Vëzhgim/Analizë

Buxheti për qytetarët, ‘peng’ i konsultimeve fiktive

20 dhjetor 2019/ Ola Mitre/ Porta Vendore

Kërkesat e qytetarëve për investime nuk reflektohen në buxhetet e bashkive, pasi një sërë monitorimesh të dëgjesave publike nxjerrin në pah se ato janë fiktive, teksa nuk dominohen nga banorët, por nga forcat politike. Ndërkohë që ekspertët theksojnë rëndësinë e kosultimeve, si një formë për rritjen e llogaridhënies, përgjegjshmërisë dhe ndërtimin e besimit mes qytetarëve dhe qeverisjes.

Në shtator të vitit 2017, një grup banorësh në Njësinë Administrative Dajt vendosën t’i drejtohen Bashkisë së Tiranës për të kërkuar ndërhyrje në rrugën e tyre, ku nuk investohej prej vitesh. “Aktualisht kjo zonë është në gjendje të mjerueshme dhe në kohë me shi rruga bëhet e pakalueshme për shkak të baltës që krijohet”, thuhej në kërkesën e shoqëruar nga një peticion me firmat e banorëve dhe foto të rrugës. “Kërkojmë shtrimin, asfaltimin dhe sistemimin e saj”, shtohej më tej në kërkesën e 2 viteve më parë. Banorët e rrugës “Sul Alla” morën një përgjigje nga Drejtoria e Përgjithshme e Punëve Publike, pak ditë më pas, ku saktësohej se “pas verifikimit në terren nga specialistët e kësaj drejtorie, do të shikohej me përparësi mundësia e planifikimit në investimet e ardhshme të bashkisë”, duke shtuar më tej se “Investimi do të konsistojë në ndërtimin e shtresave të asfaltit, rrjetin e ndriçimit rrugor, KUZ, KUB dhe të gjithë elementët e tjerë që janë të nevojshëm për një rrugë brenda standardeve”. Por pavarëissht angazhimit në shkresë, ende sot në këtë rrugë s’është bërë asnjë ndërhyrje, ndërkohë që kushtet e saj përkeqësohen.

“Ne kemi dërguar edhe disa kërkesa të tjera për të njëjtën problematikë, por deri më tani asgjë s’ka ndryshuar”, ankohet një prej firmëtarëve të peticionit. “Nuk e dimë edhe sa buxhete do miratojë bashkia deri sa të ndërhyjë”, shton ai.

Por rasti i banorëve të rrugës “Sul Alla” nuk është i vetmi ku zëri i qytetarëve nuk dëgjohet apo merr adresimin e duhur. Një raport i Institutit të Studimeve Politike, realizuar me mbështetjen e  LevizAlbania, mbi monitorimin e 5 bashkive të Qarkut Tiranë, nxjerr në pah një sërë problemesh që këto njësi vendore kanë në drejtim të pjesëmarrjes qytetare, llogaridhënies, transparencës dhe të konsultimit publik. Sipas raportit, “nga të dhënat e periudhës shtator-nëntor 2018 rezulton se Bashkia Tiranë ka zhvilluar një numër të madh dëgjesash publike, kryesisht në funksion të bilancit të punës dhe hartimit të buxhetit bashkiak për vitin 2019. Megjithatë, një analizë e detajuar e zhvillimit të këtyre konsultimeve dhe dëgjesave publike nxori në pah konceptin e brishtë të “konsultimit publik” dhe rolin dominues që kanë partitë politike dhe agjendat politike në aktivitetet e bashkive”, thuhet në raport. “Kështu, nga më shumë se 20 dëgjesa të zhvilluara u konstatua se në asnjë prej tyre nuk ka pasur realisht konsultim publik bashki – qytetarë në modelin ligjor dhe klasik të konsultimit, por në çdo rast ka pasur aktivitet bashkiak në funksion të agjendës politike të partisë politike”,- shtohet më tej në dokument.

