3 janar 2020/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore/ Tiranë
Tërmeti i 26 nëntorit nxori në pah defekte të shumta në investimet publike në Tiranë, sa i përket shkollave dhe kopshteve, ndërkohë që rikonstruksioni i tyre ka qenë një ndër ambiciet e Bashkisë së Tiranës. Një pjesë të këtyre godinave të rikonstruktuara gjatë viteve të fundit vënë në pikëpyetje seriozitetin, me të cilat janë bërë këto investime, ku nuk janë harxhuar pak, por rreth 2 miliardë lekë.
Kopshti 42, në njësinë administrative nr. 5 vazhdon të jetë i kyçur me çelës që prej datës 26 nëntor. I rikonstruktuar krejtësisht në vitin 2015, ky kopsht me rreth 130 fëmijë nuk i rezistoi dot tërmetit, si pasojë e të cilit pësoi dëmtime serioze. Tanimë vogëlushët janë shpërndarë në disa kopshte të tjera, në zonën e ish Bllokut, zonë në të cilën ndodhet edhe ky institucion arsimor.
Kopshti 42, përfitoi nga nisma e Krybashkiakut Veliaj “Adopto një kopsht”. Në përfundim të rikonstruksionit të tij, vetë Erion Veliaj, i cili mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të tij në tetor 2015 e konsideroi “si një nga kopshtet më të mira në Tiranë”.

“Open data Albania” ka bërë një skanim të gjithë tenderëve, që Bashkia e Tiranës, ka kryer në infrastrukturën arsimore të kryeqytetit, duke filluar që nga korriku i 2015-ës e deri në fillim të dhjetorit 2019. Sipas listës së publikuar nga “Open Data” Bashkia e Tiranës ka kryer 41 ndërhyrje rikonstruktuese dhe ndërtim shkollash të reja, për të cilat ka shpenzuar rreth 2 miliardë lekë ose 18 milionë euro. Si pasojë, infrastruktura shkollore në Tiranë ka pësuar disa përmirësime, por një pjesë e këtyre investimeve janë vënë në pikëpyetje pas tërmetit.
Duke i referuar pagesave të bërë nga dega e thesarit rezulton se Bashkia e Tiranës i ka paguar Kompanisë “NIKA SHPK” 10.3 milionë lekë për ndërhyrjen rikonstruktuese të realizuar në kopshtin nr. 42 në vitin 2015. Nga Bashkia e Tiranës nuk ka ende një përgjigje se në çfarë mase janë dëmtimet që ka pësuar ky kopsht dhe kur do të nisë ndërhyrja rehabilituese në të, pasi aktualisht në këtë kopsht nuk po punohet.
“Unë e kam djalin në grupin e parë dhe e kanë dërguar te kopshti që është një rrugicë më tutje, pasi grupet janë shpërndarë në godina të ndryshme. Jam e habitur sepse para 4 vitesh unë kisha edhe vajzën në këtë kopsht dhe u gëzuam që më në fund do të rikonstruktohej…por tani nuk dimë se çfarë të besojmë”, na thotë Eva, prind i një fëmijë në këtë kopsht.
Më datë 2 dhjetor ndërsa inspektonte një nga shkollat e Tiranës, kryebashkiaku Veliaj do të shprehej se “Të martën në darkë do të bëjmë një deklaratë për të gjitha shkollat, kopshtet, çerdhet, që do të hapen”. Por thuajse një muaj pas rihapjes së shkollës nuk ka një deklaratë publike për shkollat e dëmtuara apo një raport publik për situatën e dëmtimeve.
Gjimnazit “Sami Frashëri”, i rikonstruktuar në korrik të 2018-ës, iu vu shiriti i kuq menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit. Videot që qarkulluan në rrjetet sociale treguan se ky institucion arsimor pësoi dëmtime serioze. Shkolla është rrethuar me rrjeta dhe është e vështirë të dallohet nga rruga se çfarë po ndodh aty .

Brenda mureve të gjimnazit që studiojnë rreth 1500 nxënës janë vendosur makineri të rënda dhe puna vijon me ritme të shpejta. Ndërsa i gjithë gjimnazi po bën mësim pasdite pranë shkollës “Çajupi”.
“Na ka ruajtur zoti. Imagjinoni sikur të ishte ditë… Në ato klasa ku ra tavani ka çdo ditë 40 nxënës, se me aq i kanë klasat. As nuk dua ta mendoj se çfarë do të kishte ndodhur po të kishte ndodhur në orar mësimi”, na thotë një prind që nuk dëshiron të identifikohet.
Majlinda Ziu, drejtoresha e përkohshme, së cilës i është besuar drejtimi i gjimnazit “Sami Frashëri”, pas shkarkimit nga ky pozicion i Teuta Dobit, me motivacionin se rrezikoi jetën e nxënësve, pasi i futi në provim ditën e tërmetit, na thotë se dëmet nuk janë edhe aq të mëdha.
“Po është e vërtetë që shkolla është dëmtuar, por po punohet që të bëhet gati sa më shpejt. Dhe me datë 6 janar nxënësit do të mund të akomodohen sërish në ambientet e shkollës së tyre. Pra me 6 janar “Sami Frashëri” do të hapë sërish dyert”, na thotë Majlinda Ziu.
