Vëzhgim/Analizë

Nga Korça në Lezhë në prag festash, kur tërmeti zë tërmetin dhe zgjidhja duket ende larg

27 Dhjetor 2019/ Elisa Gjerani/ Esmeralda Keta/Erjola Azizolli/Elvis Hila/ Porta Vendore/ Tiranë/ Krujë/Durrës/ Lezhë/ Kurbin/Korçë

Situata pas tërmetit duket kaotike dhe aspak shpresëdhënëse për banorët e Tiranës, Thumanës, Durrësit, Kurbinit dhe Lezhës. Disa me çadra verore, disa të strehuar në hotele dhe disa që qëndrojnë ende në banesa të shpallura të pabanueshme ankohen se autoritetet po ecin me ritme shumë të ngadalta dhe pavarësisht kërkesave të tyre të shumta, ata nuk po marrin një përgjigje pozitive nga autoritetet vendore, qoftë për të gjetur një zgjidhje provizore, qoftë për të përfituar bonusin e qirasë, ndërsa vetëm pak ditë i ndajnë nga nata e ndërrimit të viteve. Por, ajo shpresë venitet dhe më shumë, kur vëren se edhe banorët e tre fshatrave në Korçë, të cilët u përballën me pasojat e tërmetit disa muaj më parë, ende nuk kanë gjetur një zgjidhje.

Tiranë, mes frikës nga lëkundjet dhe guximit për një strehë

Është Krishtlindje. Në kalendarin elektronik të telefonit data shënon 25 dhjetor. Atmosfera në kryeqytet ka filluar të ndjehet disa javë më parë, ku thuajse të gjitha rrugët e sheshet janë zbuluar me drita, teksa të njëjtën praktikë ka ndjekur edhe shumica e lokaleve. Në rrugë gjen shumë pak njerëz, madje s’ka as trafik. Të vetmit që shihen në vrapim e sipër janë njerëzit që vrapojnë të mbushin trastat me ushqime, ose të bëjnë ndonjë pazar të minutës së fundit.

Edhe pak ditë e njerëzit i thonë lamtumirë vitit 2019, disa mbase duke bërë edhe bilancet personale. Por ky vit gjithashtu do të mbahet mend përveç të tjerash për tronditjen e madhe kolektive e njerëzore që shkaktoi tërmeti i datës 26 nëntor.

Në njësinë Administrative numër 4 në Allias, ndodhet pallati i ish-Konvikteve të Komunales, i cili tashmë pas tërmetit të datë 26 nëntor, është si i shkretuar. Në të dikur kanë jetuar 88 familje, të cilat kishin probleme të theksuara sociale, megjithatë tërmeti që përfshiu Shqipërinë duket si i vendosi vulën njëherë e përgjithmonë kësaj godine gjysmë të rrënuar.

Baftjari ka jetuar në këtë pallat për 27 vite. Por megjithëse jeton te vjehrri, ai vjen shpesh në lagje, pasi së fundmi siç e pranon edhe vetë është nostalgjik për vitet e shumta që ka kaluar këtu.

Pas tërmetit të 26 nëntorit pallati është shpallur i pabanueshëm, kjo sipas institutit të ndërtimit, ndaj edhe familjet po trajtohen me bonus qiraje. Ndërsa nëse përmendim fjalën frikë, kjo e fundit është më e keqe se vetë tërmeti, pasi tek banorët e ish konviktit të komunales ajo i ka hyrë gjer në palcë.

“Akoma nuk na kaluar frika, ça festash aman. Ne pa lëviz gjë, na duket sikur tundet divani. Ku ka vit të ri, ne kemi parë lemeri. Shkonte pallati si avion. Nuses time sa t’i thuash tërmet, i bie të fikët, aq keq e ka përjetuar. Atë natë donte tu hidhte nga kati i tretë” ,tregon Baftjar Islami.

Shumica e familjeve në pallat kanë marrë gjithçka që kanë pasur, ditët post-tërmetit. Në pallat nuk ka më dritare e dyer, si dhe thuajse të gjitha ish apartamentet janë boshatisur nga ish banorët, duke u përpjekur të shpëtonin ç’të mundnin.

Berti është një tjetër banor që gjejmë në oborrin e pallatit gjysmak, ku mesa duket është i larguari i fundit. Me një motor të kuq të dalë boje, ai ka ngarkuar valixhen e fundit të rrobave dhe dy rrugica të vogla. Në këtë lagje Berti na tregon se ka 30 vite, që pas internimit.

“Më ka liruar vjehrri një dhomë dhe atje po jetoj. Sot erdha të marr gjërat e fundit. Festat?! Ça festash aman, ne s’na ka ik frika, le që pastaj unë jam shumë keq financiarisht. Aktualisht jam tundu-shkundu, skam kokërr leku. S’di ça do bëj për festa, dhe në fakt s’më interesonte fare festat sivjet”, rrëfen për Portën Vendore, Berti Dhia.

Berti Dhia, duke transportuar plaçkat e fundit. Foto: E. Gjerani

Sulejman është kryefamiljari i një familjeje prej 5 vetash. Ai ka sfiduar frikën nga ndonjë tërmet i mundshëm dhe sot ka ardhur për të çmontuar prizat e fundit, e vetmja gjë që i kishte mbetur në ish apartamentin e tij tek konvikti. “Deri tek prizat ka arritur puna. Erdha i mora këtu, që t’i vë te shtëpia e re me qira, pasi kam përfituar bonus qiraje. S’kemi lekë, është bërë keq për lekë. Festat e fundvitit na kanë gjetur hollë këtë vit”, tha Sulejman Islami.

 Ky pallat është bërë tanimë banesa e re e minjve, pasi ata i gjen në çdo cep të tij, ndërsa kudo kanë shpërthyer tubacionet e ujërave dhe era kundërmon. Shumë nga banesat janë lënë ashtu si në ditën e tërmetit, pasi të zotët e tyre nuk janë rikthyer më. Por megjithëse ky pallat është shpallur i pabanuar, këtu jetojnë dy burra që sipas banorëve të tjerë, kanë probleme të shëndetit mendor. Ata nuk kanë dashur kurrsesi të largohen nga këto banesa.

