19 dhjetor 2019/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Tiranë
110 persona, nga tregtarë deri tek ish lypës, ose persona që merreshin me mbledhjen e objekteve të riciklueshme, janë shndërruar në tregtarë formalë, falë tregut të rrobave të përdorura, i hapur në Shkozë. Tregu u hap në maj të këtij viti dhe 110 tregtarët e komunitetit rom dhe egjiptian po përpiqen që të fuqizojnë ekonominë e familjes së tyre.
Ky treg i hapur nga Bashkia Tiranë dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, ka bërë bashkë tregtarët e Selitës, Shkozës e Lanabregasit, të cilët janë ndarë në tre kategori: 40 prej tregtarëve aktualë në treg kanë pasur një eksperiencë të gjatë me tregtinë, duke e ushtruar në mënyrë ambulante; 40 të tjerë kishin një shkëputje të konsiderueshme me tregtinë, duke punuar në grumbullimin e objekteve të riciklueshme dhe 20 prej tyre ushtronin më parë lypjen.
“Për këta të fundit tregu ka pasur shumë impakt sepse ta largosh një person nga ajo puna e rëndomtë që bën, normalisht i ndryshon edhe mënyra e të konceptuarit të gjërave, por edhe të ardhurat shtohen për familjen”, tregon Vis Daka, aktivist i komunitetit rom dhe egjiptian.
Pllumb Dungaj është një prej tregtarëve të Shkozës, i cili ka 8 vite që merret me tregtinë e sendeve të përdorura. Më herët, ai ka tregtuar pranë zonës së Shkozës në mënyrë ambulante, me frikën se malli do t’i sekuestrohej dhe duke nxjerrë shumë pak të ardhura për familjen.
“Ka mbi 7-8 vite që ne kemi shitur si ambulantë jo të ligjshëm, në pjesët ku kishte hapësira publike, aty ku ishin të mbipopulluara, në mënyrë që të përfitonim diçka, pra pagesa ditore për tu ushqyer. Na erdhi një shans shumë i mirë para disa kohësh dhe ishte jobesues. U bë një realitet, kjo falë edhe aktivistëve romë e egjiptianë”, shprehet i lumtur ai.
Të ushtruarit e një tregtie formale është një eksperiencë e re për ta. Dhe tanimë dinë të bëjnë krahasimin midis të qenurit formal e informal në këtë profesion.
Ndërtimi i tregut ka hapur shtigje të reja, jo vetëm të një tregtie të panjohur më parë, por edhe mundësi të shumta punësimi për familjarët e tregtarëve.
“E gjitha kjo është një gjë shumë e mirë për familjet që janë punësuar këtu, sepse ka shumë familje, të cilat nuk e kishin një punë. Dhe këtu kemi gati 3 metra vend në këtë tezgë që ne e punojmë si familje. Zonjën e kisha të papunësuar, megjithëse vetë isha i punësuar. Këtu vijnë edhe fëmijët që na ndihmojnë, pasi kthehen nga shkolla dhe mbarojnë detyrat”, shpjegon Pllumbi. Jeta e Pllumbit ka ndryshuar. Tani ai jo vetëm është i punësuar sipas të gjitha rregullave që ligji përcakton, por fëmijët e tij shkojnë edhe në shkollë.
Në fillim kur ky proces nisi, aktivistët shkuan në tre zona, për të plotësuar një pyetësor në lidhje me gjendjen social-ekonomike të familjeve, në mënyrë që të rendisnim se cilave familje mund t’i jepej prioritet për të fuqizuar të ardhurat ekonomike të familjes.
“Në fillim kur na u komunikua hapja e një tregu të ri isha shumë mosbesues sepse është vendi i tillë, dhe është diçka që ne edhe për shkak të arsimit nuk dimë ta kuptojmë thelbin e qëllimit. Por kur bëhet diçka reale është një ‘uau’ e madhe. Unë kam dëshiruar shumë që ky treg tu hapte, sepse shoh që zonja ime është e aktivizuar. Tani ajo ngrihet, bën pjesën e pastrimit në shtëpi dhe vjen direkt këtu. Por do doja gjithashtu që siç është hapur ky treg këtu të jetë edhe në zona të tjera, sepse është një mundësi shumë e mirë punësimi”, rrëfen Pllumbi.
