25 dhjetor 2019/ Aurora Sulce/ Porta Vendore
Qytetarët e Tiranës do të paguajnë vitin e ardhshëm 1.3 miliardë lekë taksa e tatime më shumë. Është ky ndryshimi në rritje në vlerën e të ardhurave totale, të parashikuara në projektbuxhetin 2020 të bashkisë së kryeqytetit, që pritet të miratohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ditën e enjte. Porta Vendore ka siguruar eksluzivisht të gjitha dokumentat, që përfshijnë projektbuxhetin me tabelat përkatëse, relacionin që e shoqëron dhe strukturën e bashkisë së Tiranës me të gjitha ndryshimet, që ajo do të pësojë vitin e ardhshëm.
Nga të dhënat e detajuara rezulton se vitin e ardhshëm parashikohet të mblidhen 14.6 miliardë lekë të ardhura në total (siç duket edhe nga tabela më poshtë) kundrejt 13.3 miliardë që ka qenë plani i këtij viti. Pra, bëhet fjalë për një rritje prej 1.3 mliardë lekësh në harkun kohor të një viti. Por nga do të dalin paratë? Ku do të paguajmë më shumë?
Të dhënat tregojnë se nga transferta, ose e thënë ndryshe, fondet që alokohen nga buhxeti I shtetit për Bashkinë e Tiranës, kanë pësuar një rritje të ulët prej vetëm 100 milionë lekësh, pra, nga rreth 3.5 miliardë lekë që ishte plani I 2019-ës në 3.6 miliardë të parashikuara për vitin e ardhshëm.
Burimi i vetëm që mbetet për të mbushur arkën e pushtetit vendor të kryeqytetit më 2020-ën mbeten taksat dhe tarifat vendore. Le të analizojmë më poshtë, se cilat do të jenë taksat kryesore që do ti sigurojnë më shumë të ardhura Bashkisë së Tiranës vitin e ardhshëm.

Një ndër taksat vendore që do të gjenerojë më shumë të ardhura vitin e ardhshëm është taksa mbi ndërtesën. Sipas relacionit që shoqëron projektbuxhetin, taksa e pasurisë është ndër burimet më me peshë në buxhetin e Bashkisë Tiranë dhe përbën 13 % të totalit të të ardhurave të veta.
Me ndryshimet e fundit ligjore, të datës 1 Prill 2018, taksa e ndërtesës është rikonceptuar, duke u mbështetur tashmë tek vlera e ndërtesave. Niveli i taksës i shprehur në përqindje si për ndërtesat që përdoren për qëllime banimi edhe për ndërtesat që shfrytëzohen për veprimtari ekonomike, aplikohet mbi vlerën e ndërtesës (çmimi i shumëzuar me sipërfaqen) në masën respektivisht 0.05% dhe 0.2%.
Për këtë qëllim, Ministria e Financave dhe Ekonomisë nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, në bashkëpunim me institucione të tjera qendrore si, OSHEE, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, etj, kanë pasur detyrimin e ngritjes së bazës së të dhënave, krijimin e Kadastrës Fiskale, si informacioni bazë i domosdoshëm për përllogaritjen dhe mbledhjen e të ardhurave nga taksa e ndërtesës.
Në vitin 2020, të ardhurat nga taksa e ndërtesës janë parashikuar në vlerën e mbi 2.6 miliardë lekëve, me rritje rreth 270 milionë kundrejt 2019-ës. Rritja më e madhe vërehet tek të ardhurat që do të mblidhen tek kategoria e familjarëve me 259 milionë lekë më shumë kundrejt vitit që o mbyllet (siç duket qartazi tek tabela e mëposhtme).

Taksa e dytë që do të sigurojë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit është ajo e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, që i nënshtrohen të gjitha subjektet që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e tjera. Në relacionin që shoqëron projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës theksohet se referuar vlerësimeve të drejtorisë përgjegjëse pritet që ecuria e arkëtimit të jetë nën nivelin e dy viteve të fundit. “Kjo për arsye se të ardhurat nga kjo taksë parashikohet të mbështeten kryesisht në zhvillimet e reja që pritet ti shtohen Tiranës në zonën e mirë planifikuar të Bulevardit të Ri, ku është miratuar edhe Plani i Detajuar Vendor nga Këshilli Kombëtar i Territorit – plan ky që i hap rrugë zhvillimit”, evidenton dokumenti.
Siç duket edhe nga tabela, vitin e ardhshëm nga kjo taksë pritet të mblidhen 4.3 miliardë lekë nga 4 miliardë që ishte i pritshmi i këtij viti. Pra, me rritje 300 milionë lekë në harkun kohor të një viti.

