Ngjarje/Personazhe

Ersekë, “Rilindja” e sheshit që nuk rilindi jetën e banorëve

9 janar 2020/ Dhorjela Cule/ Porta Vendore/ Ersekë

Rikonstruksioni i sheshit “Rilindja” nuk solli asnjë përmirësim për jetën e banorëve të Ersekës. Investimi me vlerën 881 000 euro për shumicën e atyre që jetojnë në këtë qytet ishte i panevojshëm dhe aspak funksional.

Punimet për rinovimin e sheshit qendror të Ersekës nisën në vitin 2014 dhe kushtuan rreth 470 000 euro, për të vazhduar më tej në 2016-ën, edhe me një tjetër projekt që ishte ai i rikonstruksionit të fasadave përreth këtij sheshi që kushtoi 417 000 euro.

Projektet me një total prej 881 000 euro të realizuara nga kompanitë fituese “AS Shpk” dhe kompania e ndërtimit “Eral” sipas banorëve i privuan ata nga zgjidhja e problemit të furnizimit me ujë të pijshëm, një kërkesë që për ta ishte më me prioritet se çdo investim tjetër.

Pavarësisht dekorimit të kësaj hapësire me pllaka guri, pemë kumbulle e fasada të reja, jeta e banorëve mbeti e vakët. Disa prej tyre e konsiderojnë këtë ndërhyrje që synojë t’i rregullojë imazhin qytetit si “një fshehje pas gishtit”.

I gjithë sheshi rrethohet nga njëra anë prej ndërtesës së bashkisë e në pjesën tjetër nga Pallati i Kulturës e disa godina private, të cilat thuajse e izolojnë plotësisht pamjen e qytetit përtej qendrës. Pas rrethit të mbyllur të qendrës, qëndrojnë rrugët e amortizuara dhe fasadat e pallateve të vjetra të Ersekës.

Rruga e amortizuar pranë qendrës së Ersekës. Foto: Dhorjela Cule

Prej vitesh banorët e kanë gjetur “shpëtimin” e tyre në malin e Gramozit, ku sigurojnë jetesën përmes mbledhjes së bimëve medicinale.

Sheshi i qytetit në një ditë me shi. Foto: Dhorjela Cule

Të tjerë sugjerojnë se vlera e këtyre dy investimeve mund të ishte vënë në dispozicion të rrugës nacionale Korçë – Ersekë dhe t’i shërbente më shumë fuqizimit të ekonomisë lokale. Segmenti rrugor u rikonstruktua vetëm në kilometrat e parë ndërsa pjesa tjetër nga Qafa e Qarrit e deri në hyrje të qytetit është e amortizuar dhe lëvizja e banorëve vëstirësohet së tepërmi në dimër edhe për shkak të borës.

Rruga nacionale Korçë-Ersekë. Foto: Dhorjela Cule

Zona malore viteve të fundit ka zgjuar kërshërinë e turistëve të huaj, por përveç natyrës dhe mikpritjes, s’ka asgjë tjetër për të ofruar. Edhe njësitë akomoduese janë të pakta, ndaj turistët qëndrojnë për pak orë në zonë dhe vazhdojnë udhëtimin e tyre.

Përveç emigracionit masiv gjatë 30 viteve të fundit drejt Greqisë e vendeve të tjera të Europës, edhe kryeqyteti shihet si “toka e premtuar” për të rinjtë që ikin me studime e nuk kthehen më.

Marjeta Pinderi i tha Portës Vendore se investimi i kryer nuk solli asnjë të mirë për vajzën e saj studente dhe as të rinjtë e tjerë që mezi presin ta braktisin Ersekën. “Sheshi nuk na jep bukë, as nuk na e rilindi ekonominë familjare. Vajza ime studion në Tiranë për laborante dhe unë gjithçka e përballoj me lulet që mbledh në mal. As ajo e as bashkëmoshatarët e saj nuk i kthehen më Ersekës se e dinë që këtu vetëm mali i Gramozit i pret”, u shpreh Pinderi.

Mbyllja dhe devijimi i rrugëve kryesore që kalonte në qendër të Ersekës penalizoi edhe ato pak biznese që kishin zënë vend aty, pasi tani thuajse askush nuk ndalet në lokalet e tyre, pasi nuk ka më klientë të rastësishëm.

