Vëzhgim/Analizë

Banorët “injorojnë” 30 janarin për depozitat e ujit, ekspertët kundër: Pasoja të rënda, të shtyhet afati

28 janar 2020/ Elisa Gjerani/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore/ Tiranë

Vendimi i këshillit bashkiak Tiranë për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e pallate, ka filluar të sjellë përplasje mes punonjësve të bashkisë dhe qytetarëve, dhe që po përshkallëzohet nga dita në ditë, me afrimin e afatit përfundimtar të 30 janarit. Banorët e Tiranës kërkojnë një zgjidhje, jo vetëm për shkak të kohës së shkurtër që u është lënë në dispozicion, por dhe për faktin se ata nuk furnizohen më shumë se 6 orë ujë në ditë, pavarësisht se kryebashkiaku Veliaj pretendon se Tirana furnizohet me 14 orë ujë në ditë.

Më 16 dhjetor 2019, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi një vendim për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve, ku ndër të tjera deklarohej se për pallatet e dëmtuara nga tërmeti, Bashkia e Tiranës do të hiqte të gjitha depozitat nga tarraca. Ndërsa për pallatet e tjera që nuk janë dëmtuar nga tërmeti, Bashkia e Tiranës dha afat deri më 30 janar 2020 që banorët t’i heqin vetë, dhe e vetmja ndihmë që ofroi ishte dhënia e një leje të përshpejtuar për ndërtimin e një depozite të përbashkët në bodrumet ose në hapësirat e përbashkëta të parkimit. Me këtë vendim, Bashkia e Tiranës deklaroi se nëse këto masa nuk merren deri më 30 janar 2020, atëherë do të ndërhyjë vetë për heqjen e tyre nga tarracat e pallateve. Sipas vendimit, depozitat e ujit do të lejohen në tarracat e pallateve vetëm pas hartimit të raportit të përgatitur nga ekspertë të licencuar në fushën e ndërtimit që vërteton se konstruksioni mbajtës i tarracës, dhe i godinës në tërësi, lejon vendosjen e tyre në tarracat e përbashkëta, dhe vetëm pasi të jetë marrë pëlqimi i shumicës së asamblesë së bashkëpronarëve.

Menjëherë pas 16 dhjetorit, kur u mor vendimi i këshillit bashkiak, policia bashkiake, në bashkëpunim me strukturat e tjera të bashkisë nisën punën për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, siç tregohet dhe nga fotot e siguruara nga Porta Vendore. Aksioni për heqjen e tyre prek mbi 1500 pallate të ndërtuara para viteve 90’ në Tiranë. Por ashtu siç paralajmëroi edhe Kryetari i Bashkisë Tiranë, aksioni për heqjen e tyre nisi nga Kombinati, ku qindra depozita u hoqën nga pallatet e shpallura të pabanueshme.

Foto nga aksioni i policisë bashkiake për heqjen e depozitave në Kombinat.

Banorët, në alarm për afatin

Me vendim të Këshillit Bashkiak, 30 janari është afati i fundit për heqjen e depozitave vullnetarisht. Sipas banorëve, afati i vendosur në dispozicion është i pakët dhe nga ana tjetër nuk mund të bëjnë çdo gjë me financat e tyre, pasi e gjitha kjo kushton.
“Këtu në tarracën tonë ka pasur familje edhe me dy depozita. Disa i kanë hequr vetë duke i vendosur në dritare e ballkonet e tyre, ka edhe nga ata që i kanë futur në tualet brenda. Kjo është nja masë shumë e madhe, nuk jam kundra heqjes por ama jo të mbesim pa ujë fare. Jemi familjarë, na duhet uji për tu larë e për tu shpëlarë. Me 3 orë në ditë që na vjen uji do t’i bëjmë të gjitha këto?! Po jemi njerëz nuk jemi kafshë. Jam shumë e shqetësuar për këtë situatë, se si do të shkoj kjo puna jonë”,tha nënë Esmaja, banore në zonën e Stacionit të Trenit.