Ngjashëm me Tiranën, Vorën, Kamzën, Kavajën dhe Rrogozhinën, një sërë raportesh të tjerë evidentojnë probleme me konsultimin publik dhe transparencën në bashki të tjera sikurse janë Lezha, Vlora, Devolli, etj. “Informimi nga ana e qytetarëve mbi buxhetin është i ulët”,- thuhet në raportin e monitorimit të Institutit për Politika Publike dhe Mirëqeverisje, realizuar përmes pyetësorëve të plotësuar nga 340 qytetarë, me autor ekspertin e ekonomisë, Arben Malaj. Sipas raportit, në bazë të përgjigjeve të të anketuarve, megjithëse perceptimi i qytetarëve mbi buxhetin është i ulët, ka një interes të konsiderueshëm nga ana e tyre që të bëhen pjesë e procesit të buxhetimit. Ai vlerëson se rreth 86% e të anketuarve janë përgjigjur se, nëse do t’u jepej mundësia, do të merrnin pjesë në procesin e buxhetimit të bashkisë Lezhë, ndërsa konfirmuan se nuk kanë marrë asnjëherë pjesë në seanca dëgjimore në lidhje me realizimin e buxhetit. Bazuar në ligjin “Për njoftimin dhe konsultimin publik” dhe ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”, çdo qytetar në territorin e njësisë ka të drejtë të paraqesë mendime, kërkesa, sugjerime, ndaj autoriteteve publike, gjatë procesit të hartimit të akteve normative apo gjatë ushtrimit të funksioneve të autoritetit publik. Mbi këtë parim, njësitë e vetëqeverisjes vendore garantojnë për publikun transparencën e veprimtarisë së tyre. “Bashkitë e kanë detyrim konsultimin e përhershëm dhe përfshirjen e mendimit qytetar në vendimmarrje, në mbledhjet e këshillave bashkiakë, etj, sidomos kur bëhet fjalë për programin ekonomik dhe financiar, pra të buxhetit”,- thotë eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, që ka qenë pjesë e një tjetër monitorimi në Bashkitë Tiranë, Shkodër, Vlorë, Vorë, etj. “Me disa përjashtime të vogla, ajo që kemi parë dhe që kemi gjetur nga vëzhgimet në terren është që ky proces konsultimi pothuajse nuk ndodh fare dhe në rastet që ndodh është më shumë formal. Për shembull bashkia thërret një grup militantësh të partisë dhe kjo konsiderohet sikur është konsultim me publikun. Në fakt përfshirja aktive e komuniteteve është zero”,-shton eksperti, ndërsa thekson se këto rezultate mund të shtrihen në të gjithë njësitë e qeverisjes vendore për shkak të karakteristikave të njëjta.

Edhe sipas ekspertit të ekonomisë, Dritan Shano deri më sot konsultimet nuk kanë qenë efektive. “Dëgjesat nuk zhvillohen në kohën e duhur. Ato zhvillohet shumë afër procesit të buxhetimit dhe qytetarët (aktorët pjesëmarrës) nuk kanë peshë në vendimmarrje. Pra nuk arrijnë dot të bëhen aq të fuqishëm sa të lobojnë për të ndryshuar buxhetet e “hedhura” përpara tyre nga bashkitë”,- thotë Shano. Sipas ekspertit Zef Preçi, “ konsultimi është një mënyrë ku bashkitë të afishojnë prioritetet e tyre dhe njëkohësisht të japin mundësinë që grupet e interesit të shprehin opsionet e tyre. Por në konsultimet e deritanishme më shumë bëhet propagandë dhe flasin ata që duhet të dëgjojnë. Njëkohësisht nuk ka zëra që ofrojnë realisht mbështetje për përmbajtjen apo këndvështrime dhe alternativa të tjera prioritare”,- shprehet ai.

