Ngjarje/Personazhe

Afatet për qëndrimin në hotele po përfundojnë, banorët e Durrësit të prekur nga tërmeti dalin në rrugë

30 janar 2020/Vali Qyrfyçi/Porta Vendore/ Durrës

Shumë familje të prekura nga tërmeti dhe që po qëndrojnë në hotelet që hapën dyert për ta menjëherë pas fatkeqësisë natyrore, po përballen me vështirësi të shumta për të marrë një zgjidhje për vazhdimësinë e strehimit të tyre. Teksa afati i largimit të tyre nga hotelet akomoduese është shtyrë nga qeveria shqiptare nga 3 janari në 31 mars 2020.

3 janari ishte afati i parë dhënë nga qeveria që familjet e dëmtuara nga tërmeti të largoheshin nga hotelet. Kryesisht familjet e pastreha, të cilave iu dëmtuan banesat me qira nga tërmeti. Ndërkohë një vendim tjetër i Këshillit të Ministrave ka përcaktuar 31 marsin 2020, si afat të fundit të qëndrimit në hotele për ata familje që kanë mbetur në to.

“Po jetojmë rrugëve. Kemi marrë borxh. Na lanë disa ditë në hotel në Golem dhe na nxorën jashtë. Dhanë urdhër që të dalim se nuk ka më fonde shteti. Ku i çon fondet shteti? Nuk na kanë dhënë as bonus qiraje. Nuk mund të qëndronim me forcë. Unë jam banore e pallatit që u shemb me shpërthim të kontrolluar në Shkozet dhe ndërsa të tjerëve iu miratua aplikimi për bonus, ne nuk na morën parasysh. Në sistem pallati i shembur figuronte ‘i banueshëm’. Ironi e fatit, apo tallje e hapur me ne që mbetëm në qiell të hapur. Përveç traumës nga tërmeti, u përballëm me situatat e krijuara më pas që e rënduan gjendjen tonë”, tregon përvojën e saj të hidhur një nga banoret e ish-pallatit 458 në lagjen 14 të Durrësit, pallat i ndërtuar para vitit 1990, po me struktura të dëmtuara nga ndërhyrja për zgjerimin e hapësirës për biznese në katet e para.

Ish banor i pallatit 458 në lagjen 14 të Durrësit, duke parë inertet e mbetura nga ndërhyrja e IKMT-së

Anita, një tjetër grua e re dhe nënë e dy fëmijëve të mitur, më të voglën të sëmurë, e kanë nxjerrë nga hoteli bashkë me familjen. “I mbijetoi” 3 janarit, falë bujarisë së pronarëve të hotelit në Golem, ku qëndroi dhe pas afatit zyrtar të 3 janarit. Po dhe bujaria një ditë përfundoi dhe Anita doli në rrugë bashkë me familjen e saj dhe me të vetmen shpresë se zëri i saj do të dëgjohej diku, përmes medias. Në Bashkinë e Kavajës, i treguan derën.

“Më thanë që nuk përfitoj bonus, pasi kam qenë më parë me qira, por pas tërmetit unë ngela dhe papunë. Isha sanitare te një restorant këtu në Golem. Fëmijën e vogël e kam 2 vjeç dhe të sëmurë. Gjeta një shtëpi në Golem, kur dolëm nga hoteli, po na nxorën shpejt nga aty, kur kuptuan se s’mund të paguanim paradhënie qiranë. Nuk mund të gjejmë shtëpi me qira në vlerën e para tërmetit. Nuk ka më, ndërsa me tërmetin humba dhe punën. Burri punon me ditë, ku të gjejë. Kjo qenka dhe më keq se tërmeti. Ditë më të vështira nuk paska. Kam përfunduar në Kamëz te njerëzit e mi, por deri kur?!”, shprehet ajo.

3 janari 2020, ishte një moment kritik, jo vetëm për familjet, por edhe për vetë menaxherët e hoteleve që mbajnë të dëmtuarit nga tërmeti. “3 janari ishte afati i fundit i vendosur nga qeveria për qëndrimin ne hotele të familjeve që kanë qenë me qira para rënies së tërmetit të 26 nëntorit. Listat e personave që do vijonin të qëndronin në hotel mbërritën pa emrat e tyre. Po a mund të nxirrnim në rrugë njerëzit, në ditën e tretë të vitit të ri?!”, tregon Romina Koçllari, menaxhere e një prej hoteleve pritëse.

E pyetur nga Porta Vendore për situatën në hotele, Bashkia Durrës bën të ditur se aktualisht, në hotele ndodhen 1257 persona, por kjo shifër përditësohet vazhdimisht dhe do të vijë çdo ditë në rënie, pasi zgjidhja do të jepet përmes lëvrimit të bonusit të qirasë për familjet e dëmtuara nga tërmeti, ndërsa numri i familjeve që kanë mbetur ende në hotel nga ata që kanë jetuar me qira përpara tërmetit është shumë i vogël. “Kjo kategori nuk përfiton nga bonusi i qirasë”, thekson kryetari i Bashkisë Zhyljen Varfaj.

Nga 14 hotele që patën lidhur kontratën me Ministrinë e Turizmit për mbajtjen dhe trajtimin e familjeve të dëmtuara nga tërmeti kanë mbetur 8. Dyert për familjet e dëmtuara kanë mbetur të hapura falë kontratave me qeverinë në hotelet “Kolaveri”, “Fafa Premium”, “Bonita”, “Dolce Vita”, “Diamma”, “As/Ibisa”, “Vala” dhe “Aragosta”. Familjet e mbetura duhet të gjejnë një zgjidhje deri më 31 mars, pas kësaj date pavarësisht rrethanave ato duhet të largohen nga hotelet.

