafaelo” në Shëngjin. Përpiqet të ruajë qetësinë e të ushqejë të bijën 10-vjeçare, e cila është e prekur nga sindroma down. Djalin 13-vjeçar e ka të shtruar në spital në Lezhë, pasi i është ftohur teksa udhëton çdo ditë për në shkollë, por që nga mbrëmja e datës 30 janar nuk ka shkuar ta shohë, sepse nuk ka ku të lërë vajzën dhe të shoqin që i vuan nga epilepsia. E gjendur e vetme në mes të këtyre halleve, Angjelina ndihet e humbur dhe e braktisur krejtësisht pas urdhrit nga bashkia e Lezhës për të lënë menjëherë ambientet e hotelit dhe gjetur një banesë me qira.

“Është duke më ik truri, se erdhi bashkia sot e më tha të bëj dorëzimet e të dalim. Ku kam kohë unë të dal të kërkoj për shtëpi me qira? Unë kam dy invalidë që më duan gjatë gjithë ditës te koka, madje as djalin që kam të shtruar në spital nuk kam mundur të shkoj ta shoh që mbrëmë”, thotë Angjelina. “Këta të bashkisë erdhën e na thanë të dalim, po ku të shkoj unë? Vetëm po u mbyta në Drin, se në atë shtëpi nuk kthehem”, i thotë Portës Vendore Angjelina, e cila tregon se shtëpia e saj njëkatëshe në Balldren është e pabanueshme.

Angjelina, gruaja që do të bëj rezistencë për mosdaljen nga hoteli. Foto: Esmeralda Keta

Sipas saj, përfaqësuesi i bashkisë i ka thënë se duhet të dalë me patjetër, të shkojë të qëndrojë një javë tek të afërmit dhe pas një jave t’i shikohet mundësia e gjetjes së një banese nga bashkia. Por ajo ndihet e prerë në besë, ndaj nuk pranon të lërë hotelin pa gjetur më parë shtëpinë. Ajo tregon se ka aplikuar për bonusin e qirasë, por nuk e di nëse ka dalë apo jo. “Më kanë thënë që ka dalë, por unë as nuk kam vajtur ta shikoj. Çfarë do të bëj unë me 140 mijë lekë të vjetra? Për çfarë më duhen ato lekë, kur unë me kaq lekë nuk mund të gjej një shtëpi? Ku do të shkoj unë, me dy invalidë?”, pyet me të drejtë ajo, ndërsa shpërthen në lot.

E vogla i vjen në ndihmë duke u përpjekur t’i fshijë lotët, por pavarësisht doçkave të vogla të Olesias që përpiqet të ledhatojë fytyrën e plakur para kohe të së ëmës, Angjelina ndihet e humbur. “Na kanë thënë se nëse nuk dalim brenda ditës së sotshme, do të na nxjerrin me forcë, por unë nuk kam ku të shkoj! Kështu që nuk kam ndërmend të dal. Le të më gjejnë një shtëpi ata të bashkisë, lekët e bonusit le t’i marrin vetë”, na thotë ajo e cila bën apel që së paku të mund të kujtohen shërbimet sociale dhe t’i japin dhe pagesën e kujdestarisë për të bijën, pasi aktualisht merr vetëm pagesën prej 10 mijë lekësh të reja në muaj për invaliditetin.

“E mora kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreun në telefon, sepse ai e di se në çfarë situate jam unë, por më tha që duhet të dal patjetër. ‘Nëse nuk del do të paguash hotelin’, – më tha ai. Ndërkohë me punonjësit e tjerë të bashkisë përpiqem të lidhem, por nuk ma hap askush telefonin. Unë edhe sikur Edi Rama të vijë, nuk dal pa më thënë se ku të shkoj me dy invalidë që kam për të mbajtur”, thotë e dëshpëruar ajo.

Historitë që dëgjon nga ata që janë prekur thellësisht nga tërmeti, janë të shumta. Por duket se tërmeti nuk i ka kursyer sidomos ato familje si të Angjelinës, ku fija ka qenë më e hollë. Me një mal me halle e probleme, tërësisht e vetme dhe në një sfidë të vazhdueshme social-ekonomike e shëndetësore, ajo përpëlitet të gjejë një zgjidhje.

