16 janar 2020/ Arben Vata/ Porta Vendore/ Kukës
Bashkia Kukës bashkë me Policinë Rrugore kanë rënë dakord që bulevardi kryesor i qytetit të Kukësit të bllokohet në orare të kufizuara. Vendimi për mbylljen e rrugës ka ardhur si pasojë e kërkesave të shumta të qytetarëve, nxënësve, prindërve dhe drejtuesve arsimorë. Në këtë bulevard kanë qenë të shpeshta rastet kur kanë ndodhur incidente ndërmjet këmbësorëve dhe automjeteve.
Bulevardi kryesor i qytetit të Kukësit tashmë që prej pak ditësh qëndron i mbyllur përgjatë gjithë gjatësisë së tij, nga ora 07.30 e mëngjesit deri në 14.00 të drekës, nga e hëna në të premte.
Bulevardi “Dituria” përpara ndërtimit të autostradës Durrës-Kukës-Morinë, ishte arteria kryesore e qytetit, që lidhte Shqipërinë me Kosovën, e ndërsa sot ajo është rruga kryesore që lidh qytetin me spitalin. Këtë shqetësim kanë përcjellë disa drejtues automjetesh, kur u përballën me rrugën e bllokuar. Tashmë për t’u lidhur me spitalin apo njësitë e tjera administrative, ata përdorin rrugët alternative, atë të kalimit përmes pedonales së qytetit drejt sheshit “Skënderbej”.
Policët e qarkullimit rrugor janë shprehur për Portën Vendore që nuk ka pasur incidente apo trafik në qytet për shkak të bllokimit të rrugës përveçse ditën e parë të mbylljes, e cila shkaktoi hutim dhe konfuzion në masë te banorët kuksianë.
Nga ana tjetër, Vjollca Gashi, drejtoreshë e gjimnazit të përgjithshëm “Havzi Nela”, i cili numëron rreth 2000 nxënës, shprehet ky vendim është duartrokitur nga nxënësit e shkollës, prindërit e tyre dhe stafi pedagogjik i shkollës. “Tani jemi më të qetë dhe gjithçka shkon shumë mirë. Nuk do kemi më mundësinë që përballë gjimnazit të shohim dhe të përballemi me drejtues mjetesh të papërgjegjshëm”, tha Gashi për Portën Vendore. Përpos të gjithave, drejtoresha e shkollës sqaron që bllokimi i qarkullimit në atë aks rrugor ishte dhe kërkesë e Bordit të shkollës ndaj Bashkisë Kukës.
Por kur vjen puna te një vendim i tillë, zërat në qytet ndahen në pro e kundra. “Në fillim mendova që kjo ishte vetëm për një ditë dhe jo për një kohë të gjatë. Kjo është shmangie nga problemi dhe jo përballje me të. Problemi i shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor zgjidhet nëpërmjet vendosjes së gjobave dhe jo bllokimit të rrugës”, u shpreh drejtuesi i një mjeti. “Kjo është si të vrasësh mizën me karrige”, përfundoi i irrituar ai. Megjithatë, ka të tjerë që e kundërshtojnë. “Më erdhi mirë që e bllokuan rrugën sepse shumica lëviznin e sorollateshin kot në atë bulevard. Njerëz pa punë e pa vizion që djegin naftë pa kriter. Madje tani që e shoh kështu mendoj që ai bulevard të mbyllet përgjithnjë dhe jo me kohë të kufizuar, pasi çdo qytet europian, ka një qendër që përdoret vetëm për këmbësorët e ku nuk lejohet absolutisht qarkullimi i automjeteve. Kukësi nuk e ka një të tillë kështu që kjo duhet menduar seriozisht. I mungonte qytetit kjo ndërhyrje”, është shprehur qytetari L.C.
Por ndryshe nga qytetarët dhe drejtuesit e shkollave, bllokimi i bulevardit kryesor është pritur jo mirë nga disa biznese të lokalizuara aty, puna e të cilëve është paralizuar. “Bashkia është në proces negocimi me bizneset në mënyrë që të mos cenojë aspak interesat e tyre dhe ekonominë e lirë të tregut. Për këtë bashkia ka lejuar kalim të pjesshëm të disa automjeteve në orare të veçanta siç është ajo e Bankës Kombëtare Tregtare apo e disa hoteleve, kancelarive, bareve etj. Ky vendim do jetë afatgjatë, pra deri në mbylljen e plotë të procesit mësimor të shkollave”, ka sqaruar për ne Granit Gjana.
Pamja e re që i ofrohet qytetit në këtë orar të kufizimit të qarkullimit të makinave është e ngjashme me atë të stinës së dimrit të qytetit, ku për shkak të borës së madhe, këmbësorët parakalojnë të parët dhe të vetmit në rrugët e qytetit.
Rreth autorit:
Arben Vata është gazetar në qytetin e Kukësit.