Flutura është pjesë e komunitetit egjiptian dhe ajo është e fundit familje që ka përfituar nga bonusi i qirasë. “Unë lyp te xhamia, burri del te plehrat. Kështu kemi jetuar gjithmonë me mundime. Tani që na ra edhe tërmeti na këputi fare. Jam shumë keq nga ana financiare. Te pallati i komunales kam qenë me qira, por ama kisha kaluar pjesën më të madhe të jetës time, aty u martova, aty u bëra me dy fëmijë. E kisha të vështirë të largohesha, por ça të bëja duhej të largoheshim. Nuk e di si kemi mbetur gjallë nga ajo natë, ku na ranë të gjitha në kokë. Kemi ende shumë frikë”, rrëfen ajo mes lotësh.

Ditën e djeshme ajo është zhvendosur drejt shtëpisë së re në Tufinë, ku tregon vështirësitë që ka hasur për gjetjen e një banese 1+1. “Na shikojnë si dorë e zezë dhe nuk na japin shtëpi me qira. Ky në fakt nuk është vetëm problemi im, por i të gjithëve nga komuniteti”, tregon Flutura. Flutura merr një kemp prej 10 mijë lekësh në muaj, ndërsa i shoqi është me probleme dëgjimi, ndaj që në fillim barra e familjes i ka rënë asaj. “Bukë me sallam, me djathë dhe Kola do hamë për vitin e ri, me pensionin tim. Kështu është çdo vit për ne”, tha Flutura.

Por vetëm pak kilometra nga Tufina ndodhet njësia numër 6. Në Kombinat grupet e inspektimit nxorën të pabanueshme 55 pallate, ku iu vendos shiriti i kuq. Rruga e Qelqit ishte ajo më e prekura nga tërmeti i datës 26 nëntor. Megjithatë sot situata duket më alarmante se në ditët e para post-tërmetit.

Në oborrin e një pallati 4-katësh, gjejmë 5 zonja. Pas disa ditësh nëpër të afërm ato kanë marrë vendimin e vështirë, të rikthehen në shtëpitë e tyre.

Gratë e pallatit 160 në Kombinat. Foto: E. Gjerani

Shiriti i kuq që ndalonte kalimin e banorëve është këputur dhe ndryshe nga ditët e fundnëntorit

në këto pallate nuk ka asnjë uniformë policie për moslejimin e banorëve.

Pallati, jo vetëm që është populluar i gjithi, por ashtu mes muresh të krisur e çarë, ka filluar të qarkullojë një jetë thuajse normale.

Popullimi i pallatit numër 160 i shpallur i pabanueshëm. Foto: E. Gjerani

“Nuk po na japin një zgjidhje a është apo jo e banueshme. Nuk mjafton thjesht të vesh shiritin e kuq e të na lënë pa pikë sqarimi. S’kemi ku të shkojmë, ndaj jemi kthyer”, tha një banore e pallatit numër 160. Ndërsa thekson se ka dëme të shumta në shtëpi. “Tani më shumë frikë kemi nga policia se mos vjen e na nxjerr nga shtëpia jonë, si të ishim hajdutë”, rrëfen Alma, një tjetër banore e këtij pallati. 

Disa nga çadrat e ngritura para pallateve të shpallura të pabanueshme janë braktisur. Ndërsa një bllok i madh pallatesh, thuajse në vijë horizontale, tek Rruga e Qelqit ka shirit të kuq. Në brendësi të pallateve dykatësh takojmë një të moshuar, e cila na tregon se nuk ka ardhur asnjë ekspert deri më tani për vlerësim.

“Po jetoj në çadër nga tërmeti. Nuk ka ardhur askush ta shohë. Po nuk erdhi inxhinieri nuk hyj brenda unë fare. Ndërsa festat ja këtu në çadër. Gjithë Kombinati është shpallur i pabanueshëm”, tregon e moshuara Die Ruçi.

Ndërsa Xhemali është një tjetër banor i Kombinatit, i cili na tregon shtëpinë e tij të shkatërruar nga tërmeti tragjik i datës 26 nëntor.

“ A bëhet festë po ta shikosh shtëpinë kështu? Në fakt ne nuk presim festë, por presim të na vijnë të na qetësojnë, sepse duam një përgjigje. A do vish ta shembësh, a do ta rikonstruktosh etj? Sepse ne shkuam te bashkia dhe na thanë merrni bonusin e qirasë prej 180 mijë lekësh. Shkova e kërkova shtëpi, por janë bërë nga 300 mijë lekë. Ne lekë ekstra nuk kemi me pagu, ku të shkoj unë, ku të shkoj”, rrëfen Xhemal Dushku, banor i Kombinatit.

Një muaj pas tërmetit, Thumana ende e gjunjëzuar dhe e pashpresë

Një muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, që la pas 24 viktima, dhjetëra godina të shembura dhe qindra të tjera të pabanueshme, banorët e qytezës së vogël të Thumanës janë në luftë me kohën. Të gjunjëzuar nga dhimbja dhe të mbetur të pastrehë ata ndihen të braktisur dhe të pashpresë. Ata kërkojnë që qeveria të mbajë fjalën e dhënë dhe të nisë sa më parë ndërtimin e shtëpive të reja. Është fund dhjetori dhe Thumana duket e gjunjëzuar. Njoftimet e vdekjeve qëndrojnë ende të varura në shtyllë. Temperaturat e ulëta dhe shirat e ditëve të fundit e bëjnë edhe më të vështirë jetesën në shtëpitë e shkatërruara. Të vetmet drita që ndriçojnë në këto prag festash në qytezën e pushtuar nga dhimbja janë qirinjtë që ndezin të afërmit për 24 viktimat që humbën jetën nga tërmeti i një muaji më parë.

Fadromat kanë rrafshuar të gjitha pallatet që janë cilësuar të rrezikshme dhe nën rrënojat e mbetura, banorët kërkojnë që të nisë sa më shpejt ndërtimi i godinave të reja. I mbajnë sytë nga çdo “vizitor” që vjen në këtë zonë, duke shpresuar në lajmin e madh.

Trëndelina Merjan e takojmë teksa kërkon me ngulm aty ku dikur ishte pallati i saj, ndonjë kujtim. Ka ardhur nga Lezha së bashku me të birin 9-vjeçar, ku edhe po qëndron pas tragjedisë së 26 nëntorit.

