23 janar 2020/ Dritan Kurti/ Porta Vendore/ Mat
Prej afro një viti banorët e katër fshatrave në Njësinë Administrative Derjan në Bashkinë e Matit janë në një betejë të fortë për mbrojtjen e burimeve ujore të Parkut Kombëtar Zall–Gjoçaj. Banorët kërkojnë anulimin e një leje për shfrytëzim të zallit të Flimit për hidrocentral, burimet e të cilit do të futen me tubacione e do të përfundojë në Mirditë. Ndërsa vetëm pak ditë më parë çadra simbol e protestës së tyre u përfshi nga flakët.

Në Mars të vitit të kaluar, banorët e nisën betejën me kompaninë që ka marrë të gjitha lejet për marrjen e ujit në përdorim, në një protestë të zhvilluar para Bashkisë së Matit. Banorët kërkuan që vendorët të mos miratonin heqjen nga fondi Pyjor e Kollusor të sipërfaqes nga ku do të kalonte tubacioni, pasi firma kishte kaluar të gjitha instancat e tjera duke siguruar lejen mjedisore pranë Ministrisë së Mjedisit, atë të ndërtimit dhe Këshillit të Ministrave. Megjithatë, firma vijonte punimet. Në Gusht të vitit të kaluar, dhjetëra banorë të mbledhur nga katër fshatrat, por edhe ata që banonin në rrethe të tjera si: Tiranë e Durrës, zhvilluan një protestë pranë kantierit të ndërtimit të firmës për të penguar avancimin e mëtejshëm të tyre.
“Ai ujë nuk është për t’u përdorur për energji elektrike, por mund të shfrytëzohet për të furnizuar me ujë të pijshëm mijëra banorë të zonës nga Melthi deri në Urakë. Edhe për ujë të pijshëm, 70% e prurjeve duhen lënë në rrjedhë dhe vetëm 30% e tyre merren për të furnizuar banorët. Projekti parashikon futjen në tubacione të të gjithë sasisë për ta dërguar në Mirditë tek HEC-i. Zalli Flim mban gjallë zonën e mbrojtur të Zall – Gjoçajve e të gjitha fshatrat që përfshin rrjedha e tij. Është rasti i parë që edhe në Shqipëri ndodh një gjë e tillë, ku e gjithë sasia e lumit futet në tubacione, ndryshe edhe në zona të tjera ku janë bërë ndërtime të tilla në HEC-e ku uji që merret kthehet sërish në shtratin e tij, me këtë projekt ai devijohet e dërgohet me tubacione e tunele në Mirditë”, tha ambientalisti Sazan Guri.
Sipas tij, zona prej 80 km katrorë kthehet në shkretëtirë, pasi nuk e ka më lagështinë e nevojshme për bimësinë apo për kafshët. “Është shkelur neni 39 i ligjit të ujërave sipërfaqësore, ku thuhet se uji i lumit jepet për të pirë, për bujqësinë, për mbarështim peshku, për lundrim dhe në fund fare thotë për industri. Si ka mundësi që tejkalohen të gjitha ato pika dhe jepet për këtë të fundit, kur zona fillimisht ka nevojë për ujë të pijshëm dhe vaditës. Pra lufta e banorëve është krejtësisht e drejtë dhe unë do t’i mbështes deri në pikën e fundit” tha ambientalisti Guri, për Portën Vendore.
Në muajin tetor të 2019, banorët vendosën që të ngrenë një çadër rezistence duke qëndruar atje ditë e net për të penguar firmën. Madje në dy raste hasën në rezistencën e policisë duke u përplasur me këta të fundit. Paralelisht me këtë, një përfaqësi e tyre depozitoi një padi në Gjykatën Administrative në Tiranë për ndalimin e punimeve. Megjithatë, kjo gjykatë pasi ka dëgjuar palët, i ka dhënë të drejtë firmës.

