Ndodhi

Shembja e 7 pallateve mbyll 40 biznese në Laç

18 dhjetor 2019/ Elvis Hila/ Porta Vendore/ Kurbin

Ditën e djeshme ka nisur prishja e 7 pallateve që janë shpallur të pabanueshme në qytetin e Laçit. Banorët janë të frikësuar dhe shpresojnë në rindërtimin e tyre një minutë e më parë, ndërsa janë zhvendosur aktualisht te të afërmit, në hotelet e Shëngjinit, ose çadra. Pas familjeve të prekura, në Bashkinë Kurbin, sektori më i prekur nga tërmeti i datës 26 nëntor mbetet biznesi.

Fran Lala kishte një lokal bar kafe në katin e parë në njërin nga pallatet që do shembet në qytetin e Laçit. Me këtë biznes të vogël, ai punonte së bashku me familjen e tij. Por që kur pallati u shpall i pabanueshëm si pasojë e dëmtimeve nga tërmeti i 26 nëntorit, 50-vjeçari ndërpreu aktivitetin dhe nisi të zbrazë lokalin.

“Kam punuar në emigracion disa vite dhe bleva këtë dyqan këtu në pallatin përballë gjykatës. Investova dhe e bëra bar kafe dhe ka 7 vite që punoj këtu. Të them të drejtën puna ka qenë në rënie gjatë viteve të fundit, por që gjithsesi siguronim sadopak të ardhura sa për të jetuar. Tërmeti i nëntorit shkaktoi dëmtime të shumta të godinës dhe ekspertet e nxorën të pabanueshëm të gjithë pallatin. Në këto kushte na kërkuan që të mos qëndrojmë më aty dhe unë me datë 1 dhjetor nisa të zbraz lokalin, duke shpëtuar çfarë të mundem” thotë ai.

Por Lala është shumë i shqetësuar nga kjo situata, pasi mbyllja e biznesit po i kushton familjes së tij. Ai nuk di se si do të jetë e ardhmja, pasi askush nga autoritetet nuk ju ka thënë gjë.

“Mbyllja e biznesit është diçka mjaft negative për familjen time. Tani nuk kam më asnjë të ardhur dhe nuk e di çfarë do bëhet me neve, pasi askush nuk na ka thënë asgjë. Interesi jonë është që pallatet të rindërtohen këtu, pasi është rruga kryesore e qytetit dhe normalisht na nevojitet që biznesin të ngrihet sërish këtu”, tregon Lala për Portën Vendore

Në katet e para të 7 pallateve që po shemben në Laç kanë qenë plot 40 biznese që tani janë mbyllur. Kjo do të thotë mungesë të ardhurash për 40 familje të Laçit, qytet ky mjaft i varfër dhe me numër të lartë papunësie.

Ded Trokthi është një nga pronaret e tokës në këto pallate dhe ka pasur 600 metra katrorë dyqane, dhe dy shpi.

“Kam pas 600 metra katrorë dyqane, dy shpi dhe nuk e di se çdo bëjmë. I kisha lëshuar me qira dyqanet dhe tani nuk e di çfarë do bëhet. S’na kanë thënë asgjë. Nëse pallatet nuk do të rindërtohen sërish këtu kjo do ishte një humbje shumë e madhe për neve. Aty është rruga kryesore dhe është një vend shumë i mirë për aktivitet tregtar” sqaron ai.

Mëngjesin e datës 16 dhjetor Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nisi shembjen e 7 pallateve në Laç, të shpallur të pabanueshëm pas tërmetit të 26 nëntorit!

Objektet 5-katëshe kishin marrë dëmtime të rënda në strukturë dhe ekspertët vendosën që të rrëzohen pasi përbëjnë rrezik. Procesi u monitorua edhe nga forcat e policisë, të cilët kishin rrethuar zonën ku ndodhen këto objekte për të garantuar sigurinë. Për shembjen e tyre u vunë në dispozicion 2 ekskavatorë të Bashkisë së Kurbinit, ndërsa të pranishëm ishin banorë të pallateve dhe pronarë të bizneseve. Disa të strehuar në Shëngjin e të tjerë te të afërmit e tyre, banorët e ngelur të pastrehë shprehen mjaft të shqetësuar, pasi nuk dinë se di do të jetë e ardhmja e tyre.

“Ka 34 vite që unë kam jetuar këtu në pallatin përballë gjykatës që po shembet aktualisht. Kam qenë i pari në këtë pallat. Gjithë mundin e jetës e kam investuar këtu, pasi kam punuar shofer 50 vite. Kam jetuar me gjithë familjen. Tërmeti ishte shumë i fortë, por falë zotit shpëtuam mëngjesin e 26 nëntorit dhe kjo është kryesorja. Fjalë të mira ka përsa i përket strehimit tonë, shpresojmë që t’i mbajnë. Unë aktualisht jam strehuar në Shëngjin, por kam aplikuar për bonus qiraje dhe shpresoj të gjej një banesë sa më parë për tu vendosur derisa të na rindërtohet shtëpie”, thotë Doda.

Ai është strehuar në hotelet e Shëngjinit, po bashkë me djalin këtë të hënë u rikthye në Laç për t’i dhënë lamtumirën ish shtëpisë së tij.

Të tjerë banorë që kanë jetuar në këto pallate janë skeptik për sa i përket rindërtimit të banesave, ndërsa kërkojnë që pallatet të rindërtohen sërish në vendin ku kanë qenë.

“Nuk di asgjë se çfarë do bëhet me neve. Aktualisht jam strehuar te vëllai im në një fshat këtu afër. S’na kanë thënë asgjë çfarë do bëhet me neve. Unë dua që banesën ta kem sërish në këtë lagje, pasi jam lindur dhe rritur nuk kam dëshirë të largohem. Thjeshtë kam aplikuar për të përfituar qira dhe po kërkoj për banesë”, thotë një banor.

Banorët e 7 pallateve kanë përfituar bonusin e qirasë, deri në rindërtimin e shtëpive.

Plani i qeverisë parashikon ndërtimin e një lagjeje të re në qytetin e Laçit, por sipas prefektit Gjok Jaku ende nuk ka një projekt konkret.

“Ky proces do të ketë dhe listë të shtuar të pallateve në qytetin e Laçit, praktikat e të cilave akoma nuk kanë përfunduar. Janë kompanitë e projektimit që janë porositur për të paraqitur disa variante për ndërtimin e këtyre pallateve. Është bashkia Kurbin që do të bëjë zgjedhjen e shesheve të ndërtimit. Të gjithë këtyre familjeve që kanë jetuar këtu, iu është mundësuar bonusi i qirave dhe po aplikojnë pranë Bashkisë së Kurbinit”, tha prefekti Jaku.

Bizneset në pritje të fadromave të IKMT-së. Foto: Elvis Hila

Bazuar në akt-konstatimet e hartuara dhe miratuara nga Instituti i Ndërtimit është vendosur shembja për pallatet nr. 125, 126, 127, 129, 130, 131 dhe 133 në Lagjen nr. 4 në Laç, proces që do të përfundojë brenda kësaj jave. Bashkia e Kurbinit ishte një nga më të prekurat nga tërmeti i 26 nëntorit, ku u dëmtuan disa qindra shtëpi. Rreth 60 pallate deri tani janë shpallur të pabanueshme nga grupet e inspektimit vetëm në qytet, ndërsa shumë më tepër shtëpi të dëmtuara ka edhe në zonat rurale.

Rreth autorit:
Elvis Hila është korrespondent i Tv Ora News për qarkun e Lezhës.