Tronditja e tregut të pasurive të paluajtshme, reagon Bashkia

Goditja e fortë që mori tregu formal dhe ai informal i pasurive të paluajtshme në zonat e prekura nga tërmeti e ka vështirësuar shumë gjetjen e një banese me qira që të përmbushë pritshmërinë e numrit të lartë të kërkuesve për to. Tregu imobiliar ka pësuar çmimë të larta, dhe ndërkohë frika i ka bërë njerëzit të kërkojnë për katet e ulëta të pallateve të padëmtuara nga tërmeti, ose shtëpitë një-dykatëshe. Në përgjigje të shqetësimit të ngritur nga qytetarët dhe në përgjigje të interesit të Portës Vendore, Bashkia Durrës sqaron se me gjithë ngarkesën e madhe të shkaktuar nga gjendja e jashtëzakonshme që vazhdon në territorin e administruar prej saj, bashkia është përfshirë në njohjen e tregut dhe bashkëpunimin me operatorët imobiliar për të lehtësuar gjetjen e banesave me qira nga qytetarët. “Personat që kanë aplikuar për bonusin e qirasë, në momentin që paratë u kalojnë në llogari bankare, atëherë duhet të largohen nga hoteli dhe të strehohen në shtëpi me qira, sepse nuk mund të përfitojnë nga 2 skema njëherësh. Bashkia e Durrësit ka mbledhur informacion nga agjenci të ndryshme imobiliare, por edhe administratorë pallatesh për shtëpi me qira të lira me qëllim që t’i sugjerojë qytetarëve opsione, mundësi nëse nuk kanë gjetur vetë. Megjithatë nga pyetësorët e bërë së fundmi në hotele, pjesa dërrmuese e personave e ka gjetur alternativën se ku do të strehohet me qira” , thanë zyrtarët e Bashkisë Durrës për Portën Vendore.

Njoftimet e afishuara nëpër rrugët e Durrësit

Aplikimet për bonus qiraje dhe dokumentacioni i kërkuar

E ndërsa i gjithë procesi i qëndrimit në hotele duhet të përfundojë brenda 31 marsit 2020, kohë kur hotelet pritëse do të nisin dhe përgatitjet për sezonin turistik, në zonat rurale të Durrësit jetojnë në çadra 589 familje, ose 2387 persona. Edhe këtyre familjeve u njihet gjithashtu e drejta për të aplikuar pranë bashkisë për bonus qiraje, po pak prej tyre e kanë bërë. Ndërkohë mjaft qytetarë në proces aplikimi, apo dhe të tjerë që janë në listat e miratuara nga Këshilli Bashkiak për bonus përballen me kërkesa për dokumentacione shtesë, që krijojnë pasiguri dhe pakënaqësi te të dëmtuarit nga tërmeti mbi procesin dhe ecejaket e kostot që duhet të bëjnë për plotësimin e tyre. Kështu, krahas formularit të strehimit që u duhet qytetarëve të plotësojnë, të shoqëruar dhe me fotokopjen e kartës së identitetit të kryefamiljarit dhe vërtetimin që godina/banesa e tyre është shpallur e pabanueshme, që lëshohet nga njësia vendore, aplikuesve u kërkohet të plotësojnë dhe një kontratë–qiraje tip nga bashkia, e cila nuk është e detyrueshme, por u diktohet në çastin që paraqiten në sportele për aplikim. Në jo pak raste u është kërkuar dhe libreza e OSHEE-së, apo certifikata e pronësisë, ndonëse asnjë nga këto nuk përfshihet në dokumentet e detyrueshme.

Në Bashkinë e Durrësit, lidhur me këto shqetësime qytetare, sqarojnë se libreza e OSHEE-së ose certifikata e pronësisë janë kërkuar vetëm në rastet kur ka pasur paqartësi në lidhje me vendndodhjen e banesës së dëmtuar, apo pronësinë e saj, ndërkohë që kontrata tip e qirasë 1-vjeçare kërkohet si element shtesë dhe pse kjo vlerësohet nga shumë qytetarë si një dokument që shton përgjegjësinë dhe detyrimet në raport me qiradhënësin, identitetin e tij, ndërkohë që një pjesë e tyre kanë gjetur banesa me qira për periudha më afatshkurtra apo po qëndrojnë dhe te të afërm të tyre kundrejt pagesës apo shërbimeve të tjera mirëmbajtjeje në favor të banesave ku janë vendosur. Një tjetër problem është lëvrimi i bonusit të qirasë. Të gjithë ata që janë në listat e miratuara ankohen se nuk kanë përfituar ende bonusin, deri në momentin e hartimit të këtij shkrimi, ndërkohë që jemi në fund të muajit janar. Një pjesë e tyre, kryesisht pensionistë dhe të papunë, apo të papërgatitur për shpenzimet për strehim për shkak të pagave të vogla, po përballen dhe me presionin e qiradhënësve për të dalë nga banesat me qira për shkak të mospagesës së muajve dhjetor-janar.

“Nga listat paraprake me 3863 emra, 2100 prej tyre kanë kaluar për likuidim në drejtorinë ekonomike. Ndërkaq vijon shqyrtimi i dokumentacionit për pjesën tjetër të mbetur të këtyre listave. Ky është një proces i vazhdueshëm që përditësohet, ndërkohë vijojnë aplikimet e reja.” bën të ditur Bashkia Durrës, e cila sqaron se nuk ka një afat përfundimtar për mbylljen e aplikimeve për bonus qiraje.

Rreth autorit:
Vali Qyrfyci është korrespondente e TCH për Durrësin.