Rëndësia e konsultimit

“Konsultimin publik e shoh si shumë të nevojshëm sidomos për përmasën që ka vendi ynë. Nëse do të ishim sa Kina do të ishte e vështirë, por ne jemi një vend i vogël dhe e shoh të vlefshme”,- thotë Shano. “Po ashtu e shoh të vlefshme sepse duhet të rritet niveli i llogaridhënies, pra i ekspozimit të zyrtarit ndaj qytetarit që në fazën e hartimit të buxhetit dhe më pas përgjatë ekzekutimit”,- shton ai. Edhe sipas Preçit, konsultimi me publikun sjell mundësinë për të ndërtuar besim mes qytetarëve dhe qeverisjes. Ndërkohë që, përfshirja e banorëve në këto procese, sipas Xhepës ndihmon në rritjen e përgjegjshmërisë. “Nëse nuk ka një lloj transparence, edhe publiku nuk përgjigjet në pagesën e tatim-taksave. Ndërsa kur e përfshin komunitetin dhe i tregon punën, atëherë ai është më aktiv në punët e qeverisë lokale”,-shprehet eksperti. “Në demokraci nuk janë të rëndësishme vetëm rezultatet. Po kaq i rëndësishëm është procesi. Në këtë kuptim mund të ketë projekte shumë të mira, por nëse bëhen në mënyrë diktatoriale ka një dallim. Diktatura mendonte se output-i final do të ishte i mirë, por procesi ishte diktatorial”,-argumenton më tej Xhepa. Për Dritan Shanon buxhetet e pakonsultuar, sjellin buxhete të palidhur me nevojat dhe prioritetet e atyre që duhet të përfitonin nga këto buxhete. “Kjo adreson nevoja të ‘imagjinuara’ nga burokrati, nga shefi i burokratit, ky lloj buxheti eliminon transparencën, ndërkohë që konsultimi tenton t’i evitojë të gjitha këto”,- thotë Shano.

Strategjia e re

Problematikat në përfshirjen aktive të publikut në vendimmarrje pranohen edhe nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në draftin e Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike në Shqipëri 2019-2022. “Megjithëse ka ecuri për informacionin financiar për qeverinë qendrore dhe vendore që publikohet në faqen e internetit të MFE-së dhe në ‘Portalin e Transparencës’ për financat vendore, ka nevojë për më shumë punë për të pasuruar informacionin e disponueshëm, si dhe për të angazhuar në mënyrë aktive organizatat e shoqërisë civile dhe aktorët e tjerë gjatë përgatitjes dhe zbatimit të buxhetit”,- thuhet në dokumentin e nxjerrë për konsultim. Në këtë kuadër, strategjia parashikon përgatitjen e një platforme komunikimi për të ndihmuar qytetarët të shkëmbejnë pikëpamjet e tyre mbi çështjet buxhetore kombëtare, qoftë gjatë fazës së përgatitjes së buxhetit, ashtu edhe monitorimit të zbatimit të tij. Gjithashtu, do t’i ofrohen trajnime Organizatave të Shoqërisë Civile për të kuptuar më mirë planifikimin dhe ekzekutimin e buxhetit si dhe raportet përkatëse. Megjithatë, platformat online shihet me sy kritik nga ekspertët. Sipas raportit të Institutit të Studimeve Politike “adresimi përmes internetit është më i lehtë, por nuk shkon tek të gjithë grupet e qytetarëve në bashki dhe nuk mund të zëvendësojë format tradicionale të komunikimit dhe të informimit, të përcaktuara edhe nga legjislacioni dhe vetë rregulloret e bashkive”.