Në njoftimin që Bashkia e Tiranës ka shpërndarë për mediat në përfundim të punimeve më 9 korrik 2018 bën me dije se gjimnazi “Sami Frashëri” është rikonstruktuar me mbështetjen e kompanisë “Philip Morris” dhe organizatës “Milieukontakt Shqipëri”, dhe është ndërhyrë në fushat sportive brenda dhe jashtë shkollës, sallat e zhveshjes, dyert e klasave, si dhe laboratorët shkencorë (biologji, kimi dhe informatikë).
Për Ndriçim Mehmetin, ekspert i arsimit, shkolla “Sami Frashëri” aktualisht është një skenë krimi. “Nëse thua që kam ndërhyrë në dyert e klasave dhe në dritare atëherë ke prekur strukturën…dhe kush mban përgjegjësi për këto. A ka nisur Bashkia e Tiranës hetimet për cilësinë e punimeve? Kush e ka kolauduar? Kush e ka marrë në dorëzim? Përse nuk ka një përgjigje për të gjitha këto?”, pyet i shqetësuar ai.
Ai shkon edhe më tej, duke akuzuar për fshehje të situatës. “Ende nuk e kemi të qartë se cilat janë objektet shkollore që kanë pësuar dëmtime. Përse nuk ka një raport për situatën? Duhet të dimë se cilat janë shkollat e dëmtuara, në çfarë situate janë dhe çfarë do të bëhet me to…” thotë ai.
Agron Hysenlliu, drejtor i Institutit të Ndërtimit i tha Portës Vendore se ata kanë qenë shumë strikt kur vjen puna tek objektet shkollore. Ai jep gjithashtu garanci për godinat ku ka firmosur. “Pjesën më të madhe i kam kontrolluar vetë, dhe kemi dërguar jo një, por dhe 4 apo 5 grupe për të qenë më të sigurt. Aty ku ka një vendim që shkolla duhet hapur, aty ka garanci të plotë. Çdo jetë është e shenjtë dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për shkollat ne jemi treguar shumë rigoroz për të dhënë garanci maksimale”, shpjegon ai.
Hysenlliu sqaron se në çdo shkollë kanë lënë akt konstatimet dhe më pas ia kanë dërguar edhe Bashkisë së Tiranës, për të ndërtuar një situatë të qartë. Po përkundër këtij sqarimi të Hysenlliut, drejtoresha e shkollës “Kongresi i Lushnjës” thotë se asaj nuk i ka lënë askush asgjë dhe se akt- konstatimet dhe atë çfarë shkruhet në të i ka parë, vetëm pasi kanë dalë në mediat online. ” E gjitha është një ekzagjerim që po bëhet nga media. Kishte disa dëmtime, por ata u riparuan. Mua më kanë njoftuar se shkolla është në rregull dhe jemi bërë gati për mësim. Ne si drejtori nuk i disponojmë akt konstatimet, i kemi marrë pasi janë publikuar në rrjetet sociale. Di vetëm që na kanë dhënë garanci për shkollën, ndaj edhe është hapur”, thotë drejtoresha e kësaj shkolle.

Një pjesë e prindërve të kësaj shkolle bojkotuan mësimin pasi morën vesh që ekzistonte një akt konstatimi, që mbante datën 3 dhjetor, i cili e nxirrte shkollën të pabanueshme, por shkolla hapi dyert me 9 dhjetor. Ndonëse nga videot që qarkulluan në media një ditë pas tërmetit situata u duk kritike, drejtori i Institutit të Ndërtimit shprehet se ato nuk ishin dëmtime serioze.
“Unë e kam inspektuar vetë atë shkollë, ku me datë 3 dhjetor kemi konstatuar se kishte probleme te një fugature ku lidhej me palestrën, është ndërhyrë dhe është riparuar dhe ndaj është hapur me datë 9 dhjetor. Shkolla ka qenë në rregull dhe vazhdon të jetë mëse e sigurt”, thotë ai. Por ky akt konstatim i dytë nuk i ka qetësuar prindërit.
Nënë Vera banon në pallatin përballë shkollës dhe shoqëron çdo ditë mbesën që e ka në fillore. Ajo ndihet konfuze dhe nuk është e sigurt nëse duhet ta çojë apo jo mbesën. “Po ç’të të them. Shkolla u ça nga tërmeti dhe ne e pamë se në çfarë gjendje ishte se këtu banojmë. Këta erdhën natën, tërmeti binte ende ata rregullonin shkollën. Na thanë që është në rregull, po ku dimë ne kë të besojmë”, tregon ajo e shqetësuar.
Rihapja e shkollës, “Emin Duraku” edhe kjo e përfshirë në rikonstruksion në vitin 2016 u shoqërua me debate të forta nga prindërit. Pas thuajse 10 ditë pas bojkotit, u vendos nga drejtoria e shkollës që fëmijët të futeshin brenda. E gjitha kjo ndodhi vetëm pasi prindërit morën garancinë se godina e vjetër ishte në rregull, ndërkohë që godina e fillores ishte nxjerrë jashtë funksionit dhe mbante të vendosur shiriti i kuq.