“Ishte djali që këmbënguli të vinte. Donte të takonte me patjetër shokët, e ka marrë malli shumë por këtu nuk ka mbetur njeri. Ata me të cilët ne i mbanim dyert hapur i përpiu të gjithë pallati i vdekjes”, na tregon e përlotur Trëndelina, e cila së bashku me 4 fëmijët e saj arritën të dilnin gjallë nga pallati që shënoi 14 viktima në Thumanë.

Trëndelina Merja, e mbijetuara e tragjidisë në Thumanë. Foto: E. Keta

Por jeta për ta nuk do të jetë më kurrë njësoj. Të zhgënjyer nga premtimet e qeverisë, ata kërkojnë zgjidhje konkrete. “Ka një muaj që rrimë kot tek ‘Rafaelo’ në Lezhë, por ne nuk duam këtë. I kemi plotësuar të gjitha letrat që kërkojnë këta, i kemi dërguar një letër edhe kryeministrit Rama, edhe kryetarit të bashkisë që të na thonë se çfarë do të ndodhë me ne. Ne duam të na ndërtohen shtëpitë e të kthehemi sa më parë aty ku e kemi vendin”, thotë Merja.

Nga shtëpia nuk ka mundur të shpëtojë asgjë. Madje ajo sapo e kishte rikonstruktuar nga dëmet e tërmetit të 21 shtatorit duke humbur kështu edhe shumën e parave që i kish marrë kredi. “Gjeta mes rrënojave një çantë të vogël timen, ku kisha futur 3 milionë lekë që i kisha marrë kredi për të riparuar shtëpinë që më ishte dëmtuar nga tërmeti i 21 shtatorit dhe disa bizhuteri të shtrenjta, por çanta ishte bosh. I kishin marrë të gjitha”, rrëfen ajo pa e fshehur zemërimin.

Ymer Cenja është i vetmi banor që nuk ka dalë nga pallatet dykatëshe të cilat u është vënë kryqi. Së bashku me gruan, të ardhurat e familjes, i krijojnë nga një ngastër toke që kanë ngjitur me pallatin, ku mbajnë edhe një lopë e disa pula. “Më kanë thënë shko në Lezhë, po ku t’i lë unë këta?” na thotë dhe tregon me gisht nga bagëtitë. “Mua ata më mbajnë me bukë”, – rrëfehet ai ndërsa nuk e fsheh dëshpërimin ndërsa ecën mes rrënojave ku dikur ishin pallatet.

Ai tregon se edhe ndihmat nga bashkia kanë qenë të kufizuara. “Ja sot vajta për të kërkuar disa ushqime, por na thanë se nuk ka. Çfarë të bëjmë? Ku të shkojmë? Më mirë të shembet e të na zërë brenda”, na thotë Ymeri, i cili përkundër vendimit nga ekspertët për të braktisur banesën, ka nisur ta riparojë atë.

Gazmend Nikolla sapo është kthyer nga puna dhe ka ardhur të shohë se çfarë po ndodh. Gruan dhe fëmijët i ka në Lezhë, qytet drejt të cilit do të udhëtojë edhe ai në darkë. Ndryshe nga banorët e tjerë të pallatit ai nuk ka larguar ende asnjë orendi nga shtëpia. “Po ku t’i çoj?”, pyet me të drejtë ai. “Na kanë premtuar shumë, ne shpresojmë vetëm të mbajnë fjalën” , thotë ai për Portën Vendore. Pyetjes se a e bënë “Gëzuar” këtë Krishtlindje ai përgjigjet: “Po me kë? Carat që vdiqën këtu i kishim kushërinj, Lalat që vdiqën në Kënetë i kishim kushërinj. Nuk na ka mbetur njeri. E vetmja dëshirë e jona është që të na ndërtohen shtëpitë e ndoshta kështu mundemi me e harru pak nga pak atë që na kanë parë sytë”, thotë ai mes dëshpërimit.

Por ndryshe nga zona e pallateve, duket se askush nuk po merret ende me shtëpitë private, ku thuajse pjesa më e madhe janë të pabanueshme.

Të tilla janë edhe shtëpitë e vëllezërve Mana. Ndonëse ekspertët e bashkisë ua ka nxjerrë ta pabanueshme, ata e kanë të pamundur të jetojnë në çadër. Kjo familje e ka gjetur zgjidhjen duke marrë me qira një rimorkio kamioni, pasi kanë edhe një bebe të vogël. “Po ku mund të jetojë në çadër, një bebe 4 muajsh , me këtë shi e të ftohtë. Gjetëm këtë rimorkion, me 10 mijë lekë të reja në muaj qira, e këtu qëndrojmë”, na thonë ndërsa pranojnë se ekspertët e bashkisë nuk kanë lënë asnjë dokument të shkruar.

Shembja e kontrolluar nga institucionet e pallateve të “vdekjes” në Thumanë, nuk u ka dhënë shpresë banorëve. Ata kërkojnë ndërhyrje konkrete.

Rrënojat e mbetura pas prishjes së pallateve që u konsideruan të rrezikshme. Foto: E. Keta

“Ka më shumë se 10 ditë që këtu nuk punohet. Ato ditët e para ishim me optimizëm, se na vinin ata të qeverisë, na premtonin gjëra të bukura, por që kur ikën kamerat këtu nuk vjen më askush, përveç gazetarëve. Ne duam të dimë kur do të fillojë ndërtimi dhe përse po e zvarrisin? Duam ti rikthemi jetës”, na thotë një banor i zonës.

Një muaj pas tërmetit në Durrës, dritat e festave ndriçojnë qytetin, por jo zemrat e durrsakëve

Dekori festiv në Durrës u vendos në qendër të qytetit dhe në rrugët kryesore të tij në ditët e para të muajit dhjetor, me qëllim që të ndihmonte sadopak për shërimin e plagëve që la pas tërmeti i 26 nëntorit.

Pema e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, vendosur në sheshin kryesor të qytetit, shumë pranë institucionit të bashkisë, mbledh çdo ditë njerëz, kryesisht të rinj, të cilët bëjnë foto, ndërkohë që prindër e gjyshër përpiqen të argëtojnë fëmijët e tyre, për t’i larguar sado pak kujtimin që la pas tronditja e tërmetit.

