28 dhjetor 2019/ Aurora Sulce/ Porta Vendore
Borxhe të vjetra e të trashëguara nga ish komunat, por edhe borxhe të reja të krijuara nga keq menaxhimi. Kjo është situata e 61 bashkive, rreth 4 vite pas reformës administrative-territoriale. Një faturë që llogaritet në rreth 6.2 miliardë lekë, ekuivalent me 2200 lekë për frymë dhe që pushteti vendor ia ka biznesit për mos pagesë të kontratave dhe institucioneve shtetërore për mos shlyerje të faturave.
Ligjërisht, këto borxhe duhet të shlyhen nga vetë bashkitë. Por këto të fundit i kanë të kufizuara mundësitë financiare, në kushtet kur e konsiderojnë të pamjaftueshme transfertën e pakushtëzuar që marrin nga buxheti i shtetit dhe kanë ende probleme me mbledhjen e taksave e tatimeve dhe realizimin e të ardhurave vendore.
Për këtë arsye, ato i kanë adresuar zyrtarisht Ministrisë së Financave kërkesën që zerimi i detyrimeve të prapambetura të bëhet nga qeveria, gjë që nuk është pranuar. Në projektbuxhetin 2020, nuk është parashikuar fond për shlyerjen e borxheve të bashkive.
Borxhet e bashkive, kush i ka dhe kujt ia kanë?
Në fund të gjysmës së parë të këtij viti, stoku i detyrimeve të prapambetura shënoi një nivel prej rreth 6.2 miliardë lekë, në tkurrje me rreth 7.8% krahasuar me stokun në fund të vitit 2018. Sipas të dhënave të raportit të Financave Vendore, publikuar nga Ministria e Financave dhe Co-Plan, rreth 47% e stokut të detyrimeve të prapambetura përfaqësohet nga investimet, 21% nga detyrime për mallra dhe shërbime, rreth 18% nga vendime gjyqësore dhe 11% nga detyrime të tjera.
Në ndarjen sipas bashkive, 9 bashki mbajnë rreth 64.6% të stokut total të detyrimeve të prapambetura në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2019. Niveli më i lartë i detyrimeve të prapambetura u shënua në Bashkinë e Tiranës me rreth 1.9 miliard lekë apo 30.1% e stokut total; ndjekur nga Bashkia Pogradec me rreth 409.5 milionë lekë apo 6.6% e stokut total; Bashkia Kavajë me rreth 406.1 milionë lekë apo rreth 6.5% e stokut total dhe Bashkia Vlorë me rreth 403.9 milionë lekë apo rreth 6.4% e stokut total të detyrimeve të prapambetura në fund të muajit qershor 2019.
Ndërkaq të dhënat zyrtare tregojnë se në disa bashki, borxhet janë rritur gjatë këtij viti, për shkak të keq menaxhimit. Statistikat e detajuara tregojnë se krahasuar me fundin e vitit 2018, stoku i detyrimeve të prapambetura rezulton të jetë rritur veçanërisht në Bashkitë Finiq (+46.1 milionë lekë), Kuçovë (+25.5 milionë lekë), Roskovec (+51.4 milionë lekë) dhe Skrapar (+25.3 milionë lekë).
Mosshlyerja e borxheve ka arritur deri tek mospagesa e sigurimeve shoqërore nga një pjesë e bashkive për punonjësit e administratës. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve rezulton se vetëm në vitin e fundit, 7 bashki i janë shtuar listës së debitorëve. Bëhet fjalë për Bashkinë e Kavajës, Krujës, Rrogozhinës, Tepelenës, Pustecit, Divjakës, si dhe atë të Himarës. Ekspertët e ekonomisë kanë dhënë alarmin për një situatë të tillë. “Shteti ka rënë”, do të shkruante në një status në facebook ish ministri i Financave, Arben Malaj. Ndërsa për ish zv/drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Flobenc Dilaveri kjo vjen si rezultat i keq menaxhimit të fondeve nga pushteti vendor.
“Kjo tregon mungesën e disiplinës financiare dhe keq menaxhimin e fondeve buxhetore. Jam i sigurt që fondet i kanë ardhur bashkive. Për hir të së vërtetës, asnjë nuk i mbron punonjësit nga momenti që është shteti që shkel ligjin, nëpërmjet institucioneve të veta ose persona të caktuar”, shprehet ai.