Të gjithë tregtarëve iu dhurua një shumë prej 20 mijë lekësh (të reja) në mënyrë që të kishin furnizim fillestar të mallit. Dhe në këto muaj, Pllumbi na rrëfen se është furnizuar disa herë, gjë e cila nuk ndodhte më parë. “Unë sot nga 200 mijë lekë të vjetra kam arritur në 1 milion e gjysmë material në tezgë. Gjatë këtyre dy muajve unë kam pasur shumë furnizime dhe nuk e mbaj mend e mbase edhe mund të gaboj, por mbi 7-8 furnizime vetëm gjatë 2 muajve të parë”, na rrëfen ai.
Teksa për shumicën prej tyre tregtia nuk është gjë e re, për personat që janë marrë më parë me lypje ose mbledhje kanoçesh ky është një episod i ri në jetën e tyre dhe një shans që s’duhet humbur.
“Duke qenë të vetëdijshëm se informaliteti do të tkurret gjithnjë e më shumë, gjë që do të cenonte pozitat e shumë familjeve rome dhe egjiptiane, të cilat janë stërvitur të mbijetojnë përmes këtij ekuacioni, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë po eksploron mundësi për të ndërtuar procese, të cilat mundësojnë një kalim gradual dhe funksional nga informaliteti i plotë, në një formalizëm të arsyeshëm dhe të qëndrueshëm për familjet rome dhe egjiptiane, të cilat përjetojnë margjinalizimin. Një nga përpjekjet në fjalë është dhe tregu publik i veshjeve të përdorura në Shkozë, i cili nisi rrugëtimin e tij në 15 Maj 2019. Tregu ka krijuar një hapësirë ekonomike për 110 tregtarë romë dhe egjiptianë sikurse dhe një mundësi zgjedhjeje për mijëra qytetarë të Tiranës”, tregon Dritan Nelaj, menaxher projekti pranë Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Sipas Nelaj, tregu synon që të krijojë një hapësirë ekonomike të qëndrueshme për 110 familje me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetesës, shkëputjen nga varësia e skemave të ndihmës sociale, sikurse dhe krijimin e kushteve që familjet të mund të investojnë në aktivitete që lidhen me arsimin, konsumin e shërbimeve të ndryshme, përmirësimin e jetës sociale, etj.
Ditët më të ngarkuara për sa i përket blerjeve në treg shënohen në fundjavë, pra e shtuna e diela, ku tregtarët arrijnë të bëjmë deri në 15 mijë lekë (të reja) xhiro gjatë fundjavës.
Nga jehona që pati, këtë treg kanë filluar ta vizitojnë edhe nga rrethet dhe tregtarët kanë kuptuar mirë diçka: tregu ka më shumë perspektivë se tregtia e ushtruar në mënyrë ambulante.
“Kam shitur tek treni për 7 vite ambulant. Si të jetë dita mund të shesësh, si të jetë shansi. Tani që po fuqizohemi nga ana financiare edhe familja është më mirë, sepse ne kemi mundësinë tanimë t’i çojmë edhe fëmijët në shkollë. Faleminderit o zot, me nxjerr bukën, mirë jemi s’na zë shiu e era, ke një vend të caktuar ku të shkosh. Se vij e rregullt, merr bukën po të duash, vishesh si zonjë, hap mallin, po ke mall të mirë avash-avash do shesësh. Jo jo, s’bëhet fjalë për të mbledhur kanoçe. Jam familjare e rregullt , nuk është turp të punuarit. Traditën e tregtisë e kam marrë nga burri. Edhe ai vjen ndonjëherë na ndihmon”, rrëfen për Portën Vendore, Thëllënxa Arifi, tregtare në Tregun e Shkozës.