Në duar mban ilaçet e vajzës, që i ka blerë me para të marra borxh. Ndaj me frikën për jetën dhe forcën e paktë për të vazhduar përpara ajo apelon për ndihmë çdokujt që i afrohet. Në hotel të gjithë e dinë hallin e saj, por banorë të tjerë të prekur, e në të njëjtën situatë si të saj, nuk kanë gjë tjetër për t’i ofruar përveç fjalës së mirë, se gjërat do të ndryshojnë.

Gjin Kola ka ardhur nga Laçi dhe është strehuar në ambientet e hotel “Rafaelo” në Shëngjin që më datë 4 dhjetor. Shtëpia e tij ka dalë e pabanueshme. Ai rrëfen se e kanë marrë në telefon nga Bashkia e Laçit dhe i kanë thënë se familja e tij prej katër anëtarësh duhet të lërë ambientet e këtij hoteli. “Po ku të shkoj. Unë kam shtëpi 4+1, kurse këta më thonë se të takon bonus 126 mijë lekë të vjetra, si 1+1. E çfarë të bëj unë me aq lekë, ku gjendet shtëpi me kaq para? Qiraja e shtëpive në Laç ka shkuar 200 e më shumë mijë lekë në muaj, sepse një pjesë e madhe e shtëpive janë dëmtuar e shumë të tjerë po kërkojnë shtëpi. Kaq banesa ka Laçi”, thotë ai, i vendosur të mos largohet nga hoteli pa iu gjetur një zgjidhje.

Gjin Kola, 50 vjeçari nga Kurbini. Foto: E. Gjerani

Shtëpisë njëkatëshe të Nikolin Nue Kolbuçaj në Torovicë i ka rënë çatia brenda, por njësia administrative i ka thënë se nuk përfiton bonusin qiraje dhe e vetmja gjë që mund t’i ofrojnë është një çadër, që ta ngrejë afër shtëpisë. “E kam babën 90 vjeç, të operuar dy herë e si mund ta çoj unë në çadër?”, thotë Nikolini. Ai shpjegon se atij i ka ardhur njoftimi 10 ditë më parë, por as ka lëvizur dhe as ka ndërmend të lëvizë nga hoteli. “Le të sjellin policinë, kë të duan. Unë nuk dal se nuk kam ku të shkoj, dhe jo se dua të rri këtu, por pa pas shtëpi ne nuk kemi ku të shkojmë”, thotë ai.

Nikelin Kolbuçaj duke folur për Portën Vendore. Foto: Esmeralda Keta

Orari i drekës ka mbaruar e banorët lëvizin gjithandej nëpër të gjithë kompleksin gjigand. Prej dy muajsh këtu, ata janë bërë si të shtëpisë dhe njihen me të gjithë.

Në një prej bareve të kompleksit takojmë dy zonja rreth të 60-ave, Valdeten dhe Valentinën, të dyja komshie në konviktin e Lagjes numër 4 në Laç. Në këto konvikte kanë jetuar 40 familje, dhe pavarësisht kushteve të vështira higjieno-sanitare me vetëm 5-6 tualete në dispozicion të këtyre familjeve, përsëri ato ishin të kënaqura pasi kishin një strehë mbi kokë, ndërsa tani kur këto godina janë shpallur të pabanueshme ato ndjehen fatkeqe dhe në mes të 4 rrugëve, pasi nuk disponojnë letra të rregullta.

“Shtëpitë tona, me letra dore. Që në ditën e parë pas tërmetit na thanë shkoni tek “Rafaelo”, na nxorën me dhunë nga çadra dhe na sollën në hotel. Na thanë do rrini këtu sa të dalë bonusi. Tani na lajmërojnë dilni jashtë. Ku janë lekët, ku janë bonuset? Pa punë, pa të ardhura, unë për vete nuk ia lëshoj dhomën. Nuk do dal fare unë, ça të bëj, ku të shkoj?! Le të vijë policia unë e kam bërë gati shishen e benzinës në dhomë, bashkë me dy fëmijët e djalit. Jemi dy kurora në shtëpi, ku të shkoj, ku të mbytem?!”tha për Portën Vendore Valdetja, një tjetër banore që ka zgjedhur rrugën e rezistencës.

Valdete Kodra, ish banore e Konviktit në Laç. Foto: E.Gjerani

Ndërsa Valentina tregon se lajmin e largimit nga hoteli ka ardhur t’ia komunikojë vetë Kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara. E pafuqishme për të luftuar me “mullinjtë e erës”, ajo nuk e shikon si zgjidhje rezistencën, ndaj është duke bërë gati valixhen që të dalë pa ditur ende se ku do të shkojë së bashku me bashkëshortin.