Ndërkohë të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë gjithashtu, se disa bashki kanë shlyer një pjesë të mirë të detyrimeve të prapambetura, ndër të cilat bashkitë: Tiranë (-120.8 milionë lekë), Lezhë (-95.1 milionë lekë), Kamzë (-79.5 milionë lekë), Bulqizë (-76.7 milionë lekë), Mat (-49.6 milionë lekë), Mirditë (-47.2 milionë lekë), Ura Vajgurore (-51.6 milionë lekë) etj.
Qeveria ka dhënë ultimatumin që këto detyrime duhet të paguhen, në të kundërt, në krye të bashkive problematike do të vendoset një administrator i përkohshëm për menaxhimin e financave. Kjo në bazë të Udhëzimit të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë “Për procedurat e menaxhimit të vështirësive financiare për njësitë e qeverisjes vendore”.
Bashkitë, “me sytë” nga qeveria për zerimin e borxheve
Qeveria dhe pushteti vendor po qëndrojnë në llogoret e tyre për sa i përket shlyerjes së borxheve, që rëndojnë direkt mbi shërbimet dhe investimet do të përfitojnë qytetarët. Të paktën për momentin, kompromisi duket i largët.
Bashkitë kanë kërkuar zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë që zerimi i detyrimeve të bëhet nga qeveria, pasi ato nuk i kanë mundësitë financiare. Agron Haxhimali, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive shpjegon për Porta Vendore se gjatë seancës dëgjimore në komisionin parlamentar të Ekonomisë u adresua çështja e borxhit të pushtetit vendor, nisur dhe nga diskutimet e kohëve të fundit mbi Udhëzimin e Ministrisë së Financave për të vendosur administrator të përkohshëm tek ato bashki që kanë probleme financiare.
“Aktualisht borxhi vendor arrin në vlerën e 6.2 miliardë lekëve, një shifër shumë herë më e ulët se borxhi kombëtar, por mjaft penguese për bashkitë. Ne insistojmë që ky borxh i akumuluar të merret përsipër nga qeveria qendrore duke i lehtësuar bashkitë, veçanërisht në kushte të transfertës së pakushtëzuar në nivele të ulëta”, shprehet Haxhimali.
Sipas tij, pjesa e përgjithshme e transfertës së pakushtëzuar për vitin 2020 pëson një rritje vjetore me vetëm 2.7% ose sa gjysma e rritjes mesatare për vitet e mëparshme. Kjo e bën të pamundur nga ana e bashkive që të shlyejnë borxhet e vjetra dhe të vazhdojnë normalisht ushtrimin e funksionit të tyre.
Qeveria “lan duart” me bashkitë: Borxhet i shlyeni vetë
Ministria e Financave ka kundërshtuar shlyerjen e borxheve të bashkive nga buxheti qendror. Në relacionin që shoqëronte projektbuxhetin 2020, në një paragraf të veçantë kushtuar këtyre detyrimeve, theksohet se ligji për financat e vetëqeverisjes vendore dhe zbatimi i akteve nënligjore në zbatim të tij kanë krijuar kuadrin rregullator për të forcuar disiplinën financiare dhe për të parandaluar akumulimin e detyrimeve të papaguara në të ardhmen për të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore.
“Në këtë kuadër, qeveria po i kushton një vëmendje të veçantë shlyerjes së detyrimeve të prapambetura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore ka hartuar dhe është duke zbatuar një plan veprimi për shlyerjen e këtyre detyrimeve”, theksohet në relacion.
Më tej, Ministria e Financave argumenton se stoku i detyrimeve të papaguara, i cili parashikohet të shlyhet në një periudhë afatmesme, bazuar në planin e shlyerjes së dërguar nga të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë është ulur në 7 miliard lekë nga 11.8 miliard lekë në vitin 2015.
“Gjatë vitit 2020, do të vazhdohet të monitorohet periodikisht zbatimi i planit të shlyerjes së detyrimeve dhe mos krijimi i detyrimeve te reja nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, deri në shlyerjen e plotë të tyre”, shkruhet në relacionin e projektbuxhetit 2020.
Sipas të dhënave, shpenzimet e buxhetit vendor për vitin e ardhshëm, janë parashikuar në masën 57.1 miliardë lekë ose 3.2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ministria e Financave thekson se në këtë zë është përllogaritur rritja e transfertës së pakushtëzuar për njësitë e vetëqeverisjes vendore, financimi i funksioneve të reja, si dhe rritja e të ardhurave të veta. Pikërisht nga ky thes, bashkitë duhet të bëjnë llogaritë për të nxjerrë paratë për të shlyer detyrimet që kanë krijuar vetë apo i kanë trashëguar nga të tjerët.