Rezistenca e banorëve nuk u ndal. Ata zhvilluan protesta të tjera, edhe gjatë muajit nëntor, ku u mbështetën edhe nga aktivistë të mbrojtjes së natyrës. Temperaturat e ulëta që shkojnë atje deri në minus 15 gradë celsius gjatë natës, e bënin të pamundur qëndrimin e banorëve 24 orë në 24, në çadrën e rezistencës, e cila vetëm pak ditë më parë u dogj, e banorët akuzojnë firmën për këtë. Megjithatë banorët stepen të tregojnë më shumë mbi këtë çështje. “Ne jemi të fokusuar tek lufta për të fituar mbi firmën që po shkatërron mjedisin dhe çadrën do ta ringrijmë sërish megjithëse kemi dyshimet tona për djegien e saj, dyshime që shkojnë në drejtim të firmës koncensionare”, tha Dhimitër Koleci për Portën Vendore.
Gjithsesi, beteja e banorëve gjatë muajit dhjetor e në vazhdim u përqendrua në gjykatën administrative, ku u depozitua një tjetër aktpadi. Edhe aktpadia e dytë u hodh poshtë nga gjykata administrative, e cila vendosi për vijimin e punimeve.
Ndërsa firma “Seka hydropower” e pyetur nga Porta Vendore mbi këtë çështje mohoi në mënyrë absolute një veprim të tillë nga ana e saj.
Mëgjithatë banorët e vendosur t’i shkojnë kësaj çështjeje me rëndësi deri në fund, vetëm pak ditë më parë e kanë ngritur sërish çadrën e rezistencës.

Ndërkohë një nga paditësit Dhimitër Koleci thotë se lufta për të mbrojtur burimet ujore të Flimit, nuk do të ndalet. “Firma “Seka hydropower” ka filluar hapjen e një tuneli 1.8 km të gjatë para 1 viti për të marrë burimet e ujit në Parkun Kombëtar Zall – Gjoçaj për t’i shfrytëzuar ata në disa HEC-e që ndërtohen në Mirditë duke devijuar plotësisht ujin e zallit të Flimit nga rrjedha e tij. Për pasojë në një gjatësi prej 22 km e kanionit të Urakës thahet plotësisht. Edhe ky është monument kulture. Këto burime ishin projektuar për të furnizuar me ujë të pijshëm dhe vaditës 10 fshatra nga Macukulli deri në Urakë, duke përfshirë edhe Burrelin. Prandaj pushteti vendor duhej të kishte bërë çdo gjë për ta penguar këtë projekt të firmës që po e merr atë për të prodhuar energji, duke e devijuar përjetësisht me tuba dhe tunele”, tha Koleci.
Banorët u informuan për këtë çështje një vit më parë, kur fadromat nisën punimet. Kompania, dëgjesën publike e ka bërë në Rrëshen, dhe jo në Burrel , pa i informuar banorët e zonës që preket realisht. Sipas banorëve protestues, firmat që janë marrë gjatë dëgjesës kanë qenë fiktive.
“Që në momentet e para kemi informuar me shkrim në mënyrë zyrtare, të firmosur nga gjithë banorët e zonës dhe 4 kryetarët e fshatrave që preken direkt nga marrja e ujit, institucionet përgjegjëse: Ministrinë e Mjedisit, atë të Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkinë Mat etj. Kemi protestuar para Bashkisë Mat vitin e kaluar në muajin mars. Po ashtu kemi zhvilluar 10 protesta në terren aty ku kryhen punimet. Jemi në proces gjyqësor me firmën dhe prej 3 muajsh kemi ngritur çadrën e rezistencës në hyrjen e zonës së mbrojtur për të ndaluar fadromat që të mos futen brenda parkut kombëtar, me qëllim ndalimin e vazhdimit të masakrës mjedisore që po i bëhet zonës së mbrojtur. Burimet ujore ndodhen 1300 m brenda zonës së mbrojtur, ku ndalohet me ligj marrja, devijimi dhe tjetërsimi i ujërave. Ne jemi të vendosur të mbrojmë pasuritë tona e ato kombëtare nga shkelësit e ligjit dhe nga mafia e HEC-eve”, tha Dhimitër Koleci për Portën Vendore.