Bashkia e Tiranës ka parashikuar që më shumë të ardhura vitin e ardhshëm buxhetor të mbledhë edhe nga tarifa për parkimin e automjeteve. Relacioni që shoqëron draftin sqaron se me qëllim evidentimin dhe ndjekjen operacionale të parkimit, territori i Bashkisë Tiranë është detajuar në zona tarifore sipas tipologjive, me qёllim vendosjen dhe vjeljen e tarifёs sё shёrbimit tё parkimit publik me pagesё – mbёshtetur nё karakteristikat funksionale tё tyre. Krahasuar me vitet e kaluara, arkëtimi i tarifës së parkimit për vitin 2018 ka një rritje të ndjeshme kryesisht nga pagesat e parkimit (të ardhurat) me SMS, si rrjedhojë e riorganizimit të strukturave, mënyrës së arkëtimit dhe evidentimit në kohë të përdoruesve të parkimit në rrugët me pagesë por dhe në sheshet e miratuara për parkim. Në vitin 2019 arkëtimet janë në të njëjtin nivel si viti 2018.
Ndërsa për vitin e ardhshëm, banorët e kryeqytetit do të paguajnë për parkimin 47.2 milionë lekë më shumë se këtë vit (siç duket nga tabela e mëposhtme).

Më shumë para vitin e ardhshëm do të mblidhen edhe nga tarifa, që paguhet në masën 1% të vlerës së investimit, për çdo aplikim për leje zhvillimi, infrastrukture dhe ndërtimi sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për planifikimin e territorit.
Shuma e parashikuar për 2020-ën është 368 milionë lekë, me rritje 88 milionë lekë kundrejt të pritshmit të këtij viti (tabela më poshtë).

Po ku do te përdoren 1.3 miliardë lekë që Bashkia e kryeqytetit planifikon të mbledhë më shumë nga qytetarët vitin e ardhshëm? Të dhënat tregojnë se më 2020-ën shpenzimet të rriten me 2 miliardë lekë. Pra, nga 18.3 miliardë lekë që është i pritshmi i këtij viti në 20.3 miliardë lekë.
Ajo që duket qartë nga të dhënat e detajuara të tabelës së mëposhtme është rritja e ndjeshme e shpenzimeve të personelit me 400 milionë lekë në harkun kohor të një viti dhe shpenzimeve operative me 1.5 miliardë lekë. Ndërkohë që shpenzimet kapitale, që ndryshe njihen si investimet do të rriten me vetëm 190 milionë lekë. Pra, nga 7 miliardë lekë që është i pritshmi i këtij viti në 7.19 miliardë më 2020-ën.
Një shpërndarje e tillë e shpenzimeve vitin e ardhshëm e çon raportin mes shpenzimeve korente dhe atyre kapitale respektivisht në 65% me 35% për vitin 2020.
Vitin e ardhshëm Bashkia e Tiranës parashikon të shtojë me 317 punonjës aparatin e saj, nga të cilët 30 punonjës janë nga transferta e pakushtëzuar. E thënë ndryshe, për funksione që i transferohen pushtetit vendor.
“Kërkesat gjithnjë e në rritje, problematikat por edhe sfidat që ndeshen për mirë menaxhimin e territorit të qytetit të Tiranës si dhe zgjerimin e funksioneve të reja të transferuara së fundmi, kërkojnë rritjen e numrit të personelit në Aparatin e Bashkisë së Tiranës dhe disa prej njësive organizative në varësi të këtij institucioni”, theksohet në relacionin që shoqëron projektbuxhetin 2020.
Drejtoria e Përgjithshme Nr. 1 e Punëtorëve të Qytetit | 10 punonjës |
Drejtoria e Përgjithshme Nr. 2 e Punëtorëve të Qytetit | 20 punonjës |
Drejtoria e Përgjithshme Nr. 3 e Punëtorëve të Qytetit | 37 punonjës |
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore | 10 punonjës |
Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve | 60 punonjës |
Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit | 15 punonjës |
Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit | 10 punonjës |
Muzeu Vendor “Shtëpia Studio Kadare” | e papërcaktuar |
Drejtoria e Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimit | 30 punonjës |
Policia Bashkiake | 50 punonjës |
Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit | 23 punonjës |
Burime nga Këshilli Ekonomik i Bashkisë së Tiranës, i cili shqyrtoi dje projektbuxhetin bëjnë të ditur për Porta Vendore se punonjës do të shtohen edhe për shërbimet e emergjencës, nisur nga situata e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit dhe post goditjeve të tij. Kjo me qëllim forcimin e strukturave në rast të situatave të ngjashme të fatkeqësive natyrore në të ardhshmen.
Por numri i punonjësve shtesë dhe efektet në buxhet të punësimit të tyre do të vendosen në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ditën e enjte, aty ku do të jepet edhe miratimi final për projektbuxhetin 2020, draftin më të rëndësishëm të financave publike në bashkinë më të madhe të vendit.