Vëzhgim/Analizë

Tërmeti lë pa zbukurime dhe shpërblime bashkitë, por 8 prej tyre i shpëtuan VKM-së

31 Dhjetor 2019/Bledi Gilaj/Ornela Manjani/Porta Vendore/Tiranë/Durrës/Elbasan

Qeveria shqiptare, me një vendim të posaçëm ka vendosur që asnjë shpërblim për punonjësit e administratës të mos jepet në fundviti dhe asnjë fond të mos përdoret për zbukurimet apo aktivitetet social-kulturore për festat e ndërrimit të viteve, ndërkohë që disa prej bashkive e kanë përdorur këtë fond para nxjerrjes së VKM-së, duke shkaktuar kështu që disa bashki të jenë të zbukuruara gjatë fundvitit, ndërsa disa të tjera jo.

Vendimi i marrë më 6 dhjetor dhe i publikuar në fletoren zyrtare më 10 dhjetor parashikon ndalimin e përdorimit të fondit të posaçëm, rezervë të institucioneve ku parashikohet edhe organizimi i aktivitetet kulturore apo i shpërblimeve. “Përjashtimisht për vitin 2019, fondi i veçantë i institucioneve qendrore, buxhetore dhe jo buxhetore, institucioneve të vetëqeverisjes vendore, njësive të fondeve speciale, institucioneve publike, të krijuara me ligj të posaçëm, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror, në varësi të institucioneve qendrore dhe të vetëqeverisjes vendore, nuk do të përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve”, thuhet në VKM me numër 781 të qeverisë, i nxjerrë më 6 dhjetor nga qeveria shqiptare.

Kryeministri Rama paralajmëroi pak ditë para vendimit, menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit se këtë vit nuk do të ketë shpërblime për atë pjesë të administratës që kanë përfituar gjatë viteve të fundit. “Kjo lidhet me gjendjen e jashtëzakonshme që po kalon Shqipëria pas tërmetit të 26 nëntorit ku pati 51 viktima në zonën e Durrësit dhe të Thumanës”, deklaroi Rama.

Por ajo që vihet re nga një vëzhgim i Portës Vendore është fakti se disa bashki e kanë prekur fondin e veçantë para se të dalë ky vendim. Konkretisht, 8 bashki kanë realizuar 14 tenderë për aktivitete për festat e fundvitit, me një vlerë totale rreth 51 milionë e 528 mijë lekë të reja, ose rreth 422 mijë euro, megjithëse asnjë prej tyre nuk ka akorduar ndonjë shpërblim për punonjësit e vet.

Një rrugëtim në Tiranë

Bashkia Tiranë rezulton se është ajo që ka peshën më të madhe në fondin e harxhuar për fundvit, ku rezulton se ka realizuar para nxjerrjes së VKM pesë tenderë me vlerë totale 13 milionë e 539 mijë lekë të reja, ose rreth 110 mijë euro. Vlera e harxhuar sivjet është pak më e vogël se ajo një vit më parë, pasi në fundvitin e 2018-s, Bashkia Tiranë harxhoi rreth 16.6 milionë lekë të reja, ose rreth 135 mijë euro, pra 25 mijë euro më shumë.

Gjithsesi, dritat shumëngjyrëshe të ndezura në të gjitha rrugët e kryeqyteti, kanë sjellë një atmosferë të ngrohtë e festive për festat e fundvitit. Sheshi Nënë Tereza, i kthyer në një fshat festiv është dekoruar me pemën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, ndërsa shtëpitë e vogla prej druri, ku shiten artikuj të ndryshëm, si dhe lodrat argëtojnë të rriturit dhe fëmijët.

Qyteza e festave në pedonale, është zona më e ndriçuar dhe zbukuruar. Në Sheshin Skëndërbej, Bashkia në dekorin me mijëra drita, ka shtuar këtë vit edhe një kartolinë gjigande urimi. Ndërsa pema e Krishtlindjeve është vendosur përbri Bashkisë.

Bashkia e Tiranës ka zbukuruar edhe disa nga rrugët kryesore, ndërsa ka menduar që të shtojë rrugët dhe urat përmbi Lanë me ndriçim të ri, ndërsa nuk ka mbetur mënjanë as Parku i Liqenit Artificial. Po ashtu nuk kanë mbetur pas edhe sipërmarrjet private, të cilat kanë dekoruar dhe zbukuruar objektet dhe rrugët kryesore.