 “Kemi 20 vite që jetojmë te konvikti në Laç. Ne ia kemi blerë dikujt atë banesë, pavarësisht se jemi pa letra, si do bëjmë. Unë kam rritur 3 fëmijë aty. Po të mos ndodhte tërmeti, s’do na nxirrnin nga aty. Tani që po na nxjerrin, të na e paguajnë bonusin e qirasë se me ato çmime që janë shtëpitë me qira tani ne nuk mund ta përballojmë dot. Por përsëri shteti është shtet, dhe nëse ai do, e bën një gjë ose një tjetër. Meqë ata kanë lajmëruar se do dalim s’do qëndrojmë me zor, se s’duam të merremi me polici e kësilloj gjërash”, tha Valentina Murati, e cila vuan nga një deformim i rëndë i shtyllës kurrizore.

Valentina Murati, ish banore e Konviktit në Laç. Foto: E.Gjerani

Për përfaqësuesit e hotel “Rafaelo” gjithçka është në dorë të pushtetit lokal. “Ne nuk dimë asgjë, thjesht zbatojmë vendimet që ata kanë marrë. Ne e hapëm fillimisht hotelin për solidarizim dhe më pas na u kërkua ndihmë që t’i strehonim”, na thotë njëri prej menaxherëve të “Rafaelo”.

Sipas tij, çdo banor i strehuar në këto ambiente i ka kushtuar buxhetit të shtetit 1200 lekë strehim dhe 800 lekë ushqim të tre vaktet. “Çdo ditë vijnë përfaqësuesit e pushtetit që mbajnë shënim se sa prej personave flenë në hotel dhe sa prej tyre hanë vaktet dhe sa vakte konsumojnë. Në total është llogaritur një kosto prej 2000 lekësh në ditë për person”, na shpjegon ai, duke nënvizuar se dyshon shumë që hoteli të bëhet gati për sezonin e ri turistik, pasi ka pësuar shumë dëme materiale nga pakujdesia e banorëve të akomoduar.

Kompleksi “Rafaelo”, i populluar me 250 persona aktualisht. Foto: E. Gjerani

“Edhe pse dëmet janë të shumta këtu, përsëri nga ana njerëzore ndjehem shumë keq, kur shikoj familje me njerëz të sëmurë ose me fëmijë që ende nuk kanë gjetur një shtëpi me qira, por që bashkitë respektive po i detyrojnë të dalin. Këta për mua janë ata që po digjen kot dhe janë të pashpresë, siç ka edhe shumë të tjerë që kanë përfituar nga kjo situatë emergjence”, tha Klajdi menaxheri i resort “Rafaelos” në Shëngjin.

Rikthimi i banorëve në Torovicë

Në 7 pallatet e viteve ‘70 në Torovicë ka nisur rikthimi i banorëve. Pas dy muajsh qëndrimi në hotelet e Shëngjinit, ata janë telefonuar në datën 28 janar nga Bashkia Lezhë duke u njoftuar se duhet të lënë hotelet e të rikthehen pranë shtëpive të tyre të banueshme.

Pallatet e dëmtuar nga tërmeti në Torovicë. Foto: E. Gjerani

Valbona, është banorja e parë që është rikthyer në pallatin numër 5 që ndodhet pranë shkollës 9 vjeçare të Torovicës.

“Në paçit dëshirë me ik, ikni mos rrezikoni. Qëndruam 2 muaj në hotel. Para 3 ditësh na morën në telefon nga Bashkia Lezhë dhe na thanë dilni nga hoteli e shkoni nëpër shtëpitë tuaja se janë të banueshme pallatet. Shkuam tek zyra me 1 ndalesë, dhe aty na thanë që s’kishin asnjë informacion mbi këtë fakt” tregon ajo.

Plasaritjet nga tërmeti në shtëpinë e Valbonës. Foto: E.Gjerani

Mes frikës e tmerrit nga tërmeti i përjetuar, gjurmët e të cilit duken kudo nëpër pallat, banorët e këtyre pallateve po përpiqen t’i rikthehen jetës, me shpresën që nuk do të kenë të njëjtin fat të keq si ata të Thumanës.

