26 janar 2020/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Krujë
Në fshatrat Mullkuç, Bilaj, Merqinë, Bubq, Budull, Mazhë e madhe, Mazhë e vogël e Tarinë, në njësinë administrative Bubq janë rreth 260 familje të prekura nga tërmeti i datës 26 nëntor. Edhe pse ka kaluar një muaj e gjysmë, qindra familje janë në çadra, dhjetëra në kontejner e disa prej tyre jetojnë në shtëpitë e dëmtuara. Porta Vendore sjell historitë e familjeve që po i bëjnë ballë dimrit e temperaturave nën 0, teksa strehohen në një çadër. Ata rrëfejnë vështirësitë që shkojnë deri në kufij të mbijetesës.
Në hyrje të Bubqit gjëja e parë që të bie në sy është qendra e vullnetarëve, e ngritur menjëherë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, për ti ardhur në ndihmë familjeve të prekura. Aktivistët çdo ditë presin e përcjellin banorët e shqetësuar të 8 fshatrave të njësisë administrative Bubq. Në total numërohen rreth 260 familje të prekura nga tërmeti, dëmet e të cilit e kanë lënë shumicën dërrmuese të tyre pa një strehë.
Fshati Bubq nuk është i panjohur për publikun shqiptar, madje ai mbahet si “fshati i Vipave”, dhe kjo jo pa shkak. Më 21 shtator 2014, Papa Francesku gjatë vizitës së tij disa orëshe në Shqipëri, vizitojë qendrën “Betania”, e cila ndodhet në Bubq. Ndërsa në datën 2 dhjetor 2019, disa ditë pas tërmetit që goditi Shqipërinë këngëtarja me origjinë shqiptare Bebe Rexha vizitoi Bubqin, ku premtoi ndërtimin e shtëpisë së një familjeje të prekur nga tërmeti.
Por përtej televizionit, Bubqi është një fshat krejt i zakonshëm. Tërmeti me magnitudë 6,4 të shkallës righter e ka gjunjëzuar.
Teksa pyesim për familjet që jetojnë në çadër, secili afrohet të mësojë më shumë, e duke treguar historinë e tij, se çfarë la pas tërmeti në familjen e gjithsecilit. Këtu, është e lehtë të gjesh familjet që i jetojnë në çadër këto ditë të ftohta dimri, ato janë me qindra.
Teksa ecim më në brendësi të fshatit, duken “shenjat” që ka lënë pas ajo lëkundje e mirë toke. Gjatë të gjithë rrugës që përshkojmë duket sikur një makineri mbinatyrore të ketë kaluar me shpejtësi, njësoj si në filmat fantashkencë të kanalit aksion. Zgavra muresh të krijuara ngado, çati e mure të rëna.
Thuajse në çdo oborr shtëpie ka çadra verore e dimërore, të përdorura për një ditë, për disa netë, ose për më gjatë se aq.
Por edhe pse ka kaluar një muaj e gjysmë shumë nga familjet e 8 fshatrave të prekur nga tërmeti jetojnë nën një çadër, e kjo jo sepse kanë më frikë nga ndonjë lëkundje tjetër tërmeti, por sepse nuk kanë më një çati ku të fusin kokën. Tërmeti shkatërrimtarë i ka gllabëruar të vetmen pasuri që kishin, përveç jetes.
Gjithçka ka mbetur si pas një luftë. Banorët nuk kanë prekur asgjë, nuk kanë pastruar sikur një tullë të vetme të rënë, kjo pasi pavarësisht se një numër i konsiderueshëm ekspertësh i kanë inspektuar shtëpitë e tyre gjatë kësaj kohe, asnjë prej tyre nuk i ka lënë ndonjë proces verbal, ku ata të bazohen për mbarëvatjen e banesë së tyre, nëse do të duhet ta shëmbin apo ta restaurojnë.
Mes konfuzitetit të madh e vështirësive të panumërta që sjell e nësërmja nën një çadër apo në një kontejner, ata ngrysin ditët, duke numëruar çdo minutë që kalon.
Në një bllok shtëpiash relativisht të reja, ku shumica prej vilave janë 2 deri në 3 kate takojmë Dritën. Me lot në sy dhe zërin që i dridhet nga ngashërimi ajo na tregon dhimbjen e madhe që ndjen.