“Unë e kam hequr depozitën fare pas bisedës me banorët e tjerë të pallatit, kjo pasi vlera që duhet për një depozitë të madhe të përbashkët është e papërballueshme nga ne. Pres atë ujin aq sa vjen nga 4-5 orë në ditë dhe qëndroj në gatishmëri për të mbushur enët. Shpresojmë që bashkia vë dorën në zemër e na sjell më shumë ujë”, tha Shaqja banore e një prej pallateve të para viteve 90’në zonën e ish stacionit të fundit të Tiranës së Re.

“Nuk kemi rënë dakord për një vendim, ka shumë zëra pro dhe kundra në pallat. Plus që koha për ta diskutuar edhe menduar zgjidhjen më adekuate është e pakët, pasi jo gjithmonë bëhemi të gjithë banorët ngaqë jemi në punë, kështu që është lënë pak në hije këtu në pallatin tonë kjo situatë, pa mundur dot të caktojmë do bëjmë një depozitë të përbashkët, do marrim ekspertin ta vlerësojë njëherë tarracën apo do i çojmë depozitat në bodrumin e pallatit”, tha Tika, banore e një prej pallateve në “Myslym Shyri”.

“Mendoj se bashkia duhet të shtyjë afatin, pasi se i kanë hequr një ose dy pallate, kjo s’do të thotë se ne të tjerët jemi gati. Po s’e shtyu le të vijë të na i heqë, nuk kemi çfarë zgjidhje të gjejmë në një kohë kaq të shkurtër”, tha Shaqja, banore tek pallatet e para viteve 90’në rrugën e Barrikadave.

“Unë jam parukiere, kam një parukeri lagjeje, nëse me heqin depozitën unë kam mbaruar punë me biznesin, pasi uji është jetik për mua, e s’mund të bëj dot pa të, por në pallatin tim, banorët nuk kanë rënë dakord të investojnë për një depozitë të përbashkët. Edhe unë që do ta bëja, do ta bëja nga lekët e mia, megjithëse e ka për detyrim pronari i dyqanit”, tha Bjana, e cila ka një parukeri në zonën e “Ali Demit’’.

Për banorët që kanë rënë në dakordësi me njëri-tjetrin, nuk është dashur shumë punë që të kontraktojnë një firmë ndërtimi dhe t’ia nisim nga ndërtimi i një depozite të përbashkët. Vlera mesatare e këtij investimi sipas banorëve të Komunës së Parisit shkon deri në 600 mijë lekë të reja.

“U detyruam t’i hiqnim me vullnetin tonë, pa ardhur puna që të vinin ata të bashkisë edhe të rrezikonim të mbesnim pa ujë. Jemi 30 familje dhe të gjithë investuam për një depozitë të përbashkët, ashtu sikurse e kanë pallatet e reja. Na shkoi në fakt pak si shumë, se nga 20 mijë lekë të reja për familje të vrasin, sidomos ata që janë me një rrogë ose pensionistë, por ama është një investim afatgjatë, dhe ne këtë e kuptuam të gjithë ndaj nuk pati asnjë kundërshti nga banorët. Mund të jemi nga të parët që e kemi hequr depozitën nga tarraca, megjithëse ajo rezulton e padëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit”, tha Arben Stroka, një banor i Komunës së Parisit.

