22 dhjetor 2019/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore
Pas shumë vitesh në amortizim total, Kisha e Shën Premtes në Lezhë është restauruar. Fondi që nuk u gjet kurrë nga Ministria e Kulturës për këtë monument, u mblodh nga banorë të zonës dhe biznesmenë, duke bërë që 4 muaj më parë të niste puna për shndërrimin e saj. Sot, sfida e radhës është hapja për vizitorët.
Kisha e Shën Premtes ndodhet 5 km larg nga qyteti i Lezhës, përkatësisht në fshatin Balldren. Kjo kishë mendohet të jetë ndërtuar në shekullin e XII-XIII, dhe i përket stilit romaniko-gotik. E shpallur monument kulture në vitin 1981, kisha ka pasur disa tentativa për restaurim, por i pari dhe i fundit daton në vitin 2004, kur është restauruar një pjesë e çatisë.
Pas shumë kërkesash nga ekspertët, klerikët që shërbejnë në këtë zonë dhe Bashkia Lezhë, Ministria e Kulturës premtoi se do të lëvronte një fond për ta “nxjerrë” këtë kishë nga amortizimi total. Por kjo gjë nuk ndodhi, pavarësisht pritjes së gjatë. Ndaj në korrik të këtij viti, Domë Nikë Ukgjini së bashku me një numër të madh donatorësh bënë të mundur nisjen e punimeve, për të rikthyer në identitet një nga kishat më me vlerë në zonën e Zadrimës, e ndër të vetmet e mbetura me afreske.
“Ideja jonë ishte që të zëvendësonim çatinë, dyert e dritaret që ishin të kalbëzuara, pasi keqbërësit e shiu mundnin të hynin pa vështirësi, duke shkatërruar afresket e shek. XII, në pjesën e absidës, të zbuluara në vitin 2002. Gjatë zbatimit të punimeve fillestare, u pa nevoja që të bëhen edhe punimet të tjera shtesë, si; heqja e gjithë suvatimit nga brenda ku zbuluam gjurmët e afreskeve të reja, sistemimi i oborrit dhe gjelbërimi, elektrifikimi dhe krijimi i muzeut me objektet që gjetëm gjatë zhvillimit të punimeve. Gjatë kryerjes së punimeve të reja, u shtua nevoja për të kërkuar ndihma financiare edhe tek të tjerë, në mënyrë që objekti të rikonstruktohet në mënyrë sa më të plotë”, rrëfen Domë Nik Ukgjini, i cili ka qenë dhe lobuesi kryesor për gjetjen e fondeve.

Për restaurimin e kësaj kishe kontribuuan të gjithë; dikush me para, dikush me ekspertizën e tij, dhe të tjerë me punë vullnetare. Dikush ka financuar sistemimin e oborrit, dikush dyer e dritare, dikush tjetër ka mbuluar shpenzimet e paparashikuara në projekt etj.
Në total të gjitha punimet kapin vlerën e 20 mijë dollarëve, e ku gjysma e tyre u dhurua nga Konsulli i Nderit të Austrisë, Gjergj Leqejza. Familje të tjera të angazhuara në këtë nismë, ishin nga Peja, Suedia e Nju Jorku.
Ndërsa projekti fillestar i Institutit të Monumenteve të Kulturës ka pësuar një sërë ndryshimesh, për të bërë të mundur që kisha të merrte formën e saj sa më pranë origjinales.
“U desh viti 2002, kur në një aksion të hartuar nga Ministria e Kulturës për shpëtimin e pjesës arkitekturore, rastësish u zbulua brenda suvatimit kjo pasuri e rrallë artistike e ideuar nga mendja arbërore. Projekti i hartuar nga Ministra e Kulturës në vitin 2005 edhe pse ishte shumë ambicioz për rehabilitimin e plotë të këtij objekti, mbeti i fjetur në sirtarët e ministrisë”, tha për Portën Vendore Ukgjini, famullitari i kësaj zone.

Të gjithë kontribuuesit, përfshirë këtu edhe murgeshat pranë këtij monumenti por edhe banorët e zonës shprehen të kënaqur për vënien dorë në këtë kishë me vlera të rralla kulturore, fetare e historike.
“ Jam shumë i kënaqur që kisha e fshatit ia arriti kësaj dite, sepse na vinte të gjithëve shumë keq kur e shikon në atë gjendje. Pas rikonstruksionit, kjo kishë është kthyer tanimë në identitet”, tha Gjoni, një prej banorëve të Balldrenit.

Në bashkëpunime më Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë Lezhë, kisha e Shën Premtes pritet të hyjë në sajtet turistike vendase dhe ndërkombëtare.
Kjo kishë ka një numër të madh afreskesh, ku ndër më i njohuri është ai që përngjan me darkën e fundit të Leonardo Da Vinçit. Për sa i përket afreskeve, kisha ka ende nevoja, për konsolidimin dhe konservimin e afreskeve në abside si dhe në gjurmët e afreskeve të zbuluara gjatë muajit tetor të këtij viti.

Kisha pritet të hapet për vizitorë e interesuar në orare të caktuara.
“Ligjërisht duhet t’i menaxhojë Ministria e Kulturës sepse bëjnë pjesë në listën e monumenteve të kulturës dhe Bashkia nuk ka asnjë kompetencë ligjore, por ne po mundohemi në çdo lloj forme që t’i bëjmë të vizitueshme këto objekte. Kam bërë kërkesë në bashki për të punësuar një guidë/ciceron, megjithëse sërish edhe kjo është kompetencë e ministrisë, por ato ankohen gjithmonë për fonde, kështu që për momentin jemi të detyruar të koordinohemi me murgeshat që jetojnë aty pranë, për të bërë të mundur hapjen e saj për vizitorët”, tha Paulin Zefi, Përgjegjës i Sektorit të Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Lezhë.
Por kisha e Shën Premtes në Balldren nuk është e vetmja, e cila ishte jashtë vëmendjes institucionale, ka edhe një sërë monumentesh të tjera të mbetura në harresë.
“Zona e Lezhës, përpos Balldrenit, ka rreth 33 monumente të vjetra që janë rrënoja apo gjysmë të rrënuar, ku vetëm shtatë prej tyre janë të shpallura Monumente Kulture. Në pjesën më të madhe të këtyre monumenteve, dioqeza e Lezhës ka ringritur muret dhe çatitë e pjesa tjetër kanë mbetur në mëshirën e fatit, duke u shkatërruar përditë. Nga objektet që kanë strukturën e plotë janë: Kisha e Rubikut me afreske të dëmtuara, por e sistemuar me kujdes si strukturë nga eterit françeskanë dhe Kisha e mesjetës së hershme e Shën Barbarës në Pllanë, edhe kjo Monument Kulture, e cila është krejtësisht e braktisur nga Ministria e Kulturës. Por, pasi këtë objekt tani e ka marrë si pronë të veten dioqeza e Lezhës, ajo së shpejti do i nënshtrohet në rikonstruksioni të plotë”, sqaron Domë Nik Ukgjini.
Ndërsa pritet restaurimi i kishës së Barbullës në Pllanë, në proces është gjithashtu edhe miratimi i projektit për ndërtimin e Muzeut Arkeologjik në këshill bashkiak.