Sipas pagesave të bëra në degën e thesarit rezulton se Bashkia e Tiranës i ka paguar rreth 17 milionë lekë kompanisë “Alba Konstruksion” për rehabilitimin dhe instalimin e sistemit të ngrohjes në këtë shkollë, por duket se kjo shkollë ka pasur probleme serioze me strukturën.
“Musine Kokalari” është një tjetër shkollë e rikonstruktuar në vitin 2016, edhe ajo e mbyllur nga tërmeti i 26 nëntorit. Megjithatë prindërit e kësaj shkolle janë të qetë, pasi janë njoftuar menjëherë. Aktualisht ata po zhvillojnë mësim në ambientet e shkollës “Betim Muço”, dhe pritet që kjo shkollë të rihapet me 6 janar.
Ndërkohë, në Tiranë kanë pësuar dëmtime serioze edhe shkollat; “Ramazan Jarani” e rikonstruktuar në 2009-ën, shkollat “Lasgush Poradeci” dhe “Murat Toptani”.
Në një kërkesë për informacion, e pyetur nga Porta Vendore mbi dëmtimet dhe problematikat e shkaktuara në infrastrukturat shkollore Bashkia Tiranë tha se : “Në objektet të cilat janë paraqitur dëme të kategorisë dëm i ulët/i mesëm, që nuk kanë dëmtime në strukturë, janë marrë masa dhe janë në proces riparimi nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme Nr.3 të Punëtorëve të Qytetit. Për objektet arsimore, të cilat janë evidentuar me dëmtime të larta si dhe dëme në strukturë (në total 19 objekte), po kryhet një ekzaminim teknik i thelluar për të përcaktuar tipologjinë e ndërhyrjes së nevojshme, që mund të jetë përforcim, rikonstruksion ose rindërtim.
Porta Vendore gjithashtu iu drejtua nëpërmjet një kërkesë për informacion edhe drejtorisë Arsimore Tiranë, ku kjo e fundit sqaroi se është kryer një monitorim i hollësishëm në terren ku në bazë edhe të pasojave që la tërmeti i 26 nëntorit është vendosur se cilat objekte do të përfshihen në rikonstruksione: Nga 19 objekte të dëmtuara, 13 prej tyre janë për rindërtim, ku 5 prej shkollave rezultojnë të jenë në qytet, e 8 në njësitë administrative të Tiranës. Shkollat 9 vjeçare që po rindërtohen janë “Lasgush Poradeci” , “Murat Toptani”, e “Musine Kokalari”. Gjimnazi “Sami Frashëri” dhe shkolla 9 vjeçare “26 nëntori” do të hapen në janar, ndërsa 3 shkollat të tjera janë hapur pjesërisht, konkretisht; shkolla 9 vjeçare “Emin Duraku” dhe gjimnazet “ Myslym Keta” dhe “Asim Vokshi”. Ndërsa në përgjigjen e Zyrës Arsimore thuhet gjithashtu se: “Në asnjë institucion arsimor publik nuk kanë hyrë nxënës pa miratimin e grupeve të inspektimit”.
Ndikimi psikologjik te fëmijët
E gjithë kjo situatë e paqartë ka rritur shqetësimin, jo vetëm te prindërit, por edhe te fëmijët. Sipas World Vision, që në këtë situatë është marrë më së shumti me fëmijët e gjendur në Tiranë, Thumanë, Durrës, Kurbin e Lezhë, një pjesë e madhe po vuajnë nga ankthi dhe stresi. “Sipas prindërve, 74% fëmijëve janë të frikësuar dhe të traumatizuar”, thuhet në raportin e World Vision, i cili jep informacion për situatën e 2460 banorëve, mes tyre 951 fëmijë.
“Nëse një prind është treguar i kujdesshëm dhe protektiv, një prind tjetër nuk ka mundur. Ndaj fëmijët bëjnë dhe krahasim me atë çfarë i është thënë nga bashkëmoshatari. Si pasojë, një fëmijë mund të ndihet i çorientuar dhe i stepur për të barazpeshuar informacionin e krijuar në mendjen e tij e për të gjetur të vërtetën. Jo pak herë mund të marrin edhe informacione të gabuara që do ia rrisin shqetësimin. Nga ana tjetër janë edhe mësuesit të cilët përpiqen të gjejnë gjuhën e ndërmjetësit, i cili adresohet nga institucionet kompetente”, tha për Portën Vendore, Marsi Simo, psikologe shkolle.
Për të ndihmuar në kalimin e problemeve të krijuara nga tërmeti, në koordinim me pushtetin qendror dhe vendor, World Vision hapi 2 hapësirat e para miqësore për fëmijë brenda kampit të Thumanës dhe Durrësit. Ndërsa aktualisht janë funksionale 3 hapësira miqësore për fëmijë në Shëngjin, Durrës dhe Kamëz, ku ofrohet ndihmë psikologjike.
Rreth autorit:
Esmeralda Keta është gazetare e çështjeve sociale në Tiranë.