30 dhjetor 2019/ Ola Mitre/ Porta Vendore/ Durrës
Mijëra biznese në Durrës po vuajnë pasojat e tërmetit të 26 nëntorit, ndërkohë që Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë, më qëllim rindezjen e motorit ekonomik të qytetit. Qeveria thotë se po analizon situatën, por nuk ka një afat të përcaktuar për prezantimin e masave, ndërkohë që ekspertët e ekonomisë konsiderojnë si emergjente certifikimin e sigurisë së ndërmarrjeve me shumë punonjës.
Pasi u nxor nga rrënojat që la pas tërmeti i 26 nëntorit, pronarit të “Pespa Alumin” në Durrës i duhet të përballet me dëmet e shumta që lëkundjet kanë shkaktuar në biznesin e tij. Një nga godinat e kompanisë u shemb totalisht, ndërsa tre godina të tjera 4-katëshe kanë pësuar dëme të mëdha në pjesën strukturore. “Sipas një vlerësimi inxhinierik që vetë kompania ka bërë me inxhinierët e huaj, biznesi ka nevojë për ri-përforcim”, thotë administratorja Ana Manka, ndërsa shton se linjat e prodhimit janë me më pak dëme. Në këtë kompani punojnë rreth 300 punonjës, ndërkohë që pas dëmeve të shkaktuara, aktiviteti ka nisur me fuqi jo të plotë punëtore. “Nëse kompania nuk ka prodhim rrezikohen pagat e punonjësve”, thotë Manka për Portën Vendore. “Çdo ditë që kalon është humbje. Përveç kësaj ne kemi pasur porosi klientësh, pasi ne ndërtojmë shtëpi modulare, që duhet të vazhdonin”, shton ajo. Rifillimi i pjesshëm i punës është një masë që kompania ka marrë për të rikuperuar pasojat, por në kushtet financiare që ajo është sot, nuk ka mundësi që të përballojë vetë të gjitha dëmet. “Kompania do të ketë nevojë për ndihmë nga shteti, qoftë edhe në drejtim të sigurimeve apo lehtësive fiskale që mund t’i ofrohen biznesit në këtë rast”, thotë administratorja e ”Pespa Alumin”. Kjo kompani nuk është e vetmja që ka pësuar dëme të konsiderueshme nga tërmeti me magnitudë 6.4 i shkallës Righter. Sipas të dhënave të deritanishme të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës janë 120 biznese të mëdhenj që kanë pësuar dëme të rënda në këtë qark. “Nga 120 biznese të mëdha, 20 prej tyre që kanë mbi 100 punëmarrës secili, nuk kanë filluar akoma nga puna, për shkak të dëmeve të konsiderueshme, qoftë në godina, qoftë në makineri, që kërkojnë një kohë të gjatë për rehabilitimin e tyre, aty ku ato nuk janë shkatërruar totalisht”, thotë kreu i Dhomës, Alban Isteri. Por, përveç bizneseve të mëdhenj janë mbi 1000 të vegjël, që gjithashtu nuk kanë mundur të rifillojnë aktivitetin, kryesisht për shkak të pozicionimit të tyre në katet e para të pallateve që janë shpallur të pabanueshëm nga grupet e inspektimit. “Por, edhe në ato biznese që nuk kanë pasur dëme në godina, kanë dëme në mallra”, bën me dije Isteri. “Sidomos bizneset e tregtisë, si restorantet apo marketet kanë dëme të jashtëzakonshme përsa i përket mallrave”, shton ai. Sipas të dhënave të INSTAT, Durrësi kontribuon me 10 për qind të ekonomisë shqiptare. Në këtë qark janë rreth 13 mijë ndërmarrje që ushtrojnë aktivitetin, ndërkohë që pas tërmetit, një pjesë e mirë e tyre ka rifilluar nga puna. Por, kjo kategori, pavarësisht se nuk ka pasur dëme materiale, po përballet me rënie të xhiros. Një prej tregtarëve tregon se e hapi dyqanin e tij me veshje një javë pas tërmetit, por pavarësisht kësaj ai thotë se blerjet janë të pakta. “Durrësi me këtë ngjarje që kaloi ka rënë në një gjendje shoku. Rënia është drastike, është normale”, thotë një tjetër tregtar, ndërsa rri ulur në një stol jashtë dyqanit të tij. Sipas ekspertit të ekonomisë, Zef Preçi, këto sjellje janë të zakonshme në kushtet e rritjes së pasigurisë, ku njerëzit tentojnë të ulin konsumin