Lida Paja, një pensioniste durrsake, shfrytëzon orët e paradites , për të nxjerrë shëtitje nipërit e saj. Në këto ditë të ftohta funddhjetori dielli ngroh pak, por Paja zgjedh të shëtisë, pasi ecjen dhe argëtimin e shikon të nevojshme për vete dhe nipërit. Ndonëse, pallati ku banon për fat të mirë, nuk pësoi dëmtime gjatë tërmetit, ajo ndihet ende e tronditur dhe se shikon pak shpresë te festat për të rikthyer jetën e dikurshme në Durrës. “Tronditja ishte e madhe për të gjithë. Ngjarja mori jetë njerëzish, ka lënë të pastrehë bashkëqytetarët tanë, ndaj dhe nuk na qesh buza dhe pse janë festat e fundvitit”, thotë ajo.

Çdo familje durrsake në një mënyrë ose tjetrën është prekur nga tërmeti që shënoi 51 të vdekur, mbi 900 të plagosur dhe mbi 4000 mijë familje të pastrehë, ndaj Paja i konsideron këto festa si më të vështirat që ka përjetuar ndonjë herë qyteti.

“Është njësoj sikur diçka është thyer brenda nesh. Çdo tronditje e vogël pas tërmetit të madh na rikthen kujtimin e asaj nate të tmerrshme që zor se do të mundim që ta harrojmë ndonjëherë”, thotë ajo për Porta Vendore.

Por, ndërsa në qendër të qytetit njerëzit përpiqen që të përfshihen në atmosferën e festave, në sportelet e bashkisë qytetarët e prekur nga tërmeti vijojnë që të qëndrojnë në radhë për bonuset e qirave, për tu informuar në lidhje me gjendjen e pallateve të tyre apo banesave, që janë prekur nga tërmeti dhe që ende nuk u ka përfunduar raporti teknik i specialistëve.

Burime pranë Bashkisë së Durrësit bëjnë me dije për Porta Vendore se këshilli bashkiak i qytetit miratoi dhënien e bonusit për 660 familje, banesat e të cilëve kanë nevojë për riparime, ndërkohë që kjo shifër duket se do të rritet, pasi nga dita në ditë kërkesat e qytetarëve shtohen.

Konstandin Hallkanjari banonte në lagjen numër 6 të qytetit dhe pallati 1023 u dëmtua nga tërmeti dhe ishte ndër objektet e para që u shemb për shkak të rrezikut që mbarte. Hallkanjari dhe pesë anëtarët e tjerë të familjes u larguan nga apartamenti pa mundur të shpëtojnë asgjë. Ai dhe familja qëndron në një nga hotelet e vendosura në dispozicion të familjeve të prekura nga tërmeti. Ditët e fundit kryefamiljari lë çdo ditë hotelin në Golem dhe i drejtohet Durrësit, pasi ka nisur procedurat për të përfituar bonus qiraje.

Ndërsa qëndron në pritje për të dorëzuar dokumentet, burri nuk mund të fshehë emocionet sa herë që lë hotelin dhe i drejtohet Durrësit, qytetit ku jeton prej 70 vitesh dhe është bërë gjysh.

Në këtë vigjilje festash ai përpiqet të gjejë kurajë për vete dhe familjen, ndonëse nuk e ka të lehtë, pasi apartamenti i shembur mori gjithçka që familja e tij dhe e djalit kishte ndërtuar, nga ku nuk arriti të shpëtonte asnjë kujtim.

Me shpresën se përfundimi i dokumentacionit do t’i bëjë të mundur përfitimin e një pagese për qira derisa të rindërtohet pallati, burri as që nuk arrin t’i kthejë sytë nga atmosfera festive e qytetit. “Nuk di nëse do arrijmë të festojmë këtë vit, pasi kemi humbur shumë dhe nuk po gjejmë qetësi as për vete, as për fëmijët, duket sikur një pjesë e jona është ende në pallatin e shembur, nga i cili nuk nxora dot asnjë fotografi, asnjë dokument, asgjë që kishim ndërtuar me aq mund dhe djersë”, thotë Hallkanjari.

Lule në kujtim të familjes Reçi që humbi jetën gjatë tërmetit. Foto: E.Azizolli

Një muaj pas tërmetit, janë të shumta familjet që po lënë hotelet dhe po rikthehen. Disa në kërkim të një banese me qira e të tjerë janë rikthyer në banesat ekzistuese, dhe pse ato nuk janë të sigurta. Ahmet Lila banon në qendër të qytetit. Ai është rikthyer në banesën e tij dhe pse ajo është konsideruar si e pabanueshme, madje e rrezikshme. Tërmeti ka dëmtuar strukturën e tavanit të shtëpisë njëkatëshe të familjes Lila, ku jetojnë tre anëtarë. Ahmeti me vajzën e dhe djalin, qëndroi për më shumë se 20 ditë në hotel dhe më pas nisi kërkimet për një banesë me qira. Të ardhurat e pakta të familjes e bënë të pamundur sigurimin e një shtëpie, ndaj Lila është rikthyer dhe pse banesa rrezikon shembjen. “Frikë kemi në çdo moment, por nuk kemi se ku të shkojmë, nuk kemi asnjë mundësi për të paguar për banesë me qira, ndaj rrimë çdo natë me sytë nga tavani se mos bie dhe na zë poshtë”, shprehet Lila, familja e të cilit nuk është e vetmja, që po vuan në këto vigjilje festash.

Në lagjen numër 3 të Durrësit, një lagje e vjetër e qytetit, ku ndërtimeve të pallateve viteve të fundit i kanë shpëtuar dhe një varg shtëpish private, Kujtim Hasani, ka një tjetër hall. Ai nuk ka ende një përgjigje zyrtare se në çfarë gjendje ndodhet shtëpia e tij. Pesë familjarët Hasani i ngrysin ditët me shpresën se grupi i verifikimeve në terren do të mbërrijë deri në lagjen e tyre, për të verifikuar shkallën e dëmtimeve. Hasani tregon se disa herë ka shkuar në Njësinë Administrative dhe në bashki, por grupet e punës ende nuk kanë konfirmuar ardhjen në lagjen ku banon Hasani. Për të fshehur sado pak frikën dhe për të sjellë sado pak atmosferë në familje ai dhe bashkëshortja kanë vendosur dhe zbukurimet e festave në shtëpi dhe pse ato nuk ia kanë kthyer buzëqeshjen për asnjë moment. “Do të ndihesha më i qetë nëse do të më vendosnin një çadër në oborrin e shtëpisë, të paktën do të bënin gjumin të qetë, sepse kështu nuk jemi për asnjë moment të sigurt, sepse kemi frikë për vetë dhe për fëmijët”, thotë ai.

