18 Dhjetor 2019/ Porta Vendore/ Tiranë
Pas situatës dhe dëmeve të krijuara nga tërmeti i 26 nëntorit, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar vendimin për heqjen nga tarraca e pallateve të të gjitha depozitave të ujit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të rënda. Vendimi është marrë në mbledhjen e 16 dhjetorit, ku është cilësuar edhe mënyra si do bëhet heqja e tyre dhe rastet kur ato mund të mbahen në tarracat e pallateve. Vendimi u mor unanimisht nga këshilli bashkiak, i cili në këtë mbledhje, miratoi gjithashtu listën e radhës për bonusin e qirasë për 606 familje të tjera, shtëpitë e të cilave janë bërë të pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit dhe dëmshpërblimin për 300 familjet e reja, të cilave u është dëmtuar pjesërisht banesa nga tërmeti i 21 shtatorit.
Heqja e depozitave të ujit
Në vendimin e vet, Këshilli Bashkiak shprehet se Bashkia e Tiranës do të udhëzojë që depozitat e përbashkëta të ujit të vendosën në ambientet e bashkëpronësisë në katet e para, duke i hequr nga tarracat. Në fjalën e tij, para Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Veliaj tha se Tirana duhet të mësojë nga ajo që ka ndodhur pas tërmetit. “Ju propozojmë një vendim të Këshillit Bashkiak, ku Bashkia emeton për të gjithë administratorët e pallateve dhe banorët e Tiranës një udhëzim për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat. Mbi tarracat e pallateve ka një peshë të jashtëzakonshme që është në mënyrë konstante rrezik për jetën e qytetarëve. Kjo histori ka vazhduar për shumë gjatë në qytetin tonë; ne nuk duam të jemi ata që nuk mësojmë nga historia, por që mësojmë prej saj. Ndaj, lipset të bëjmë disa gjëra me këtë vendim të KB: Së pari, marrim vendim për të hequr të gjitha depozitat e ujit nga tarracat, jo për t’i lënë pa alternativë, por që në bashkëpunim me administratorët e pallateve të kenë mundësi që, si pallatet e reja, në hapësirën e përbashkët, në katin e parë ose në një nga vendet e parkimit, të instalojnë një depozitë të përbashkët për të gjithë banorët; pra, jo secili të vetën”, tha Veliaj.

Sipas këtij vendimi, depozitat në tarracë do të lejohen vetëm në rastet kur pas raportit që do të përgatitet me inxhinierë konstruktorë të licencuar, do të ketë miratohet nga shumica e asamblesë së bashkëpronarëve. “Ne do të lejojmë depozita në tarracë vetëm nëse inxhinierët konstruktorë të licencuar i japin aprovim administratorit të pallatit se tarraca e tyre është mjaftueshëm e fortë për të mbajtur atë peshë. Improvizime të tjera nuk do kemi. Kjo është arsyeja pse do i kërkojmë çdo asambleje të pallatit që me administratorin e tyre të bëjë këtë verifikim; do i japim leje të përshpejtuar kujtdo që do të bëjë depozitë të përbashkët të pallatit në katin përdhes, në lulishten apo brezin që ka pallati rreth e qark, por kurrsesi nuk do vazhdojmë me këto rreziqe”, tha Veliaj.
Një nga problematikat e hasura nga inxhinierët shqiptarë dhe të huaj në terren, ishte pikërisht vendosja e depozitave të ujit në tarracat e pallateve, duke sjellë jo vetëm amortizimin e këtyre objekteve, por edhe rrezikuar jetën e qytetarëve.
Qytetarët për heqjen e depozitave
Kur fjala vjen tek vendimet, qytetarët ndahen në pro e kundra. Të pyetur nga Porta Vendore, ata shprehen skeptikë për këtë vendim.
Në pallatin 6 pranë zonës së pazarit të ri, Alma na tregon se ky vendim nuk mund të bëhet realitet në pallatin e tyre. “Ne jetojmë mbi 50 familje në këtë bllok pallati të bërë para viteve 90’, por e keqja jonë është që ajo çka thotë kryetari i bashkisë është e pamundur, pasi nuk ka hapësirë përpara pallatit që një gjë e tillë të ndodhë. Për mua si banore do të ishte mrekulli, meqë e kam edhe shtëpinë në kat të pestë e s’kam pse rikonstruktoj tarracën 1 herë në 5 vite, por këtu zihemi për një vend parkimi, jo më të gjejmë një hapësirë adekuate për këtë projekt. Ndaj më duket shumë i largët”, tha ajo.
Ndërsa Vini një tjetër banor, i cili ka edhe një servis makinash, shprehet pozitiv mbi këtë ide, e cila sipas tij duhet implementuar sa më shpejt. “Jam entuziast, sepse kryesisht bashkia e ka mbajtur shumicën e premtimeve. Sigurisht që lë vend për diskutim mënyra që do të zgjidhet për të zhvendosur depozitat, nëse atyre do ti krijohet një vend grumbull, apo do të ndërtohet një dhomë betoni në funksionin e depozitës për të gjithë pallatin”, thotë ai.
Të gjendur përpara këtij vendimi, duket se më pak shpresë plot janë të moshuarit. “Unë jetoj vetëm me burrin, edhe depozitën e kam vendosur tek dritarja e dhomës në katin e dytë, pasi nuk kam mundësi të paguaj për rregullimet që bëhen herë pas herë në tarracë. Ne kemi vetëm dy pensione që s’na dalin për të ngrënë bukë e paguar një dynja taksa jo më të fus lekë për të vendosur një depozitë aty poshtë”, tha Sania, një nga banoret më të vjetra të këtij kompleksi pallatesh të vjetër.
Megjithatë në ditët e javët në vijim, ky vendim do të kristalizohet për mënyrën se si do të operohet për ta vënë në zbatim. Ndërsa pallatet e reja të ndërtuara kryesisht pas vitit 2000 e kanë depozitën e ujit të përbashkët në ambientet e bodrumit.
Bonusi i qirasë për të dëmtuarit nga tërmeti
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi po ashtu në mbledhjen e të hënës listën e radhës për bonusin e qirasë për 606 familje të tjera, shtëpitë e të cilave janë bërë të pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit. Lista totale e familjeve përfituese të bonusit ka shkuar në 1794 gjithsej, ndërsa masa e bonusit të qirasë është përcaktuar në bazë të njësive të banimit. “Më vjen mirë që deri sot kemi dhënë 1188 bonuse qiraje. Për ta mbyllur këtë projekt, që siç kemi premtuar, festat t’i gjejnë njerëzit e strehuar, sot kalojmë edhe 606 bonuse qirash të tjera, e në total shkojmë në 1794”, tha Veliaj. Gjithashtu, ai bëri të ditur se pjesë e listës së familjeve dhe personave që do të trajtohen me bonus qiraje janë edhe banorët e strehuar në 10 godinat e Universitetit Bujqësor të Kamzës.
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi edhe listën e dëmshpërblimit me 300 familjet e reja, të cilave u është dëmtuar pjesërisht banesa nga tërmeti i 21 shtatorit. Kryebashkiaku Veliaj tha se pas verifikimit të dosjeve, Drejtoria e Emergjencave Civile i ka përcjellë për vlerësim në Këshillin e Qarkut Tiranë.