“S’kam shkuar një ditë në plazh për të bërë këtë shtëpi. I jam përkushtuar gjithë jetën kësaj banese, jo vetëm unë por edhe burri me dy çunat. Një lekë që e kemi pasur, këtu e kemi hedhur. Por tani kur e shikoj mallëngjehem shumë, por prapë them mund të kishte shkuar edhe më keq, shyqyr që kemi kokat. Megjithatë kati i dytë është shkatërruar totalisht çdo gjë, dal jashtë funksionit. S’jetohet, s’hyjmë dot brenda, kemi mbetur këtu me këtë kontejner. E mua më janë shterrur lotët, aq shumë kam qarë këto kohë”, rrëfen Drita.
Kontejnerin ia kanë sjell të afërmit e saj, dy ditë pas tërmetit, ndaj ajo nuk e ka ndjerë shumë se çdo të thotë të rrish në çadër.
“Shkojmë tek të afërmit tanë bëjmë ndonjë dush kur ka drita, kur s’kam, rrimë. Momente shumë të vështira, i ftohti tani e ka bërë punën e vet, na shkatërroj komplet. Të gjitha i kemi pas në kat të dytë, rroba, dyshek e batanije si kemi prek fare. Rrobat që kemi vesh na i kanë dhënë të afërmit tanë. Shumë shumë e vështirë, nuk ja uroj kërkujt këto vuajtje”, tregon Drita Ajazi për Portën Vendore.

Shtëpinë e saj, mundin e një jete të tërë ekspertët e kanë shpallur të pabanueshme, ndaj i kanë paralajmëruar që rrezikojnë seriozisht jetën nëse hyni brenda, ndaj Drita nuk e ka bërë dysh këtë urdhër.
“Bashkia Krujë na ka thënë për bonus qiraje, por ne këtu në fshat jemi shumë të lidhur me tokën e bagëtinë dhe me pasurinë që kemi këtu e nuk shkojmë dot gjëkundi. Më mirë të shohim gërmadha çdo minutë këtu se sa të shkojmë diku tjetër. Pastaj kemi edhe frikë se këto dy gjëra që kemi vijnë i shkatërrojnë hajdutët e sna lenë gjë, kjo është më kryesorja”, tha ajo.
Shtëpia e Dritës kap vlerën e 20 milion lekëve të reja, por megjithatë ajo dëshiron shumë rindërtimin e saj, pasi e shikon të ardhmen e fëmijëve këtu në Bubq.
Gjithçka që shikon në Bubq të duket si një dejavu, pasi ka shumë familje e fshatra që jetojnë në këtë mënyrë. Ata sakrifikojnë veten e fëmijët për të ruajtur shtëpinë nga ndonjë keqbërës që gjuan këto raste, si dhe për të ruajtur bagëtinë e bujqësinë, pasi jeta në fshat është e lidhur pazgjidhshmërisht me to.
Një muaj e gjysmë më nga tërmeti, ende qindra familje jetojnë në çadra, kontejner, e në shtëpitë e dëmtuara.

Vetëm 2 kilometra më larg ndodhet fshati Mazhë e Madhe, gjithashtu i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Të gjithë në Bubq flasin për tërmetin, pasi rrënimi ka qenë jo vetëm psikologjik por edhe social e ekonomik, e kjo e fundit i vret më shumë.
Në hyrje të Mazhës takojmë Qamilin. Një burrë rreth të 70-ve që jetën e ka gëzuar me pak gjëra. Ai shprehet i lumtur që zoti e kurseu dorën, paçka se ai dhe familja e tij tanimë jetojnë në dy çadra verore.
“Kleri katolik më ka dhënë rezistenca për ngrohje, jemi ngroh kur ka pasur korent dhe nuk kam ndjerë shumë ftohtë deri më tani. Falenderojmë nga zemra edhe vullnetarët se na kanë sjell çdo natë ushqim edhe buk”, tha Qamili për Portën Vendore.
Qamili njihet nga fqinjët si më bujari i fshatit Tarinë. Në fakt, ky tërmet nuk solidarizoi vetëm biznesmenët por edhe njerëzit e thjeshtë si Qamili, që pavarësisht 1001 halleve, kanë preferuar të heqin diçka nga vetja, për t’ja dhënë një tjetri që është më në nevojë.
Qamil Dibra ai është vetë i prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, por pavarësisht kësaj do të dhuroi 3 dynym tokë.
