Ndodhi

Banorët skeptik për Buxhetimin me Pjesëmarrje, i drejtohen me peticion bashkisë

24 janar 2019/ Bardha Nergjoni/ Porta Vendore/ Elbasan

100 familjet e rrugës “Sali Hida”, në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan kërkojnë nëpërmjet një peticioni që bashkia të kthejë sytë nga ata. Pas 30 vitesh në pritje, rruga e paasfaltuar në mes të qytetit ka vështirësuar jetën e banorëve, duke sosur edhe durimin e tyre.

Banorët e lagjes “Beqir Dardha” në qytetin e Elbasanit kanë vendosur të nënshkruajnë një peticion për t’i kërkuar bashkisë ndërtimin e rrugës në lagjen e tyre. Edhe pse kanë kërkuar disa herë që kjo rrugë të ndërtohet nëpërmjet takimeve me drejtues vendorë si dhe nëpërmjet Buxhetimit me Pjesëmarrje, asnjë investim nuk ka pasur të paktën 4 vitet e fundit. Ata kërkojnë nga Bashkia Elbasan hartimin e një projekti dhe nisjen e punës për rikonstruksionin e kësaj rrugë, e cila rezulton si e vetmja rrugë në lagjen e tyre, që nuk është prekur nga rikonstruksioni i kësaj lagjeje rreth 3 vite më parë. Kërkesa e banorëve, e kryer më 12 nëntor 2019 ka të bëjë me ndriçimin dhe asfaltimin e 100 metrave rrugë.

Banorët kanë nënshkruar peticionin me shpresën se nëpërmjet tij, bashkia do ta vendosë në listën e investimeve për buxhetin 2020.

Sefer Dibrani ishte ndër nismëtarët e peticionit, pasi familja e tij për shkak të një problemi shëndetësor të bashkëshortes e vuan më shumë këtë problem. “Ne kemi vështirësi sidomos për fëmijët që u ngelën këmbët në ujë. Sa fillojnë shirat ne këtë punë kemi. Në verë nuk durohet pluhuri që na hyn në shtëpi. As drita natën nuk ka. Kemi frikë të dalim nga mungesa e dritave të rrugës. Unë e vuaj këtë personalisht, pasi kam gruan me problem shëndeti e nuk ecën dot”, tregoi ai për Portën Vendore.

Peticioni mban edhe emrin e Seferit ndërsa ndihmësit e banorëve për finalizimin e këtij peticioni ishin të rinjtë e Lëvizje Rinore Egjiptiane Rome. Nertila Liçaj, aktiviste e kësaj Lëvizjeje thotë se nuk ishte e vështirë për të mbledhur firma, por banorët kërkonin një orientim, si me shkrimin e peticionit, ashtu edhe në përcjelljen e tij pranë institucioneve përgjegjëse. “Ka shumë rrugë e sheshe pa asfaltuar, por në këtë rast ka disa specifika, pasi bëhet fjalë për shumë pak metra dhe një sipërfaqe sheshesh që nuk do shumë investim . Banorët e kanë ngritur disa herë si kërkesë, por nuk është bërë asgjë”, tha Nertila.

Tentativat e tyre për rikonstruksionin e kësaj rruge nuk nisin tani, por shumë më herët. Në muajin tetor ata e parashtruar sërish këtë kërkesë gjatë takimit me kryetarin e bashkisë Gledian Llatja.

Peticioni me firmat iu dorëzua Rajonit nr. 1 duke kërkuar nga administratorja e kësaj njësie përcjelljen pranë komisionit të buxhetit në Këshillin Bashkiak. Anduena Prifti, administratore e Rajonit, ku bëjnë pjesë banorët e peticionit tha se rruga është rehabilituar, por vetëm një pjesë fundore, sheshet dhe degëzimet mbeten të papërfunduara. “Unë e kam dërguar si kërkesë të banorëve. Do të varet nga pikëzimi që do të marrë si investim nga bashkia për tu përcaktuar si prioritet dhe më pas për tu përfshirë në prioritetet e vitit 2020”, thotë ajo.

E teksa banorët shijojnë me “zili” rrugicat e tjera të lagjes dhe përballen me baltë e përmbytje para shtëpisë së tyre, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shpresojnë se bashkia do të miratojë një buxhet për vetëm 100 metra rrugë, për të plotësuar kërkesën e kahershme të tyre.

Rreth autorit:
Bardha Nergjoni është gazetare në Elbasan.