Takime të tensionuara

Në muajin janar 2020, specialistë të bashkisë ndërmorën takime me asambletë e bashkëpronarëve për t’u shpjeguar vendimin e marrë nga Bashkia e Tiranës. Porta Vendore vëzhgoi disa nga këto takime, ku dolën dhe shumë probleme që banorët kanë dëshirë t’i thonë, por shpesh herë nuk kanë si t’i adresojnë në vendin e duhur. Në këto takime pati përplasje verbale mes banorëve dhe përfaqësuesve të bashkisë për disa arsye. Një nga problemet e ngritura nga banorët ishte çështja e mungesës së ujit. Gjatë një takimi të përfaqësuesve të bashkisë me banorët në zonën e Pazarit të Ri, e cila njihet për pallatet e shumta që kanë në tarracat e tyre depozita uji, banorët ngritën pretendimin se ata furnizohen vetëm 6 orë në ditë me ujë, ndryshe nga sa deklaron Kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj se Tirana ka 14 orë ujë në ditë. Në këto kushte, banorët i kanë të domosdoshme depozitat, sidomos ato familje që kanë fëmijë të vegjël dhe të moshuar. Një tjetër problem i ngritur nga takimet e banorëve, ishte fakti se ku t’i vendosin në hapësira të përbashkëta. Në një pallat pranë ish-ATSH-së, banorët kanë vendosur që depozitat e ujit t’i vendosin në hapësirën para pallatit, por zhurma e shkaktuar nga pompat e ujit janë bërë të padurueshme nga banorët e kateve të para, pasi ato nuk janë vendosur në vende të izoluara. Një tjetër shqetësim është dhe çmimi i lartë për depozitat e përbashkëta, ndërkohë që barra e kostos bie ndaj atyre familjeve që pranojnë të paguajnë, pasi shumë të tjera nuk paguajnë, ndërsa përfitues me depozitat e përbashkëta janë të gjithë banorët e pallatit. Sipas banorëve të një pallati në rrugën “Vllazën Huta”, aty ndodhen tre shkallë, me rreth 36 apartamente.
“Ne kemi bodrumin e pallatit, ku mund të vendoset një depozitë e përbashkët uji, por kostoja për ndërtimin e saj është rreth 5 mijë euro. Nëse të gjitha familjet do të pranonin të paguanin, kostoja do binte rreth 140 euro për familje. Kjo nuk është një vlerë e madhe për familjen time, por pothuajse 2/3 e pallatit nuk pranojnë të paguajnë. Në të tria shkallët bëhen vetëm 12 familje në total që pranojnë të paguajnë për ndërtimin e një depozite të përbashkët uji, kësisoj kosto personale rritet nga 140 euro në 415 euro, një vlerë tejet e lartë për ne”, u shpreh një nga banorët në takimin me përfaqësuesit e bashkisë, të cilët premtuan se bashkia merrte përsipër t’i ndihmonte në disa punime që kryhen nga punonjësit e ujësjellësit, por vetëm kaq. Megjithatë edhe kjo ndihmë duket se nuk do të vijë kurrë.

“Pas takimit që patëm me përfaqësuesit e bashkisë, ata na thanë se për 2-3 ditë do të na japin një përgjigje për ndihmën që mund të ofrojnë, duke qenë se shumë banorë nuk pranojnë të paguajnë koston dhe përfitues do të jenë si ne që do e paguajmë. Por, kaloi një javë dhe ata nuk u dukën më. Në vend të tyre na erdhi një tjetër shkresë e ngjitur tinëzisht në katin e parë të pallatit, ku deklarohet se vetëm keni afat që t’i hiqni depozitat deri më 30 janar. Unë mendoj se kjo do të sjellë përplasje të mëdha qytetare. Edhe pse mua më bëhet mirë që do hiqen depozitat, pasi ndodhem në katin e fundit të pallatit dhe shpesh herë kam pasur dëmtime për shkak të tyre dhe asnjë nga banorët e pallatit nuk më është përgjigjur për shpenzimet, sërish mendoj se zgjidhja duhet të ishte menduar më afatgjatë dhe duhet të kishte një ndihmë nga bashkia, pikërisht për këto raste, ku banorët nuk pranojnë të fusin dorën në xhep”, shprehet Bardha një tjetër banore e irrituar, e cila ka zhvilluar takimin me përfaqësuesit e bashkisë, pa marrë asnjë zgjidhje.

Emigrimi i banorëve
Por veç faktit se disa banorë nuk pranojnë të paguajnë ka dhe nga ato raste, ku pothuajse gjysma e banorëve të pallatit ndodhen në emigrim, ndërsa kostoja për depozitat e përbashkëta u bie atyre që jetojnë ende në Tiranë. “Ata i kanë mbyllur shtëpitë dhe vijnë një herë në vit. Ku t’i gjejmë ne që të mbledhim paratë për të ndërtuar depozitën e përbashkët në një kohë kaq të shkurtër. Bashkia duhet të jepte një afat më të madh kohor dhe jo vetëm të mendojë të përfitojë nga një fatkeqësi natyrore për të plotësuar zotimet e veta. E them këtë se në vitin 2017, Veliaj deklaroi se do i hiqte depozitat nga tarracat e pallateve brenda 5 viteve. Tashmë, përfitoi nga situata e krijuar nga tërmeti për të realizuar zotimin e tij. Jam dakord që depozitat e ujit duhet të hiqen nga tarracat e pallateve, por jo në këtë mënyrë. Unë e kuptoj se këto janë investime të përbashkëta të komunitetit dhe ne nuk e pyetëm Bashkinë kur i vendosëm depozitat e ujit në tarraca, por bashkia ka detyrimin e saj që të na furnizojë me ujë, të paktën 14 apo 16 orë, siç shprehet Veliaj, pasi e ndryshon në dalje të ndryshme publike, e pastaj të na kërkojë që edhe ne të heqim depozitat”, shprehet një burrë, i cili punon si shofer në një kompani private dhe që me nxitim ka ardhur në takimin me përfaqësuesit e bashkisë.