“Unë kam vendosur të dhurojë 3 dynym tokë që e kam buzë rrugës për familjet që janë nevojë, për të bërë shtëpia. Kjo është pjesa ime, unë do vdes një ditë se jam 73 vjeç ndaj dua ta dhurojë, sepse fëmijëve ia kam ndarë pjesën e vet. Kam besim se diçka e mirë do bëhet për ne, për këto familje që janë në qiell të hapur. Tani njeriun lind me shpresë, rron me shpresë dhe vdes me shpresë”, thotë Qamili, i cili mezi artikulon fjalë, kjo për shkak të moshës por edhe të mungesës së dhëmbëve.
Mes dimrit të acartë e temperaturave të ulta, banorët e Mullkuçit, Bilajt, Merqinës, Bubqit, Budullit, Mazhës së madhe, Mazhës së vogël e Tarinës, po mësojnë si të sfidojnë ditët e vështira.
Flutura Zela është 64 vjeçarja që tërmeti i 26 nëntorit, i shkatërroi totalisht shtëpinë, të vetmen pasuri që kishte. Shtëpia e saj është paraqitur me dëmtime të kategorisë së 5, ndërsa ajo dhe dy djemtë e saj invalid jetojnë në çadër prej datës 27 nëntor. Kjo çadër prej 2 muajsh është streha e tyre e re, pa ditur se edhe për sa kohë.
“Ditët e ftohta ne po i përballojmë shumë vështirë. Për ma keq që po i përballojmë, nuk ka. Këto netë që ka pasur erë, më ka shtyrë era brenda çadrës, ça kam pas batanije i kam hedhur në kurriz por asnjë gjë, s’ të bënte efekt. Në çadër është ftohtë, beze mo, copë e hollë. Po t’u jetonte në çadër nuk u bënin shtëpiat. Ma siklet nuk ka, ma vuajtje nuk ka”, rrëfen Flutura, gruaja 64 vjeçare e cila jeta e ka hedhur në brigje të stërmundimshme gjithnjë.

Flutura tregon se në këtë shtëpi 2+1 jetonin 3 familje. Për sa i përket orendive shtëpiake, ajo ka shpëtuar çka mundur. Elektroshtëpiaket dergjen në oborr, ndërsa në çadër ka improvizuar një dhomë ndenjeje, me kompletin e divanëve, tavolinën e televizorin.
“Shumë kanë ardh dhe e kanë parë, por gjë nuk po marrin vesh që do bëhet. Ku lahet? Ku gatuhet midis të ftohtit? Me 25 mijë lekë jetoi, me dy të sëmurë. Më janë duk për 10 -15 vite këto muaj. Gjithë jetën kam vuajtur, koha jonë që vuajtën, me kooperativën, thashë shyqyr po bëhemi më mirë, megjithëse ajo është e natyrës. Por të paktën të ma premtojnë që do bëhet. Unë shtëpinë e dua këtu ku e kam. Dua të vdes këtu ku jam”, tha ajo me lot në sy.

Pavarësisht se ndihmat nuk kanë munguar nga aktivistët dhe bizneset në këtë zonë të Krujës, sërish banorët kanë hasur vështirësi për ti gatuar, për të larë rrobat e enët si dhe për tu larë vetë.
“Askush s’ka ardhur të na shoh që prej datës 29 dhjetor, kohë kur janë bërë edhe verifikimet për shtëpinë. Nga shteti kanë ardh vetëm nja dy herë në fillim fare, me datë 28,29, por ato duan kushte ku ti gatuash etj”, tregon Shkëlzen Zela, babai i dy fëmijëve, përkatësisht të moshës 3 muajsh dhe 1 vjeç e gjysmë.
Shkëlzeni është ndihmuar nga aleanca për mbrojtjen e teatrit me një konteiner. Së paku në ditët kur ka drita, kontejneri qëndron i ngrohtë, por këtë fat se kanë gjithmonë, pasi energjia në këtë zonë vjen e ikën sipas qejfit.
“Ditët më të vështira, sidomos për fëmijët njëherë. Ne e kalojmë se mbulohemi por ka një 3-4 ditë drita nuk ka pasur. Në kontejner nëse rri rezistenca fikur sikur 1 orë ftohet ambienti. Por të mos ndezësh një ngrohëse, diçka këtu ngordh fëmija, të dy me ilaçe i kam. Ne kemi nevojë për shumë gjëra. Fare, as nuk vijnë për të pyetur, bëjnë sikur nuk na njohin, sikur nuk na shohin. Kam një javë pa larë fëmijët se ato duan kushte. Me 3 metra vend s’dimë çka të bëjmë përpara. Me këtë lloj shteti ne i kemi humbur të gjitha shpresat. Hajt se do bëjmë diçka, asnjëlloj gjëje. U bë gati 2 muaj, ça do bëjmë ne”, rrëfen ai.