Zbukurimet në sheshin “Skënderbej”
Zbukurimet te Liqeni Artificial në kryeqytet

Madje, natën e ndërrimit të viteve, Tirana do ta përcjellë në sheshin “Skënderbej”, mes tingujve të muzikës, argëtimit, dhe shoqërisë së njëri-tjetrit. Bashkia e Tiranës ka organizuar një koncert madhështor, i cili starton në orën 23:00 të 31 dhjetorit, me emra të njohur të muzikës shqiptare. Ndërkohë, një spektakël i vërtetë fishekzjarrësh do të realizohet për të gjithë qytetarët e Tiranës, por edhe vizitorët e shumtë të kryeqytetit, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë në Tiranë festat e fundvitit.

Zbukurime me shifra rekord në Elbasan

Pas Tiranës, Bashkia e Elbasanit ka shifrën rekord të shpenzimeve për zbukurimin e qytetit për festat e fundvitit, ku sipas të dhënave nga Agjencia e Prokurimeve Publike, vetëm me një tender ka shpenzuar pothuajse sa Bashkia e Tiranës. Tenderi i shpallur nga Bashkia Elbasan në datë 23.10.2019 dhe i mbyllur në datë 15.11.2019, përcakton një fond në vlerën e 13 milionë e 400 mijë lekëve të reja, ose 109 mijë euro, për zbukurimin e qytetit. Kjo është një shifër rekord e harxhuar nga Bashkia Elbasan, e cila pas 12 vitesh drejtohet nga një tjetër kryebashkiak, ndërkohë që një vit më herët ka harxhuar për festat e fundvitit vetëm 645 mijë lekë. Pra sivjet Bashkia Elbasan e ka zgjidhur “thesin” shumë, duke harxhuar jo pak, por 20 herë më tepër sesa një vit më parë.

Zbukurimet për festat e fundvitit në qytetin e Elbasanit.

Siç shihet dhe në fotot e mëposhtme, kryebashkiaku Gledian Llatja ka vendosur të shpenzojë një shifër rekord për zbukurimin e qytetit, me drita dhe shirita led që do të vendosen në çdo shtyllë. Ndërkohë, vitin e kaluar kur Elbasani drejtohej nga Qazim Sejdini, për ndriçimin dhe zbukurimin e qytetit janë shpenzuar 645 mijë lekë të reja.

Në foto: Projekti i Bashkisë Elbasan për zbukurimet e fundvitit

E duke iu përmbajtur këtij projekti të mirëfinancuar, qyteti i Elbasanit që në ditët e para të fillimit të muajit dhjetor është transformuar nga zbukurimet dekorative, ku dominojnë dritat shumë ngjyrëshe. Qendra e qytetit është rikthyer në një ambient tërheqës, dëfrimi dhe kënaqësie, ku dominojnë simbolet e legjendës së babagjyshit të Vitit të Ri, që nga shtëpizat e vogla, dreri dhe pema e krishtlindjeve me plot drita shumëngjyrëshe. E njëjta atmosferë ndjehet edhe përgjatë të gjithë rrugëve të qytetit. Lokale të zbukuruara me drita, pemë, si edhe simbole të Vitit të Ri, i kanë shndërruar netët e qytetit, në “ditë të bardha” dhe plot ngjyra. Po ashtu, veç dekorit të zbukurimeve, qytetit të Elbasanit nuk i kanë munguar dhe ambientet e lodrave, të cilat janë instaluar në qytet vetëm për fëmijët.

Durrësi mes panikut dhe atmosferës së festave

Një nga bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit ishte Bashkia Durrës, por kjo nuk e ka ndalur që të krijojë një atmosferë festive për ndërrimin e viteve. Për zbukurime dhe dekor për festat e fundvitit rezulton se Bashkia Durrës ka vënë në dispozicion një fond prej 4 milionë e 936 mijë lekë të reja, ose 40 mijë euro. Ajo që viret është se fondi i përdorur sivjet për festat e fundvitit është pothuajse 100 mijë lekë të reja më shumë se ai i përdorur vjet për të njëjtin qëllim, ku nga shifrat pranë APP rezulton se në vitin 2018, Bashkia Durrës ka harxhuar për zbukurime 4 milionë e 841 mijë lekë të reja.

Madje, për fondin e sivjetshëm, Partia Demokratike ngriti akuza ndaj Bashkisë Durrës, duke ironizuar se Komuna e Tetovës dha fondin e vet për festat e fundvitit në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, ndërkohë që Bashkia e Durrësit shpenzon paratë e veta.