Administratorët e pallateve
Një tjetër çështje e ngritur është dhe mungesa e administratorëve të pallateve, të cilët janë pikërisht personat që duhet të ishin përgjegjës për këtë situatë të krijuar. Në shumë pallate të vjetra nuk është zgjedhur apo caktuar një administrator, dhe kjo për shkak të kostos që vjen nga numri i vogël i hyrjeve në administrim. Një administrator kryesisht vendoset për një shkallë, ose duhet miratimi i asamblesë së banorëve për të gjitha shkallët e pallatit që të vendoset një administrator i përbashkët. Në këto kushte, numri i banesave në një shkallë të një pallati të vjetër është 10-15 banesa. Me një numër kaq të ulët, kostoja e një familje për administratorin është pothuajse pesë herë më e madhe se në një pallat të ri. Kjo ka bërë që shumë pallate të vjetra nuk kanë kontraktuar një administrator, i cili në rastin e heqjes së depozitave të ujit është personi që duhet të organizonte punën që nga marrja e lejes për një depozitë të përbashkët, apo mbledhja e tarifave të banorëve.

Eksperti: Vendimi do ketë pasoja
Sipas ekspertit të pushtetit vendor, Fatlum Nurja, ky vendim mund të ketë pasoja dhe afati i shkurtër që është dhënë lë një shije të keqe sa i përket kapaciteteve planifikuese dhe vendimmarrëse të bashkisë. “Një vendim me efekte në një kohë të shkurtër është absurd. Depozita ka ardhur si një nevojë për të akumuluar ujë gjatë natës, pasi ujësjellësi i Tiranës nuk ka kapacitet të furnizojë. Shërbimi i furnizimit me ujë, për mendimin tim përveçse është sensitive dhe shumë i rëndësishëm, do investime të konsiderueshme dhe të shtrira në kohë që të stabilizohet, kështu që një vendim i tillë më jep një shije të keqe sa i përket kapaciteteve planifikuese dhe vendimmarrëse të bashkisë”, shprehet Nurja.