dhe të rrisin kursimet. “Tkurrja e konsumit nuk është vetëm për efekt familjar, por është edhe për bizneset sepse nuk marrin risqe”, thotë Preçi për “Porta Vendore”. Por, sipas Isterit, përveç rënies së xhiros, te bizneset që kanë rifilluar aktivitetin vihet re një mungesë e theksuar e fuqisë punëtore. “Me situatën e krijuar post tërmet, njerëzit janë larguar nga qyteti, kanë probleme sociale, pasi iu janë shkatërruar shtëpitë apo kanë dëme në banesat e tyre, nuk kanë ku lënë fëmijët sepse janë trembur për shkak të pasojave të tërmeti dhe e kanë të pamundur të rikthehen në punë. Ndërsa një pjesë ka humbur gjithçka dhe kanë ikur jashtë”, thotë kreu i Dhomës. “Fatkeqësisht situata pas tërmetit të datës 26 nëntor është shumë e rëndë”, shton ai. Ndërkaq, ndonëse sezoni turistik duket i largët, efektet negative kanë nisur të ndjehen. “Mendoj që efekti më i pashmangshëm dhe më i dëmshëm lidhet me turizmin sepse agjencitë turistike kanë anuluar prenotimet apo nuk kanë bërë prenotimet që kishin menduar më parë”, thotë Preçi. “Ky është një element, ndërsa për sezonin, ata do të vijnë vetëm kur të kenë certifikime nga agjenci të specializuara ndërkombëtare. Nuk besojnë lehtësisht te vlerësimet e qeverisë, që s’kanë as përvojë dhe as pajisje”, shton më tej eksperti i ekonomisë.
Ringritja e Durrësit
Bizneset kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë, pasi mundësitë që ata të ringrihen me financat e tyre janë të pakta. “Do t’i bëja apel qeverisë për t’u fokusuar edhe te bizneset. Ne e dimë që popullsia ka nevojë për ndihmë, por edhe këtu janë 300 punonjës që kanë familjet e tyre, kështu që ndihma ndaj biznesit është ndihmë e drejtpërdrejtë e njerëzve që punojnë për të”, thotë administratorja e “Pespa Alumin”. “Situata është e vështirë, sidomos për sa i përket likuiditeteve sepse ata do të bëjnë sakrifica të jashtëzakonshme, që pagat e punonjësve të garantohen, por kuptohet që janë në vështirësi shumë të mëdha e kanë nevojë për para, kanë nevojë për të ardhura, me qëllim rimëkëmbjen nga kjo situatë”, thotë Isteri. Në fakt, Dhoma e Tregtisë ka dalë me kërkesa konkrete në drejtim të masave që duhet të ndërmerren, me qëllim rindezjen e motorit ekonomik të qytetit. Në një shkresë, drejtuar kryeministrisë dhe disa ministrive, konsiderohet si emergjent verifikimi i dëmeve dhe certifikimi i godinave, që deri më tani kryhen vetëm individualisht nga ana e bizneseve. “Duhet të fillojë sepse nuk ka më kohë. Ne e mirëkuptojmë faktin se ka pasur një prioritet të spitaleve apo shkollave, por edhe fabrikat kanë një numër të madh punëmarrësish. Një godinë e tillë duhet të certifikohet sepse mund të shkaktojë dëm të pallogaritshëm në jetë njerëzore, në raste lëkundjesh, që nuk urojmë kurrë që të ndodhin”, thotë Isteri. “Është pranuar edhe nga Bashkia Durrës që kanë pasur prioritete të tjera, por ne kemi kërkuar që të na caktohet një numër nga grupi total i ekspertëve dhe në koordinim me ne të mund të fillojë me shpejtësi zgjidhja e kësaj problematike”, shton më tej kreu i Dhomës. Edhe sipas Preçit, “qeveria duhet t’i japë përparësi certifikimit të dëmeve të biznesit dhe sigurisë së jetës në ambientet e tyre, sidomos te ata që kanë një numër të konsiderueshëm punonjësish, sikurse mund të jetë për shembull sektori fason”. Ndërkaq, një pikë tjetër e kërkuar nga biznesi është rimbursimi i TVSH-së për ato subjekte që nuk e kanë marrë ende. “Këto janë para që shteti ua ka borxh dhe di që shumat janë të mëdha”, thotë Isteri. Po ashtu, Dhoma e Tregtisë kërkon lobimin nga ana e Bankës së Shqipërisë, me qëllim pezullimin e kësteve të kredisë për