Vëzhgim/Analizë

Bashkia Tiranë jep me koncension ndërtimin e shkollave, kush e paguan koston shtesë

14 janar 2020 / Ornela Manjani/ Porta Vendore/ Tiranë

Bashkia e Tiranës ka mbledhur nga vitit 2016 dhe deri në gusht të këtij viti rreth 6 miliardë lekë nga taksa e përkohshme e arsimit, por vendosja e kësaj takse shtesë banorëve të kryeqytetit nuk duket se ka shërbyer për të plotësuar nevojat për investime . Bashkia dha  në 11 nëntor 2019  me Partneritet Publik Privat, ndërtimin e katër shkollave në Tiranë, ndërkohë në studimin e fizibilitetit të kryer nga Bashkia,  parashikoheh të jepen me PPP,  17 shkolla.

Kryeqytetasit, të cilët që prej vitit 2016 kanë paguar një taksë shtesë, atë të arsimit, e cila ishte e dedikuar për ndërtimin e shkollave, duhet të paguajnë tani, jo vetëm fitimet që do të realizojë koncencionari, por edhe një interes prej 6. 5 % mbi vlerën e investimit për sipërmarrësin.

Pak kohë më parë u njoftua zyrtarisht fituesi për Koncesionin për Përmirësimin e Infrastrukturës arsimore në Bashkinë Tiranë. Tenderi është i firmës ‘PBOTM Projektim, Financim, Mobilim, Mirëmbajtje dhe Kolaudim’ për katër objekte arsimore. Fitues i këtij tenderi është bashkimi i 6 operatorëve të përbërë nga: ‘Alba Konstruksion’ shpk & ‘Fusha’ shpk & ‘Ed Konstruksioni’ shpk & ‘A&E Engineering’ shpk & ‘Son Engineering and Construcion’ shpk dhe ‘Erzeni/N’ shpk.

Fondi limit për ndërtimin e katër shkollave  është 1 miliard e 739 milionë lekë  . Oferta e vetme ishte bashkimi i kompanive, që u shpall fitues me vlerën 1 miliard e 738 milionë lekë, ose me 99.95% të fondit të vënë në dispozicion. Sipas të dhënave të tenderit, projekti parashikohet të përfundojë për 18 muaj.  Inestimi do të kryhet nga bashkimi i kompanive fituese. Në fund të kësaj periudhe do të fillojë edhe shlyerja e investimit nga Bashkia, e cila do të zgjasë 7 vjet. Gjatë këtij harku kohor institucionet e arsimit do të mirëmbahen nga kompania dhe në fund të 18 muajve, Bashkia do të paguajë përveç vlerës së investimit,  jo vetëm  fitimin e llogaritur, të pa publikuar ende nga kompania, por edhe një interes, i cili është llogaritur 6.5% në vit. Detyrimi që Bashkia i ka vënë vetes për të paguar interes, është parashikuar që në fazën e studimit të fizibilitetit për ndërtimin e shkollave me Partneritet Publik Privat në Tiranë. Gjithashtu,  Bashkia do të mbuloje edhe shpenzimet për kompensimin e pronarëve ku do të ndërtohen shkollat, një shpenzim që nuk është bërë ende publik .  Detyrimet ndaj koncesionarit do të mbulohen me buxhet të siguruar nga taksa që paguajnë nga vitit 2016 (kur kjo taksë u aplikua për herë të parë) banorët e kryeqytetit për arsimin. Taksa paguhet me faturën e Ujësjellës Kanalizime dhe parashikohet të mblidhet deri në vitin 2022.

Shkollat me PPP
Institucionet që do të ndërtohen janë 4. Konkretisht: Dy objekte arsimore të vendosura në njësinë administrative nr. 8, një objekt arsimor i vendosur në njësinë administrative nr. 2 dhe një objekt arsimor në njësinë administrative Dajt.

