20 janar 2020/ Mimoza Sinanaj/ Porta Vendore/ Poliçan
Fshatrat e ish komunës Tërpan, pjesë e Bashkisë së Poliçanit janë drejt izolimit të plotë. Fshatrat si Vokopolë, Dodovec, Balaj, Liqeth etj, janë fshatra që nën mungesën e infrastrukturës nuk arrijnë të lidhen me qendrat e qyteteve dhe rrugën nacionale. E vetmja urë që shërbente për komunikim automjetesh dhe këmbësorësh tashmë është drejt degradimit.
Ura e vendosur mbi Lumin e Ujit të Zi është e shkatërruar. Dërrasat që përbëjnë bazën e urës janë totalisht të kalbura dhe rrezikshmëria është e madhe për kalimtarë dhe automjetet. Rruga për të shkuar në këto fshatra është më shumë se 20 km dhe ajo paraqitet tepër e amortizuar, ndërsa në mot me shi pothuajse e pakalueshme.
Banorët e këtyre zonave shprehen se është tepër e vështirë për të kaluar në këto rrugë, por janë të detyruar, pasi nuk kanë mundësi tjetër. Gjatë muajve të verës kur prurjet e lumit janë të pakta kalojnë në këmbë ose me mjete, ndërsa në muajt e dimrit kur dhe prurjet janë më të mëdha, ato izolohen totalisht nga pjesa tjetër e zonës. Ura, e cila s’i ka bërë 5 vite nga ndërtimi, është një urë e vendosur me kërkesë të banorëve (urë bel) por shumë shpejt urës iu kalben pjesët e dërrasave duke krijuar çarje tepër të mëdha.
Ndërsa drejtuesit e mjeteve zgjedhin të kalojnë nëpër lumë, shpesh banorët zgjedhin të rrezikojnë duke ecur në këtë urë me trarët pothuajse të kalbur.
“Kemi disa vite që e vuajmë problemin e rrugës, ndërsa ura e cila u ndërtuar disa vite më parë është pothuajse e degraduar. Të gjitha pjesët janë të kalbura dhe rrezikohemi të biem në lumë. Shpesh kalojmë lumin në këmbë, por gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit prurjet e lumit janë të mëdha e lumi bëhet i pakalueshëm e tepër i rrezikshëm. Mungesa e urës po na çon drejt izolimit si fshat”, tha për Portën Vendore Sheme Balliu, një banor i fshatit Vokopolë.
“Problem e kemi gjatë stinës së reshjeve, shpesh ngelemi të izoluar me muaj ndërsa kemi pasur dhe të sëmurë që i kemi transportuar me vështirësi në spitalin e Beratit”, tregon i riu Mariglen Mecaj.
65 vjeçarja Sanie Balliu shprehet se përshkon 20 km nëpër baltë e shi për të shkuar e marrë pensionin, si dhe për t’u vizituar në spital.
Ndërsa mungesa e një ure të qëndrueshme ka penguar edhe bizneset. “E bëj dy herë në javë këtë rrugë pasi prodhimet e bulmetit i tregtoj në qytet, por mungesa e infrastrukturës na ka shkaktuar mjaft probleme. Shpesh ngelemi pa tregtuar produktet tona, duke u izoluar nga prurjet e lumit, e kjo rrjedhimisht na lë pa të ardhura. Kemi ngritur disa herë këtë shqetësim, na premtojnë në fushata, por gjendja sa vjen dhe përkeqësohet më shumë”, shprehet i riu Ledjan Kuka.
Drejtoria e shërbimeve pranë Bashkisë Poliçan shprehet se kanë një projekt për sistemimin e rrugës që lidh fshatrat e Tërpanit me qendrën e qytetit dhe rrugën nacionale. Projekti pritet që të fillojë në vitin 2020, në fshatrat e kësaj njësie administrative.
Gjithsesi, deri në vënien në jetë të këtij projekti banorët e fshatrave të njësisë administrative Tërpan rrezikojnë të mbeten të izoluara, nëse nuk do të zgjidhet problemi i infrastrukturës si dhe sistemimi i urës që lidh këto fshatra njëherë e përgjithmonë.
Rreth autorit:
Mimoza Sinanaj është korrespondente e Top Channel për qarkun e Beratit.