Ndodhi

“Lungomare 2”, Banorët e Radhimës bojkotojnë dëgjesën publike

11 janar 2020/ Jerola Ziaj/ Porta Vendore/ Vlorë

“Lungomare 2” është përballur këtë të premte me rezistencën e banorëve të zonës së Radhimës e Orikumit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit e ka pasur të pamundur zhvillimin e dëgjesës publike mbi projektin me vlerë 4 milionë euro, që njihet ndryshe si zgjatim i shëtitores bregdetare.

Projekti i parashikuar të niste nga Kalaja, duket se është zgjeruar edhe në zonën e parashikuar në fazën e parë të Lungomarës atë të Ujit të Ftohtë tek Rapi. Banorët të cilët ishin njoftuar në rrugë jo zyrtare për mbledhjen e djeshme kërkuan të njiheshin me projektin dhe e detyruan përfaqësuesin e Bashkisë Vlorë t’u jepte shpjegime mbi disa argumente. Sipas përfaqësuesit ligjor të tyre, Armando Cakrani, në objektet e banorëve të zonës kanë mbërritur shkresat për prishje të objekteve nga IKMT dhe skualifikim legalizimi. Cakrani ka theksuar se kjo ndërhyrje bëhet selektive dhe mbi bazën e planit të përgjithshëm urbanistik vendor të miratuar në vitin 2017, por që nuk mund të këtë fuqi prapavepruese për objektet e ndërtuara para viteve 2005, pra para hyrjes në fuqi të planit. Sipas tyre, nuk do të ulen në tryezë diskutimi derisa të ndalë vala e skualifikimeve dhe prishjeve nga ana e IKMT-së. Këta banorë cenohen edhe në pronësinë e tokave nga projekti.

“Do të ulemi të flasim me ta kur të ndalë vala terroriste ndaj banorëve shqiptarë, pronarë të tokave në këtë zonë. Ne kërkojmë nga bashkia një relacion të plotë shpjegues të situatës. Duam të dimë pse këto objekte prishen sot?! Plani i përgjithshëm urbanistik vendor është miratuar në 2017-tën, si ka mundësi që nuk ka marrë parasysh që në zonë ka ndërtime. I kemi kërkuar takim kryetarit të bashkisë dhe institucioneve që lidhen me procesin, por na është refuzuar, vetëm sot kemi arritur të protokollojmë një shkresë me kërkesat tona”, tha Cakrani, i cili paralajmëroi përshkallëzim të qëndresës së banorëve.

Nga ana tjetër Bashkia e Vlorës, nëpërmjet Fatjon Devollaj, drejtorit të urbanistikës komentoi se pretendimet e banorëve nuk kanë të bëjnë me institucionin. “Ne jemi po aq të interesuar sa ata, të njihemi me projektin dhe të konsultohemi me komunitetin në çdo detaj. Pretendimet e tyre nuk kanë të bëjnë me bashkinë apo institucionet në varësi të saj. Flasim për një projekt shtetëror ku Bashkia e Vlorës është vetëm përfituese. Sa i përket planit rregullues, ai cakton kriteret e ndërtimit në zonë”, shtoi Devollaj, i cili sqaroi se Bashkia e Vlorës është shumë e interesuar që të mos cenohen nga ky proces banorët e saj.

Por pavarësisht kundërshtive me të cilat përballet projekti, në zonë që nga korriku ka nisur vala e prishjes së objekteve nga IKMT, jo rrallë herë duke degraduar edhe me konfrontime fizike mes policisë dhe banorëve. Projekti tashmë pritet të përmbyllë fazën e konsultimeve publike për të nisur implementimin. Ai është prokuruar më 17 korrik 2019-të , ndërsa kompania fituese e projektimit është “Thymio Papayannis and Associates” & “Technical Planning & Development” dhe vlera vetëm e kësaj fazë është 24,500,000 ALL. Nga burime zyrtare Porta Vendore mësoi se projekti duhet të nis implementimin në fund të Janarit për të mos penguar pikun e sezonit turistik, pasi afati i ndërtimit të tij parashikohet 6 muaj.

Rreth autorit:
Jerola Ziaj është gazetare në qytetin e Vlorës.