Drejtuesja e “Open Data Albania”, Aranita Brahaj ka bërë një parashikim për ndërtimin e institucioneve të reja të arsimit me të ardhurat që do të mblidhte nga taksa e arsimit. “Në vitin

Viti 2016 2017 2018 8muaj/
2019

2016, kur ishin planifikuar koncesionet bashkia supozohet se nuk kishte buxhet të mjaftueshëm për ndërtim vetë (me tender për punë publike, por jo formë koncesionare), e për këtë synonte formën PPP, ku para të Privatit të shlyheshin në 7 vite, ndërsa mblidhej taksa e arsimit. Në vitin 2019, 4 vite pas aplikimit të kësaj takse bashkia parashikohet të ketë buxhet nga taksa 4 miliardë lekë, por sipas të dhënave që kanë dalë nga vetë bashkia, janë kalaur pritshmëritë e saj, dhe janë grumbulluar 6 miliardë lekë. Realizimi i të ardhura nga taksa e arsimit në këtë nivel do të bënte të mundur ndërtim të shkollave pa injektim të parasë private, gjithashtu duke krijuar kushte që të mos aplikohet interesi prej 6.5% për privatin”, pohon Braha. Braha citon edhe studimin e fizibilitetit ku thuhet se financimi i ndërtimit do të kryhej nga të ardhurat e mbledhura  nga taksa.

“Financimi për shlyerjen e kostove të projektit do të sigurohet nga Taksa e përkohshme për Infrastrukturën Arsimore dhe nga transferta specifike të buxhetit të shtetit. Kjo taksë paguhet nga familjet, personat juridikë e fizikë, vendas ose të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Bashkisë Tiranë.. Ndërsa në shtatë vite të pagesës së kostove të projektit, Ministria e Financave do të alokojë në formën e transfertave specifike vlerën 700 milionë lekë në vit”, thuhet në raportin e studimit të fizibilitetit.

Të ardhurat nga taksa e arsimit

Shuma 1 mld lekë 1.9 mld lekë 2mld lekë 1mld lekë

Studimi i fizibilitetit

Projekti i realizuar nga Bashkia e Tiranës  parashikon ndërtimin e 17  institucioneve të reja arsimore, nga të cilat deri tani Bashkia ka dhënë me PPP katër prej tyre.  Institucionet arsimore që do të ndërtohen (sipas studimit te fizibilitetit) do të jenë në katër tipologji të ndryshme. Sipas  llojit ato ndahen në dhjetë (10) shkolla nëntëvjeçare dhe shtatë (7) shkolla të mesme. Studimi i fizibilitetit ka kategorizuar shkollat në katër tipe ku:

Tipi 1 i shkollave është me 20 klasa për nxënës parashkollor dhe shkollorë, dhe me një sipërfaqe ndërtimi prej 4 938 metër katror. Shkolla duhet të ketë edhe një kopsht prej 4 klasash, me një sipërfaqe prej 874 metër katror. Totali i sipërfaqes së ndërtimit për këtë tip shkolle është 5 812 metër katrorë. Shkolla të tilla do të ndërtohen dy, njëra në zonën administrative numër 8 dhe njëra në zonën administrative numër 9.

Tipi 2 i shkollave është përsëri nëntëvjeçar, me 30 klasa për nxënës parashkollor dhe shkollore dhe me një sipërfaqe ndërtimi prej 6 588 metër katrorë. Ky tip shkollash do të ketë një kopsht prej gjashtë klasash me një sipërfaqe kopshti 1 310 metër katrorë. Totali i sipërfaqes për këtë tip institucioni arsimor është 7 898 metër katrorë. Janë shtatë shkolla të këtij tipi që do të ndërtohen në kuadër të këtij projekti . Ato janë të shpërndara dy në njësinë administrative numër 2, një në njësinë administrative numër 5, dy në njësinë administrative numër 11 dhe dy të tjera në njësinë administrative Kashar.

Tipi 3 i shkollave, është arsim bazë rural, kopsht dhe shkollë me një sipërfaqe ndërtimi prej 4 041 metër katror. Është parashikuar vetëm një shkollë dhe kjo në Farkë.