Tregu i rrobave të përdorura Shkozë pritet të bëhet model edhe për zona të tjera, ku ka tregtarë që ushtrojnë tregtimin e rrobave të përdorura në kushte informale, si një model sipërmarrje që duhet marrë shembull duke ndryshuar jetën e shumë tregtarëve . Ata do të munden të fitojnë më tepër, të ushqejnë familjet e tyre dhe të fuqizojnë anën ekonomike.
“Qasja e nismës është ofrimi i mundësisë, e cila do t’i lejonte familjet që të fitonin jetesën përmes një pune të ndershme, një punë e cila është pjesë e përvojës së tyre dhe që do t’i ndihmonte për të kapërcyer jetesën në informalitet të plotë. Tregu krijon qëndrueshmëri dhe mundësi për të ushtruar aktivitetin tregtar, duke shikuar drejt të ardhmes dhe jo thjesht sigurimit të parave për të tashmen, e cila zakonisht ndihmon për të siguruar ushqimin e çastit. Tregu përbën një sprovë për të ndërtuar një tranzicion, i cili do të mundësoje fuqizimin dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë familjare të tregtarëve të angazhuar në këtë veprimtari”, rrëfen Dritan Nelaj, menaxher projekti pranë Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.
Por tregtarët që kanë pranuar të jenë pjesë e këtij projekti, kanë pranuar të kryejnë edhe disa detyra siç është shkollimi i fëmijëve dhe punësimi i familjes. “Është një punë, është një model sipërmarrjeje i cili duhet bërë shembull. Duket si fjalë goje, por realisht shumë tregtarëve këtu po u ndryshon jeta, po fitojnë më tepër, po ushqejnë familjet e tyre dhe po fuqizohen nga ana ekonomike. Për të fuqizuar edhe më tepër tregtarët, të cilit vijnë edhe me histori zhvendosjeje të strehimit. Ne kemi menduar që ta alternojmë pak edhe punësimin formal me ushtrimin e tregtisë. Po përpiqemi që edhe familjarët e tregtarëve t’i punësojmë në sektorin formal të punëve. Anëtarët e rinj mund t’i orientojmë në kurse profesionale për të marrë një profesion e më pas t’i gjejmë mundësinë për ta ushtruar ato. Po shikojmë gjithashtu edhe programet e punësimit pranë zyrës së punës, duke i përshtatur me profilet e tyre”, sqaron Jeta Pera, aktiviste e komunitetim rom dhe egjiptian.
Tregu i rrobave të përdorura Shkozë disponon edhe një faqe në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram ku reklamohen produkte të ndryshme. “Tregtarët na thonë shpesh që më erdhën klientët me foton në Facebook, ku është kjo, e gjejmë këtë? Le të themi që ka bërë punën e vet edhe rrjeti social, pra klientët pëlqejnë nga publikimet që ne bëjmë në rrjetet sociale dhe vijnë më pas ti kërkojnë. Sigurisht që kur publikojmë kombinime të ndryshme të rrobave themi edhe se në cilën tezgë mund t’i gjejnë ato”, tregon Jeta Pera, aktiviste e komunitetit rom dhe egjiptian.
Po ashtu mendohet që shumë shpejt nga ky treg të nisin edhe shitjet online, ku të ardhurat e grumbulluara të vihen përsëri në funksion të mirëmbajtjes së tregut ose në dobi të familjarëve të tyre.
Të dhënat e INSTAT tregojnë për një rritje të ndjeshme të importit të rrobave të përdorura që prej vitit 2012. Hapja e këtij tregu është një mundësi punësimi për shumë familje në nevojë, duke nxitur formalizimin dhe arsimimin e këtyre familjeve. Tashmë, 110 familje nga komuniteti rom dhe egjiptian, që kur ky treg u hap në kryeqytet, nuk dalin më në rrugë për të tregtuar rroba. Ndërsa atyre i përket të paguajnë një taksë thuajse simbolike, ku në vitin e parë tregtarët do të paguajnë 4700 lekë (të reja) në vit për sigurimet e tyre, dhe më pas do të kenë edhe një taksë bashkie prej 1200 lekësh në muaj për tezgën.