një periudhë 1-vjeçare për bizneset kredimarrës si dhe ndërhyrjen e organizmave shtetërore përmes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që të monitorojnë lëvrimin e fondeve nga kompanitë e sigurimit. “Bizneset e mëdhenj, për shkak të kredive që ata kanë marrë janë të siguruar, por ne kërkojmë që të jenë procedura sa më të shpejta nga kompanitë e sigurimit, të cilat kanë filluar, por ka raste nga disa kompani edhe të pengesave burokratike, të cilat përkthehen në humbje të biznesit, për shkak të punës me kapacitete të cunguara”, shpjegon Isteri. Ndërkaq, teksa i referohet praktikave të ndjekura në vende të ngjashme që janë prekur nga katastrofa natyrore, Dhoma kërkon pezullimin e detyrimeve fiskale për bizneset e Qarkut Durrës për një periudhë 3-vjeçare. “Kjo nënkupton një riskedulim të pagesave pas 3 viteve me 120 këste për shembull. Këtu përfshihet tatim-fitimi, TVSH, sigurimet shoqërore, taksat vendore”, shpjegon Isteri. “Të gjitha këto do i mundësojnë bizneseve , me ato kapacitete sado të vogla të cunguara prodhuese apo me ato dëme që kanë, të kenë mundësi të fokusojnë të ardhurat që ata do të krijojnë në sigurimin e pagave dhe në rimëkëmbjen e biznesit të tyre”, shton ai. Megjithatë, eksperti i ekonomisë Zef Preçi është pesimist për zgjidhjen e situatës me moratorium taksash. “Një ekonomi që është 40% informale, ku bën pjesë edhe territori për të cilin flasim është vështirë të besosh dhe shpresosh që një mekanizëm fiskal të mos çojë në rritje të evazionit dhe të abuzimit me të. Kështu që është shumë e vështirë të zbatosh masa të tilla”, thotë Preçi. “Mund të ketë forma të tjera që lidhen me bizneset që kanë kredi, ku mund të marrë ndonjë peshë shteti. Domethënë elemente që kanë të bëjnë me lehtësi, por që nuk prekin thelbin”, shton ai.
Reagimi i qeverisë
“Sigurisht që është një situatë delikate, e vështirë. Ka biznese që janë dëmtuar fizikisht ka dhe biznese që po ndjejnë rënien e fuqisë blerëse për shkak të situatës së post tërmetit”, thotë për “Porta Vendore” ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi. “Kemi patur disa takime dhe vizita me biznesin dhe bashkë me ta po diskutojmë disa masa emergjente që duhet të marrim. Këtu jemi te një listë gjërash që duam t’iu ofrojmë. Jemi në komunikim me sistemin bankar, kompanitë e sigurimeve do bëjnë vlerësimin e tyre, duam që interesat e kredive të riskedulohen, pasi për disa kompani është e domosdoshme kjo”, shton Shalsi. Ndonëse paketa e masave nuk është gati, qeveria po i jep përparësi variantit ku bizneset nuk do të trajtohen të gjithë ‘on bllok’, pasi kanë problematika të ndryshme. “Po shikohet mundësia që të trajtohen në bazë të dëmeve që kanë pësuar”, shprehet Shalsi. “Edhe pezullimi i taksave nuk është kërkesë e të gjithë biznesit: ka nga ata që nuk kërkojnë pezullim taksash”, shton ai. Megjithatë, ministri e ka të vështirë të japë një afat kohor se kur do të prezantohen masat që do të ndërmerren. “Ende nuk është vendosur sepse dita-ditës, me vlerësimin e ngjarjeve po kuptojmë më mirë se çfarë ka ndodhur me biznesin”, thotë ministri. “Përfaqësuesit e qeverisë i kanë konsideruar si të drejta kërkesat tona, por ne duhet të kemi një reagim të shpejtë, me qëllim shëndoshjen e situatës”, thotë kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës. “Masat duhet të jenë sa më të shpejta sepse nuk ka kohë: çdo ditë që kalon është më e vështirë për biznesin dhe nëse nuk rimëkëmbet biznesi, si mund të mendojmë të përmirësohet situata e përgjithshme e qytetarëve?!”, përfundon ai.
Rreth autorit:
Ola Mitre është gazetare e çështjeve ekonomike në Tiranë.