Kujtim Hasani, duke folur për Porta Vendore. Foto: E. Azizolli

Fatmira Hasani jeton në shtëpi me familjen e vajzës dhe këto festa do t’i kujtojë gjatë në jetën e saj, pasi nuk po arrin që të ketë një fije entuziazmi përballë fëmijëve të vajzës, të cilët këtë vit nuk i ka gëzuar as me dhurata, e as me zbukurimin e shtëpisë. “Muret e dhomës ku flenë fëmijët, janë çarë nga të gjitha anët. Krevatet i kemi lëvizur sepse kemi frikë nga të tjera lëkundje që mund të shkaktojnë rënien e tyre. Ja kështu po i kalojmë këto ditë me frikë për fëmijët”, thotë ajo.

Fatmira është e vetëdijshme se grupi i verifikimit do të vijë dhe në shtëpinë e saj, pasi qyteti ka të tjera emergjenca dhe më të mëdha, por ndihet e pamotivuar dhe pa shpresë, jo vetëm për këto festa, por dhe për të ardhmen.

Një sërë pallatesh u shembën në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, si pasojë e dëmtimit nga tërmeti. Në vendet ku dikur ngriheshin pallatet sot ndodhen hapësira boshe, në pritje të vendimit për ndërtime të tjera. Banorët e larguar e kanë të vështirë të kthejnë kokën pas. Më e vështirë situata ndihet në ato ish apartamente, dëmtimi i së cilave shkaktoi viktima. Në ish pallatin e lagjes numër 18, ku humbën jetën familjarët Reçi, të afërm të tyre kanë vendosur tufa me lule në këto ditë festash, ndërkohë që banorët e pallateve të tjerë thonë se askush prej ish banorëve të tjerë, nuk është parë të rikthehet më pas 26 nëntorit.

Lezha dhe Laçi, aty ku pasojave të tërmetit i shtohet dhe varfëria

Mundin e 22 viteve në emigracion Lulzim Tarja e investoi në fshatin e tij të lindjes në Fushë-Mamurras të Kurbinit. Aty ndërtoi një shtëpi 3-katëshe dhe pas përfundimit të saj në vitin 2010 vendosi që të kthehej për të jetuar në vendin ku u lind. Por tërmeti i 26 nëntorit e dëmtoi rëndë banesën e Lulzimit, duke e nxjerrë të pabanueshme. Në këto kushte, ai po jeton në çadër së bashku me 3 pjesëtarët e tjerë të familjes, gruan dhe dy vajzat e tij të vogla. “Kam gjithë pasurinë këtu, nuk largohem dot. Na kanë thënë të shkojmë në Shëngjin, por s’mundem, pasi kam frikë se do më vjedhin, i kam të gjitha orenditë në shtëpi dhe nuk e di çfarë do bëhet me neve”, thotë Tarja.

Tërmeti i 26 nëntorit i ka traumatizuar fëmijët, të cilët vijojnë të jenë në gjendje të rënduar psikologjike. Vajza 12-vjeçare thotë se qëndrimi në çadër është shumë i vështirë për ta sidomos në kohët me shi. “Kam qenë nxënëse shumë e mirë, por tani me ka ikur vullneti për shkollën. E kam mendjen te shtëpia se kur do të rindërtohet. Nuk mundem të studioj, as të bëj detyra në çadër. Kërkoj që ta na ndërtojnë sa më parë shtëpinë dhe mos të jetojmë më kështu”, thotë 12-vjeçarja.

Por kur ka kaluar 1 muaj nga tërmeti tragjik, situata paraqitet ende mjaft e vështirë për shumë familje në qarkun e Lezhës. Deri tani në Kurbin janë 107 banesa të pabanueshme. Problematika më e madhe paraqitet në fshatra, pasi banorët nuk mund të largohen nga banesat e dëmtuara për shkak të blegtorisë. Në rang qarku janë ngritur afro 400 çadra, por ka dhe prej atyre familjeve që ende nuk i janë dërguar çadra, edhe pse banesat iu janë shpallur të pabanueshme.

Historitë e familjeve të ngelura të pastreha janë të ndryshme dhe të gjithë duan të prezantojnë situatën e vështirë që po kalojnë, në këto ditë të ftohta dimri. Në një çadër në Fushë-Mamurras të Kurbinit qëndrojnë 3 kurora të familjes Sela, mes të cilëve ka dhe dy foshnje 7-muajshe. “Pasi qëndruam disa ditë jashtë na sollën këtë çadër dhe na kanë vendosur këtu në oborrin e shtëpisë. Ne jemi 3 kurora, unë me gruan dhe dy djemtë me familjet. Ambienti është shumë i vogël dhe i ftohtë, sidomos tani që ka nisur të bjerë shi dhe uji hyn i gjithi brenda, pasi çadra është verore. Kemi dy fëmijë binjakë të djalit, të cilët janë nga 7 muajsh, dhe nuk e di se si do ta kalojmë këtë dimër. Nuk na ka ofruar kush asnjë vendstrehim. Thjesht kanë ardhur e kanë parë shtëpinë dhe na kanë thënë të mos rrimë brenda, por ku të shkojmë unë nuk e di”, thotë Shefqet Sela.

Por kur na ndajnë pak ditë nga nata e ndërrimit të viteve, drama që ka lënë pas ngjarja e 26 nëntorit është e vështirë të venitet, ndaj për këto familje nuk ka festë. Mendja e tyre është për tu strehuar sa më parë diku, ndërsa edhe vështirësitë ekonomike për ta janë rritur. “Për ne nuk ka festë. E kemi mendjen te shtëpia, e cila është shkatërruar nga tërmeti. Qëndrimi në çadër është tejet sfidues. Prej 1 muaji nuk po punoj se kemi ngelur rrugëve, duke u munduar të gjejmë strehim. Në këto kushte, vështirësitë ekonomike për ne janë rritur edhe më shumë. Jemi në prag të natës së Vitit të Ri por a mund të festojmë në çadër pa asnjë kush elementar jetese”, thotë Flora Miftari banore e fshatit Zhejë të Kurbini.