“Kur u rikthyem menduam epo dy muaj do kenë bërë diçka për të na rikonstruktuar çarjet e plasaritjet e mëdha të pallatit, brenda dhe jashtë. Kur pashë gjendjen që asgjë s’kishte ndodhur u demoralizuam shumë. Tani na kanë thënë te bashkia që duhet të mblidhemi të gjithë banorët e pallatit që të bëjmë një kërkesë që të vijë më pas ekipi i bashkisë ta suvatojë e rregullojë pallatin”, tha Valbona, banore e katit të dytë.

Me gjithë kërkesat e tyre të njëpasnjëshme, Bashkia Lezhë nuk ka mundur të lëshojë një shkresë zyrtare për banorët e këtyre pallateve nëse janë apo jo të banueshme, ndaj banorët kërkojnë siguri për jetën e tyre dhe të fëmijëve. “Shkuam kërkuam letër me shkrim për këtë vendim të bashkisë, meqë i ka shpallur të banueshëm pallatet tani, që të paktën ta ketë shteti përsipër jetën tonë, nëse na ndodh diçka. Tani që jemi kthyer jetojmë me frikë të madhe, kalamajtë flenë të veshur me xhupa e atlete që të vrapojnë drejt derës nëse bie ndonjë tërmet tjetër”, tha Sorela Cara, një tjetër banore e rikthyer vetëm këto dy ditët e fundit në Torovicë.

Sorela Cara teksa tregon të çarat nga tërmeti i 26 nëntorit. Foto: E. Gjerani

Institucionet “nuk lëkunden” nga afati

Porta Vendore kontaktoi të 3 bashkitë e përfshira në këtë situatë. Të vendosura t’i shkojnë deri në fund afateve të reja të përcaktuara, ata nuk pranuan të kishte një kontratë midis bashkisë dhe vetë bizneseve që kanë akomoduar banorët e prekur nga tërmeti, duke ia kaluar topin Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit.

“Banorët po dalin nga hotelet sepse një pjesë kanë përfituar bonusin e qirasë, një pjesë e pallateve dhe shtëpive kanë dalë të banueshme në inspektimin e dytë kryer nga ana e bashkisë. 17 familje nga Torovica nuk kanë aplikuar për bonus qiraje dhe ndaj ne i kemi inkurajuar të gjithë familjet që nuk e kanë aplikuar e që ndodhen në hotelet e Shëngjinit të aplikojnë sa më shpejt. Maksimumi deri në datën 3-4 shkurt edhe në hotelet e Shëngjinit nuk do të ketë më banorë të Lezhës”, tha Ermal Pacaj, nënkryetar i Bashkisë Lezhë, për Portën Vendore.

Në sajë të vëzhgimit të kryer nga Porta Vendore, duket se familjet që janë më të pakta në numër, rezultojnë nga zona e Thumanës. I kontaktuar nga Porta Vendore nëpërmjet telefonit, zëdhënësi i Bashkisë Krujë, tha: “Vetëm 3 familje janë tek hotel ‘Rafaelo’ në Shëngjin, për shkak se nuk kanë aplikuar ende për bonus qiraje, ndërsa 1450 familje të tjera e kanë përfituar atë”.

Ndërsa burime zyrtare nga Bashkia Kurbin i tha Portës Vendore se; “Bonuset e qirave janë miratuar në Këshill Bashkiak dhe një pjesë e tyre ka kaluar nëpër llogaritë bankare të familjeve të prekura nga tërmeti i datës 26 nëntor, teksa pjesa tjetër po kalon nëpërmjet thesarit dhe nuk ka shumë vonesë”.

Në këtë situatë kaotike, disa banorë janë rikthyer të jetojnë në banesat e mëparshme, vetëm me një telefonatë se ato kanë dalë të banueshme, por që nuk kanë marrë një vendim me letër në dorë; shumë të tjerë kanë frikë të kthehen ose janë në pritje të miratimit të bonusit të qirasë; e disa kanë përfituar nga bonusi i qirasë por që për shkak të çmimeve të larta në tregun imobiliar nuk kanë gjetur një banesë, ndërkohë që institucionet e pushtetit vendor nuk kanë ndërmend ta tolerojnë këtë target-grup, duke paralajmëruar kështu një krizë dhe më të madhe pas tërmetit të 26 nëntorit.

Rreth autorit:
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa media kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.

Esmeralda Keta është gazetare e çështjeve sociale në Tiranë.