Zbukurojnë qytetin e Durrësit 42 mije euro për festa, kur njerëzit janë akoma rrugëve pa siguri, pa strehim! Ndërkohë Tetova na dhuroi 25 mije eurot e dekorit të saj festiv për qytetarët e Durrësit”, deklaroi zëdhënësja e PD, Ina Zhupa. Por, ajo që vihet re është fakti se kontrata me kompaninë që fitoi tenderin për dekorin e fundvitit në Durrës është lidhur me Bashkinë e qytetit të prekur nga tërmeti para tërmetit të 26 nëntorit. Madje, sipas dokumenteve pranë Agjencisë së Prokurimeve Publike rezulton se njoftimi i fituesit është bërë që më 6 nëntor 2019.

Dekori në qytetin e Durrësit për festat e fundvitit.

Megjithatë, qyteti më i dëmtuar pas tërmetit të 26 nëntorit, me zbukurimet e fundvitit po tenton t’i largohet dhimbjes e shkatërrimit dhe t’i kthehet jetës së përditshme. Në qendrën e qytetit dhe në rrugët kryesore, janë shfaqur zbukurimet e festave. Edhe vetë kryeministri Rama, i cili ndaloi me vendim qeverie shpenzimet nga fondi i emergjencës për festat e fundvitit, kërkoi që Durrësi, Tiranë dhe zonat e tjera të prekura nga tërmeti të ndryshonin pamjen me zbukurime, si një shenjë e guximit dhe dëshirës se jeta do të vazhdojë.

Zbukurimet në qytetin e Durrësit

Edhe vetë qytetarët kanë dhënë mesazhin e ringritjes, të cilët në këtë pragfestash duken më të qetë dhe më të buzëqeshur ndërsa shijojnë xhirot në qendër të qytetit e ku fëmijët argëtohen me zbukurimet e shumta që janë vendosur për të mirëpritur festat e fundvitit. Një qytetar u shpreh se “ka një tendencë për të rifilluar normalitetin. Kemi nxjerrë fëmijët që ta heqim dhe ne pak mendjen nga ndodhitë e fundit”. Një tjetër qytetare tha se, “na duket si ëndërr e keqe. Tani me këtë atmosferë që është krijuar duket sikur s’ka ndodhur gjë. Festat mezi po i presim, sepse jemi dhe me fëmijë dhe kur je me fëmijë se s’bën do i festosh”.

Bashkitë e tjera

Veç Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, të cilat kanë shpenzuar më shumë se gjysmën e parave të hedhura nga 8 bashkitë, të cilat i shpëtuan vendimit të qeverisë, bashkitë tjera kanë vënë në dispozicion më pak para për festat e fundvitit. Bashkia Pogradec vihet re se sivjet ka shpenzuar rreth 7.5 milionë lekë të reja, ose 61 mijë euro, ndërkohë që krahasuar me një vit më parë kishte shpenzuar 468 mijë lekë, ose 16 më pak se sivjet. Pogradeci ndiqet nga Bashkia Vlorë me 5.5 milionë lekë të reja, ose 45.5 mijë euro. Edhe Bashkia Vlorë i ka rritur sivjet shpenzimet për festat e fundvitit, pasi rezulton se një vit më parë ka shpenzuar 4 milionë e 786 mijë lekë.

Po ashtu, shpenzime të tjera kanë kryer bashkitë Fier, Cërrik dhe Shkodër. Konkretisht Bashkia Fier ka shpenzuar sivjet 3 milionë e 436 mijë lekë të reja, ndërsa vjet kishte shpenzuar 2 milionë e 514 mijë lekë të reja. Kurse Bashkia Cërrik ka shpenzuar për 2019-n të njëjtën shifër si një vit më parë, 2 milionë lekë të reja. Ndërsa Bashkia Shkodër, e vetmja bashki, e cila drejtohet nga një kryetare në detyrë pas dorëheqjes së kandidatit për shkak të dekriminalizimit, ka shpenzuar sivjet 1 milion e 163 mijë lekë të reja për zbukurimet e qytetit. Krahasuar me një vit më parë, rezulton se Bashkia Shkodër i ka ulur shpenzimet me rreth 400 mijë lekë të reja, pasi në vitin 2018 shpenzoi 1 milion e 545 mijë lekë të reja.

Megjithatë, zbukurimet nuk kanë munguar dhe në bashkitë e tjera, si në Lezhë, Korçë, Pogradec, Lushnjë, Berat dhe Dibër, edhe pse këto bashki nuk rezultojnë të kenë bërë shpenzime për fundvit, por kanë përdorur të njëjtat zbukurime të një viti më parë.