Qyteti i Laçit është një tjetër zonë e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Rreth 60 pallate në këtë qytet janë shpallur të pabanueshëm, por vetëm 7 prej tyre janë shembur. Të tjerëve, thjeshtë iu është vendosur shenja e kuqe, në mënyrë që banorët të mos futen brenda, dhe ende nuk është marrë asnjë vendim se çfarë do të bëhet me to. Në këto kushte, shumë banorë vijojnë të sfidojnë frikën dhe autoritetet, duke jetuar në këto objekte të dëmtuara nga tërmeti. Shumë prej tyre thonë se nuk iu është gjetur vendstrehim, ndaj janë të detyruar të qëndrojnë aty. “Ka 2 javë që pallatit ku unë jetoj i kanë vendosur shiritin dhe shenjen e kuqe. Është dëmtuar dhe shpallur i pabanueshëm, por unë vijoj të qëndroj aty sepse nuk kam ku të shkoj. Nuk na kanë ofruar asnjë vendstrehim, pavarësisht se kam bërë kërkesë pranë bashkisë. Na kanë thënë se nuk kemi vende. E di se qëndrimi këtu është i rrezikshëm, por nuk kam çfarë të bëj”, thotë një banor i lagjes numër 4, në Laç.

Pallat i pabanueshëm në Laç. Foto: E. Hila

Një tjetër banore tregon se prej 1 jave së bashku me familjen është vendosur në një hotel afër autostradës dhe e paguan me paratë e veta, pasi askush nuk i ka gjetur vendstrehim. “Te pallati im thjesht kanë vendosur shenjen e kuqe dhe na kanë thënë mos të qëndrojmë brenda. Kam kërkuar vendstrehim, por kanë thënë se s’kemi ku t’ju çojmë. Në këto kushte prej 1 jave po fle në hotel së bashku me 4 anëtarët e familjes time. Ditën vij këtu dhe natën shkoj te hoteli të cilin e paguajmë vetë, se s’kemi zgjidhje tjetër. Kështu si unë po bëjnë shumë familje në Laç”, tregon një banore, që nuk dëshiroi të bënte publik emrin e saj. Edhe festat e fundvitit ajo pret t’i kalojë në hotel, pa ditur se deri kur do të zgjasë kjo situatë në fakt.

Thuajse njësoj atmosfera është edhe për familjen prej 8 anëtarësh të Pjetër Kolës, në fshatin Spiten të Lezhës. Shtëpia e tyre është e pabanueshme, por dy nga 8 personat e kësaj familje vijojnë të jetojnë aty, duke rrezikuar jetën. “Kanë ardhur e kanë verifikuar dy herë. E kanë nxjerrë të pabanueshme, pasi shtëpia ka pësuar dëmtime të shumta nga tërmeti. Djali me familjen e tij janë larguar dhe po qëndrojnë te disa të afërm, kurse unë dhe burri po jetojmë në këtë banesë. Vetëm na kanë thënë mos qëndroni brenda dhe s’na kanë gjetur ndonjë vendstrehimi. Kemi kërkuar një çadër për ta vendosur në oborr, por deri tani s’na e kanë sjellë. Nuk mund të largohemi nga këtu, pasi kemi bagëtitë”, thotë Mrika Kola.

Por kur i pyet për rindërtimin e banesave, banorët nuk kanë aspak besim se kjo do të ndodhe në një kohë të shpejtë. “Shoh që organizimi është shumë i dobët. Kaloj një muaj nga tërmeti dhe mua ende nuk kanë ardhur të më verifikojnë shtëpinë. Thjesht ditën e dytë të tërmetit erdhën dy përfaqësues të Bashkisë Lezhë e panë dhe nuk u duk më kush, pavarësisht kërkesave që kam bërë. Shtëpia është shkatërruar plotësisht dhe po qëndroj te të afërmit e mi sepse është rrezik të rri aty. Me këto ritme unë nuk mendoj se shtëpia do më rindërtohet ndonjëherë”, thotë Festim Metaj, banor i qytetit të Lezhës.

Në të njëjtën linjë është dhe një banor nga fshati Fushë-Kuqe në Kurbin. Ai thotë se është strehuar në Shëngjin, pasi shtëpia i është bërë e pabanueshme dhe ka aplikuar për bonus qiraje por nuk e di se kur do ta përfitojë. “Këta të bashkisë s’më kanë dhënë asnjë përgjigje se kur do të dalë pagesa e qirasë, pavarësisht se është edhe shumë e ulët, duke iu referuar çmimit të qirave që tashmë është rritur. Gjithashtu tek hoteli na kanë thënë se duhet të dalim në fundin e muajit, se çfarë do bëhet me ne nuk e di”, thotë Mark Miri, për Portën Vendore.

Në këto kushte mbetet pak ose aspak që të prekurit nga tërmeti të kenë diçka për të festuar në mbrëmjen e ndërrimit të viteve. Me forcën që është gjithnjë në fije të perit, ata përpiqen të ecin përpara duke dashur të harrojnë atë çfarë ndodhi një muaj më parë, ku Shqipëria u godit nga tërmeti tragjik me magnitudë 6.4 të shkallës righter.

Korça, alarmi që të tremb për pasojat e 26 nëntorit

Festat e Fundvitit i gjetën ende të pasistemuara edhe shumë prej familjeve, të cilat humbën shtëpitë e tyre si pasojë e tërmetit të 1 qershorit në Korçë. Edhe pse dimër, shumë prej familjeve ende nuk kanë marrë zgjidhje për situatën që u krijua duke gjetur mënyra alternative strehimi, ndërsa të tjera presin dëmshpërblimin e premtuar në mënyrë që të mund të rregullojnë banesat e dëmtuara.