“Sheshi ne na i largoi edhe ata pak njerëz që kishim. Makinat s’kalojnë më këtu, njeri në shesh nuk del, veç fëmijëve dhe pensionistëve. Në dimër bëhet pistë patinazhi. Jo vetëm nuk na shërbeu, por na prishi punë”, tha pronari i një lokali pranë sheshit, për Portën Vendore.

Besjana Mehmeti tregon se në dimër sheshi është i vështirë për t’u përshkuar, ndërsa për ta nuk solli asnjë ndryshim. “Thuajse nuk kalohet dot në dimër, përdorim rrugët përreth sheshit. Mbase janë gurët shumë të lëmuar dhe me pak borë.Këtu rrezikon të biesh. Mungojnë edhe koshat e mbeturinave, ndërsa të rinjtë nuk është se e frekuentojnë”, tha ajo.

Por ka edhe nga ata që kanë një këndvështrim tjetër. Vladimir Lumani nuk e sheh sheshin si diçka të keqe për qytetin, por sipas tij ka disa mangësi. “Te pjesa që ndodhet para bashkisë do të duheshin më shumë stola në vend që të lihej bosh, ndërsa sipërfaqja e gjelbëruar është thuajse e papërfillshme. Është diçka e mirë që u rregullua, por duhet të kishte më shumë gjelbërim sesa pllaka dhe stola për të pushuar. Thuajse nuk qëndron askush këtu për t’u çlodhur, as në dimër e as në verë”, sqaron ai.

Valentina përveç punës si pastruese gjithashtu shfrytëzon muajt e verës dhe ditët e pushimit për të mbledhur çaj në mal. Për gruan e ve që duhet të rrisë e vetme dy fëmijët e saj, sheshi dhe “suvatë e reja” të pallateve nuk japin bukë. “Ky sheshi nuk na e lehtësoi jetën, as na e zbukuroi. As kosha për mbeturinat nuk vendosën, kaq mirë e bënë”, tha ajo. Me sytë nga mali, kushtet minimale dhe vështirësitë e shumta, ajo thotë se duhet ta kishin menduar dy herë Kolonjën, para se ti hidhnin milionat për pllaka e mure.

Ndërsa Ali Laho, ish-kryetari i Bashkisë Kolonjë tha se investimi i kryer nga qeveria për rikonstruksionin e Sheshit “Rilindja” padyshim kishte një impakt pozitiv për qytetin, por për vite me radhë, kërkesë prioritare e banorëve ka qenë ndërtimi i ujësjellësit të ri dhe rruga që e lidh këtë qytet me Korçën. “Projekti pati një impakt pozitiv, është një shesh i rëndësishëm për qytetin, por problemi i furnizimit me ujë të pijshëm mbetet ende i pazgjidhur”, tha për Portën Vendore, zoti Laho.

I pyetur përmes telefonit për dy kërkesat e banorëve që lidhen përkatësisht me ujësjellësin dhe rrugën Korçë- Ersekë, Kryetari i Bashkisë Ersekë, Erion Isai tha se këto janë investime që nuk zhbëjnë njëra – tjetrën. “Ujësjellësi do të përfundojë shumë shpejt, punimet kanë ecur ndërsa sa i takon ndërtimit të rrugës ka përfunduar loti 1. Sheshi është një investim funksional ndërsa ka 40 % rritje të bizneseve që operojnë aty”, deklaroi Isai.

Sheshi i rikontruktuar në qendër të Ersekës. Foto: Dhorjela Cule

Situatën problematike që krijohet në dimër si pasojë e ngricës kryebashkiaku e konsideroi normale, kjo për shkak të klimës, ku sipas tij është një fenomen që ndodh në çdo qytet. Mes opinioneve të ndryshme të pushtetit vendor e banorëve, sheshi qëndron hijerëndë, duke i kujtuar këtyre të fundit dëgjesën e vetme publike që u zhvillua, ku ndryshe nga pritshmëritë e banorëve nuk u fol nëse duhej bërë një investim i tillë miliona eurosh, por ku u diskutua për zgjedhjen e llojit të gurit që do të përdorej.

Rreth autorit:
Dhorjela Cule është korrespondente e Top Channel në Korçë.