I të njëjtit mendim është edhe Zef Preçi, i cili thotë se “praktika e konsultimit me internet, që pret se kush do të komentojë, nuk është një traditë e Shqipërisë e për pasojë nuk është efektive”. Ndërkaq, në zbatim të strategjisë 4-vjeçare “MFE-ja do të punojë për të siguruar angazhim në mënyrë më të strukturuar dhe në kohën e duhur të qytetarëve, Organizatat e Shoqërisë Civile dhe akademikët për planifikimin, monitorimin dhe raportimin e buxhetit”, ndërsa parashikon përgatitjen e një udhëzuesi për Buxhetin për Qytetarët. “Manualet janë të bazuar në principe dhe japin guida e udhëzime, por nuk i zgjidhin problemet. Ne problemet i kemi në kanalet e komunikimit të zyrtarëve publikë, të mandatuar apo të drejtuesve me qytetarët”,- shprehet Preçi. “Do të ishte e dëshirueshme të përdorej masivisht media, për të patur debate: qeveritarët e lartë, autorët sipas fushave përkatëse duhet të vendosen përballë paneleve të ekspertëve dhe të argumentojnë prioritetet, të argumentojnë shifrat, përse bëhet një gjë dhe përse bëhet një gjë tjetër sepse konsultimi ka kuptim kur bëhet ballë për ballë”,- shton ai. Ndërkaq, sipas ekspertit Dritan Shano “duhet që në fillimit të ketë një marrëveshje midis hartuesve dhe dëgjuesve”. “Autoritetet publike duhet të shkojnë tek dëgjuesi duke ditur që dëgjuesi ka një peshë në procesin e hartimit të buxhetit, jo që s’ka asnjë peshë sepse ndryshe do të jetë një proces thjesht për të dalë para kamerave dhe asgjë më shumë, ndërkohë që duhet t’i shërbejë rritjes së llogaridhënies, përgjegjshmërisë”,- argumenton eksperti.

Teksa komenton strategjinë e MFE-së, Xhepa thotë se “shpesh herë ato ‘kopjohen’ nga dokumente të vendeve të tjerë dhe nxirren nga konteksti”. Sipas tij, “këto parashikime nuk paraqesin realisht substancë dhe një përqasje serioze”. “Duhet të kemi parasysh që kapacitet e komunitetit për të qenë të thelluar në dhënien e një këshille janë të kufizuara . Kjo do të thotë që për shembull komunitetet të asistohen me projekte, që të bëhen analiza me kundër argumente dhe nuk mendoj se komuniteti e ka këtë lloj kapaciteti dhe këtë lloj mundësie. Por, edhe shoqëria civile është shumë e dobët sepse edhe ajo pa u mbështetur me donator s’merr pjesë fare. Ajo është e orientuar nga axhendat e donatorëve dhe jo nga shqetësimet që ka shoqëria jonë”,- thotë Xhepa. Për këtë arsye eksperti thekson se në radhë të parë është i rëndësishëm forcimi i parlamentit të qeverisjes lokale, që është këshilli bashkiak. “Që këshillat bashkiakë të kryejnë realisht punën e tyre, duhet të mbështeten ata në radhë të parë. Nëse vetë këshilli bashkiak anashkalohet dhe nuk pyetet , atëherë çfarë mund të presësh nga grupet e interesit?!”,- shprehet Xhepa. “Ndaj unë them që duhet fuqizuar ‘parlamenti’ i qeverisjes lokale dhe pastaj nëpërmjet tij të krijohen instrumentet e nevojshëm që vetë ai të mbështesë grupet e shoqërisë civile”,- shton ai. Sipas ekspertit, “procesi nuk duhet t’i lihet ‘ekzekutivit” që në këtë rast është kryetari i bashkisë, por ‘parlamentit’ sepse kryetari i bashkisë ka një konflikt të madh interesi, pasi është ai që e paraqet buxhetin dhe planin ekonomik dhe ai nuk është i interesuar fare t’i bëjë oponencë vetes. Ndërkohë që, këshilli bashkiak është një organ pluralist dhe që normalisht ka një interes për të bërë një oponencë të mirëfilltë dhe reale”,- thotë ai.

Ndërkaq, Xhepa, Preçi dhe Shano kërkojnë me forcë që konsultimet mbi buxhetin të nisin që në kohën e hartimit të tij. “Dëgjesat duhet të fillojnë në muajt maj-qershor”,- përfundojnë njëzëri ata.

Rreth autorit:
Ola Mitre është gazetare e çështjeve ekonomike në Tiranë.