Në 1 qershor të këtij viti tërmeti me magnitudë 5.2 i shkallës Righter goditi qarkun e Korçës duke rrezikuar shkatërrimin e 3 fshatrave. Floqi, Qafzezi dhe Vidohova pësuan dëme masive në banesa duke lënë qindra banorë pa shtëpi. Dëme të pjesshme u shënuan edhe në fshatra të tjerë.

Kur kanë kaluar thuajse 8 muaj nga tërmeti që shkaktoi pasoja në nivele të ndryshme për më tepër se 700 banesa në fshatrat e qarkut të Korçës dhe që ishte një alarm paralajmërues për Shqipërinë për shumë prej familjeve të dëmtuara në këto fshatra, situata mbetet e vështirë. Me banesa të dëmtuara, kompensime të pashpërndara për familjet dhe të tjerë që pretendojnë se mbetën të aneksuar gjatë procesit të vlerësimit, çka i la ata në mëshirë të fatit, situata duket e vështirë për qindra njerëz. Dhjetëra banesa u ndërtuan nga e para apo u rikonstruktuan, por të tjerë presin ende që të bëhet diçka.

Ndërsa jetojnë me vështirësi dhe mungesë të infrastrukturës, banorët që pritën për 8 muaj me radhë që situata e tyre të zgjidhej, janë detyruar të gjejnë alternativa të tjera strehimi si kasollet, magazinat, shtëpitë me qira apo të afërmit.

Vjeshta ishte afati i premtuar për qindra njerëz që mes panikut dhe frikës që përjetuan nuk i braktisën fshatrat e tyre dhe u strehuan ku mundën, por edhe pse dimri ka nisur dhe temperaturat janë ulur për shumë prej tyre situata mbetet e njëjtë.

37 banesa u ndërtuan nga fillimi dhe 80 u rikonstruktuan, ndërsa për mbi 500 familje u përcaktuan kompensime financiare.

Tërmeti i 1 nëntorit rëndoi situatën në disa prej shtëpive tashmë të dëmtuara duke e shtuar rrezikun për banorët e 3 fshatrave që ende nuk kanë arritur ta hedhin plotësisht pas krahëve frikën që përjetuan.

Në fshatin Floq, krah rrënojave të mbetura pas nga tërmeti ngrihen ndërtimet e reja. Disa banesa janë ende në proces punimesh, ndërsa familja Bekolli sapo është rifutur në shtëpinë e re.

Në kasolle kemi fjetur sepse shtëpia s’kishte përfunduar ende. Kemi punuar edhe vetë me këta të firmës që ta mbaronim shtëpinë sa pa zënë dëbora”, tregon 49-vjeçarja Selvi Bekolli, e cila pohon se këtë dimër familja do ta ketë edhe më të vështirë pasi nuk ka mundur që gjatë verës të sigurojë asnjë të ardhur nga mbledhja e bimëve medicinale që është burimi kryesor i të ardhurave të tyre.

Por në lagjen poshtë të fshatit banorët pohojnë se ata janë të paralizuar përballë çdo dëshire dhe iniciative që mund të marrin për të sistemuar shtëpitë, pasi janë në vështirësi financiare dhe ende nuk kanë marrë kompensimet që do t’i ndihmonin të rregullonin shtëpitë. Sofron Bekolli, teksa është nisur për të ndihmuar një prej bashkëfshatarëve që të rregullojë shtëpinë tregon se për banesën e tij është përcaktuar një kompensim qesharak që dyshon se do të mund ta marrë, ndërsa shtëpia ka dëmtime në pjesë të ndryshme.

Gurie Ramolli 71 vjeç është strehuar në shtëpinë e kunatit, e cila u ndërtua e re, ndërsa banesa e saj ngjitur nuk u përfshi në listë, pasi djali i saj emigrant ka në pronësi një apartament në Korçë. “Unë vërtet figuroj me djalin ama jetoja këtu në fshat. As ma kanë marrë parasysh. Djali është në Greqi me familjen, unë jam pa dokumente. Ku të shkoj unë korba. Më thanë shko te shtëpia në qytet që ka djali, por unë jam fillikat si të vete aty vetë. Nuk di pse më lanë kështu”, thotë e moshuara.

Zgjidhja provizore që Festim Çaushi ka gjetur për të mbushur me lecka murin e banesës.

Familja e Nevruz Mullaj është një tjetër familje që ka mbetur e patrajtuar me asnjë lloj ndihme apo kompensimi. Familja prej 6 anëtarësh jeton në një shtëpi thuajse të shkatërruar, të cilën e ka marrë me qira, ndërsa të ardhurat minimale që sigurojnë nuk mjaftojnë as për arsimimin e fëmijëve. “Nuk e di pse nuk na futën fare në listë. Ne shtëpinë e kishim vërtet të vjetër, por ç’rëndësi ka. Babi u kërkoi disa herë që ta sqaronin dhe në fund i thanë që t’i nuk figuron fare në fshat. Ne këtu kemi lindur, jemi shkolluar, këtu votojmë, si nuk figurojmë?!”, thotë mes lotësh vajza e tij, Brisilda 21-vjeçare.

Qafzezi, një fshat ku shumica e banorëve e kanë të vështirë jetesën pasi nuk kanë asnjë të ardhur. Fshati ka ende disa familje që janë strehuar në ato që i quajnë ashefe dhe që u shërbenin si magazina për mbajtjen e mjeteve të punës. Disa familje pasi pritën për muaj të tërë që t’u rindërtoheshin shtëpitë pranuan bonuset e qerasë nga bashkia, ndërsa shpresojnë se shtëpitë do të rindërtohen vitin që vjen.

Festim Çaushi, babai i tre vajzave për muaj me radhë është detyruar të flejë në njërën nga dhomat e shtëpisë, ku të çarat e mureve janë mbushur me lecka, ndërsa pjesa tjetër e familjes jetonte në çadër, derisa u gjet një alternativë e përkohshme strehimi për ta. “Lagështira na mbyti për muaj të tërë, unë u futa në shtëpi se nuk na nxinte 5 veta në çadër, rrezikova edhe jetën sepse nuk kisha zgjidhje tjetër. Më lanë pa shtëpi, disave ua bënë, të tjerët i lanë. Tani kam shkuar te shtëpia e motrës, edhe pse ajo është e papërfunduar, ndërsa na kanë premtuar se në mars do të gjejmë zgjidhje”, thotë ai.