Është e vështirë që të gjesh në 8 fshatrat e Bubqit një familje e cila s’ka të instaluar një çadër në oborrin e shtëpisë. Vetëm pak metra më tutje në fshatin Mazhë e Vogël ndodhet familja Masha.
Shtëpia e tyre është bërë krejt e pabanueshme. Për të fituar disa para më tepër e për ti bërë ballë dimrin, Bajrami ka hequr edhe dritaret nga shtëpia duke i shitur, ndërsa disa prej orendive të shpëtuara pa dëmtim, i ka çuar në çadër.
“Kanë ardhur e kanë parë, e kanë shpallur të pabanueshme, më thanë që nëse futesh brenda nuk mbajmë përgjigjesi. Nga ajo ditë e deri më sot, nuk ka ardhur kush për të na parë me sy. Ka qenë data 31 dhjetor, dhe s’ka ardh më njeri për të parë se ku flemë. Ne flemë në çadër. Gjendja është shume e keqe, pa ngrohje pa gjë. E ngrenë era s’të lë të ngrohesh. S’kalohet dimri më në çadër”, tregon Bajrami për Portën Vendore, teksa është duke u ngrohur mbi një petrogaz të vogël kafesh.

Të ftohtit nuk i bëjnë ballë as 7 batanijet me të cilat Bajrami dhe bashkëshortja e tij flenë. Por megjithatë ka momente ku ata thjesht dorëzohen.
“Nëse koha vijon e tillë nuk kemi ça të bëjmë do të hyjmë brenda sepse nuk përballohet më dimri kështu”, tha bashkëshortja e tij për Portën Vendore.
Shumica prej familjeve nuk ka aplikuar për një bonus qiraje në njësinë administrative Bubq, kjo për shkak se ata shpresojnë në rindërtimin e shtëpive aty ku janë.
“Unë do qëndroj këtu, sepse kam bagëtinë. Po ma bënë shtëpinë mirë, po s’ma bënë unë këtu do rri. Po na dhanë ndihmë faleminderit, edhe s’po na dhanë faleminderit. E rëndësishme është që nuk kemi vdekje”, përfundon Bajrami.
Tetë ditë pas tërmetit të fuqishëm, IKMT shëmbi pallatin e dëmtuar në Bubq, ndërsa dy të tjerë qëndrojnë ende në këmbë, të rrethuar me shiritin e sigurisë.
Një pirg i stërmadh mbetjes, si mal të kujton e rikujton pafund çfarë ka ndodhur aty, dhe se sa me fat kanë qenë vetë banorët e pallatit që i kanë shpëtuar një tjetër tragjedie për mrekulli. Pallatit 4 katësh që i kanë mbetur vetëm rrënojat tanimë ka qenë i ndërtuar me kontribut vullnetarë në vitet 69-70’.
Familja e Shpëtim Shullazit jetonte pikërisht në këtë pallat, rrënojat e të cilit janë ende aty. Në Bubq të gjithë e dinë historinë e tij të trishtë. Juliani djali i tij ka probleme me gjymtyrët e poshtme, e sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, pak muaj më parë gruaja e tij ndërroi jetë.
“Falë zotit alenca për mbrojtjen e teatrit më ndihmoi me këtë kontejner. Djalin e kam të sëmurë dhe shpesh e çoj tëk motra e vet, sidomos gjatë përiudhës kur isha në çadër. Gruaja më vdiq para pak kohësh, tani jam për kalamajt e për Julianin sidomos edhe bab edhe nënë, pasi ai do një kujdesje të veçantë. Jemi në pritje që kjo situatë të marrë zgjidhje”, tha Shpëtimi për Portën Vendore.
I kontaktuar nga Porta Vendore Administratori i njësisë Bubq Qemal Daci tha se: “Janë rreth 80 aplikime për bonus qiraje, po pritet që të mblidhet këshilli bashkiak që ti miratojë, ndërkohë që shumë shpejt do të nis puna në terren për rindërtimin”.
Banorët flenë me shpresën se numërimi mbrapsht ka filluar që kjo situatë të marrë fund dhe nuk janë të vetmit.
Rreth autorit:
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa media kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.