Kompania koncensionare “Seka Hydropower”, thotë se projekti nuk ka asnjë ndikim negativ qoftë tek uji i pijshëm e ai vaditës, e qoftë në mjedis. Në një prononcim për Porta Vendore, përfaqësuesi i Kompanisë Koncensionare “Seka Hydropoëer”, Bardhyl Muceku, thotë se kompania ka parashikuar investime të mëdha në zonë, qoftë në infrastrukturën rrugore apo furnizimin me ujë të pijshëm e vaditës të fshatrave që preken nga ky projekt.
Për këtë çështje ka pasur dhe një raport të bërë në datën 22.10.2019, ku Grupi Ndërinstitucional i Punës (GNP) u kryesua nga përfaqësuesi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit (MTM) dhe në përbërje të të cilit ishin edhe përfaqësues të MIE, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU), Shërbimit Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH), Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Lezhë dhe asaj Dibër që kanë nën administrim zonën ku do të ndërtohet ky HEC, si dhe një përfaqësues i Zyrës së Administrimit të Burimeve Ujore për Basenin Ishëm – Erzen – Mat, ka zhvilluar një vizitë në terren në fshatin Lami i Madh, Gjoçaj dhe Zall – Gjoçaj (Melth) me qëllim verifikimin e të gjitha pretendimeve të ngritura nga banorët e zonës.
Ky grup ndërinstitucional u ngrit pas ankesave të shumta që ka çuar Kryesia e Fshatit Gjocaj dhe Qendra Kërkimore për Gjeoshkencë e Mjedis, ku janë ngritur disa shqetësime për koncesionin e dhënë.
Një nga konstatimet kryesore të Raportit të Grupit Ndërinstitucional për sa i përket Parkut Kombëtar Lurë – Mali i Dejës është se: “Gjurma e VM-së të propozuar për tu ndërtuar për HEC-in Zais, futet në territorin e Parkut Kombëtar të zgjeruar Lurë-Mali i Dejës. Bazuar në ligjin nr. 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”, kjo vepër nuk mund të ndërtohet në këtë territor, pasi VM-ja është futur në territorin e Parkut Kombëtar Lurë – Mali i Dejës afro 2450 m në brendësi dhe ndodhet në Zonën Qendrore të zonimit të territorit të këtij Parku Kombëtar’’, duke vijuar më pas me rekomandimin se duhet bërë “Rinegocimi i projektit të zbatimit me Koncesionarin, brenda kushteve të kontratës së koncesionit të formës ‘BOT’, me qëllim që VM-ja e propozuar për tu ndërtuar për HEC-in Zais, të jetë jashtë kufijve të territorit të Parkut Kombëtar të zgjeruar Lurë-Mali i Dejës”.

Më datë 15 Janar 2020, nëntë banorë të fshatrave Gjoçaj, Urxallë, Lam i Madh dhe “Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore” depozituan në Gjykatën Administrative Tiranë një tjetër kërkesë-padi, tashmë të asistuar nga Klinika Ligjore e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, mbështetur nga LevizAlbania . Banorët kanë paditur Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Këshillin e Basenit Ujor Mat me adresë në Lezhë, Këshillin Kombëtar të Territorit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Shoqërinë “Seka Hydropower sh.p.k” dhe Bashkinë Mat.
Me këtë kërkesë padi, banorët kërkojnë anulimin e lejes së ndërtimit të këtij HEC-i duke renditur plot 19 shkelje gjatë proceseve për pajisjen me leje mjedisore.
Ata shprehen të vendosur që do të vazhdojnë protestat dhe përpjekjet e tyre deri në ndalimin e punimeve.
Rreth autorit:
Dritan Kurti ka studiuar Gazetari dhe Komunikim, prej dhjetë vitesh është i angazhuar dhe punon në median lokale e kombëtare për Qarkun Dibër.