Tipi 4 është i mesëm i lartë, për zonat urbane me 21 klasa dhe me një sipërfaqe ndërtimi prej 4001 metër katrorë. Janë parashikuar që të ndërtohen shtatë shkolla të Tipit 4. Do të ndërtohen një në njësinë administrative 2, një në njësinë administrative 7, një në njësinë administrative 8, një në njësinë administrative 9, një në njësinë administrative 11, një në Njësinë Administrative Dajt dhe një tjetër në Kashar.

Kostot për ndërtimin e shkollave, sipas studimit të fizibilitetit të Bashkisë Tiranë, janë parashikuar 4.7 miliardë Lekë (ose 34.7 milionë euro). Shkollat e Tipit 1, 2 dhe 3 kanë edhe klasa kopshti, ndërsa tipi 4 jo. Sipërfaqja për ndërtimin e shkollave është 88036 metra katrorë, ndërsa sipërfaqja për ndërtimin e kopshteve është 11729 metra katrorë. Çmimi mesatar për ndërtimin e një metër katror sipërfaqe shkolle është parashikuar 46 332 lekë, ndërsa për kopsht është parashikuar 54 381 lekë për metër katror. Kosto të tjera të investimit si ajo për Studim Projektimi, Mbikëqyrje të Punimeve, Kolaudimi, Oponenca Teknike, Mbrojtje ndaj Zjarrit, Leja Mjedisore, Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë  janë përllogaritur sipas Relacionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Punëve Publike me numër protokolli  21407/2, datë 09. 08. 2016.

Mobilimi i 17 shkollave është parashikuar të kushtojë 502 378 milion lekë, prej të cilave 335 000 milion do të shkojnë për mobilime ndërsa 166 000 milion lekë do të kushtojnë pajisjet me laborator të shkollave ( Përllogaritjet janë bërë pa Tatim mbi Vlerën e Shtuar.)

Veç ndërtimit dhe kostove të ndërtimit, projekti ka edhe mirëmbajtje të objekteve arsimore për periudhën kohore shtatëvjeçare,  periudhë gjatë së cilës Bashkia si autoritet kontraktues do të paguajë investimin për privatin vit pas viti. Tek kosto të mirëmbajtjes, ky studim fizibiliteti, dokument në procesin e kontraktimit me tenderim për projektin koncesionar, përllogarit këto zëra: Kosto për mirëmbajtje të aseteve (ndërtesa, pajisje, mobile dhe sistem laborator IT), kosto për staf ku janë parashikuar personel roje, personel sanitare, personel sekretarie. Për këtë kategori kostosh, përllogaritjet janë bërë duke u bazuar tek të dhënat të kostove që aplikohen nga Drejtoria e Përgjithshme Nr. 3 e Punëtorëve të Qytetit, drejtori në vartësi të Bashkisë. Kostot vjetore të mirëmbajtjes për efekt llogaritjesh janë parashikuar deri në përfundim të PPP-së, pra në një periudhë shtatëvjeçare. Në total, Kostot e Mirëmbajtjes përllogariten se do të jenë 1,159,737,859 lekë pa TVSH.

Në përllogaritjen e kostove të drejtpërdrejta të investimit është përllogaritur edhe marzh fitimi për kontraktonin apo nënkontraktonin. Por në Studimin e Fizibilitetit parashikohet edhe nevoja për përllogaritje të interesit që do të paguajë bashkia për investitorin.  Kjo, pasi koncesionarit, vlerat e investuara për këtë qëllim do t’i mbulohen në harkun kohor të shtatë viteve. Në total Partnerët privat të këtij koncesioni do të marrin mbi fitimin kontraktor,  edhe një normë interesi vjetor  prej 6. 5 % mbi shumen e kontratës.

Sipas një përllogaritje del se bashkimi i kompanive që do të ndërtojnë më koncension 4 shkolla në Tiranë, përveç fitimit do të marrin edhe rreth 352 milion lekë interesa në shtatë vjet.

Shuma që do të paguajë në total Bashkia për ndërtimin e shkollave, vlera e kontratës, plus shuma e interesit për 7 vjet arrin në 2, 091 miliard lekë.

Rreth autorit:
Ornela Manjani është gazetarë e çështjeve ekonomike në Tiranë.