Ditët afrojnë, depozitat nuk hiqen…

E ndërsa kjo nismë e bashkisë karakterizohet nga të gjitha këto probleme të lartpërmendura, 30 janari po vjen, ndërkohë që shumë pallate vazhdojnë të kenë depozitat e ujit në tarracat e tyre dhe askush nuk po ndërmerr veprime për t’i larguar ato. Më 25 janar 2019, Porta Vendore ndërmori një vëzhgim nëpër Tiranë, kryesisht brenda dhe rreth Unazës ku janë të ndërtuara më së shumti pallatet e vjetra, të cilat datojnë para viteve ’90. Pothuajse në asnjë pallat nuk është lëvizur asnjë depozitë nga tarracat e tyre, ndërkohë që banorët shprehen se presin të vijnë specialistët e bashkisë për të diskutuar sesi do zgjidhet ky problem. Një grua e moshuar pranë sheshi Rilindja, “Zogu i Zi”, shprehet se askush nuk ka ardhur për t’u interesuar.
“Si mund ta heq vetë depozitën dhe të gjej vend për depozitë të përbashkët. Ne nuk kemi administrator pallati, banorët nuk bëhen në një mendje as për pastruesen e pallatit, jo më për investime më të mëdha. Por dhe mundësinë për të paguar shumë para nuk kam, pasi jam pensioniste. Se si do të vejë halli im nuk e di. Shpresoj që një ditë të vijnë këta të bashkisë të na orientojnë dhe të na japin një ndihmë se dhe pa ujë nuk do rrimë”, shprehet ajo. Ndërsa një zotëri pranë lulishtes “1 Maji” shpjegon se kostoja për ndërtimin e një depozite të përbashkët është shumë e lartë. “Ne u interesuam si banorë, por shumë veta nuk e paguajnë. Tani ta paguajnë 2-3 për 10 sikur nuk shkon, do të detyrohem të fus depozitën e ujit në shtëpi se nuk do paguaj paratë për të gjithë banorët, ndërsa bashkia nuk jep asnjë ndihmë”, shprehet ai.
E kontaktuar nga Porta Vendore për të dhënë një prononcim në lidhje me këtë situatë të krijuar dhe nëse do të ketë në këto kushte një shtyrje të afatit për heqjen e depozitave, Bashkia Tiranë nuk dha një përgjigje. Drejtori i emergjencave në bashki, Erind Bejko, i pyetur nga Porta Vendore nuk dha një përgjigje se si po shkonte ky proces në terren, megjithëse më herët në një prononcim për mediat ai tha se: “Deri në 30 janar banorët duhet të gjejnë një zgjidhje për depozitat e ujit. Ka 3 opsione, një opsion është që banorët të kontraktojnë një ekspert dhe nëse tarraca është e fortë ato mbeten në tarracë, opsioni i dytë është vendstrehimet e nëndhenshme në tokë që mund të përshtaten si venddepozitim për ujin, dhe opsioni i tretë është në oborrin e pallatit, mund të zënë një vend tek shkallët ose në vendparkimet përpara pallatit. Është momenti i duhur që banorët të zgjedhin administratorin e pallatit”, tha ai.
Burime nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, i thanë Portës Vendore se në datën 30 janar ashtu sikurse edhe është parashikuar do të nisë aksioni për heqjen e depozitave, në bashkëpunim edhe me policinë bashkiake, në të gjithë pallatet që nuk kanë marrë një vendim për zhvendosjen e tyre.

Megjithatë, eksperti Nurja mendon se duhet të ketë patjetër një shtyrje afati. “Shtyrja afatit do bëhet se s’bën se nuk është një shërbim luksi…që edhe mund të presësh përmirësimin që mund të shtyhet në kohe nga keq planifikimi. Siç thashë më sipër është diçka që duhet ta kesh çdo çast. Shtyrja do bëhet se s’bën, mbase do fillohet në zona që uji është i disponueshëm 24 orë. Gjithsesi, një vendim i tillë sensitiv duhej të kalonte më parë, ashtu siç thotë ligji organik Neni 18, në dëgjesë publike nga Këshilli Bashkiak, të dëgjoheshin njerëzit, ato që të japin mandatin dhe taksat, pastaj merrej vendim. Kjo është diçka shumë e guximshme dhe me pasoja për ata që kanë marrë vendim”, u shpreh Nurja.

Por çfarë do të ndodhë pas 30 janarit, askush nuk di të japë një përgjigje, veç bashkisë, e cila me vendimin e saj shprehet e prerë se depozitat do të zbriten nga tarracat e pallateve, megjithëse kjo pritet të zgjojë zemërimin qytetar për mungesën e ujit të pijshëm, ku dhe pas 30 viteve, ende depozita e ujit duket një zgjidhje përballë pamundësisë për të pasur ujë të pijshëm 24 orë, një premtim i bërë në çdo fushatë elektorale, por që ende mbetet i pazgjidhur.

previous arrow
WhatsApp Image 2020-01-28 at 2.46.17 PM (1)
WhatsApp Image 2020-01-28 at 2.46.17 PM (2)
WhatsApp Image 2020-01-28 at 2.46.17 PM (3)
WhatsApp Image 2020-01-28 at 2.46.17 PM (4)
WhatsApp Image 2020-01-28 at 2.46.17 PM (5)
WhatsApp Image 2020-01-28 at 2.46.17 PM (6)
WhatsApp Image 2020-01-28 at 2.46.17 PM (9)
WhatsApp Image 2020-01-28 at 2.46.17 PM
WhatsApp Image 2020-01-28 at 2.46.17 PM (7)
policiabashkiake
policiabashkiake2
next arrow

Rreth autorit:
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa media kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.

Esmeralda Keta është gazetare e çështjeve sociale në Tiranë.