Zëri i një fëmije të porsalindur vjen pak metra më tej. Familja Meka është strehuar në magazinën e shtëpisë, ndërsa gëzimi i vetëm ka qenë ardhja në jetë e një fëmije që po rritet jashtë çdo kushti normal. “As qeni nuk lihet kështu si na lanë ne. Do zoti nuk kemi dimër të ashpër ndërsa mot si dihet ç’bëhet me ne”, thotë Minushja së cilës sëmundja e astmës i është rënduar edhe më tepër si pasojë e kushteve të vështira ku jeton.

Vidohova është një fshat thuajse i izoluar. Vetëm 46 km larg Korçës aty duhen të paktën dy orë udhëtim. Nga Mirasi rruga është thuajse e shkatërruar dhe në dimër bëhet e pakalueshme. Në lagjen e kishës siç e njohin banorët ka ende prej tyre që nuk kanë çati mbi kokë. Lumturie Xhihani, 68 vjeçe, përlotet teksa tregon se si nënë po e përjeton dyfish situatën e vështirë pasi edhe pse dy djemtë e saj pësuan dëmtime në banesa, vetëm për njërin prej tyre u vendos që shtëpia ti riparohej. “Unë jetoj me djalin e vogël. Bëhemi 9 frymë. Këtij s’ia bënë shtëpinë. Na lanë kështu. Për muaj të tërë ndenjëm në çadër dhe pak ditë më parë erdhën e i vunë shtëpisë shiritin e kuq. Ne na strehuan në shtëpi me qira dhe e paguan bashkia deri në pranverë. Më tej çdo bëhet s’e dimë. Nuk e kuptoj se pse mi ndanë fëmijët, njërit po e tjetrit jo, të dyve iu dëmtuan shtëpitë”- tregon ajo.

Lumturie Xhihani duke folur për Portë Vendore

Ndërsa Tatjana Çuka nënë e 6 fëmijëve jetonte tek ish –posta e fshatit. Ndërtesa ku ende dallohen parullat e kohës së komunizmit është shkatërruar, por 36-vjeçarja nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim dhe as shtëpi. “Me 6 fëmijë të vegjël ku të shkoj?! Jam futur te shtëpia e mamit. Bëhemi 10 veta në një dhomë. Do më duhet të dal jashtë një moment, në rrugë me fëmijët e vegjël”, shprehet ajo.

Përveç 37 banesave të rindërtuara dhe 80 të konstruktuarave në gjithë qarkun e Korçës janë edhe 553 familje të dëmtuara nga tërmeti i 1 qershorit, të cilat sipas ligjit duhet të dëmshpërblehen në masën 50% të dëmit të pësuar. Por ende pas 8 muajsh shumë prej tyre nuk kanë marrë kompensimin ndërsa të tjerë pretendojnë se janë lënë jashtë skemës edhe pse nuk kanë një strehë.

Situata e krijuar në qarkun e Korçës pas tërmetit të 1 qershorit zbeh edhe më shumë shpresat e të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit për një zgjidhje të shpejtë të situatës, ndërsa qeveria pritet që përllogaritjen e dëmeve dhe planin e rindërtimit ta paraqesë në fund të muajit janar pas konferencë së donatorëve, duke bërë që banorët e prekur nga tërmetet këtë dimër ta kalojnë jashtë, duke shpresuar që mos t’i zërë dimri tjetër, ashtu siç tërmeti i nëntorit zuri tërmetin e qershorit pa përfunduar rehabilitimin e të prekurve të parë.

previous arrow
20191220_105750
20191220_112057
20191220_105954
20191220_110222
20191220_100210
20191220_104057
20191220_104506
20191220_115104
20191220_104233
20191220_105759
20191220_121023
20191220_121931
20191220_120343
1
2
3
4
5
6
7
8
9
10
11
12
13
14
KONICA MINOLTA DIGITAL CAMERA
Banesa e familjes Dema Mamurras 1
Banesa e familjes Dema Mamurras
Banesa e familjes Miftari Fushe-Kuqe Kurbin
Banesa e familjes Tarja Fushe-Mamurras
Banor ne pallate te pabanueshme Lac
Banore qe jetojne ne pallate lac
KONICA MINOLTA DIGITAL CAMERA
Cadra e familjes Dema Mamurras 3
Cadra e familjes Dema Mamurras 5
Cadra e familjes Tarja Fushe-Mamurras 1
Cadra e familjes Tarja Fushe-Mamurras 2
Famila Miftari Mamurras
Familja Basha Fushe-Mamurras (2)
Familja Basha Fushe-Mamurras (3)
Familja Sela 1 Fushe Mamurras
Familja Sela 2 Fushe Mamurras
Familja Sela Fushe Mamurras
KONICA MINOLTA DIGITAL CAMERA
Germadhat e pallateve te shembura Lac
KONICA MINOLTA DIGITAL CAMERA
KONICA MINOLTA DIGITAL CAMERA
KONICA MINOLTA DIGITAL CAMERA
KONICA MINOLTA DIGITAL CAMERA
Pallat i pabanueshem Lac 1
Pallat i pabanueshem Lac 2
Pallat i pabanueshem Lac 3
Pallat i pabanueshem Lac 4
Pallat i pabanueshem Lac
KONICA MINOLTA DIGITAL CAMERA
WhatsApp Image 2019-12-25 at 10.53.58 PM
WhatsApp Image 2019-12-25 at 10.54.01 PM
WhatsApp Image 2019-12-25 at 10.54.02 PM
WhatsApp Image 2019-12-25 at 10.54.04 PM
WhatsApp Image 2019-12-25 at 10.54.09 PM
WhatsApp Image 2019-12-25 at 10.54.10 PM (1)
WhatsApp Image 2019-12-25 at 10.54.10 PM
WhatsApp Image 2019-12-25 at 10.54.11 PM (1)
WhatsApp Image 2019-12-25 at 10.54.11 PM (2)
WhatsApp Image 2019-12-25 at 10.54.11 PM
WhatsApp Image 2019-12-25 at 10.54.12 PM (1)
WhatsApp Image 2019-12-25 at 10.54.12 PM
WhatsApp Image 2019-12-25 at 10.54.13 PM (1)
WhatsApp Image 2019-12-25 at 10.54.13 PM
next arrow